Ka dy ditë që opozita po përjeton një furtunë të brendshme pas plagosjes që i ndodhi në votimin për Gramoz Ruçin kryetar Kuvendi, i cili mori 80 vota pro, me votim të fshehtë, pikërisht pas një lëvizje taktike të LSI-së që nuk mori pjesë në votim.
PS-ja ka votuar me 74 votat e saj për kandidatin zyrtar të mazhorancës për kryetar Kuvendi.
Plus 3 votat e PDIU-së që bëjnë 77.
Po 3 vota nga PD-ja kush i dha?!
Ç’ndodhi brenda opozitës dhe pse Lulzim Basha gaboi taktikisht duke i lënë deputetët në sallë, ndërkohë që një javë më parë kishte premtuar se do ta bojkotojë proccesin për Ruçin?
Realisht nuk duket se është një, por dy mundësi që të kenë ndodhur natën e 9 shtatorit në Parlamentin shqiptar.
Por para se të rendisim dhe argumentojnë dy hipotezat, është e nevojshme të bëhet një kronikë e sjelljes politike të Lulzim Bashës si kreu i opozitës, për herë të parë në Kuvend, ngaqë për 4 vjet ai nuk ishte deputet.
Mjaft institucional, qytetar!
Shkëmbeu përshendetje me rivalin e tij politik, natyrisht pasi dora u zgjat nga Edi Rama.
Kur Gramoz Ruçi u zgjodh, u ngrit dhe e uroi me fair play.
Doli jashtë kur Ruçi nisin fjalimin, (i cili duhet thënë ishte jo në një nivel të lartë artikulimi), dhe mori pjesë në protestën e të përndjekurve.
Në sytë e publikut dhe ndërkombëtarëve, Lulzim Basha mbajti një qëndrim korrekt dhe realisht brenda kornizave demokratike.
Po pse Ruçi mori 80 vota? i dha Basha, apo i mori Rama? Apo votuan për Gramozin?
Sikur Gramoz Ruçi të ishte një investim jo thjesht i PS-së, por si figurë apo kandidaturë më shumë se një palëshe, ka gjasa që të merrte personalisht pëlqimin e deputetëve për një kandidaturë me përvojë, që investohej për të drejtuar Kuvendin.
Normalisht, nuk ka asgjë të keqe nëse deputetë të PD-së do të votonin për Ruçin individualisht, apo deputetë socialistë, për një kandidaturë nga PD-ja.
Spikeri i Parlamenti përfaqëson edhe një politikan që investohet insitucionalisht për ta ruajtur legjislativin si një organ serioz dhe të mbështetur në një debat fair dhe jo si teatër absurd.
Por duke qenë se Basha, pra PD-ja, kishte shpallur qëndrimin kontestues ndaj Ruçit, mund të thuhet se Edi Rama ka ndërmarrë një lëvizje shumë të fortë që ta shkundë Lulzim Bashën.
Për ta përforcuar këtë hipotezë, pra që Rama ka kryer operacion brenda grupit të PD-së, është vetë deklarata e Ramës, i cili pas votimit ngriti dyshimin që marrëveshja e tij me Lulzim Bashën ka vdekur.
Pra kryeministri i dërgoi një sinjal rivalit të tij, që t’i bëjë të qartë se kërkon një përgjigje për aneksin paszgjedhor të 17 majit.
Edi Rama nuk mund të qeverisë pa miratuar në Kuvend institucionet e reja të drejtësisë si Këshilli Gjyqësor, Këshilli i Prokurorisë, Kryeprokurori, Kryeprokurori Special i SPAK, shefi i Byrosë Kombëtare të Hetimit etj.
Për të gjitha këto operacione duhen 84 vota.
Dhe për të gjitha këto, Rama u dakordësua me Bashën, duke gdhirë 18 maji se do t’i bënin bashkë.
Siç mësohet nga burime brenda mazhorancës, Edi Rama ka komunikuar me Lulzim Bashën, pas deklaratës së tij kur humbi zgjedhjet, se po shkelte fjalën e dhënë në takimin kokë-më kokë.
