“Thuaj: erdhi e vërteta, u zhduk e kota.
Vërtet e kota ka qënë ngaherë e asgjësuar”
Kur’an: (Isra’ – 81)
Nuk ka asnjë të keqe Plani i Ri i Veprimit për arsimin, i shpallur nga qeveria pas një konsultimi kinse të gjërë me grupe interesi, pas reagimit ndaj vrasjes së një adoleshenti në Tiranë në derën e shkollës, nga një tjetër bashkëmoshatar dhe rasteve të ngjashme që edhe pse s’kanë përfunduar në vrasje janë shtuar dukshëm. Por gjithësesi është për të dalë nga emergjenca. Ama pasi kalohet, duhet menduar për rrënjët e problemit dhe korrigjimin që në rrënjë. Kjo do qasje tjetër, një lexim tjetër, larg presionit të “vorbullave të kazanit”, që veç llokoçitjes nuk ofrojnë asgjë tjetër. Qoftë mbyllja e rrjetit TikTok, qoftë shtimi i policëve rreth shkollave apo i punonjësve të sigurisë në shkolla (rreth 500 të tillë të shtuar – thotë ministrja, duke mos qënë ndërkohë kjo, aspak një çështje shifrash), qoftë ngritja e një institucioni të ri riedukimi, madje edhe me mbështetjen e sofistikuar të “miqve” izraelitë, (të cilët duhet të kenë grumbulluar shumë përvojë “pozitive” nga “riedukimi” në institucionet e tyre, i adoleshentëve palestinezë të të gjitha moshave që kundërshtojnë me gurë shembjen e vendbanimeve të tyre nga ushtria e armatosur gjer në dhëmbë izraelite, tash 80 vjet); janë thjesht zgjidhje teknike, sipërfaqësore, për të kaluar rradhën, të cilat realisht nuk prekin thelbin dhe nuk çojnë asgjëkund. TikTok apo çdo platformë e rrjet tjetër nuk janë spina që hiqen e vihen. Tashmë janë mentalitet! Në fakt, një problem botëror!
Dhe siç thotë një fjalë e mençur, e një njeriu të mençur (i dedikohet Ajnshtajnit), “është më e lehtë të ndash një atom se të ç’bësh një mentalitet!”
Në parantezë, shihet qartë se liria e shumëfishuar eksponencialisht e ditëve tona nuk i ndihmon shoqëritë të bëhen më të mira. As zhvillimi teknologjik. Shoqëritë bëhen më të mira nga morali, parimet dhe besimi i njëmendtë. Shoqëritë e korruptuara moralisht nuk i shpëton asgjë nga fundi i paralajmëruar. Shoqëritë pa moral (moral publik të kodifikuar gjenetikisht), pa pendim dhe ndjesë ndaj gabimeve të së shkuarës, pa kërkim faljeje ndaj Zotit, që për më tepër as nuk e njohin Atë e për rrjedhojë as nuk e falenderojnë, më së paku për faktin se egzistojnë, e shkruajnë vetë epilogun e tyre. Zgjidhjet e vërteta nuk janë tek institucionet e importuara dhe as ligjet e importuara. Sigurisht që zgjidhje të tilla janë fatlume për një kohë dhe situatë të caktuar por ato kurrë nuk arrijnë të jenë afatgjata dhe të qëndrueshme sa kohë që nuk vijnë si nevojë e brendshme e shoqërisë dhe as realizohen nga mekanizmat e saj.
Nuk përmbahet një brez dhe një shoqëri që i kanë shkatërruar edukimin dhe vizionin, të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen, as me polici as me kamera dhe as me institucione ku pritet të mësojë ca “zanate” të tjera për të përmbyllur edukimin e tij të keqformuar që në pikënisje, madje para se të lindte! Kur sheh dhe dëgjon aradhën e atyre që pa këputur dhe pa drojë fare, pa u ndalur qoftë edhe për një çast nga dyshimi se mund ta kenë gabim dhe e vërteta e kësaj pune mund të mos jetë siç ata e mendojnë (apo e shesin), trembesh për fokusin dhe të kuptuarit e kësaj shoqërie. Edukimi do përballje me të vërtetën, do qëllimshmëri të ndershme, do që ata që kanë marrë përgjegjësinë për të, t’i kthehen traumës fillestare dhe ta fillojnë edukimin nga vetja.
