Partia Demokratike e sapokrijuar e mbështetur dhe nga grevat e sindikatave arriti të rrëzonte qeverinë e parë të drejtuar nga Fatos Nano dhe të impononte një zgjidhje politike me qeveri të përbashkët, që e çoi vendin në zgjedhjet e parakohshme të marsit ’92, ku ajo fitoi bindshëm….
Zgjedhja e Ramiz Alisë president pa asnjë kandidat opozitar përballë dhe nisja e punës nga qeveria e drejtuar nga Fatos Nano, ishin zhvillimet e para politike në vend pas shpalljes së pluralizmit politik. Ishte maji i vitit 1991. Partia Demokratike kishte vetëm disa muaj që ishte krijuar, por po të lexosh punimet e Kuvendit të asaj kohe dhe fjalimet e Sali Berishës e Gramoz Pashkos duket qartë se dinte të luante politikisht.
Futja në grevë të përgjithshme e sindikatave të pavaruar çoi vendin në krizë dhe kjo nxiti partinë në pushtet, PPSH-në (PS-ja e sotme) që të ulet në bisedime me opozitën. Në këto bisedime ajo bëri lëshime të njëpasnjëshme, që nga rrëzimi i qeverisë deri në zgjedhjet e parakohshme ku do të humbte pushtetin.
Ja si e kujton Ylli Bufi, kryeministri i “Qeverisë së Stabilitetit” në librin e tij këtë periudhë;“Në Kuvend zhvilloheshin debate të stërzgjatura nëse parlamenti duhet të diskutojë apo jo për gjendjen e krijuar nga grevat dhe për mënyrën sesi qeveria duhet të plotësojë kërkesat grevistëve. Presidenti i Republikës takon pasdite kryetarët e partive parlamentare për të gjetur një zgjidhje që vendi të mos futej më thellë në rrugën e destabilizimit. Drejtuesit e mazhorancës dhe të opozitës, jashtë Kuvendit, kishin filluar kontaktet midis tyre për të diskutuar mënyrën sesi mund të dilet nga kjo situatë. Me kërkesën e Partisë Demokratike, në datat 23, 24 dhe 28 maj u bënë takime me disa parti politike për të diskutuar rreth situatës së rëndë politike, ekonomike dhe sociale që ishte krijuar në vend dhe për mundësitë e gjetjes së një zgjidhjeje të përshtatshme të saj. Në këto takime morën pjesë Xhelil Gjoni, Ismail Lleshi, përfaqësues të Partisë së Punës; Sali Berisha, Gramoz Pashko, të Partisë Demokratike; Sabri Godo, i Partisë Republikane dhe Skënder Gjinushi i Partisë Socialdemokrate. Partitë e tjera politike nuk qenë ftuar. Përfaqësuesite Partisë Demokratike, të Partisë Republikane dhe të Partisë Socialdemokrate kërkuan dorëheqjen e qeverisë, të krijohej një Qeveri e Shpëtimit Kombëtar dhe të bëheshin zgjedhje të reja parlamentare.”
Debatet në Kuvend para krijimit të Qeverisë së Stabilitetit: Çfarë thanë Nano, Dokle, Pashko, Alia e Berisha
Kryeministri Fatos Nano flet për stabilitet:…Tashmë, është bërë e qartë se elementë të veçantë në kryesinë e Sindikatave të Pavarura, në komisionet organizatore të grevave po manipulojnë me kërkesat e drejta ekonomike të punonjësve dhe po i shfrytëzojnë ato për qëllime politike, për të paralizuar shtetin, për të krijuar tensione sociale, që çojnë në prishjen e unitetit popullit. Në një kohë kur të gjitha forcat politike publikisht janë shprehur për vendosjen e rendit dhe funksionimin e shtetit ligjor, është vetëm Qeveria që po ballafaqohet me veprime të shumta të jashtëligjshme…. Popullit shqiptar i duhen qetësia dhe stabiliteti, ndryshe do të luhej rrezikshëm me fatet e atdheut. Rivendosja e qetësisë sociale, rifillimi i punës, armëpushimi politik, ndërprerja e grevave janë kushte të domosdoshme e në rend të ditës dhe për këtë është i nevojshëm kontributi i të gjithëve, përndryshe, të kapur nga presione dhe papërgjegjshmëri, nga kundërshtime dhe premtime pa baza, rrezikojmë të shkojmë drejt katastrofës.”