Basha dhe Rama, me pjesëmarrjen edhe të aktorëve shumë të rëndësishëm ndërkombëtarë u morën vesh se kush humb zgjedhjet duhet të njohë fituesin.
Kur Preç Zogaj, si zëdhënës i Bashës fliste nëpër studio se Rama e preu në besë Bashën, kryeministri i kujtoi kreut të PD-së se i kishte dhënë pjesën më të madhe të qeverisë, së bashku me disa agjenci të mëdha shtetërore.
Ndaj kur ka parë reagimin e vakët të Bashës për marrëveshjen postzgjedhore, ka ndërhyrë duke bërë marrëveshje individuale, që është realisht një lojë “poshtë brezit”, por që sipas mazhorancës, Basha e kishte luajtur i pari.
Kryeministri tregoi të shtunën, se vetëm me PD-në, PS-në dhe PDIU ka 80 vota në Kuvend.
Një ditë para votimit, takoi edhe një deputet të rëndësishëm të LSI-së, Agron Çelën, si për t’i thënë Ilir Metës se “i ka marrë masat mirë”.
Kjo lëvizje e terrorizoi LSI-në, që një ditë para votimit për Ruçin, nxori Vasilin për të deklaruar se do votojnë kundër Ruçit.
Por në fund, Monika Kryemadhi urdhëroi deputetët vetëm pak minuta përpara proccesit, që të mos marrin pjesë në votim.
Në mesazh i erdhi, sinjalizimi se Rama ka hyrë edhe brenda grupit.
Veprimi, dukshëm i shkathët politik i Kryemadhit, e shpëtoi nderin e partisë së saj.
Por edhe e uli faktorin potencial të LSI-së, e cila edhe po të pësonte rrjedhje, do ishte qendër e një debati që mund të ndihmonte më shumë opozitën.
Pra që i jeptë akuzës për “blerje” një konsensus më të gjerë.
Kjo është njëra hipotezë, kurse tjetra që gjithashtu është e mundshme, i afrohet logjikës që Basha ta ketë lejuar vetë këtë skenar për t’i dhënë mesazh Edi Ramës që ai është gati për operacionin e madh të reformave së bashku.
Më shumë se Ramës, normalisht sinjali i është drejtuar SHBA-së dhe BE-së, të cilët kanë qenë garante jo vetëm të marrëveshjes Basha-Rama, por edhe kanë ndërmarrë hapa të forta për të rindrequr imazhin e PD-së pas çarjes me ndërkombëtarëve si pasojë e çadrës.
Por sido që të jetë, edhe sikur të jetë operacion i Edi Ramës, apo lëvizje e Lulzim Bashës, duhet thënë se 80 votëshi për Gramoz Ruçin ishte një sinjal shumë i fortë që tregon për një zhvillim të ri politik, i cili është një avancim me galop i asaj që a ndodhur më 25 qershor.
Që tregon se nuk është Lulzim Basha humbësi i madh, por Ilir Meta dhe Sali Berisha.
Shpejtësia e Presidentit për të dekretuar Ramën dhe ministrat e tij, nuk duhet marrë si një gjest luajaliteti, por si një sinjal tipik alla-Metë që “furtuna është tek porta”.
Njëjtë ndodhi edhe në vitin 2003 me Fatos Nanon.
Ndërkohë reagimi shumë i ashpër i Sali Berishës, por edhe mediave pranë tij apo qarqeve të rëndësishme, tregon se ai nuk e priste këtë skenar, ose e mendonte më të rëndin.
Me një Gramoz të sertë e të prerë kryetar Kuvendi dhe me Bashën, kreun zyrtar të opozitës vetë deputet, doktori e ka më vështirë, madje shumë vështirë që të jetë protagonist.
Dhe ky parlament ka gjasa të jetë “gjalpi” ku do të rrëshqasë “thika” e Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për të bërë reformat e mëdha, por edhe emërimet e mëdha vetëm, pa askënd!
Zgjedhja e Gramoz Ruçit kryetar, duket se ishte vetëm “prova me nëndetësen 105”… /tesheshi.com/