“Tek Zoti veprat vlerësohen sipas qëllimit”, thotë një parim i rëndësishëm në Islam, definuar nga një prej haditheve (të përcjellave – të transmetuarave) më bazale të Profetit të Zotit, Muhamedit (Paqja e Zotit qoftë mbi të!)
Edukimi do që të gjithë ne, si individë dhe si shoqëri, të ndërgjegjësohemi se zgjidhja fillon nga gjithësecili prej nesh, nga kuptimet, qëllimet dhe veprimet tona. Fillon nga modeli ynë tek fëmijët, që s’mund të jetë i duhuri nëse vetë edukimi ynë është gropa gropa dhe madje për këtë s’kemi asnjë lloj ndjesie dhe pikëpyetje se gjërat mund të mos jenë siç duken.
“…Me të vërtetë Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete…” (Rra’d – 11), thotë Zoti i Lartmadhëruar, Krijuesi ynë, në Kur’anin e Shenjtë!
Problemi i vërtetë i kësaj shoqërie është se doli nga komunizmi si një zgjatim i tij pa u shkëputur kurrë realisht prej asaj periudhe dhe atij mentaliteti. Po ashtu qe edhe elita politike, një vazhdim i klasës politike të komunizmit në të gjitha kuptimet, madje edhe sot e kësaj dite, pas 35 vjetësh.
Askush nuk deshi të ndryshojë asgjë. Askush (në kuptimin relativ dhe jo absolut të fjalës), nuk e pa të nevojshme dhe të domosdoshme që ta bënte. Një shoqëri e lënë për një çerek shekulli në boshllëk besimor nuk pati nevojë për Zotin përsëri edhe pse kthehu institucionet e besimit. Edhe sot e kësaj dite, 35 vjet pas kësaj dite dhe 58 vjet pas eleminimit të lirisë së besimit, gjen njerëz që panevojën e vet për Zotin e interpretojnë si përgjegjësi e Enver Hoxhës dhe komunizmit.
Të gjitha institucionet e asaj kohe u zgjatuan dhe u shtrinë të njëjta në thelb edhe në tranzicion, tamam si një gozhdë e shtrembër e ngulur keq që e drejton disi dhe e ngul përsëri. Institucionalizimi i lirisë u bë dhe ironia e saj. Për pothuaj çdo fenomen të kohës sonë mund të shprehemi: “për ironi të fatit”. Shoqëria jonë mësoi po, të ndryshojë termat, ligjërimin dhe marrëdhënien me lekun e pronën. Ndërsa sot e gjithë ditën sportet më popullore në Shqipëri mbeten hajdutllëku, spiunimi dhe denoncimi anonim e publik i tjetrit, e padyshim imoraliteti. Ndërsa gënjeshtra, hipokrizia, servilizmi, zilia dhe lakmia, janë një sistem mental tashmë i ngurtësuar në vetëdijen popullore, për fat të keq edhe në brezat pasardhës.
