Nga Auron Tare
97 vjet të shkuara në një qytezë të rrethuar nga baltovinat e Myzeqesë, u mblodh një prej mexhliseve më të rëndësishme për të ardhmen e shtetit shqiptar, ndoshta po aq sa Lidhja e Prizrenit, apo vetë shpallja e Pavarësisë. Ishte Kongresi i Lushnjës, një takim i i thirrur me urgjencë nga paria e Shqipërisë për të shpëtuar vendin nga copëtimi që po i kërcënohej nga fuqitë fituese të dala nga Lufta e Madhe. Megjithëse një akt shumë i rëndësishëm për, të pakta janë të dhenat historike mbi aktorët dhe prapaskenat që bënë të mundur jo vetëm shpëtimin e Vlorës por dhe krijimin e të parit kryeqytet të Shqipërisë, Tiranën.
Më poshtë, me syrin e një dëshmitari dhe protagonisti në këto ngjarje vendimtare për Shqipërinë, vijne në ndihmë edhe Kujtimet e Hajredin bej Cakranit, një mallakastrioti me emër të asaj kohe, të cilat na sjellin të gjalla përpjekjet e atij dimri ku 97 vite te shkuara u hodhën themelet e shtetit shqiptar.
…….Shkodra ishte hall mbi hall dhe mund’ të binte, ndaj nuk e bënë të gjatë dhe të mërkurnë më njëzët e një allafrënga para dite e hapnëm kongresë, po pas adetit që bëri Sheh Karbunara e hapi Ferid Be Voko- polasi që kish firmosur dhe më Vlorë. Si zot i vëndë që përfaqëson prefektyrat Berat, Lushnje e Skrapar bashkë me të tjerë, ishin bërë copë për organizimin e Kongresit, i uroi të deleguarit për ardhjen dhe Kongresit punë të mbarë. Aqif Pasha vazhdoi llafnë me patriotizmën dhe atças u hoqnë të fillojnë punë. Ferid Benë e vunë hë për hë segretar dhe zgjodhnë një komision për të parë mandatet me katër a pesë vetë dhe me që e shuma nuk kishin ardhur e shtynë për si ndonjë javë, sa të vijnë të tërë.
Gjithë atë javë ishim më ethe se nuk i dihej, nga Vlora mund’ të vij sahat e minut ushtërija italiane, ata të Durrësit nuk e bënë fare dy dhe vranë Abdyl Benë, kështu që kjo ishte punë me kokë që ka dhe atë të mirën e saj se s’do bëhin më gërr-vërr me njëri-jatrin si herët e tjera, pa këtë herë halli rrij sipër si rè. Për një javë erdhën thuaj të tërë, vetëm nga Shkodra e veri jo dhe në mbëledhjen e parë, në më të shumën e të deleguarëvë, u thanë përsi po ato llafe atyre që s’qenë dhe u vëndos që kryetar i Kongresit të virej Aqif Pasha. U folnë nga të deleguarit për Abdyl Benë që e kish nisur këtë punë nga të partë e që e kishin vrarë ata të Qeverisë së Durrësit të virin frikën të mos vijë njeri këtu më Lushnje, po nga një herë më shumë bën dëm se fiton me këto gjëra, pa të vërtetën atyre u ikën më të shumët e që prapë të vërtetën, ishin më të saktët. Në fund bënë një telegram të ngushëllojin familjen e tij si Kon- gres. Më prapa u tha që Lushnja me këtë që bëri të përfaqësonej drejt e më Senat, si do që Sheh Karbunara tha që e kish për detyrë, ndaj u la të shkruhej një kartë e të falenderohej tërë Lushnja për këtë vepërë. Më mbëledhje të tretë filloi vërtet Kongresi se u ndes dhe të gjithë llafnë e kishin më këta biçim fitonjës, që s’paskan punë tjatër dhe ça e nda këtë copë vënd duke na tundurë atë copë kartë,704 sikur e kishim shkruar ne e jo ata vetë qëkur.
