Kandidati socialist për Bashkinë e Himarës, dropulliti Vangjel Tavo, përmes një deklarate të gjatë në rrjetet sociale i është drejtuar himariotëve për zgjedhjet e datës 4 gusht.
Aty, politikani i njohur minoritar, kurrë i qëndrimeve entike kontraverse, po aq shqiptar sa grek, ofron detajisht vizionin e tij për Bregun dhe një pjesë të Labërisë që tenton të qeverisë. Kryefjalë, prona!
Por aty ai prek, tangent, edhe çështje të mprehta, ku përmend “padronë të jashtëm e të brendshëm”, si dhe premton bashkëpunim me Belerin, tashmë si eurodeputet.
Deklarata e plotë e Vangjel Tavos:
Zgjedhjet për Bashkinë e Himarës janë një mundësi për të na bashkuar e për t’u dhënë zgjidhje problemeve dhe nevojave të komunitetit.
Sfida jonë e përbashkët është vetëm puna për të përmbushur çdo nevojë të familjeve dhe të gjithë komunitetit himarjot.
Gjithmonë u kam bërë ballë vështirësive dhe me sukses ia kam dalë mbarë në zgjidhjen e problemeve dhe përmbushjen e nevojave të banorëve. Këtë mision e shërbim e kam kryer përherë, dhe këtë qëllim kam për Himarën, duke u angazhuar me të gjitha aftësitë dhe energjitë e mia, me një gjithëpërfshirje të faktorëve social dhe politik, duke bashkuar banorët e Himarës, pa dallim origjine, feje apo bindje partiake.
Të dielën, më 4 gusht, nuk kemi një referendum politik por zgjedhje për të ardhmen e Himarës. Janë ZGJEDHJE për ZGJIDHJE. Për nisjen e menjëhershme të punës për përmirësimin e jetës së banorëve dhe zhvillimin dhe përparimin e Himarës.
ZGJIDHJE të nevojave reale të jetesës së banorëve dhe të komunitetit, pa shpenzuar energji të kota ndaj dilemave inekzistente dhe hipotezave të paqena.
Unë kam vizituar e do vazhdoj të vizitoj çdo fshat, çdo banor, dhe çdo komunitet, duke dëgjuar me interes dhe seriozitet të gjitha propozimet, me qellim që të bashkë-hartojmë programin, statutin dhe kontratën tonë publike midis Bashkisë dhe banorëve, për zhvillimin e Himarës sot e në të ardhmen.
Nuk do kryhet asnjë veprim e nuk do merret asnjë vendim pa aprovimin e banorëve dhe institucioneve legjitime.
Së bashku ne do fitojmë betejën për një Himarë demokratike, bashkëkohore, evropiane, multikulturore, të zhvilluar, të gjelbër, me standarde për banorët, vizitorët dhe turistët, për rritjen e një ekonomie që ndikon drejtpërdrejtë në buxhetin e familjeve të thjeshta.
Për një Himarë që do tërheqë investime në turizëm, në sektorin e shërbimeve, në infrastrukturë, në kulturë e të tjera. Për një Himarë që do rikthejë në vendin e tyre bashkatdhetarët tanë, profesionistët e kualifikuar, biznesmenë të suksesshëm dhe punonjës të specializuar që sot janë të shpërndarë në vende të tjera. Eksperienca e tyre është e çmuar në të gjitha nivelet për të ndërtuar Himarën e së ardhmes.
Për një Himarë pa padronë të jashtëm apo të brendshëm. Për një Himarë gjithëpërfshirëse që i takon banorëve. Për Himarën e harmonisë dhe dialogut, të demokracisë dhe të bashkëpunimit.
Llogaridhënia ime do jetë VETËM ndaj banorëve të Himarës.
Në zgjedhjet e 4 gushtit për Kryetarin e Bashkisë së Himarës unë kam një fokus dhe objektiv të qartë.
Në karrierën time të gjatë politike dhe administrative, misioni im ka qenë dhe do vazhdojë të jetë shërbimi ndaj njerëzve, qytetarëve dhe zgjidhja e problemeve të tyre.
Ndihem i privilegjuar që do t’u shërbej himarjoteve. Himara është një popull me histori të lavdishme dhe kanë të drejtën legjitime, të krenohen me të parët e tyre. Himarjotët kanë identitetin e tyre dhe Himara është e himarjotëve. Kjo e vërtetë duhet respektuar nga të gjithë. Dhe ky do jetë gjithmonë parimi im institucional dhe personal, duke i shërbyer sa më mirë Himarës.
