17 vjet më parë, Serbia dhe një pjesë e opinionit ndërkombëtar u ngrit në këmbë për një masakër që ndodhi në qytetin e Pejës, ku gjashtë të rinj serbë u vranë në kafiterinë Panda.
Për këtë vrasje makabre, Sllobodan Millosheviqi akuzoi direkt luftëtarët e UÇK-së.
Por ja ku jemi 17 vite më vonë dhe ajo që tha ai që tashmë e ka lënë këtë botë, Millosheviqi, nuk është vërtetuar. Përkundrazi, ajo ngjan me “Monstrën” e Maqedonisë, vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smilkovës; sepse ka fakte që vrasja të jetë organizuar nga vetë strukturat e pushtetit të Beogradit, si një lloj “Rajshtagu” për të legjitimuar më pas dhunën ushtarake dhe policore në Kosovë.
Logjikisht, UÇK nuk kishte arsye të vriste ca të rinj serbë, aq më tepër pa faj, ndërkohë që i duhej një reputacion pozitiv, si vendas ashtu dhe ndërkombëtar.
Një burim i portalit tesheshi.com, me kusht të anonimitetit, thotë se “plani për vrasjen e të rinjve serbë është përgatitur më 12 dhjetor në hotelin Metohia në Pejë, dhe konkretisht nga ana e ish-gjeneralit të policisë serbe, Sreten Llukqi dhe ish-shefit të shërbimit sekret serb (UDB-së), Jovica Stanishiq.
Viktimat do të ishin: Vukota Gvozdenoviq, 16 vjeç; Ivan Obradoviq, 15 vjeç; Ivan Radoviq, 25 vjeç; Svetisllav Ristiq; 18 vje; dhe Zoran Stevanoviq, 18 vjeç.
Dhe ja si rrodhi ngjarja në atë ditë të kobshme të 14 dhjetorit 1998, ku mbetën të vrarë 6 të rinjtë serbë, sipas burimi që rrëfen edhe të dhënat kompromentuese të asaj masakre:
“Ishte një ditë e qetë dhe kohë e mirë. Marko Millosheviqi, djali i kriminelit Sllobodan Millosheviqit dhe truproja e tij, krimineli nga Peja, Darko Ashanin, hapën diskotekën e re Milenium më 12 dhjetor, dhe i gjithë qyteti fliste për këtë diskotekë.
Në qytet kishte shumë ushtarë dhe policë të Serbisë, por jo gjithë ishin të dukshëm nëpër fshatra dhe në hyrje të qytetit të Pejës.
Kafiteria Panda ishte në rrugën kryesore në shëtitoren buzë lumit Bistrica, kafiteri kjo që ka qenë më shumë për shërbime ditore se sa për natën.
Njerëzit e thjeshtë të Pejës, atë ditë as që u ka shkuar mendja se gjatë natës do të ndodhë një masakër, e cila do të ishte më pas një shkëndijë e fortë që Millosheviqi ta ndezë makinerinë e tij ushtarako-policore me qëllim të shkatërrimit dhe pastrimit etnik të fshatrave shqiptare, por edhe të vetë qytetit të Pejës nga shqiptarët.
Në këtë kohë, ndaj guerriles së UÇK-së, Serbia kishte lëshuar forcat jo të rregullta ushtarake dhe policore, por dhe strukturat speciale të formacionit të quajtur grupi operativ ndjekës (operativno poterna grupa OPG), apo si e kanë thirrë serbët këtë njësi, “Peçke mujne”, ku pjesëtarët e saj kanë qenë të gardës së kriminelit serb, Zhelko Razhnatoviq-Arkan, e të cilët kanë luftuar në Kroaci dhe Bosnje, por që në mesin e tyre ka pasur edhe individë serbë nga qyteti i Pejës dhe fshatra përreth.
Stanishiqi, përmes ndihmësit të tij Franka Simatoviq Frenkija, direkt ka komanduar të ashtuquajturën “grup operativ të ndjekjes” OPG, të cilin më vonë, në luftimet në Kosovë, e ka komanduar Millorad Ulmenik-Legija, që ka qenë zëvendës i Arakanit.