Pas takimeve në Kuvend dhe me Alinë u formulua komunikata e cila i hapi më tej rrugë idesë së një zgjidhje politike me një qeveri të re PPSH-PD:
“Për të dalë nga gjendja e rëndë në të cilën ndodhet mbarë vendi, grupet parlamentare dhe partitë politike, në konsultim me Presidentin e Republikës, ranë dakord t’i paraqesin Kuvendit një zgjidhje të re dhe të shpejtë politike, që do të jetë e pranueshme nga të gjitha forcat politike dhe shoqërore. Kuvendi Popullor miratoi që kjo zgjidhje të paraqitet brenda tri ditëve për miratim. Në të njëjtën kohë, u rekomandohet të gjitha palëve që të angazhohen deri në fund për ruajtjen e qetësisë publike dhe shmangien e çdo lloj konflikti, duke kërkuar nga forcat e rendit të kryejnë detyrën me përgjegjësi. Kuvendi Popullor kërkon që në asnjë rast të mos pengohen transporti dhe furnizimi i popullit me bukë dhe ushqime.”
Me kërkesën e S. Berishës, komunikata u votua dhe u miratua me shumicë votash. Më pas pati debate në Kuvend deri në bojkotin e deputetëve të majtë.
Sali Berisha:“…Koha po provon se atë që solli sistemi mazhoritar, Shqipëria, me një kulturë politike e demokratike jo aq të zhvilluar, nuk e kapërcen dot si duhet. Atëherë, në këto kushte, mendoj unë, është e domosdoshme të krijohet një formë qeverisjeje teknike apo kombëtare, si të doni ju, në mënyrë që të sjellë një sistem tjetër votimi, të mos sjellë sistemin e ndarjes gjeografike që na krijoi sistemi mazhoritar.”
Gramoz Pashko:“Le të dalin deputetët e Partisë së Punës, nuk ka asnjë gjë, por është për t’u informuar se partitë politike arritën në një formulë për të qetësuar gjendjen, që u firmos nga të gjitha partitë politike. U arrit në një formulë. Gjatë bisedimeve partitë ranë dakord që të krijohet një qeveri, e cila do të punojë në bazë të një programi të përbashkët deri në zgjedhjet e parakohshme. Në qoftë se deputetët e Partisë së Punës nuk duan ta dëgjojnë këtë gjë, nuk na duket serioze. Ne ramë dakord, unë kam firmat e përfaqësuesve të Partisë së Punës këtu. Partitë ju ofrojnë një zgjidhje politike. Të ulemi për të mirën e popullit e ta bisedojmë këtë zgjidhje politike. Kjo nuk është serioze. Seanca nuk mbyllet kështu. Atëherë ne kemi të drejtë të informojmë gjithë shtypin botëror për këtë qëndrim që mbajtët ju sot dhe jeni ju përgjegjës për situatën.”
