Jusuf Buxhovi, një ndër emrat e letrave kosovare në kapërcyell të ’90-ës, ka publikuar të tjera dokumenta autentikë të themelimit të LDK-së, në kuadër të 30-vjetorit të kësaj force historike, e cila lidhet pazgjidhshmërisht me emrin e të ndjerit Rugova.
Buxhovi ishte njëri nga anëtarët e Këshillit Iniciues për themelimin e Lidhje Demokratike, dhe siç sqaron, dokumentat ndodhen në arkivin e tij personal.
Ato që ai ka publikuar, përmbajnë programin e LDK-së, ku, ajo që veçon, është fakti se aty nuk kërkohet pavarësia – gjë që s’mund të ndodhte realisht në atë kontekst zhvillimesh, por një reformim sistemi brenda Jugosllavisë.
“LDK angazhohet për Jugosllavinë demokratike, federative dhe për reformën e sistemit politik në këtë drejtim.
LDK angazhohet për demokraci që do të sigurojë barazinë e plot juridike e politike të qytetarëve, të individit, të dinjitetit dhe të pronës së tij – pavarësisht përkatësisë kombëtare, gjinore apo fetare; angazhohet për shtetin juridik, që respekton kushtetutën dhe ligjin dhe përjashton arbitraritetin politik e pushtetmbajtës.
LDK angazhohet për pluralizëm politik që shpreh strukturat dhe interesat e ndryshme dhe mundëson garën e koncepcioneve politike të ndryshme;
LDK angazhohet për sistem shumëpartiak; angazhohet për mbrojtjen e plotë dhe zgjerimin e lirive të njeriut dhe të qytetarit; angazhohet për të drejtën e mendimit dhe të shprehjes së lirë, për lirinë e fjalës, të shtypit e të organizimit politik; angazhohet për heqjen e çfarëdo censure të fshehur; angazhohet për gjyqet e pavarura dhe për përjashtimin e varësisë së individit, të ndjekjes dhe të ndëshkimit politik të gjyqtarëve.
LDK angazhohet për zhvillimin e raporteve demokratike në Federatë, duke e kuptuar Federatën si bashkësi të subjekteve të barabarta, si bashkësi të qytetarëve dhe të kombeve të barabarta. Pra,angazhohet për një federatë moderne, e cila do të mundësojë barazinë e nacionaliteteve dhe të republikave dhe të krahinave në sistemin parlamentar në bazë të së drejtës së votës së lirë”, thuhet në program.
Ndjenja e jugosllavizmit vijon të shprehet më tej në porogram, ku Kosova, në këtë kuadër, konsiderohet dhe si vend i serbëve.
“E vetëdijshme për faktin që bashkëpunimi, mirëkuptimi, miqësia dhe solidariteti i popujve janë rezultat dhe frytet më të rëndësishme të civilizimit, kurse grindjet dhe armiqësitë janë fatkeqësi e madhe, LDK do të angazhohet vendosmërisht për zhvillimin e miqësisë dhe të bashkëpunimit të gjithanshëm të të gjithë popujve në Kosovës, në Jugosllavi dhe në botë.
Barazia e plotë përbën edhe parakushtin qenësor të miqësisë dhe të bashkëpunimit të popujve. Prandaj, LDK përpiqet për barazi të plotë kombëtare në Jugosllavi e në Kosovë. Ajo do të punojë për afirmimin e vetëdijes se Kosova është e të gjithë atyre që jetojnë në të:
-se shqiptarët, serbët,malazezët, turqit dhe të tjerët historikisht dhe aktualisht Kosovën e kanë të tyre dhe bashkërisht duhet ta zhvillojnë dhe ta përparojnë”, thuhet ndër të tjera bnë programin e LDK.
Kujtojmë se në atë kohë nuk ekzistonte kauza e pavarësisë, por ajo e të qënit të Kosovës si Republikë e jo krahinë autonome, që dhe ky status ju hoq nga Millosheviçi.
Sistemi jugosllav bazohej në kauzën politiko-sociale të “Bashkim-Vëllëzërimit”, shprehur në kushtet e Kosovës nga biniomi “Bora-Ramiz”, si bashkëjetesë mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. /tesheshi.com/