U zgjodhnë urgjent përfaqësonjësit për në conférence de paix, që di- het Mehmet Benë, Imzot Bumçë dhe Doktor Turtullë. Më mbëledhjen tjatër, u zgjodh ai, Këshilli i Lartë, që n’a i kish molloisur im vëlla Bektashi me représentants religieuxe që do bënte punën e sovranit, që duhej të qe ç’pikja më e madhe e allasoj më dynja, po dhe më e sakëta asokohe që e rrëfente fare ç’koqur, se ne shqipëtarët nuk kemi sy për qabè për këtë punë jo njëqint vitra, po mijë vjet. Thanë e ç’nuk thanë dhe për Qeverinë e Durrësit që kishte dalë nga udha që i kish vënë Kongresi i Durrësit, demek nevej, që më dhjetor të 918 dhe kish bërë ç’mos të pengojë Senatin më Durrës, dhe si qeveri duke bërë ç’tu dojë qejfi, jo i tyre po i italianëve. Kështu e kishin bërë vëndin ashi-neshi dhe kishin acaruar të gjithë, sidomos me këtë që duajn’ të ndalojnë Kongresnë se s’bën. Si do që s’thanë as gjysmat, se unë jo i kisha dëgjuar po hequr më kurriz të tëra, më pas bënë vëndimë që muartën të tërë pa mëdyshje fare të mos e njihin më atë soj Qeverie të Durrësit dhe ç’do gjë të saj më dynja e këtë që unë e prit që ditën e parë të bëhej, nashti më bëri nja pesëmbëdhjet e jo njëzet vjetë të ri.
Nashti Bektash Beu s’lij më njeri të flit dhe më ëmër të përfaqësonjësit të Mallakastrës këndoi qeverinë e re me emëra e me detyra, që nga Sulejman Beu e Amet Beu, Mehmet Beu e gjer te zoti Kosturë, si ç’na i kishte ç’pjeguar që më parë dhe me të votuar hapur. Po të mos i kishin bërë me karta hapurë dhe të qe me të mbëshyher, aha edhe sot do ngjacej se nuk u mbushet mëndja shqiptarëve. Ilias Beu vetëm, nuk don porofole se ashtu e ka punën, si ç’e ka ai, po atças e zëvëndësuanë më Hoxhë Kadri Benë që ish kryetar i komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” që shkruajnë tok me Sali Nivicë, gazetnë e tyrej “Populli” dhe më të ish, se kish mbaruarë drejtësi më Daralfunun të Tyrqisë.
Aqif Pasha tërë lloi nashti po jepte e po merrte, se s’po i jepte udhë punësë së qeverisë, t’a lijën aty më Lushnje s’e mbushje sahatnë se mbinin italiantë atças.
Ja sahati Aqif Pashë të erdhi, me Qeverinë e Vlorës bëtë njërën me gjithë plakun për t’a çuarë guvernën më Elbasan dhe të bëhej qëndër e të gjithë kazave. Ne i thamë Ismail Beut të ngrinte flamurë e t’a bënte Shqipërinë më Cakran, se j’a hiqnim nevej të tëra e më rehatë nuk do kish dhe ai vajti te foleja e arrëzavet tek të vetët, kështu që si e mbolli e korri ama, nuk e linte rehat Bektash Beu.
Bektash Bej kur s’ka, s’ka as Perëndia, ç’të të them nashti që nuk gjej dot konak për këtë punë, më keq se këtu, se është dhe turp!
Po ahere ku do e shpije guvernën që përngreve plakun, apo boll t’a hiqje nga Vlora dhe vetëm të dëgjonej Elbasani yt Pasha!
Nashti or Bej zgjidhmë e leri ato që iknë, nashti që jemi më xhanë dhe e kemi lakun në fyt s’kemi nga dridhemi, apo nuk e sheh, gjëmonte Aqif Pasha. Kështu që e lanë që pa bërë shamatá të venë më Tiranë të çojnë qeverinë, se rrezik kishte pak nga që njeriu më dynja nukë i shkonte nëpër mënd atje, nga që Durrësi kishte mijë vjetë që e bënte këtë punë e kush zinte Durrësin, i kish të tëra më dorë, zot e shkop!