Deputeti i PPSH-së, Ajli Alushani: “….Situata e re kërkon taktikë të re. Në këto kushte mua më duket i lavdërueshëm dhe për t’u përshëndetur reagimi i partive politike për të krijuar qeveri pluraliste. Populli ynë tani, duke pasur disa parti, është i ndarë nga pikëpamja politike në disa grupe, në këtë kuptim, nuk është më një i tërë. Kudo tani është një ambient pluralist. Edhe Qeveria duhet t’i përgjigjet kësaj në përbërjen e vet. Në të duhet të përfaqësohen të gjitha grupet e popullatës sipas partive. Kjo nuk është dëshirë, por domosdoshmëri për të shkuar puna mirë. Aq më tepër në situatën e krijuar, mua më duket se ky është faktori i parë i qetësimit të masave greviste”
Deputeti i PPSH-së Namik Dokle: Grevat po përdoren për qëllime politike
“Situatat e këtyre ditëve kanë krijuar përsëri një moment rrokullisjeje, që nuk do t’i shërbente kurrkujt e aq më pak popullit shqiptar, aq më pak unitetit të tij kombëtar. E ardhmja e demokracisë është vënë nën kërcënimin më serioz që mund të jetë bërë deri tani. Bëmë Parlamentin pluralist, me vullnetin e popullit, bëmë ligjin “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, ku shprehëm vullnetin e popullit, zgjodhëm President e Qeveri, por popullit nuk i dhamë atë që aq shumë e dëshironte,
qetësinë. Pse ndodhi e gjithë kjo? Mijëra punëtorë janë ngritur në grevë. A mund të fajësohen punëtorët se kërkuan rritje page? Jo. A mund të fajësohen punëtorët se kërkuan kushte më të mira pune? Përsëri jo. A mund të fajësohen punëtorët që kërkuan ngritjen e nivelit të jetesës për vete dhe për fëmijët e tyre? Kurrsesi jo. Por e keqja e madhe është se pakënaqësitë e grumbulluara, veçanërisht muajt e fundit, ku si rezultat i rrënimit ekonomik ka dalë evidente pasiguria e jetesës, disa forca duan t’u hapin portat turbinave politike dhe ta fusin në shërbimin e tyre. Cilat janë këto forca, të dukshme e të padukshme, të brendshme e të jashtme, por gjithsesi që nuk e kuptojnë ose nuk duan ta kuptojnë se cila është e mira e popullit shqiptar? Nuk është larg që të kemi harruar kërcënimet e disa ithtarëve që deklaronin se me greva do t’ jua marrim frymën. Nuk është larg që të kemi harruar insinuatën e qartë dhe njëherësh të verbër politike që e krahasonte Valiasin me Stari Tërgun. Të shkosh me verbëri politike drejt një synimi të bukur, siç është demokracia, sigurisht që mund të pësoshe dhe zhgënjime. Zhgënjimet kthehen në irritim, irritimi në veprime të pakontrollueshme. Të tilla veprime i përjetuam dje këtu përpara Parlamentit, me thirrje për litar, me thirrje për vdekje, me thirrjen: “O djem rrëmbeni pushkët”, thirrje të cilatnuk janë gjë tjetër veçse përdhunim monstruoz i demokracisë, fyerje publike, të cilat s’mund t’i përmend as këtu……Grevat dhe kërkesat e drejta ekonomike të punëtorëve po shpërdorohen për qëllime politike, të cilat nuk e di se kujt iinteresojnë. Më 1 prill manifestuesve të Partisë Demokratike para selisë së saj iu dha ky melhem qetësues: Përse mërziteni? Për dy muaj do ta marrim pushtetin. Kjo deklaratë u amplifikua në mënyrë të shkallëzuar nga mjete të caktuara të informacionit, duke shfrytëzuar të gjitha llojet e intervistave të politikanëve të mirëfilltë apo edhe të amatorëve komikë të politikës. Nuk jam aspak kundër llogaritjes së momenteve nga partitë politike, zaten ato prandaj edhe janë krijuar, zaten prandaj edhe krijohen parti të reja. Por, nëse partive u lejohet të gabojnë në llogaritjen e çdo momenti tjetër politik, kur bëhet fjalë për pragun e një katastrofe kombëtare, atëherë kurrkush, asnjë parti politike, asnjë personalitet politik, asnjë deputet nuk mund t’i dredhojë përgjegjësisë historike….
