Nga Luljeta Progni
Dy korriku nuk është sinjali i parë për rrëzimin e sistemit diktatorial në Shqipëri, por është momenti vendimtar që i dha fund përpjekjes së komunistëve të vitit 1990 për të mbajtur në këmbë sistemin. Më 2 korrik është dita e revoltës së qytetarëve të kryeqytetit kundër regjimit diktatorial. U kishte sosur durimi në pritje të asaj që kishte ndodhur në vendet e tjera të lindjes. Ishte një revoltë kundër udhëheqësit komunist Ramiz Alia dhe Byrosë politike të cilët po përpiqeshin të mbanin në këmbë sistemin e kalbur komunist.
Më datën 2 korrik të vitit 1990, një grup prej rreth 5000 qytetarësh kryesisht nga Tirana, hyjnë në ambasadat e vendeve perëndimore të akredituara në Tiranë. Ambasada e Gjermanisë, Francës, Italisë, Greqisë e të tjera hapën portat për të pritur emigrantët e parë shqiptarë.
Kjo ngjarje ka ndodhur në një situatë të caktuar politiko-shoqërore në Shqipëri. Ishin dhënë shenjat e para të reagimit të popullit kundër sistemit komunist. Në janar të vitit 1990 ishte rrëzuar busti i Stalinit në Shkodër përmes një proteste të disa qytetarëve shkodranë. Një situatë e ngjashme ndodhi më pas në Kavajë. Intelektualë të kohës nisën të shkruajnë në mediat e regjimit për nevojën e një ndryshimi thelbësor të drejtimit të vendit. Megjithatë këto qëndrime të intelektualëve Ylli Popa apo edhe Gramoz Pashko, më vonë edhe Sali Berisha, nuk kishin të bënin ende me një qëndrim të qartë dhe të prerë, për rrëzimin e sistemit komunist. Ato propozime që vinin nga intelektualët lidheshin me përmirësim të sistemit por jo për rrëzimin e tij.
Ndërkohë sekretari i parë i Komitetit Qëndror të PPSH-së Ramiz Alia, kishte nisur përpjekjet e tij për të reformuar nga brenda sistemin, me qëllimin kryesor për t`i shpëtuar efektit domino të rrëzimit të sistemit komunist në vendet e lindjes. Në këtë linjë, Ramiz Alia kishte urdhëruar disa hapa në reforma që synonin demokratizimin ekonomik dhe politik. Ishte fjala për Gllasnosin dhe Perestrojkën, përvojë e marrë nga Bashkimi Sovjetik. Këto përpjekje për reforma dhe të tjera të ngjashme dështuan por Ramiz Alia kishte një plan të dytë, atë të komandimit të ndryshimeve demokratike. Rezultatet e këtij plani B të liderit të fundit komunist do të shfaqeshin hapur në dhjetor të këtij viti kur u rrëzua sistemi komunist.
Ngjarja e ambasadave njihet nga të gjithë protagonistët e dhjetorit `90 si një moment që vrau frikën e popullit shqiptar ndaj diktaturës komuniste. Megjithatë edhe pas kësaj ngjarje vazhduan përpjekjet e lidershipit komunist të kohës për të mbajtur në këmbë sistemin përmes propagandës në mediat e kohës dhe mitingjeve të organizuara nga byroja politike, si një reagim kundër largimit të 5000 qytetarëve në ambasadat e huaja.