ZGJIDHJA E ÇËSHTJEVE QË KANË SHQETËSUAR HIMARJOTËT
Fokusi im aktual dhe në vazhdim do jetë zgjidhja e çështjeve që kanë shqetësuar dhe vazhdojnë të shqetësojnë banorët e bashkisë së Himarës, probleme që janë të njohura tashmë jo vetëm si shqetësime të banorëve, por që këto çështje janë bërë të njohura edhe në të gjithë opinionin publik shqiptar edhe më gjerë.
Çështje që herë pas here i kaluan kufijtë e bashkisë së Himarës dhe u bënë probleme ndërshtetërore që si rrjedhim krijuan ftohje të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve fqinj. Ky do të jetë fokusi im. ZGJIDHJE.
Unë jam shquar gjatë gjithë karrierës sime politike si një njeri që nuk krijon kurrë konflikte. Përkundrazi kam treguar se gjej gjithmonë zgjidhjet dhe i shuaj konfliktet. Këtë e dëshmon kushdo që më ka njohur, që ka bashkëpunuar apo edhe që ka dëgjuar për punën dhe vullnetin tim politik dhe human.
Unë jetoj sipas parimit, që çdo problem, kur ekziston dëshira dhe vullneti, është i zgjidhshëm. Zgjidhja e problemeve është pikërisht synimi parësor i punës sime. Çdo problem të komunitetit himarjot do t’a trajtoj me seriozitetin më të madh dhe do t’i jap zgjidhje, në mënyrë që të mos agravohet dhe të bëhet sërish pjesë e krizës si në të kaluarën.
Vullneti nuk më ka munguar asnjëherë për të krijuar në komunitet një jetesë pa shqetësime dhe konflikte, por fatkeqësisht ka patur një mungesë vullneti të një grupi të caktuar që duan të krijojnë konflikte, ose, për të shfrytëzuar pakënaqësitë e ligjshme të krijuara në komunitetin himarjot, për t’i shfrytëzuar për interesa të disave dhe për t’i bërë këto konflikte edhe më të mëdhaja.
Kjo do të marrë fund sepse nuk do të ekzistojë më problemi, do të zgjidhen problemet dhe këtë ua garantoj çdo himarjoti individualisht dhe të gjithë komunitetit të Himarës në tërësi.
Himara është një popull me histori të lavdishme, krenar për të parët. Himarjotët kanë të drejtë të indinjohen kur njerëz të “caktuar” e keqpërdorin Himarën dhe fyejnë identitetin e himarjotëve. HIMARA ËSHTË E HIMARJOTËVE.
Banorët e Himarës nuk janë të interesuar që të krijohen probleme, por u intereson të marrin pronat e tyre, të marrin certifikatat, nën një proces që e kemi nisur dhe do ta përfundojmë shumë shpejt. U intereson zgjidhja e shqetësimeve që kanë.
Dhe unë ju siguroj se pas 4 gushtit Himara do të ketë një avokat të vetin në çdo institucion të këtij shteti.
Nga e hëna e 5 gushtit ne do përveshim mëngët dhe do nisim punën. Nuk kemi kohë për të humbur as edhe një ditë të vetme. Unë Ju premtoj se do të kërkojmë të gjitha fondet e nevojshme nga pushteti qendror dhe nga fondet e mundshme evropiane.
Si kryetar i Bashkisë së Himarës, Ju zotohem se dera e zyrës sime do të jetë gjithmonë e hapur për të gjithë banorët e do të pranoj në zyrën time çdo eurodeputet që ka gatishmërië dhe synimin të mbështesë proceset e anëtarësimit të vendit tonë, por edhe për të siguruar burime të vlefshme evropiane për Himarën.
Unë besoj te bashkëpunimi si çelësi i suksesit. Angazhohem se bashkëpunimi gjithëpërfshirës, me eurodeputetin Fredi Beleri, si edhe me këdo institucion apo person tjetër është një domosdoshmëri në favor e në të mirë të Himarës, të grekëve të Shqipërisë dhe të marrëdhënieve normale midis Greqisë dhe Shqipërisë.
Nuk do konsumohem në sulme personale, nuk do merrem me veprime e sjellje të kohës së shkuar që e mbajtën Himarën në vend numëro. Nuk e kemi kohën e as luksin, sepse duhet të përqendrohemi në zgjidhjen e problemeve që kemi përpara dhe që na presin në të ardhmen.
Nuk ka më vend për ata që tundin gishtin dhe bëjnë leksione politike, teksa bëjnë karrierë duke u mbështetur në strategji personale dhe duke korrur fitime private, për ata që përçanë Minoritetin dhe në vend që t’i shërbejnë komunitetit i shërbejnë klaneve të tyre të ngushta dhe miqve të paktë!
