Talibanët u bënë thirrje mbështetësve të tyre që të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për të sabotuar dhe prishur zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen në Afganistan këtë fundjavë.
Grupi militant tha që do të sulmojë forcat e sigurisë në qendrat e votimit dhe do të bllokojë rrugët kryesore për të prishur procesin. Ata shtuan se për të qëndruar të sigurt, banorët duhet të përmbahen nga votimi dhe të qëndrojnë në shtëpi.
Talibanët kanë dënuar zgjedhjet presidenciale duke i konsideruar si një komplot për “zbatimin e qëllimeve të okupatorëve” në vend.
Miliona Afganë pritet të dalin në votime të shtunën për të zgjedhur një president të ri, megjithëse shihet një ngritje dhune në javët e fundit, që nga rënia e një marrëveshjeje SHBA-Taliban që do t’i jepte fund luftës më të gjatë të Amerikës. Ishte presidenti Donald Trump ai që befas i ndërpreu bisedimet. /tesheshi.com/