Menjëherë pas ngjarjes së 2 korrikut, në organet zyrtare të shtypit të PPSH-së, kjo ngjarje u paraqit si një veprim vandal, ndërsa qytetarët që hynë në ambasada u cilësuan si njerëz që ishin vagabondë dhe ish-të burgosur për krime ordinere. Jo pa qëllim, ata specifikuan mënyrën e dënimit, sepse nëse thuhej se ishin ish-të burgosur politikë, situata dukej më serioze. Me titullin “Veprime të disa huliganëve në Tiranë”, “Zëri i Popullit” e pasqyron si më poshtë ngjarjen:
Në mbrëmje të datës 2 korrik në Tiranë, rreth orës 22:00, një grup vagabondësh, ish të burgosur për faje të vogla, ordinere si vjedhje, llotarira klandestine, kumar si dhe disa adoleshentë të mashtruar, kërkuan të hyjnë forcërisht në një ambasadë të huaj, duke goditur me gurë, tulla e mjete të tjera forcat e rendit. Në mbështetje të kësaj mase u grumbulluan edhe familjarët e tyre, që krijuan një gjendje alarmuese, duke ndaluar qarkullimin në rrugë të qytetarëve, duke hedhur gurë mbi personat zyrtar e popullin që kishte dalë për të mbrojtur rendin, duke thyer xhamat e disa dyqaneve e duke bërë zhurmë”.
Sekretari i parë i Komitetit të Partisë për Tiranën ishte Xhelil Gjoni. Në një intervistë të shumë viteve më vonë, në mars të vitit 2009, Xhelil Gjoni shprehet për këtë moment mjaft deçiziv në historinë e rrëzimit të sistemit komunist në Shqipëri.
“U ngritën ambasadat dhe kërkuan sheshin para universitetit që sot quhet “Nënë Tereza” , sheshin “Avni Rrustemi”, e të tjera që të sillnin çadra për të bërë kampingje. E kërkuan ambasada gjermane, italiane ceke, etj., ata kërkonin që ti nxirrnin njerëzit nga ambasada dhe t`i fusnin nëper çadra. Ishin mbi 5 mijë veta dhe 5 a 25 mijë të tjerë familjarë që do të mblidheshin. Mjaftonte një shkrepse në ato çadra dhe bëhej katrahurë e vërtetë. Në atë moment, Peres Dekuelar dërgoi një delegacion ku u kërkua që t’iu jepej pasaporta dhe ashtu ndodhi. Ramizi del gjithkund “ i pavendosur”, sqaron Xhelil Gjoni.
E nisi me shkarkimin e disa anëtarëve të Byrosë politike. Ishte hera e parë që ndodhte. Deri në atë kohë anëtarët e Byrosë politike largoheshin nga ky post vetëm në rast se do të “caktoheshin” si armiq të popullit, në të kundërt ata qëndronin në detyrë deri në fund të jetës së tyre.
Në këtë moment mjaft të rëndësishëm, Ramiz Alia bëri ndryshime domethënëse në Byronë politike. Për këtë Xhelil Gjoni shprehet: “Në atë kohë Ramizi kishte filluar të tallej me anëtarët e Byrosë politike. Isha në prezencë kur Ramizi i thoshte Foto Camit që të shkonte kryetar i akademisë, po kështu edhe me të tjerët, ata bënin si varfanjak se bëj dot e këtej-andej. Unë i kërkova që të mos sillej keq me anëtarët e Byrosë dhe të tjerë para syve të mi, i thashë: Ju jeni miq të vjetër dhe keni raporte të tjera, kur jam unë mos u tall me ta. Një ditë më erdhi Hekurani në zyrë dhe më tha: Ore ky të bëka gjëmën??, po normale i thashë pse si e di ti?. Unë e pyeta po se ke mbërritur në përfundimin se Ramizi të bën gjëmën. Po më ka thënë të shkoj drejtor të autotraktorët, nga ministër i brëndëshëm.
Pra Ramizi i kishte të gjitha mundësitë që të ndryshonte Byronë politike kohë më parë dhe se bëri.
Ia pata këshilluar Ramizit që të ndryshonte Byronë politike se vazhdimësi nuk do të thotë të mbash të njëjtën Byro politike, siç e quati ai kongresi i vazhdimësisë. Ata, anëtarët e byrosë politike nuk kishin kapacitet të drejtonin vëndin”, shprehet Xhelil Gjoni.