Një djalë i ri mjaft i mençur nga vendlindja ime, më thoshte para ca vitesh se kur shpërtheu dhunshëm konflikti social për pronat, sidomos në zonat veriore dhe rurale të vendit me pak tokë, kushtëzuar nga kontradikta e pakapërcyeshme mes ligjit 7501 dhe deklaratave populiste dhe të poshtra “merrni tokën tuaj”, të politikanëve kriminelë dhe të papërgjegjshëm (në fakt të përgjegjshëm për misionin që kishin marrë përsipër), në vend që ta përmbanin brezin e ri nga vrulli dhe gjaknxehtësia e moshës, të parët që i shtynë drejt konfliktit qenë pikërisht brezi i moshuar, prindërit dhe gjyshërit e tyre, ata që vetë ishin dhunuar fizikisht e psikologjikisht, ata që komunizmi u kish vjedhur ëndrrat, lirinë, shpresat dhe rininë, u kish vjedhur të ardhmen. Ai brez që duhet të simbolizonte pjekurinë dhe vetëpërmbajtjen, urtësinë dhe parimet e duhura të jetës, modelin që duhej të ndiqej, në fakt u bë nxitësi i gjithë marrëzisë që përfshiu pothuaj gjithë shoqërinë. Ata të cilëve u kishin vjedhur të ardhmen, ua vodhën pasardhësve të tyre, brezave të rinj, me egoizëm, injorancë, dhe pa ngurim për ta thënë, edhe keqdashje. Por me të drejtë ka një fjalë të urtë që thotë se “s’mund të japësh diçka që se ke”. Brezi i ndërmjetëm, ai që jetoi ndërgjegjshëm komunizmin dhe gjithashtu pati ende jetë aktive dhe mundësi në demokraci, mundësi për reflektim dhe ndryshim, duke mos dashur me kokëfortësi të ndryshojnë, përveçse humbën veten me iluzionet e tyre, humbën edhe pasardhësit e tyre e më tej gjithë shoqërinë. Shoqëria që erdhi më pas nuk u bë më e mirë, përkundrazi, shumë iluzive, më pak reflektuese ndaj së kaluarës, më e ngurtë dhe refraktare ndaj ndryshimeve të mirëfillta, më kaotike, më e kompleksuar dhe me më pak vlera. Brezat e rinj nuk mësuan dot asgjë për dallgët e jetës nga brezat e mëparshëm, përkundrazi në shumë aspekte, duke qënë më të lirë dhe në mënyrë dialektike më të zhvilluar se paraardhësit, u kthyen t’u mësojnë atyre mbi jetën dhe të vërtetat e saj. Shumë prej tyre zbuluan besimin, ashtu si “rastësisht”, në mënyrë instiktive, si një mirësi prej Zotit dhe u mbrujtën me parime të gjalla siç janë të vërtetat e jetës, të asaj që ka krijuar Zoti i Madhëruar dhe që vetëm Ai ka të drejtë t’i japë asaj manual parimesh dhe vlerash. Eshtë një nga paradokset më të mëdha dhe një nga të ngjarat më mbresëlënëse që njoh, ky kthim i kahut të edukimit mes brezave, kur fëmijët kthehen e mësojnë prindërit e tyre. Historia e mrekullueshme e tyre i ngjan shembullit të Ibrahimit [Abrahamit – siç e njohin perëndimi] (Paqja e Zotit qoftë mbi të!), kur e këshilloi babain e tij të cilit i ishin errur sytë nga injoranca dhe idhujtaria, bindja e verbër ndaj pushtetit abuziv dhe të poshtër, i mposhtur nga frika dhe komplekset: “Kur ai i tha të atit dhe popullit të tij: ‘Ç’janë këta idhuj që ju po i adhuroni kaq shumë?’;
“Ata thanë: ‘baballarët tanë i adhuronin këta’;
“(Ibrahimi) tha: ‘Me të vërtetë, ju dhe baballarët tuaj keni qënë në humbje të qartë’.”;
“Ata thanë: ‘A po na sjell të Vërtetën apo je nga ata që tallen?’.”;
“Ai tha: ‘Jo, por Zoti juaj është Zoti i qiejve dhe i Tokës. Është ai që i ka krijuar ato, ndërsa unë jam njëri prej atyre që e dëshmojnë këtë’.”