Unë i sfidoj duke i ftuar në një debat televiziv publik, jo për të djeshmen por për të ardhmen e Bashkisë së Himarës, edhe pse fatkeqësisht nuk disponojnë program konkret, vizion dhe premtime të bëshme për të ardhmen e Himarës, sepse kërkojnë nga ju vetëm një çek të bardhë për ta patur Bashkinë si plaçkë për përfitimet e tyre.
Por Ju, me votën tuaj, do zgjidhni të ardhmen, mirëqenien, harmoninë dhe zhvillimin në Himarë.
Ka nga ata që udhëhiqen nga arroganca personale, duke pretenduar se janë më lart nga banorët e tjerë. Edhe unë jam pjesë e Minoritetit Etnik Grek por as edhe njëherë nuk e kam çmuar veten mbi askënd tjetër. Me modesti dhe përulësi i shërbej banorëve, pa as edhe një dallim.
ZGJIDHJE E PLOTË DHE PËRFUNDIMTARE E ÇËSHTJES SË PRONËS
Himarjotët kanë të drejtën e Zotit ta gëzojnë Rivierën e tyre të mrekullueshme, pronat e tyre. Ta harrojë kushdo se mund të përfitojë ndonjë metër katror të banorëve të Himarës me firmën e Vangjel Tavos. Kjo s’ do të ndodhë kurrë.
Askush nuk do ta zaptojë pronën e himarjotëve. Askush që tenton të zaptojë pronën e tyre nuk e ka dhe nuk ka për ta patur kurrë të hapur derën e Bashkisë së Himarës dhe kurrë firmën, mbështetjen dhe vullnetin e Vangjel Tavos. Por, dera ime do jetë e hapur për të gjithë investitorët e ligjshëm të huaj apo vendas, që, me paratë e tyre do t’ i shërbejnë zhvillimit dhe ekonomisë së banorëve të Himarës por pa cenuar as edhe një pëllëmbë të pronës së himarjotëve.
Unë, nuk do të toleroj askënd që të abuzojë me pronat e Himarjotëve. Inkurajoj vetë Himarjotët që pasi të marrin certifikatat e pronësisë, proces që përfundon në tetor dhe kur çdo Himarjot do jetë i pajisur me certifikatën e pronësisë, të investojnë në tokën dhe pronën e tyre, me mbështetjen e plotë timen dhe të Bashkisë së Himarës.
Himarjotët duhet të gëzojnë atë që i takon. Problemi kryesor i pronave që kanë pasur po zgjidhet dhe merr fund një herë e përgjithmonë në fund të këtij tetori ku edhe Himarjoti i fundit të marrë certifikatën e pronësisë.
Zgjidhja e problemit të pronësisë nuk është premtim elektoral dhe nuk kam për ta patur pjesë të fushatës elektorale. Kjo është një çështje që duhej të ishte zgjidhur para 30 vitesh. Kanë ardhur dhe ikur qeveri, janë rikthyer dhe kanë ardhur qeveri të tjera dhe përsëri ky problem nuk është zgjidhur. Por, tashmë kësaj çështjeje i ka ardhur fundi. Ndërkohë që për 30 vjet nuk janë dhënë certifikatat e pronësisë, vetëm brenda dy muajve shpërndamë 1226 certifikata dhe janë gati akoma 400 të tjera që janë përfunduar këto ditët e fundit.
Ky është një proces që vazhdon dita-ditës dhe është i pandalshëm deri në përfundim në muajin tetor ku me këto ritme pritet dorëzimi i mbi 4200 certifikatave të pronësisë. Nuk do ketë Himarjot që ka aplikuar dhe që s’do të ketë marrë certifikatën e pronësisë. Ky nuk është premtim, por një e vërtetë e faktuar.
Vetë Kryeministri Rama erdhi për të dorëzuar personalisht certifikatat e pronësisë, dhe kjo për të nxitur banorët të aplikojnë, dhe që ka funksionuar, pasi sot po kryhen me qindra aplikime në ditë. Kjo ishte një ide, një angazhim dhe këmbëngulje e Kryeministrit dhe unë si i ngarkuar për koordinimin e punës dhe përshpejtimin e këtij procesi ndihem i lumtur, njëlloj si ata që tashmë morën certifikatat e pronësisë, por dhe si ata që do t’i marrin në ditët dhe javët në vazhdim.
Shumë punë, por një ardhme më e mirë për Himarën, na pret përpara.
Me shumë respekt e tejet i nderuar t’Ju shërbej.
Vangjel Tavo