Vrasjen e 4 qytetarëve më 21 janar 2011 përpara Kryeministrisë, nuk e kanë justifikuar vetëm gjykatat që kryeministri i ka cilësuar si jashtë sistemit, por edhe një institucion që varet nga qeveria.
Është pikërisht Garda e Republikës, aktualisht pjesë e ekzekutivit që drejtohet nga Edi Rama, e cila në një përballje në Gjykatë për të dëmshpërblyer familjarët e të vrarëve më 21 janar 2011, thekson se “Garda u detyrua të përdorë armët se u sulmua”.
Siç bën të ditur Top Channel, Garda kundërshtojë në Gjykatën Administrative paditë e familjarëve të të ndjerit Faik Myrtaj dhe të familjarëve të Ziver Veizit.
Garda kërkoi rrëzimin e padisë duke kujtuar se në korrik të 2014-s, kryeministri Rama ka urdhëruar ngritjen e një grupi për vlerësimin e dëmit; dhe për sa kohë ka nisur një proces i tillë, paditësit duhet të prisnin një përgjigje. Duke shpjeguar vendimin e Gjykatës së Apelit, Garda citon se sulmi i protestuesve ka qenë i ashpër dhe efektivët e Gardës legjitimoheshin në përdorimin e armëve.
“Mendojmë se Garda e Republikës nuk mund të përgjigjet për këtë dëm, pasi nëse efektivët e policisë do të kryenin detyrën më 21 janar 2011 duke shpërndarë turmën, atëherë sigurisht nuk do të kishte qenë e nevojshme që Garda të përdorte armët, e si pasojë e këtij përdorimi të vinin viktimat. Në asnjë rast nuk duhet të harrohet tensioni, stresi dhe goditjet që kanë qenë të vazhdueshme. Përgjegjës për këtë situatë është po aq, në mos më shumë sesa Garda, Policia e Shtetit, pasi paaftësia për menaxhimin e demonstruesve solli viktimat”, theksohet në dokument.
Më tej, Garda e Republikës kërkon që të rrëzohet kërkesa, duke iu referuar precedentit të 2001-shit në Genova, kur një protestues u vra nga Karabinieria gjatë takimit të G8-s. Në fakt ky ishte edhe justifikimi që përdori Gjykata e Shkallës së Parë për 21 janarin. /tesheshi.com/