…Gjithë gurët bien tani mbi qeverinë e Fatos Nanos, duke harruarse ajo ka vetëm dy javë në krye të punës. Dikush, me naivitet politik, thotë se ajo është e njëjta qeveri si e mëparshmja, duke harruar se qeveritë nuk çmohen nga emrat, por, në radhë të parë, nga programet me të cilat dalin para popullit. Për më tepër, ato çmohen nga Parlamenti që u jep votëbesimin. Ne kemi të parën Qeveri me një program pluralist, bazë e mirëfilltë kjo edhe për një kabinet pluralist.Unë do të isha jo plotësisht dakord me propozimet e deputetit Ajli Alushani apo të deputetëve të tjerë. Ne kemi një program pluralist të paraqitur nga kryeministri Fatos Nano, kemi edhe një sërë vërejtjesh dhe sugjerimesh të bëra nga deputetët e Partisë së Punës dhe të Partisë Demokratike, kemi edhe një premtim nga kryeministri Fatos Nano, që ky program do të konkretizohet akoma më tej për të vënë në zbatim programin dhe për të zgjidhur problemet e shumta që janë grumbulluar. Atëherë, si zgjidhje do të propozoja që kryeministri Fatos Nano në Qeverinë e tij të ftojë ministra të rinj, të përfaqësuar ngatë gjitha partitë, veçanërisht nga Partia Demokratike, e cila, në fund të fundit, ka marrë besimin e popullit dhe nuk është në ato nivele që janë partitë e tjera. Pra, duke marrë ministratë rinj, në qeverinë e Fatos Nanos krijohet një bazë pluraliste qeverisjeje për të zbatuar programin pluralist që ka ajo, i cili me siguri edhe do të reformohet më tej, edhe do të konkretizohet më tej, do të krijohen premisa shumë më të qarta, shumë më të sakta, shumë më të mira edhe për ta zbatuar, për të zgjidhur të gjitha kërkesat e popullit dhe ato që kanë paraqitur grevistët në mbarë vendin. Ky mendoj se është shansi historik që mund tëzgjedhim sot.”
Deputeti i PD-së Gramoz Pashko: “Të gjithë e dimë se demokracia, aq më tepër në një vend si ky yni, ngrihet me shumë mund, do shumë punë e stërmundim. Dikush këtu përmendi me të drejtë mitin e Sizifit, por demokracia rrëzohet shumë lehtë, sepse ajo nuk ka mbrojtje. Tempulli i shenjtë i demokracisë është parlamenti. Për të arritur deri te parlamenti,duhet shumë mund e djersë. Edhe ky Parlament mund të rrëzohet shumë kollaj. Askush nuk ka të drejtë ta prekë atë, as rruga dhe as forca të tjera. Ne jemi të distancuar krejtësisht nga çdo forcë që do të donte rrëzimin e Parlamentit. Çfarë e rrezikon demokracinë dhe Parlamentin sot? Në vendin tonë është krijuar një krizë besimi, e cila vjen nga të gjitha anët, në dy ekstreme, do të thosha. Krizën e besimit e krijon një lloj inkonsekuence, një lloj mospërqasjeje, në kohë e në vend, të hapave që janë marrë. Qeverinë e zotit Nano greva që ka shpërthyer e kapi keq në kohë, për faktin se sikur të ishte bërë privatizimi në Shqipëri, punëtorët do t’u bënin grevë padronëve dhe Qeveria do të ishte jashtë kësaj gjëje. Kështu që nuk mund të thuhet se kjo grevë, që drejtohet sot kundër Qeverisë, nuk ka nuanca politike. Pra, dashur padashur, e implikon Qeverinë që të gjejë një rrugëzgjidhje politike, për të kapërcyer këtë grusht të hekurt që është krijuar midis saj dhe grevistëve. I them këto gjëra për të sjellë edhe një argument plus, se këtu duhet të shtrohemi dhe të gjejmë një zgjidhje. Këtë tentuam ta bëjmë edhe në rrugën e partive. U mblodhën partitë, biseduan disa seanca rresht se si të shtronim një alternativë të mundshme për të vendosur këtë besim të domosdoshëm, për të gjetur këtë zgjidhje politike të domosdoshme, për të krijuar një atmosferë besimi dhe t’i bindeshim asaj thirrjeje që po