Nga Niall Ferguson, The Free Press
Epiteti i veçantë “Amerika e vonë Sovjetike” u shpik nga historiani i Universitetit Prinston, Harold Xhejms në vitin 2020. Ai bërë edhe më popullor, ndërsa Lufta e Dytë e Ftohtë në të cilën ndodhemi, ka filluar që të nxehet. E theksova për herë të parë në vitin 2018 faktin që gjendemi në Luftën e Dytë të Ftohtë.
Në artikujt e mi për The New York Times dhe National Review, u përpoqa të tregoja se si Republika Popullore e Kinës, zë tani hapësirën e liruar nga Bashkimi Sovjetik qëkur u shemb në vitin 1991. Kjo pikëpamje, është më pak më e diskutueshme sot se sa atëherë.
Kina është jo vetëm një rivale ideologjike, e përkushtuar fort ndaj marksizëm-leninizmit dhe sundimit njëpartiak; ajo është gjithashtu një konkurrente në fushën e teknologjisë dhe e vetmja me të cilin SHBA përballet në fusha të tilla si Inteligjenca Artificiale dhe informatika kuantike.
Po ashtu, është një rivale ushtarake, me një marinë tashmë më të madhe se e SHBA-së dhe me një arsenal bërthamor që po rritet me shpejtësi. Dhe është një rivale gjeopolitike, që pretendon ndikimin e saj jo vetëm në rajonin e Indo-Paqësorit, por edhe nëpërmjet përfaqësuesve në Evropën Lindore dhe gjetkë.
Por vetëm kohët e fundit më bëri përshtypje fakti se në këtë Luftë të re të Ftohtë, sovjetikët mund të jemi ne amerikanët dhe jo kinezët. E si se shumëkush mund të hidhet dhe ta kundërshtojë këtë tezë. Sepse ka në fakt shumë dallime midis ekonomisë së planifikuar dhe jofunksionale që ndërtoi dhe la trashëgim Stalini, e cila u shemb sapo Mikail Gorbaçovi u përpoq ta reformonte, me atë të ekonomisë dinamike të tregut me të cilën krenohemi ne amerikanët.
Sistemi sovjetik i shpërdoroi burimet, duke shkaktuar mungesa serioze të mallrave në treg. Sistemi sovjetik i kujdesit shëndetësor u gjymtua nga spitalet e rrënuara dhe mungesa kronike e pajisjeve. Kishte varfëri të madhe, uri dhe punë të fëmijëve. Sot në SHBA, kushte të tilla ekzistojnë vetëm në segmentin e fundit të shpërndarjes ekonomike. Edhe pse kjo shkallë mbetet gjithsesi e tmerrshme.
Vdekshmëria foshnjore në Bashkimin Sovjetik gjatë viteve të fundit të ekzistencës ishte rreth 25 për 1000 lindje. Kjo e dhënë për SHBA-në ishte 5.4 në vitin 2021. Por për nënat beqare në shtetet e Deltës së Misisipit apo maleve Apalashe është 13 për 1000.
Shumëkush mund të thotë se krahasimi me Bashkimin Sovjetik është gjithsesi i tepruar. Por le t’i shohim më nga afër shifrat.
Një “kufizim i butë buxhetor” ishte një dobësi kryesore e sistemit sovjetik. Në SHBA deficiti buxhetor do të kalojë nga 5 për qind e PBB-së aktualisht, në 8.5 për qind deri në vitin 2054.
Ekonomistët vazhdojnë të na premtojnë një mrekulli në fushën e produktivitetit nga teknologjia e informacionit, së fundmi nga Inteligjenca Artificiale. Por norma mesatare vjetore e rritjes së produktivitetit në sektorin e jo-bujqësor të SHBA-së ka mbetur 1.5 për qind që nga viti 2007, vetëm pak më mirë se vitet e zymta 1973-1980.
Ekonomia e SHBA-së mund të kihet sot zili nga pjesa tjetër e botës. Por kujtoni pak sesi ekspertët amerikanë e mbivlerësuan ekonominë sovjetike në vitet 1970-1980. E megjithatë, ju mund të këmbëngulni në kundërshtimin tuaj, duke thënë se Bashkimi Sovjetik ishte një “shtet i sëmurë” më shumë sesa një superfuqi, ndërsa Shtetet e Bashkuara s’kanë asnjë të krahasuar në fushën e teknologjisë ushtarake dhe fuqisë goditëse.