Më fund u zgjodh Senati dhe me ta im vëlla Bektashi aty vëndosnë që të mos ikin të deleguarit sa të mirr qeveria këmbët, po ku aty më atë baltovinë dhe në mes rrezikut, gjë që n’a rrëfeu se, si do që mbëledhja e Kongresit mbaroi e s’bëhet më mirë, puna t’onë s’kish filluarë akoma. Si ç’e dijim më para qeveria do vejë më Tiranë, se Durrësi të harrohej nashti, pa më shumë kish pasur të këqia të themi të vërtetën se të mira dhe që asokohe njerst e Esat Pashës e ç’mbeti nga ata të Durrësit, plasnë e ç’nuk bënë me miqtë e tyre italiantë dhe që hoqnë dorë më vonë. Këtë e bënë nga marazi, jo se dojin.
Më dit’ të fundit të jenarit Amet Beu u dërgoi telegram të gjithë prefektyrave, ku u ç’pjegon pse u mbajt Kongresi dhe ç’kish vëndosur ai për fatin e Shqipërisë, duke bërë të mejtoneshin mirë nashti të tërë. Bektashi u fjalos me të, nashti me përgjegjësi, si do që ai tha se do të linte këtu, batalionë shëtitës,po nuk ikje dot as një sahat se s’dije ç’të prit’ dhe delegatët nuk luajin nga vëndi nashti që u muarr vesh sagllam se o nga t’anët, o nga italiantë dihej ç’të prit. Ama këtu Amet Beu bëri çudinë, se që i kish habiturë të gjithë me vakt s’donte mënd, po kjo që bëri i la pa gojë të tërë, pa u tha troç se ç’u vëndos këtu do të zbatohej se s’bën dhe kjo nuk do llafe do guxim, ndaj unë ika i pari për Tiranë, ju rrini mirë jeni këtu dhe pa nga Bektash Beu e të tjerë, po të deleguarit nuk e prishin qederë fare mbaso me hak, se ato që ngjanë n’a thanë më prapa se rreziku ish aq i madh, sa s’dëftohej.
Na hoqi mënjanë për të n’a porositur, po im vëlla Bektashi j’a preu e i tha:
– N’a zuri ne do rrimë me këta, po ti mos do ndonjë fuqi tjatër se jeni pak e më ç’do vënd ke italiantë a më keq akoma ata të tyt’ ungji, që më fillim po do i binte bruzi, pa po nashti s’kish qeder se duket e kishte ndarë mëndjen.
-Për ç’do gjë njerinë ti e di, po Amet Beu tundi kokën dhe tha:
-Tani Bej nuk ka më prapa, nuk të vjen më në dorë ky sahat, po do mirremi vesh, ty të zuri vërtet, o rri, o po e pe se mund të vish ler këta me delegatë, po amanet dëgjove?!
-Ore të zgjodha unë, a më vure ti që më tregon arat, vështro dhe bëj ç’mos me të gjitha t’ja dalësh, se s’ta kam friknë, vetëm më Tiranë të dua t’a mbaç frymnë, pa atje piqemi po qe e shkruar, dëgjove! Ai qeshi dhe s’tha dot, peqe Bej, si do që njëqint vjet e mejtoi, pa nashti s’ja linte detyra.
Ai para e qeveria prapa dhe ne me mëndje të ngritur u këthyem tek njerst, Bektash Beu më delegatë për ndonjë punë, unë më njers e të tërë që pyesin me gjak të ngrirë:
-O po mbaroi apo jo Kongresi, po unë ç’tu thosha e kështu bëmë-ç’bëmë i çuam të tërë delegatë e i strehuam sikur ishin muhaxhirë, në më të afërmit çifligje, më Çermë.