Ngjarjet që pasuan 2 korrikun
Pas kësaj ngjarjeje, në mënyrë të menjëhershme u organizua një grup qytetarësh, në mënyrë artificiale, nga të gjitha rrethet e vendit për të reaguar me indinjatë kundër hyrjes së qytetarëve në ambasada.
U organizua një miting i madh në qendër të Tiranës ku u ftuan të bëhen pjesë intelektualët më në zë të kohës, për tu dhënë një mesazh ndërkombëtareve se populli shqiptar dhe udhëheqja e tij ishin bashkë në këtë betejë kundër rrëzimit të sistemit komunist. Ramiz Alia mungoi në atë miting. Ja si e shpjegon Xhelil Gjoni këtë moment: “Duhet të fliste dikush nga krerët kryesorë ,Ramizi e të tjerë. Iu kërkua Adi Carcanit të fliste por ai tha jam zemëruar, iu kërkua Pali Miskës dhe ai tha jam Ministër bujqësie dhe skam pse të flas në shesh. Iu kërkua Hekuran Isait por ai tha se jam Ministër i brendëshëm dhe merret ters.
Dhe më mbeti mua të flas edhe pse nuk më takonte sepse sapo kisha ardhë në Tiranë. Më tha Ramizi: O Xhelil të mbetet ty. Unë i thashë nuk më mbeti por unë e marr përsipër të mbaj fjalën dhe skam pse frikësohem para popullit pasi do them atë cfar kisha thënë lidhur me situatën. Në të vërtetë Ramizi kishte frikë, të vinte në shesh dhe e ndoqi nëpërmjet televizonit. Mitingu zgjati gjysmë ore dhe më pas unë hyra në Komitetin ekzekutiv të Llambi Gegprifti të pija diçka. Më thanë se më kërkonte shoku Ramiz në telefon. Tjetër se çfar shkruan tani. Më tha në telefon: “Bravo të qoftë për mitingun dhe u mata tre herë të vija dhe nuk erdha”. Unë i thashë : “Bëre gabim, se populli aty ishte të priste”
Plenumi i 11-të i KQ të PPSH-së
Më 7 korrik 1990 u mblodh plenumi i 11-të i KQ të PPSH-së, ku u diskutuan një sërë çështjesh. Vendimet parashikonin disa ndryshime të rëndësishme veçanërisht disa shkarkime në Byronë Politike e Komitetin Qendror të PPSH-së. Në pikën e fundit të rendit të ditës e quajtur “të ndryshme”, u përqendruan gjithë zhvillimet e rëndësishme të këtij plenumi. U shkarkuan nga detyra pjesa dërrmuese e anëtarëve të Byrosë Politike dhe të Komitetit Qendror të PPSH-së. Në organet më të larta të partisë dhe shtetit, hynë disa figura të reja, kryesisht nga shtresa e intelektualëve, të cilët Ramiz Alia kishte vendosur t’i përfshinte. Sinjalet për këto ndryshime ishin dhënë qysh në fillim të vitit 1989, kur Alia deklaroi se partia kishte nevojë të ripërtërihej me intelektualë. Në kohën kur bëri këtë deklaratë, pra në vitin 1989, ai promovoi një grup intelektualësh të fushave të ndryshme, pjesa më e madhe e të cilëve u përfshi në politikë. Ndër ta ishte edhe Sali Berisha, atëherë një mjek i njohur, që pak kohë më vonë do të bëhej Presidenti i vendit. Po ashtu, në radhët e intelektualëve ishte edhe Fatos Nano, atëherë një ekonomist që punonte pranë Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste.