Ushtria e Kuqe ishte dikur më e madhja në botë dhe për këtë arsye më vdekjeprurësja. Në letër kjo ishte e vërtetë. Por në realitet, ajo nuk mundi të fitonte as një luftë si ajo e Afganistanit, pavarësisht 10 viteve ku u varë qindra mijëra njerëz dhe pati shumë shkatërrime.
Në letër, buxheti i mbrojtjes i SHBA-së e tejkalon atë të gjithë anëtarëve të tjerë të NATO-s të marrë së bashku. Por ai nuk mjafton për të luftuar ndaj “Koalicionit Kundër Demokracisë” që kanë ndërtuar në mënyrë agresive Kina, Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut.
Në një raport të kohëve të fundit theksohet: “Ushtria amerikane ka mungesë të pajisjeve moderne, mungesë të fondeve për trajnime dhe mirëmbajtje dhe një grumbullim të madh të infrastrukturës. . . Ajo është e keq-pajisur për të përmbushur të gjitha misionet që i janë caktuar. Kundërshtarët tanë e kuptojnë këtë dhe kjo i bën më aventurierë dhe agresivë”.
Për mua janë edhe më të habitshme ngjashmëritë politike, sociale dhe kulturore midis SHBA-së dhe BRSS. Udhëheqja gerontokratike, ishte një nga shenjat dalluese të udhëheqjes sovjetike të viteve të fundit, e personifikuar nga Leonid Brezhnjev, Juri Andropov dhe Konstantin Çernjenko.
Por sipas standardeve aktuale amerikane, as këta nuk ishin dhe aq pleq. Sepse Brezhnjevi ishte 75 vjeç kur vdiq në vitin 1982, por ai e kishte pësuar goditjen e parë të rëndë shtatë vjet më parë. Andropov ishte vetëm 68 vjeç kur pasoi Brezhnjevin në krye të vendit, por pësoi dështim total të veshkave vetëm disa muaj pasi mori detyrën.
Ndërsa Çernjenko ishte 72 vjeç kur u ngjit në pushtet. Ai ishte tashmë një invalid i pashpresë, që vuante nga emfizema, dështimi i zemrës, bronkiti, pleuriti dhe pneumonia. Është një reflektim i cilësisë së kujdesit shëndetësor fakti që homologët e tyre amerikanë janë edhe më të moshuar dhe më të shëndetshëm. Megjithatë, Xho Bajden (81 vjeç) dhe Donald Trump (78 vjeç) nuk janë burra në fillimet e rinisë dhe vitalitetit.
I pari nuk mundet të bëjë dot dallimin midis dy sekretarëve të tij hispanikë në kabinetin qeveritar, Alejandro Majorkas dhe Ksavier Beçera. Ndërsa Trump ngatërron Niki Halej me Nansi Pelozin. Një tipar tjetër i dukshëm i BRSS në vitet e fundit të ekzistencës, ishte cinizmi total publik për pothuajse të gjitha institucionet.
Libri i shkëlqyer i Leon Aron “Rrugët drejt tempullit”, tregon se sa e mjerë ishte bërë jeta në vitet 1980. Falë politikës liberale Glasnost të Gorbaçovit, qytetarët sovjetikë mundën t’i shprehnin pakënaqësitë e tyre përmes letrave drejtuar një mediaje papritmas të lirë. Po të rilexosh sot ankesat e rusëve për jetën e tyre në vitet 1980, do të hasësh disa parathënie të habitshme që përkojnë me të tashmen e SHBA-së.
Për shembull, në një letër drejtuar Komsomolskaya Pravda në vitin 1990, një lexues denoncon “të kobshmen dhe tragjiken. . . humbjen e moralit nga një numër i madh njerëzish që jetojnë brenda kufijve të BRSS”. “Simptomat e dobësisë morale, përfshijnë apatinë dhe hipokrizinë, cinizmin, servilizmin dhe gërmimin. I gjithë vendi po mbytet në një det gënjeshtrash dhe demagogjie publike”, theksonte ai.
Në korrikun e vitit 1988, 44 për qind e njerëzve të anketuar nga Moskovskie Novosti mendonin se shoqëria sovjetike ishte “e padrejtë”. Dhe nëse sheh sondazhet më të fundit të Gallup të opinionit amerikan, zbulon një zhgënjim të ngjashëm. Pjesa e publikut që ka besim tek Gjykata e Lartë, bankat, shkollat publike, presidenca, kompanitë e mëdha të teknologjisë dhe fuqia punëtore e organizuar, është diku midis 25-27 për qind.
