Ushtria izraelite përdori një bombë 230 kg në një sulm ndaj një kafeneje në Gaza të hënën, dhe ekspertët kanë thënë se përdorimi i municioneve të tilla mund të përbëjë një krim lufte, raportoi The Guardian.
Ekspertët e së drejtës ndërkombëtare kanë thënë se përdorimi i armëve pa dallim që gjenerojnë një valë masive shpërthimi dhe shpërndajnë shrapnel në një zonë të gjerë mund të përbëjë një krim lufte për shkak të pranisë së një numri të madh civilësh të pambrojtur, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar.
Fragmente copash nga rrënojat e kafenesë Al-Baka, të fotografuara nga një gazetë britanike, janë identifikuar nga ekspertët e armëve si pjesë të një bombe MK-82 me peshë të përgjithshme prej 230 kilogramësh.
Izraelitët “hetojnë sulmin”
Një krater i madh i lënë nga shpërthimi ofron prova të mëtejshme të përdorimit të një bombe të madhe dhe të fuqishme si MK-82, thanë dy ekspertë armësh.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se sulmi në kafene po hetohej dhe se “janë ndërmarrë hapa për të zvogëluar rrezikun e viktimave civile përmes mbikëqyrjes ajrore para sulmit”.
Zyrtarë mjekësorë dhe të tjerë thanë se midis 24 dhe 36 palestinezë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në sulmin në kafene.
Kjo kafene frekuentohej njëherësh dhe nga gazetarë raportues. Ndaj, ndër viktima pati dhe disa sosh mes tyre. /tesheshi.com/