thotë një pjesë e madhe e Parlamentit me plot të drejtë, që jeta e vendit të fillojë normalisht. Përgjithësisht, opozita shtroi këtë alternativë: shpërndarjen e qeverisë ekzistuese dhe formimin e një qeverie të re, e cila të reflektojë të gjitha forcat politike të vendit, një qeveri që do të kishte një mandat të përkohshëm e teknik, deri në realizimin e zgjedhjeve të reja, që do të ishin të parakohshme. Kjo zgjidhje do të kalonte në tri shkallëzime: do të vendoste besimin midis kësaj qeverie dhe partive politike brenda ose jashtë Parlamentit, të cilat do të sinkronizonin këtu programet e tyre; në shkallën e dytë do të mund të vendoste dialogun me sindikatat, do të nënshkruantenjë kontratë me to, do të thosha, që ta linin të qetë këtë qeveri të punonte dhe duke gëzuar besimin e tyre do të mund të ndërmerrte masa në rrugën e reformimit, të cilat dihen fare mirë që kanë edhe dhimbje të mëdha. Kushdo që të ishte do t’i ndiente këto dhimbje; së treti, kjo qeveri do të gëzonte edhe besimin e Parlamentit, sepse, siç e thamë, ky është tempulli, ky është piedestali më i lartë i jetës politike të vendit.U arrit në këtë marrëveshje midis forcave politike dhe pastaj problemi u bllokua. Hymë kështu në një rreth tjetër të mbyllur. Partia e Punës nuk i dha zgjidhje këtij problemi. U shty në kohë dhe u krijua këto dy-tri ditët e fundit një krizë parlamentare,më shumë sesa një krizë tjetër, për të cilën të gjithëve na vjen keq, dhe kjo është kriza më e rëndë. Parlamenti, pavarësisht nga ç’kemi thënë dhe nga ç’jemi përpjekur të themi, shumë nga ne këtu thonë që po bëjmë këtë ose atë, po ka tri ditë që pothuajse nuk bën asgjë. Pra, nuk po i afrohet asaj zgjidhjeje të madhe që kërkohet. Këtu nuk dua të shpreh keqardhjen, por nuk m’u duk e drejtë që në mënyrë proteste, kur unë po flisja në emër të të gjitha forcave politike që morën pjesë në bisedime, dy të tretat e sallës u ngritën dhe nuk dëshiruan të dëgjonin atë formulë, të cilën e kishin dëgjuar pak më parë. Ne forcat politike dëshironim t’ia sugjeronim Parlamentit atë formulë. Përfundimisht, këtë formulë sot e njeh e gjithë bota. Ne nuk mund t’i zgjidhim punët me dyer të mbyllura, edhe pse shumëkush propozon këtu zhvillimin e punimeve me dyertë mbyllura, shumëkush propozon bllokimin e informimit, shumëkush atakon edhe vetë Parlamentin.Unë do t’ju ftoja që të përpiqemi ta zgjidhim sa më shpejt këtë problem, e kemi ne në dorë këtë gjë, për arsye se ky tempull kujemi futur ne i ka këmbët ende shumë të dobëta dhe, po u shemb, do të na zërë të gjithë, vendi do të endet jo nga lufta civile, siç thotë dikush, unë nuk shikoj rrezikun e një lufte civile, pasi luftë civile do të thotë disa palë të armatosura që ndeshen, por midis dy skenarëve dhe do të ishte një fatkeqësi shumë e madhe po të ndodhte njëri prej tyre: Tien An Meni ose Bukureshti. Në qoftëse do të ndodhte një gjë e tillë, demokracia do të largohej nga Shqipëria për 500 vjet.”
Pagëzimi me emrin ‘Qeveri e Stabilitetit’ do të vinte nga deputeti Preç Zogaj, i cili tha:“…bashkohem me mendimin e shumë diskutantëve për të krijuar qeverinë e stabilitetit, me pjesëmarrjen e të gjitha partive, e cila do të jetë, si të thuash, spektri real i peizazhit politik në Shqipëri. Unë e përshëndes inicuesin e kësaj ideje që erdhi këtu në Parlament dhe që, siç e dini të gjithë, nuk është nga Partia Demokratike. Dhe jam i bindur se duke ndjekur këtë fill, pra fillin e qeverisë së stabilitetit ose qeverisë pluraliste, ne mund t’i gjejmë shinat ehumbura.”