Për gazetat, sistemin e drejtësisë, televizionet e lajmeve, bizneset e mëdha dhe Kongresin, niveli i besimit është nën 20 për qind. Sot besimi mesatar tek institucionet kryesore është afërsisht sa gjysma e asaj që ishte në vitin 1979. Nga ana tjetër, janë tronditëse të dhënat e fundit mbi vdekshmërinë në SHBA. Jetëgjatësia ka rënë dekadën e fundit, në një mënyrë që nuk e shohim as në vendet e zhvilluara të krahasueshme me të.
Sipas Akademive Kombëtare të Shkencave, Inxhinierisë dhe Mjekësisë, shpjegimi kryesor ka të bëjë me një rritje të habitshme të vdekjeve për shkak të mbidozave të drogës, abuzimit me alkoolin dhe vetëvrasjet, si dhe një rritjeje të sëmundjeve të ndryshme që lidhen me obezitetin.
Midis viteve 1990-2017 droga, dhe alkooli ishin përgjegjës për më shumë se 1.3 milion vdekje në mesin e popullsisë në moshë pune (25- 64 vjeç). Gjatë së njëjtës periudhë, vetëvrasja shkaktoi 569.099 viktima, sërish amerikanë në moshë pune. Ky ndryshim i jetëgjatësisë nuk po ndodh në vendet e tjera të zhvilluara.
Ndërsa jetëgjatësia e meshkujve u përmirësua në të gjitha vendet perëndimore në fund të shekullit XX, në Bashkimin Sovjetik ajo filloi të bjerë pas vitit 1965, u ndal për një kohë të shkurtër në mesin e viteve 1980, dhe më pas ra në pikiatë në fillim të viteve 1990.
Kultura e pirjes së tepërt së alkoolit dhe duhanit u lehtësua nga çmimet e lira të cigareve nën regjimin sovjetik dhe çmimet e lira të alkoolit pas rënies së komunizmit. Sigurisht, të dy sistemet e kujdesit shëndetësor duken në sipërfaqe shumë të ndryshëm. Sistemi sovjetik ishte thjesht i pamjaftueshëm.
Ndërsa në zemër të krizës shëndetësore në SHBA, është një mospërputhje e madhe midis shpenzimeve – të cilat janë të pakrahasueshme ndërkombëtarisht në raport me PBB-në – dhe rezultateve, të cilat janë të tmerrshme. Në Bashkimin Sovjetik, gënjeshtrat e mëdha ishin se partia dhe shteti ekzistonin për t’u shërbyer interesave të punëtorëve dhe fshatarëve, dhe se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj ishin imperialistë pak më mirë se sa nazistët gjatë “Luftës së Madhe Patriotike”.
E vërteta ishte se nomenklatura (pra anëtarët e elitës) e partisë, kishte formuar me shpejtësi një klasë të re me privilegjet e veta shpeshherë të trashëguara, duke i lënë punëtorët dhe fshatarët në varfëri dhe robëri.
Nga ana tjetër, Stalini e nisi Luftën e Dytë Botërore në të njëjtin kamp me Hitlerin, dështoi plotësisht të parashikonte pushtimin nazist të Bashkimit Sovjetik, dhe më pas u bë imperialisti më brutal.
Gënjeshtrat e barazvlefshme në Amerikën e vonë Sovjetike, janë se institucionet e kontrolluara nga Partia Demokratike – burokracia federale, universitetet, fondacionet kryesore dhe shumica e korporatave të mëdha – janë të përkushtuara për të zgjeruar të drejta e pakicave racore dhe seksuale deri tani të lëna pas dore, dhe se synimet kryesore të politikës së jashtme të SHBA-së janë lufta ndaj ndryshimeve klimatike dhe (siç shprehet Xhek Sallivan ) të ndihmojë vendet e tjera të mbrojnë veten “pa dërguar trupa amerikane në luftë”.
Në realitet, politikat për të promovuar “diversitetin, barazinë dhe përfshirjen” nuk i ndihmojnë aspak pakicat e varfra. Përkundrazi, përfituesit e vetëm janë një turmë zyrtarësh shtetërore. Ndërkohë, politika e jashtme të SHBA-së nuk është aq shumë në ndihmë të mbrojtjes së vendeve të tjera se sa për të sulmuar të tjerët dhe luftuar kundërshtarët përmes palëve të treta, pa i furnizuar ato me armatim të mjaftueshëm për të pasur shumë mundësi për të fituar.
Kjo strategji – më e dukshme në Ukrainë – ka kuptim për Shtetet e Bashkuara, të cilat zbuluan gjatë “luftës globale kundër terrorit” se ushtria e saj aq shumë e lavdëruar nuk mundi të mposhte talebanët pas 20 vjet përpjekjeje. /tesheshi.com/