Pas një farë kohe, audiencës shqiptare iu kthye një prej figurave me ikonike të ekranit shqiptar: Adi Krasta. Me një titulli të personalizuar emisioni – “A”, show i radhs i Krastës në News 24, përbën një kthesë në profilin dhe karrierën e tij; nga spektakli, ai është futur në domenin e politikës. Pra, së këndejmi, nga ajo çfarë u pa në puntatën e parë të hënën, do kemi një “Pepe Grillo”, sigurisht pa synime politike, së paku deri më tani, por me pozicion e shënjestra të qarta politike. “A”-ja e Krastës nuk donte shumë sforco për ta kuptuar fabulën e re: Rama, a më saktë stili i tij qeverisës, do denoncohen rregullisht me gjuhën e tij, në një formë a metodë paksa ndryshe, por siç u pa, me të njëjtat personazhe.
Së këndejmi, për herë të parë pas 28 vitesh, që kur u shfaq për herë të parë si “moderator i lindur” spektaklesh, Krasta ka zgjedhur të riskojë. Ai, është një ikonë jo thjesht nga aftësia e pakonkurueshme profesionale – Gjebrea mund jetë ekuivalent i tij, por jo domosdoshmërisht konkurues – por nga fakti se ka imponuar unianimitet shijeje në publik: i aftë, simpatik dhe fantastik.
Por tani është ndryshe. Puntata e parë e tij pati krisjet e veta profesionale, jo prej linjës editorale shfaqur ashiqare, por nga ca elementë hem parazitarë e hem pa shije.
Pjesa e parë ishte një ballafaqim titujsh për një çështje. Interesante si gjetje!
Pjesa e dytë, një intervistë me Lubonjën. Le të ndalemi pak këtu. Krasta është kreativ në sajimin dhe formulimin e pyetjeve, por fakti që Lubonja shfaqi të njëjtën patologji urrejtje ndaj Ramës si personazh e si qeverisje, me të njëjtën mënyrë të menduarit e të njëjtat fjalë, e uli në nivel parazitar minutazhin e bisedës me të. Lubonja është një aset i mendimit shqiptar, por ka një konsumim të frikshëm. Jo aq nga prezenca e madhe në media, sesa nga yryshi për të trajtuar dhe për t’i vënë notën çdo çështje, ku në fund ngre krye vetëm ajo që ai mendon, e cila zakonisht ka një mungesë totale referencash. Mbrëmë u fol për koston e mbi e nënkalimit te Shqiponja, u përmendën shifra, dhe, pa asnjë zbërthim a përllogaritje teknike, pa asnjë kompetencë në sektorë që mund të përfshijnë një vepër publike, u arrit të konkluzionin se aty kishte abuzime. Duhet kujtuar me këtë rast se abuzimet financiare në Rrugën e Kombit, për të cilat u vendos nën akuzë Basha si ministër Tansportesh i kohës, u zbuluan nga një teknicien; inxhiner Arben Meçe, të cilit askush nga mazhoranca e kohës, Basha jo e jo, nuk pati kurajon apo aftësinë për t’i bërë oponencë dhe për t’ja rrëzuar shifrat.
Lubonja, i ardhur nga fusha e letrave dhe e kritikës politike në terma teorikë, nuk mund të flasë për çështje të cilat duhen shoqëruar me referenca teknokratike. Opinionet e tij, të cilat kanë dhe emotivitete të rrafshit personal, nuk mund të merren si kriter i së vërtetës. Pos kësaj, është një individ në dispropocion meritash shoqërore: ka bërë oponentin e fuqishëm, por jo kontribuesin duke marrë përgjegjësi.
Vjen pjesa e tretë, intervista me Klodiana Lalën. Ok e gjitha.
Dhe pason pjesa e katërt, e cila nuk reflektonte asgjë prej talentit Krasta. Zgjedh tre figura, duke sajuar një dialogim me nuanca satirike, ku sigurisht brenda ishte denoncimi politik i Ramës. As Erion Kristo e as Sokol Shameti, dy pena mjaft të mira letrare – ku njëra, ajo e Shametit është në thelb gazetareske – ishin zgjedhur të bënin një lloj Fiksi. Mes tyre, ai, Dashamir Shehi. Dy të parët nuk kanë pse gjykohen. Ishin ok në pozicion, por nuk se dhuruan diç impresionuese. Ndërsa Shehi ishte po ai, siç ka qenë ç’prej kur nuk pati më asnjë pozitë shtetërore, e cila do ishte dhe targeti i gjykimit të publikut për të, aftësinë si shtetar, standartet si qeveritar. Pa këtë barrë, i jep gojës në mënyrën e vet dhe, duke qenë paksa popullor – tirons në mënyrën e të menduarit – e kënaq gjindjen me batuta që s’e kapërcejnë dot si kohë momentin kur thuhen, apo vendin ku thuhen. Dash Shehi, është një prej atyre klisheizimeve mediatike, ku përfshihet dhe Spartak Ngjela, që edhe pse përbëjnë dështime katastrofike në rrafshin e karrierës politike, duke mos qenë të aftë të shfaqin asnjë nuancë lideri e të garojnë e triumfojnë me mendim politik, kanë një mbijetesë vetëm falë gjykimit sipërfaqsor mediatik. Te Krasta, ai, i përzgjedhur për t’i rënë qeverisë me mënyrën e tij, thjesht i ra në mënyrën e tij, brenda një konsumi fjalësh strukturuar me fjali parazitare, pa thënë asgjë të re, asgjë befasuese, asgjë kontribuese. Ja ç’lloj lajmi buroi nga gjithëajo çfarë tha, përzgjedhur nga BW: “Dash Shehi: Gruevski iku se ishte i shkurtër, Rama s’fshihet dot”(!)
Dash Shehi sot, një emër në një vendnumëro të dhimbshëm, në radhë të parë për vetë atë, por dhe për ne që e ndjekim, ia vlen ta kesh përballë vetëm për një pyetje: çfarë i ka lënë ai shtetit shqiptar përsa qe shërbëtor i tij si ministër, e çfarë i ka lënë më pas, apo po i lë shoqërisë shqiptare si politikan, me mendimin e gjuhën e tij? Cila është ajo punë, inisiativë, ai produkt i mendjes së tij, prej së cilit kanë përfituar shqiptarët dje, sot, e do përfitojnë në të ardhmen? Kaq. Dhe ky duhet të shndërrohet në kut gjykimi për çdo personazh politik.
Pra, episodi i katërt i “A”-së së Krastës, dhe jo pse ishte zgjedhur Dash Shehi, ishte diçka që ushqente rrjetet, gallatën në to, por jo mendimin; një lloj tralalaje politike e dalë boje, e bërë për të denoncuar atë që në fakt është mjeshtër në këtë gjini, e që një prej ceneve të tij më të mëdha si qeveritar ka pikërisht tralalanë e tepruar në ligjërimin politik – pra Edi Ramën. Ndërsa Krasta ka barrën të prodhojë mendim e jo gallatë. Kjo është dhe mangësia më e madhe e të gjithë ligjërimit në Talk Shoë-t e mbrëmjeve në TV-të shqiptare: nuk reflekojnë mendim. Krasta ka dhuruar deri më sot kënaqsi, sot i duhet të prodhojë mendim! /tesheshi.com/