Kur’an: (El – Enbija 52 – 56)
Mirëpo kjo e ngjarë ka dy momente për t’u shënuar: së pari kjo i takon asaj pjese të brezit të ri që gjetën besimin dhe këtë me shpirtgjerësinë e besimtarit ua përcollën të tjerëve, në rradhë të parë prindërve dhe të afërmve të tyre; së dyti kjo ishte dhe është një rrugë edukimi e pastrukturuar, që nuk ka brenda as qëllime të mirëfillta dhe as rolin e shtetit të ndërgjegjësuar për nevojat e një populli për t’u zgjuar. Një shtet që duhet të gjejë këto të vërteta, që t’i shtrojë rrugën e mbarësisë popullit të vet e ta nxjerrë në bregun e shpëtimit, duhet të jetë shumë i qartë dhe i edukuar në vetvete për ta bërë këtë, ngaqë vetë shteti gjenerohet nga shoqëria dhe supozohet të jetë pjesa më e mirëndërtuar e tij. Shteti nuk është strukturë amorfe. Ai përbëhet nga ne, individë që kanë histori, janë formuar diku, dikur, kanë të shkuar, kanë të ardhme, aspirojnë dhe diku duan të shkojnë. Shtetit i takon që t’i harmonizojë gjithë këto ndryshore me kod gjenetik të përafërt, drejt ndryshimesh të qëllimshme që shihen si më të vlefshmet dhe më të duhurat mes shumë e shumë zgjedhjesh të tjera. Këtë mund ta bëjë përmes shumë mjetesh e rrugësh, më së pari përmes arsimit dhe edukimit. Ne, për shembull, edhe gjuhësisht i kemi ndarë konceptet e arsimit dhe edukimit, kur përgjithësisht bota emërton dhe nënkupton gjithë procesin me fjalën unike edukim (education). Sistemi me i afërt për ta bërë këtë është sistemi arsimor dhe institucioni i tij, shkolla. Le të shtyhemi më tej në arsyetim. Çfarë e dallon shkollën tonë dhe shkollën e kohës tonë nga ajo e kohës së komunizmit? Realisht janë një mori ndryshimesh teknike dhe të termave por pothuaj asgjë nuk ka lëvizur në thelb.
Shkolla jonë ka synim të përgatisë njeriun e ri, deri dje me normat e moralit komunist, sot me ato të qytetarit europian. Por njeriu s’mund të jetë i ri (sipas ideologjisë së kohës), as i vjetër (sipas ideologjisë që i ka kaluar koha). Ai ose është njeri, me besim: te drejtë, të shtrembër, të dobët, të fortë; me gabime, faje, ndjesa, pendime, përmirësime ose jo; ose një qënie pa besim, pa formë, pa shtyllë kurrizore; me trup, pa shpirt, që konsumon gjithshka, në fund edhe vetveten. Ai ose e fiton betejën me sprovën e madhe të jetës ose e humbet atë. Ose e fiton vetveten dhe në fund të rrugëtimit shkon tek Zoti, në llogarinë e Tij, si luftëtari që e ka fituar betejën, me mund të madh, i drobitur e i gjakosur, por i buzëqeshur; ose e humbet betejën e jetës me mendjemadhësinë, kokëfortësinë dhe zemërgurtësinë e tij dhe tek Zoti në llogari do të donte të ishte dhe`ose ndonjë krijesë e pavlerë, vetëm që t’i shpëtonte ndëshkimit. Kjo është një e vërtetë si dielli që lind, një realitet shumë i afërt, sado larg të duket dhe sigurisht është thelbi i besimit. Besimi nuk është shaka, as argëtim e as që mund të relativizohet deri në atë shkallë sa të flitet për të siç flitet për profkat në rrugë, me një kollajllëk që të merr mendjen. Besimi gjithashtu nuk vlerësohet dot kulturalisht, sepse ç’është e ç’nuk është i tillë e ka vendosur vetë Krijuesi e s’na e ka lënë ne ta konturojmë, medemek të bëjmë secili nga një besim sipas shijeve dhe kritereve tona. Besimi nuk është shtëpi mode. Besimi është thelbi i njeriut, thelbi i jetës. Do të duhej të ishte kjo e vërtetë boshti i gjithë edukimit në shkollë por jo. Shkolla jonë ju mëson fëmijëve shprehi, shkathtësi dhe aftësi por jo që të mos iu korruptohet shpirti. Ende sot kriteri më përcaktues i përmbajtjes së saj është darvinizmi. Me pak fjalë, shkolla u mëson (sipas darvinizmit) fëmijëve që rastësitë, fati, përshtatja, më i forti dhe ai që shkel mbi të tjerët (sidomos kur ka dhe historinë pas vetes), triumfojnë në jetë. Dhe kjo është më e pakta. Moralisht shkolla sot iu ofron fëmijëve shumë më pak se ç’ofronte komunizmi, por me këmbëngulje vazhdon të mos ofrojë asnjë vlerë që rrjedh nga besimi. Gjuha demagogjike e propagandistike e edukimit të asaj kohe çuditërisht (ose jo), tingëllonte më artistike se gjuha e drunjtë e mbushur me terma teknikë e burokratikë e edukimit të sotëm (lexoni për kuriozitet “Strategjinë Kombëtare për Arsimin Parauniversitar 2021 – 2026”).