Këtej Amet Beu me të tjerë hyjnë më Kavajë e si gjithnjë aty pengesë,këtë radhë j’u kish dalë kumandanti i garnizonit italian për t’u thënë ndal, po Amet Beu ishte më të tijën e i tha se njih vetëm qeverinë e Lushnjes, pa po të ishin përpjekur as një sahat luftë nuk bëhej, se vetëm topa e mitrolozë italiantë kishin pa hesap. Puna vajti gjer aty sa ai do jepte urdhër për të qëlluar, po Amet Beu nuk e luajti qerpikë dhe tha:
-Nashti në vënd’ të plasë batareja e u bë hazër, kur të tërë kishin ngrirë. Gjithë-gjithë me aqë ushtëri, topa, mitrolozë që kishin italiantë, pa bërë hesap vëndë që kishin bërë istikam e të shih si në pëllëmbë të dorës ku që andej të fshinin atças, mund të bëhej a jo, kiameti dy sahat luftë. Nuk kishte perëndi jo Amet Bej që t’a kapëtonte dot këtë pengesë, ndaj ky i dha karar duket dhe kërkoi që të llafoseshin pa ndezur dyfek në mes të një urë e vogël prej druje aty, andej italiani, këtej Amet Beu, po vetëm këta. Si i la dyfek e kobure ky dhe italiani i pa të tëra, a të mos të turpërohej, a u ngroh nga mitrolostë prapa tijë, nisi udhënë dhe ai mbi urë vetëm që të piqejë kështu me Amet Benë. S’tokën duartë mirë, kur fap Amet Beu e mbërtheu oficernë për fyti atças dhe se nga nxjerr një kamë, që sa hap e mbyll sytë j’a vë më grykë italianit që e kish këthyer nashti nga të tijtë. Matjantë ishnin hazër po ky as i kish thënë njeriu gjë, se i erdhi atças në mënd duket dhe këta mund t’i kishin vrarë të dy. Nga ana tjatër ulërima e oficerit, jo nga Amet Beu duket po nga të tijtë që desh hapnë zjarr atças, bërrit ata e bërrit ai bëri që pas një copë here se ky nuk e çon- te, të dilin nga istikami. Ai ishte bërë meit dhe Amet Beu e sqaroi se s’kish punë me ushtërinë italiane që mbante anën e atyre të Durrësit, ndaj si ushtëri të rrijë atjë ku e kanë vëndë, kështu ai u bind. Me terezi matjantë erdhë aty se mos plaste dyfeku nga që ishin aqë afër, po nuk ngjau gjë. Oficeri italian hapi udhë dhe Amet Beu ndënji ca ditë për të ujdisur administratën më Kavajë nashti, po haberi u vajti atyre çingive të Durrësit e i zunë të prerat.
Kur muarr vesh se vetëm me luftë nuk i këtheje dot këta nga udha, j’a behën me njerst të tyrej.
-Jo po, të mos njihen këto e ato që u thanë e u bënë më Kongres, jo po të vish ti dhe të bëjmë një kongres të madh më Vlorë,jo po t’a llafosim si e qysh mund’ të bëhet më mirë, se është rrëmullë, po ai j’a u preu:
-Ore kush jeni ju që po më jepni mëndje a urdhëra se nuk j’u njoh fare, keni ndonjë muhabet tjatër, këtë e harroni se nuk i shkojë nëpër mënd fare, jo të llafosem unë për këto që po më thoni! U ra pika atyre dhe ikën më Durrës, po ky u nis për në Shijak e po kjo punë me kumandantët e ushtërisë italiane, me topa e mitrolozë e prapë erdhë ata të Durrësit e më fund me bisht në shalë. Dhe këta pëngesnë e fundit e kishin kur hyjnë më Tiranë, si dy të parat dhe mileti u derdhë se haberi ikën, me temena të madhe e pritnë dhe që atë sahat e bënë Tiranën la nouvelle capitale. /tesheshi.com/