Millosheviqit në atë kohë i është dashur një incident apo masakër e madhe, e cila do të sillte një hidhërim dhe reagim të madh tek popullata serbe dhe bashkësia ndërkombëtare, e me këtë do të arsyetonte futjen e ushtrisë dhe policisë së Serbisë në luftë kundër popullatës civile shqiptare me qëllim që të shkatërronte dhe dëbonte shqiptarë nga Peja dhe rrethina e saj.
Në hotelin Metohija, dy ditë para vrasjes së të rinjve serbë, pra më 12 dhjetor, kanë zhvilluar një takim kokë më kokë, gjenerali Sreten Llukiq dhe Jovica Stanishiq.
Dhe në këtë takim është marrë vendimi për vrasjen e të rinjve serbë me bekimin e Millosheviqit.
Dhe janë pikërisht këta që kanë urdhëruar sulmin në kafiterinë ku tuboheshin kryesisht të rinjtë serbë.
Njëri nga vrasësit që ka qëlluar mbi ta, ka qenë një serb nga qyteti i Pejës, ndërsa që i dyti ka qenë një serb nga Beogradi. Dhe, gjatë kryerjes së masakrës, këta dy vrasës i ka ruajtur një serb tjetër nga Novi Sadi, që në atë kohë ka qenë pjesë e njësisë speciale të Serbisë që ka vepruar në rajonin e Pejës.
Vrasësit nuk kanë dituar se cilët serbë janë brenda në lokal, por urdhri ka qenë që të presin deri sa lokali të mbushet me sa më shumë të rinj serbë dhe mundësisht të ketë sa ma shumë viktima.
Personi nga Peja që ka shtënë në kafiterinë Panda atë natë jeton, dhe deri në vitin 2002 ka qenë pjesëtar aktivi i njësisë speciale të policisë së Serbisë. Ndërsa personi i dytë që kanë vrarë të rinjtë serbë e që ishte nga Beogradi, ka vdekur më 2003 në një aksident rrugor në afërsi të qytetit të Novi Sadit.
Në atë kohë, propaganda serbe menjëherë ka plasuar në media vendore dhe ndërkombëtare se ‘dy shqiptarë të maskuar me emblema të UÇK-së, kanë zbrazur nga dy karikator të AK47 të prodhimit kinez mbi të rinjtë serb duke vrarë 6 sish’. Sipas medieve të asaj kohe, në lokalin Panda, janë zbrazur së paku 120 plumba nga dy të maskuarit. Plani i gjeneralëve serbë ka paraparë të ketë sa më shumë të vrarë dhe, atë ditë menjëherë të jepet lajmi se pjesëtarët e UÇK-së, kanë vrarë dhe masakruar të rinjtë serbë, lajm ky që në mediet vendore dhe ndërkombëtar është përhapur me shpejtësinë e dritës.
Në këtë moment, gjenerali i policisë serbe, Sreten Llukiq dhe ai i ushtrisë Nebojash Pavkoviq, kanë ndezur makineritë e tyre ushtarako-policore, duke granatuar, vrarë, djegur e pastruar etnikisht fshatrat të tëra shqiptare me arsyetim se po ndjekim terroristët e UÇK-së.
Granatimet e para janë bërë në fshatin Loxh dhe Gllarevë, e pastaj u dogj dhe shkatërrua i tërë Dukagjini, nga Peja në drejtim të Deçanit dhe Gjakovës dhe fshatra përreth tyre, duke lënë tërësisht tokë të djegur.
E tërë kjo masakër dhe kasaphanë e forcave ushtarako-policore serbe, është bërë si hakmarrje ndaj shqiptarëve të pafajshëm për shkak të vrasjes së 6 të rinjve serbë gjoja nga ana e terroristëve të UÇK-së.
Por se çka ka ndodhur në realitet në kafiterinë Panda në natën e 14 dhjetorit, organet e sigurisë në Kosovë kanë mësuar rreth vitit 2010-2011”, rrëfen pra burimi konfidencial mbi atë çfarë ndodhi atë natë dhjetori e më pas.