Për shkak të kësaj fryme ideologjike, ende sot në shkollën tonë gjëja e vlerësuar më pak është personaliteti i fëmijës. Shkelet me këmbë nga kush mundet, së fundi është edhe premisë e bullizmit. E dini që nxënësit nxirren ende sot para klasës apo shkollës për gabime apo dhe faje, për t’iu nështruar “gjyqit të kolektivit”? Nuk bullizon vetëm fëmija fëmijën. Politika dhe media bullizojnë shoqërinë, shoqëria bullizon familjen, sistemi (shkolla) bullizon mësuesin, prindërit dhe mësuesit bullizojnë fëmijët, fëmijët njëri – tjetrin dhe për të plotësuar rrethin vicioz ku është kyçur (do thoshin kosovarët) shoqëria, halli kthehet për t’u qarë në dyert e politikës dhe të medias, të cilët si një copë plasteline i japin trajtën që duan dhe që duhet!
Gjithësesi është shumë e gjërë analiza e kësaj situate, por nëse nuk fillojmë të mendojmë për edukimin me shpirt dhe qëllime të drejta e të pastra, nuk do e lëmë këtë çështje si deri më sot thjesht në duart e burokratëve robotë të ngecur nëpër terma por ka gjasë që të kërkojmë për zgjidhje ndihmën e inteligjencës artificial dhe ky do ishte vërtet fundi.
Për të hedhur poshtë pesimizmin e atyre që mendojnë se nuk ka zgjidhje ose ca më keq se nuk kemi një manual adekuat si reference nga duhet t’ia nisim, lexojini mendjehapur këto vargje të mrekullueshme nga Kur’ani i Shenjtë, Libri i Zotit tonë:
“Ne i dhamë Lukmanit urtësinë (duke i thënë): ‘Falenderoje Allahun! Kush është falenderues, e ka për të mirën e vet dhe kush mohon, ta dijë se vërtet Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Denjë për Lavdërim’.”
(Kujtoje) kur Lukmani i tha të birit duke e këshilluar: ‘O djali im, mos i shoqëro Allahut asgjë (në adhurim)! Padyshim idhujtaria është padrejtësia më e madhe!’.”
“…’Bëhu falenderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë’.”
“…’Sillu mirë me ata në këtë jetë dhe ndiq rrugën e atij që drejtohet tek Unë me devotshmëri; pastaj tek Unë do të ktheheni dhe Unë do t’iu lajmëroj për ate që keni bërë’.”
“O djali im, edhe veprën e rëndë sa kokrra e sinapit, që ndodhet nën shkëmb (e fshehur), në qiej apo në Tokë, Allahu do ta nxjerrë në shesh. Me të vërtetë, Allahu njeh mirë çdo imtësi dhe i di të gjitha fshehtësitë!”
“O djali im, kryeje faljen, urdhëro të mirën, pengo të keqen dhe bëhu i durueshëm për çdo gjë që të godet! Me të vërtetë, ky ëeshtë thelbi i patundur i të gjitha punëve!”
“Mos i trajto njerëzit me nënçmim dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburracakët!”
Ec me kujdes e i përmbajtur dhe fol me zë të ulët, se zëri më i vrazhdë është zëri i gomarit!” Kur’an: (Lukman 12 – 19)
Ja pra, kaq do të na mjaftonte t’u mësonim fëmijëve për një edukim të vërtetë dhe me vlera jetësore! Kjo do thjesht vullnet të mirë dhe përkushtim. Padyshim dhe mendje të hapura, zemra të pastra dhe qëllime të sinqerta! Çdo ngjitje e çdo mali, sado i lartë qoftë ai, fillon me një hap!
Pra, të vetedukohemi dhe t’i edukojmë fëmijët me parimet e Krijuesit – kjo është zgjidhja nëse kërkojmë vërtet një të tillë! /tesheshi.com/