Nga Blendi Gashi
Shënimi i 47-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës do mbahet mend gjatë, jo vetëm pse ndodhën protesta, pasi kjo pothuasje është bërë normale çdo përvjetor, por për shkak të një informate se është planifikuar sulm terrorist nga ISIS në ambientet e UP-së.
Një letër e shkruar me dorë, “Do t’ju sulmojmë më 15 Shkurt. Shihemi te Zoti”, e lënë në një nga korridoret e Fakultetit Filologjik të UP-së, ka ngritur alarm duke ndjellë jo pak frikë.
Kjo letër ka detyruar drejtuesit e UP-së që ceremoninë e 47-vjetorit ta mbajnë në një nga sallat e Rektoratit, e jo në sallën e madhe të Fakultetit Filologjik, ku ishte paraparë të organizohej, dhe kjo ndodhi për shkak të paralajmërimit të ndonjë sulmi eventual.
Për letrën në fjalë është njoftuar dje edhe policia, derisa sot përmes një konference janë treguar detajet.
“Letra është gjetur në njërën nga tavolinat e objektit të Fakultetit Filologjik. Policia është duke punuar dhe analizuar përmbajtjen e kësaj letre. Përmbajtja e letrës i është drejtuar vetëm një institucioni. Policia rastet e tilla nuk i neglizhon. Deri më tani policia ka intervistuar disa persona. Derisa disa të tjerë po i heton”, ka thënë Agron Borovci, zëdhënës i policisë për Prishtinë.
Ai thotë se letra është shkruar me dorë dhe nuk ka logo, ndërkaq thotë se po punohet me seriozitet dhe për të gjetur motivet e saj.
Më tej Borovci tregoi se policia si provë ka marrë kamerat e sigurisë së objektit të fakultetit, por nuk ka konfirmuar nëse ndonjë prej të dyshuarve që ka lenë letrën është student i fakultetit Filologjik.
As rektori Dema nuk u shpëton protestave
Përveç letrës kërcënuese, vëmenden e mediave e mori edhe protesta e organizuar nga një grup studentësh ku eskaloi me përleshje me policinë.
Ndonëse u mendua se rektori i ri i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, do shpëtojë nga protestat, pasi emërimi i tij nuk u kundërshtua nga studentët, megjithatë edhe ai u përball me situatat e njëjta si edhe ish-rektorët tjerë.
Dhe kjo ndodhi sot derisa po mbahej ceremonia e shënimit të 47-vjetorit të themelimit të UP-së.
Derisa rektori Demaj mbante fjalim, ai papritmas u ndërpre nga një grup studentësh që janë pjesë e Lëvizjes studentore për barazi – Studim, Kritikë, Veprim (SKV) që është në kuadër të Vetëvendosje-s, të cilët brohorisnin me frazën “Ne jemi studentë, ju jeni pushteti”, “E keni shkatërruar UP-në” duke penguar për disa minuta fjalën e tij.
Por, fatmirësisht Demën nuk e përcjelli fati i ish rektorit Mujë Rugova, i cili gjashtë vite më parë, pikërisht derisa po mbante fjalim me rastin e 41-vjetorit të themelimit të UP-së, aktivistë student të Vetëvendosje-s derdhën ngjyrë të kuqe mbi fytyrën dhe rrobat e tij, duke e fajësuar për gjendjen e mjerueshme në UP.
Por Dema i shpëtoi ndonjë befasie të keqe, falë reagimit të shpejtë të sigurimit dhe më pas të policisë që nxorri jashtë objektit të Rektoratit studentët protestues.
Këtu nuk përfundoi ngjarja, vetëm sa u dhez më shumë. Studentët të nevrikosur që u penguan të çojnë aksionin e tyre deri në fund, u përleshen me policisë, ku si pasojë u lënduan dhe arrestuan disa studentë.
Organizatorët e protestës njoftojnë se policia ka arrestuar dhjetë aktivistë dhe ka lënduar 7 të tjerë.
Të arrestuar janë: Bardh Ahmeti, Nijazi Beluli, Endrit Shatri, Egzon Azemi, Drin Ahmeti, Trim Gashi, Flamur Pireva, Miran Rrudhani, Premton Zogiani dhe Dardan Bujupi.
Të lënduarit që kanë kërkuar ndihmë mjekësore janë: Aurora Mullatahiri, Aulona Bytyqi, Granit Hoti, Hajredin Krasniqi, Getuar Krasniqi, Arbër Morina dhe Amir Kuqi.
“Policia nuk ka lejuar shpalimin e parullës “Universiteti i Pronto-s” dhe ka pamundësuar edhe mbajtjen e rregullt të aktivitetit ku do të shpalosje parulla”, thuhet në njoftimin e SKV-së.
Pas këtij incidenti ceremonia e paraparë ka vazhduar normalisht, me ç’rast ka mbatjur një fjalim edhe ministri Arsim Bajrami, derisa janë ndarë edhe mirënjohje për profesorë dhe studentë, nga 13 njësitë akademike të UP- së. /tesheshi.com/