Ramiz Alia: Të gjejmë zgjidhje politike, ose do i lëmë vend anarkisë
“Çështja shtrohet: ose t’i lihet rrugë e hapur spontanetetit e anarkisë, ose të gjendet një zgjidhje politike që t’i kundërvihet spontanitetit dhe anarkisë. Këtë mendim u kam shprehur grupeve parlamentare dhe partive të ndryshme. Bashkë me këtë kam shprehur mendimin që rruga e parë është rrugë me pasoja të pallogaritshme, që mund të sillte konsekuenca të pariparueshmepër popullin tonë, për atdheun tonë. Pra, mbetet rruga e dytë, angazhimi i Kuvendit Popullor, angazhimi i partive politike, angazhimi i sindikatave të ndryshme që të evitojnë spontanitetin, që mund të na çojë në atë që të na dalë situata jashtë kontrollit. Dhe të gjithë e kuptojnë se sa e rëndë do të ishte një gjendje e tillë .Zgjidhje politike, sipas mendimit tim, do të thotë të mbështesim me të gjitha forcat të gjitha institucionet legjitime legale të shtetit, duke filluar nga Parlamenti, i cili duhet të gëzojë mbështetjen e plotë të popullit, ashtu siç duhet të mbështetet plotësisht Qeveria, siç duhet të mbështeten organet e ruajtjes së rendit. Qëllimi ështëtë stabilizohet ekonomia, të garantohet qetësia, të sigurohet paqja sociale.Pa dyshim, në të gjithë këtë kompleks, themelore, sipas mendimittim, është çështja e bashkimit të forcave politike, duke riorganizuar qeverinë e sotme. Si do të bëhet kjo? Partitë politike le të diskutojnë me ndjenjë përgjegjësie dhe le të gjejnë rrugën më të përshtatshme, që do ta nxirrte vendin nga vështirësitë në të cilat jemi. Por kuturu, nuk duhet punuar. Nevojitet një program i qartë, nevojiten masa konkrete, në mënyrë që me të vërtetë t’u dilet mbanë këtyre situatave të vështira. Këto, siç ua shpreha edhe partive dhe grupeve parlamentare në takimin me to, është e vështirë që të bëhen në seanca plenare të Kuvendit Popullor. Jo pse deputetët nuk janë në gjendje, por sepse teknikisht, praktikisht është tepër e vështirë të bisedosh mbi hollësitë e programeve, të masave konkrete që duhen marrë etj., etj. Për mendimin tim, duhet që partitë politike dhe grupet parlamentare, përfaqësitë e tyre të punojnë intensivisht, natë e ditë, që t’i dalin Kuvendit me një paltformë konkrete. Dhe veç Kuvendit, askush nuk ka të drejtë të vendosë. Është Kuvendi Popullor sovran, mbi të tëra vendimet. Nga kjo pikëpamje, nuk ka asnjë skenë apo prapaskenë, siç e tha dikush këtu, por bëhet fjalë për një punë përgatitore, në mënyrë që t’i lehtësohet puna Kuvendit që ky të mund të thotë fjalën e vet përfundimtare. A bëhet kjo brenda natës? Mund të kërkojmë iluzione sa të doni, po brenda natës nuk mund të bëhen këto gjëra. Kjo do një punëshumë serioze. Ndryshe, me ndërgjegje, vemi thellë e më thellë, drejt vështirësive, drejt pengesave serioze…..Por unë, në të njëjtën kohë, s’e kam quajtur të nevojshme dhe s’e quaj të nevojshme as sot që të ndërhyj në punët e Kuvendit, i cili,siç e thashë, është sovran në veprimet e tij, sepse unë dëshiroj të respektoj deri në fund, pa asnjë hezitim, kompetencat e Kuvendit Popullor, ashtu siç dëshiroj t’u përmbahem funksioneve dhe kompetencave që më janë dhënë me ligjin kushtetues të miratuar nga ju. Unë jam gjithmonë në dispozicion për të ndihmuar me çfarë mundem për të kapërcyer këto vështirësi që ekzistojnë, por, në të njëjtën kohë, ju bëj thirrje të gjithëve për mirëkuptim. I bëj thirrje popullit, u bëj thirrje punëtorëve grevistë që t’i kthehen punës. Këto kërkon sot atdheu dhe e mira e vendit nga të gjithë”.