Ndryshimi
Ish-anëtarët e Byrosë Politike dhe KQ, kishin shpresuar se nuk do të largoheshin kurrë nga detyra, derisa t’ju vinte vdekja natyrale. Ishte vetëm një mundësi që ata të largoheshin, në rastin kur partia zbulonte në gjirin e saj grupe armiqësore. Secili prej tyre mund të gjendej një ditë në këto grupe, mjafton të kishte nevojë partia për të zbuluar grupe armiqësore. Këtij fati i druheshin të gjithë. Asnjëherë nuk kishin menduar se mund të largoheshin nga detyra për arsye të tjera, që kishin të bënin gjoja me nevojën për ndryshim. Manush Myftiu, Prokop Murra dhe Rita Marko u liruan nga detyra e anëtarit të Byrosë Politike të KQ të PPSH për efekt të daljes në pension. Kiço Mustaqi, Vangjel Çërrava dhe Xhelil Gjoni u zgjodhën kandidatë të Byrosë Politike të KQ të PPSH-së. Xhemal Dymylja dhe Niko Gjyzari, kandidatë të Byrosë Politike të KQ të Partisë. Abdyl Backa nga kandidat i Komitetit Qendror të Partisë u bë anëtar i KQ. Xhelil Gjoni dhe Abdyl Backa u zgjodhën sekretarë të KQ të Partisë. Hekuran Isai u lirua nga detyra e sekretarit të KQ të Partisë dhe iu propozua kryetarit të Këshillit të Ministrave për t’ia rekomanduar Presidiumit të Kuvendit Popullor, që ta emëronte zëvendëskryetar të Këshillit të Ministrave dhe Ministër të Punëve të Brendshme. Simon Stefani u lirua nga detyra e zëvendëssekretarit të Këshillit të Ministrave dhe ministër i Punëve të Brendshme dhe iu propozua Kryetarit të Këshillit të Ministrave për t’ia rekomanduar Presidiumit të Kuvendit Popullor emërimin e tij si kryetar të Komisionit të Kontrollit të Shtetit.
Lenka Çuko u lirua nga detyra e sekretares së KQ të Partisë dhe iu rekomandua plenumit të Komitetit të Partisë të Rrethit Fier për ta zgjedhur sekretare të parë. Me dekretin e datës 10 korrik 1990, Presidiumi i Kuvendit Popullor vendosi që Hekuran Isai të emërohej zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave dhe ministër i Punëve të Brendshme, Simon Stefani u lirua nga funksionet e zëvendëskryetarit të Këshillit të Ministrave dhe të ministrit të Punëve të Brendshme dhe u emërua kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Manush Myftiu lirohet nga funksionet e zëvendëskryetarit të Këshillit të Ministrave dhe të kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit meqenëse doli në pension, Prokop Murra lirohet nga funksioni i ministrit të Mbrojtjes Popullore meqenëse del në pension, Kiqo Mustaqi emërohet ministër i Mbrojtjes Popullore, Vito Kapo lirohet nga detyra e ministres së Industrisë së Lehtë meqenëse del në pension, Bashkim Sykaj emërohet ministër i Industrisë së Lehtë, Jovan Bardhi lirohet nga funksioni i ministrit të Industrisë Ushqimore meqenëse del në pension, Ylli Bufi emërohet ministër i Industrisë Ushqimore, Xhemal Tafaj lirohet nga detyra e ministrit të Ekonomisë Komunale meqenëse kalon në një detyrë tjetër, Osman Murati lirohet nga funksioni i ministrit të Tregtisë së Brendshme meqenëse kalon në një detyrë tjetër, Pajtim Ajazi emërohet ministër i Tregtisë së Brendshme.
Me dekret të Kuvendit Popullor, në mbështetje të nenit 78, të Kushtetutës së atëhershme, Presidiumi i Kuvendit Popullor vendosi që shtetasit që kanë hyrë në përfaqësitë e huaja diplomatike të akredituara në vendin tonë dhe që dalin prej andej, nuk i nënshtrohen procedimit penal. Këta shtetas, në rast se kërkojnë pajisjen me pasaporta të rregullta për dalje jashtë shtetit, me vendim të Kuvendit Popullor …
Më datën 13 korrik të ngujuarit në ambasada u nisën drejt shteteve në ambasadat e të cilëve kishin qëndruar për rretth 10 ditë.
