Shirat e dendur dhe përmbytjet, të cilat më 29 tetor e kthyen lindjen dhe jugun e vendit, veçanërisht Valencian, në një zonë fatkeqësie në Spanjë, këtë herë goditën Gironan.
Përmbytja e shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut që nisi mbrëmë në qytetin Cadaques në provincën e Girona në veri-lindje të Spanjës dëmtoi të paktën 32 automjete.
Duke folur për Radio Catalunya, kryetarja e Cadaques, Pia Serinyana, tha se shiu i dendur që zgjati dy ose tre orë shkaktoi dëme serioze.
🇪🇸 | URGENTE: Las lluvias torrenciales inundan Cadaqués (Girona), España: decenas de coches arrastrados. pic.twitter.com/HGsZrTIxi8
— Alerta Mundial (@AlertaMundoNews) November 8, 2024
Ndërkohë vijojnë kërkimet për 78 personat, të cilët u shpallën të zhdukur në Valencia.
Zyrtarët e pushtetit vendor deklaruan se 219 persona humbën jetën nga përmbytjet, 211 prej tyre në Valencia dhe deri më tani janë shpëtuar 36.572 persona. Autoritetet njoftuan se identifikimi i të vdekurve po vazhdon dhe më shumë se 100 trupa u janë dorëzuar familjeve të tyre.
Më shumë se 17,000 policë, anëtarë të xhandarmërisë dhe ushtarë vazhdojnë të punojnë në rajon, duke kërkuar trupa në baltë deri në dy metra të lartë dhe në parkingje të përmbytura.
Në Spanjë, ku ka një debat politik për përmbytjet, po kërkohen përgjegjësit për numrin e madh të vdekjeve. Qeveria autonome e Valencias besohet se ka dërguar një mesazh paralajmërues për përmbytjet në telefonat celularë, por shumë vonë.
Sipas parashikimeve të Agjencisë Shtetërore Meteorologjike, është bërë e ditur se reshje të dendura dhe stuhi priten në veri-lindje të Katalonjës dhe në qytetin e Kadizit në jugperëndim të Spanjës. /tesheshi.com/