Edhe pse personat e vrarë janë qytetarë të shtetit të Kosovës, për shkak të mungesë së dëshmive, Prokuroria e Kosovës deri tani nuk ka hapur kurrfarë hetimesh rreth kësaj masakre.
Po ashtu, rreth masakrës në kafiterin Panda as UNMIK-u e tani as EULEX-i, nuk kanë kryer kurrfarë hetimesh.
Ndërkohë që ka një deklarim publik të kryeministrit Vuçiq në vitin 2013 – që në atë kohë ka qenë ministër i Millosheviqit – duke thënë se e vërteta për masakrën në kafiterinë Panda në Pejë, “nuk është ashtu si na është thënë” dhe se “të rinjtë në kafiterinë Panda nuk i ka vrarë askush nga shqiptarët, porse ata i ka vrarë shërbimi sekret serb”.
Por ama Vuçiq nuk ka shkuar ndonjë një hap më tej në mënyrë që të zbardh në detaj masakrën, ideatorët dhe realizuesit e saj.
Dyshohet se kafiteria Panda, ia ka ngrënë kokën ish-kryeministrit Zoran Gjingjiq
Në anën tjetër, kur në pushtet ka qenë Partia Demokratike, pra pas rrëzimit të Sllobodan Millosheviqit nga pushteti, me urdhër të ish-kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq dhe shefit për Kosovën, Nebojsha Qoviq, është formuar një grup punuese brenda shërbimit sekret serb, i cila ka hetuar për të vërtetën e çështjen “Panda”.
Por burimi ka shtuar se urdhri i ish-kryeministrit Gjingjiq dhe Qoviqit për krijimin e grupit për hetimin dhe zbardhjen e rastit “Panda” në Pejë, si duket ishte fatal për të parin, i cili u vra nga Millorad Ulmenik-Legija mu në zemër të Beogradit.
Burimi i portalit tesheshi.com ka informuar më tej Bozho Preleviq, i caktuar udhëheqës i grupit hetimor të BIA-së për rastin “Panda”, nuk shkuar më tej se një deklaratë, pasiqë ngjarja është cilësuar si “sekret shtetëror”.
Pas një punë disamujore, Preleviq vetëm ka thënë se “nuk është ashtu qysh kemi menduar se shqiptarë janë gjithmonë kriminelë e serbët viktima, por kësaj radhe serbët janë kriminelë e shqiptarët që janë burgosur e rrahur janë viktima”.
Mësohet që Preleviq të ketë thënë edhe se “të rinjtë serbë në kafiterin Panda në Pejë, nuk i kanë vrarë terroristët e UÇK-së”.
E kur kanë kaluar 17 vjet, të zhgënjyera janë dhe familjet e viktimave, derisa nuk po shohin asnjë ndonjë hetim serioz e as ndonjë gjygj të afërt që do ta nxirrte më në fund në shesh të vërtetën, ndërsa autorët të merrnin dënimin e merituar.
Madje ka nga ata që tashmë pothuajse e kanë të qartë të vërtetën. Sipas burimit, një prej familjarëve e ka shprehur hapur që “Sllobodan Millosheviqi në mënyrë kriminale i ka sakrifikuar fëmijët tanë për arritjen e qëllimeve të tija politike, për ta pastruar etnikisht Kosovën nga shqiptarët”.
Por ai ka thënë dhe së ata u vranë për herë të dytë, pasi jua shkatërruan varret. Ata thonë se janë të dëshpëruar nga fakti që këtë akt mund ta kenë bërë shqiptarët.
“E dimë se çka kanë hequr shqiptarët për këtë rast, por edhe shqiptarët e dinë se ne prindërit e këtyre fëmijëve, në disa raste larg mediave, iu kemi thënë fqinjëve tanë shqiptarë se e dimë që fëmijët tanë nuk a i kanë vrarë shqiptarët”, ka thënë familjari. /tesheshi.com/