Në këto momente disa intelektualë u përfshinë në deklarime publike, duke theksuar se nuk duhet mohuar e shkuara e PPSH-së në atë pjesë pozitive të saj. Një prej tyre ishte edhe arkeologu i njohur Neritan Ceka, i cili pak muaj më vonë, u bë një prej themeluesve të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Ceka i bëri thirrje rinisë të mos harrojë të kaluarën e PPSH-së, të cilën ai quante të lavdishme (artikull në Zëri I Popullit” 12.07.1990).
Takimi i Ramiz Alisë me intelektualët
Më 12 gusht 1990, Ramiz Alia mblodhi në një takim një grup intelektualësh nga fusha të ndryshme. U diskutua për situatën ekonomike dhe politike në Shqipëri. Në atë takim ishin të pranishëm disa prej figurave kryesore të politikës së sotme. Aktiviteti i tyre politik u duk se nisi pikërisht aty. Njëri prej tyre, Sali Berisha, i cili pak muaj më pas u zgjodh kryetar i PD-së, debatoi me Ramiz Alinë për nevojën e ndryshimeve në vend. Në këtë takim disa prej intelektualëve kërkuan nga Ramiz Alia përmirësimin e rendit politik dhe konkretisht rritjen e rolit të organeve të zgjedhura në mënyrë demokratike, forcimin e rolit të pavarur të organizatave të masave dhe përcaktimin e saktë në marrëdhëniet parti-shtet. Kërkesa e tyre për përmirësim dukej e pakuptimtë, sepse, në të vërtetë, në Shqipërinë e asaj kohe nuk kishte organizata të pavarura dhe aq më pak, të zgjedhura në mënyrë demokratike. Në vijim të bisedës askush prej tyre nuk mundi të artikulojë qartë fjalën “pluralizëm” (artikull në “Zëri i Popullit”, 15.08.1990). Nuk ishte atmosfera e duhur që ata të shprehnin mendimin e tyre të lirë për pluralizmin në Shqipëri. Më në fund Sekretari i Parë i KQ të PPSH-së, Ramiz Alia, iu drejtua nga karrigia e Presidentit intelektualëve të ftuar, se çfarë mendonin për pluralizmin. Një pasazh i Ramiz Alisë me mjekun Sali Berisha dhe një tjetër dialog me shkrimtarin Ismail Kadare, dëshmojnë qartë se sa të vështirë e kishte secili prej tyre të kërkonte hapur nevojën për shpalljen e pluralizmit në Shqipëri. Këta dy të fundit folën për pluralizmin, por duke iu përgjigjur pyetjeve të Ramiz Alisë. Askush nuk guxoi të thotë i vendosur: “Po. Ka ardhur koha që në Shqipëri të shpallet pluralizmi”. Ende në pushtet ishte PPSH-ja dhe sistemi totalitar komunist vepronte me gjithë forcën e tij. Askush nuk ishte i sigurt nëse koha e dënimeve politike kishte mbaruar.
Gjashtë muaj më pas, më 8 dhjetor të vitit 1990, studentët nisën protestat kundër qeverisë për të rrëzuar sistemin komunist në Shqipëri. Më 11 dhjetor u shpall pluralizimi politik në pleniumin e 11 të Komitetit Qëndror të PPSH-së. Një ditë më pas lideri komunist iu drejtua popullit me një mesazh ku ndër të tjera shprehej: “Ashtu si kurdoherë u kanë vënë gjoksin punëve të mëdha, komunistët të qëndrojnë edhe tani në ballë të luftës për realizimin e programit të demokratizimit të jetës së vendit, që ka ndërmarrë partia jonë”. Këtu nis edhe plani B i Ramiz Alisë për të kontrolluar ndryshimet demokratike dhe të gjithë skenën politike shqiptare në Shipërinë postkomuniste. /tesheshi.com/