Sali Berisha kërkon një kryeministër pa parti: “Duke e konsideruar krizën e besimit si një ndër elementet më madhore të krizës së përgjithshme që po kalojmë, e cila është njëkohësisht edhe kriza e dëshpërimit të madh që po e dezintegron popullin tonë, po e nis nëpër rrugët e botës rininë e Shqipërisë, ne menduam se si rrugëdalje do të shërbente krijimi i një qeverie të përbërë nga të gjitha forcat politike të vendit, e cila, që të jemi të sinqertë, për konceptin tonë duhej të shkëputej krejtësisht nga këto forca, nga të gjitha partitë, do të linin partitë ata që do të përbënin këtë Qeveri, do të mbështetej fuqimisht prej të gjitha partive për të mundur me e nxjerrë vendin nga kriza ekonomike. Për të pasur besimin e të gjithëve, mendimi dhe dëshira jonë është që kjo Qeveri të kishte një kryeministër pa parti, në asnjë mënyrë të Partisë Demokratike, as të partive opozitare, por, të sugjeruar nga kushdo, një kryeministër pa parti, pikërisht duke menduar se krizae besimit është esenciale. Më falni, unë nuk e them se kush mund të ishte. Kjo Qeveri do të përcaktohej këtu që nuk do të kishte atribute elektorale siç doli qeveria e Markoviçit në Jugosllavi. Me një fjalë, nuk mund të ecte në këtë rrugë dhe, nga ana tjetër, do të nxirrte vendin nga gjendja ku është e do të përgatiste zgjedhjete reja. Mirëpo shoh që propozimi ynë ka krijuar këtu një irritim, në disa, jo në të gjithë. Prandaj dhe ne, ç’është e vërteta tani po flas si deputet i Partisë Demokratike, nuk insistojmë absolutish tnë propozimin tonë, përkundrazi, ne mbetemi përsëri në kërkesëne parë që kemi pasur, në të cilën i themi Qeverisë së zotit Nano që të vazhdojë dialogun me sindikatat për plotësimin e kërkesave të grevistëve, të cilat, ç’është e vërteta, si ju edhe ne dhe shumica dërrmuese, me ndonjë përjashtim të rrallë, e forcave politike, i kanë konsideruar të drejta.”
Pas diskutimeve të gjata deri në orën 3 pas mesnate arrihet marrëveshje mes partive.
Teksti i plotë i kësaj marrëveshjeje u lexua në fillim të seancës të së hënës, datë 3 qershor 1991, nga kryetari i Kryesisë së Kuvendit Popullor, Kastriot Islami:
“Partia e Punës, Partia Demokratike, Partia Republikane, Partia
Socialdemokrate dhe organizata OMONIA, në mbledhjen e
datës 3.06.1991 ranë dakord:
- Qeveria të japë dorëheqjen.
- T’i sugjerohet presidentit të Republikës kryeministri i ri, i
propozuar nga Partia e Punës, i cili, në bashkëpunim me partitë
politike, të hartojë përbërjen e qeverisë dhe programin e saj mbi
bazën e disa drejtimeve themelore të përpunuara në konsultimet
ndërpartiake.
- Anëtarët e Qeverisë së re të shkëputen nga partitë përkatëse dhe
të mos kenë të drejtën të formojnë parti dhe të kryejnë veprimtari
partiake dhe elektorale.
- Qeveria e re të mos ketë të drejtën e subjektit elektoral.
- T’i sugjerohet presidentit që zgjedhjet e reja të zhvillohen në një
datë të përshtatshme në periudhën maj-qershor 1992.
- BSPSH ra dakord që, në bashkëpunim me qeverinë e re, të
garantojë paqen sociale për të mos bërë grevë gjatë funksionimit
të kësaj qeverie. Gjithashtu, në një takim me kryesinë e BSPSH u
mor angazhimi që, me miratimin e dorëheqjes dhe me fiksimin e
datës së zgjedhjeve, të ndërpriten grevat e urisë.”
Shënim: Fjalimet janë pjesë e arkivës së Kuvendit dhe janë cituar në librin e Ylli Bufit “Në fillimet e tranzicionit- Qeveria e stabilitetit, një marrëveshje politikeapo një kompromis i përkohshëm?” botim i UET-Press. /tesheshi.com/