Krerë të shtetit kosovar, Presidenti Thaçi e kryeministri Haradinaj, kanë kryer homazhe në varrin e një prej njerëzve simbol të Kosovës, para e pas luftës, ish-Presidentit Rugova, ndërruar jetë 12 vjet më parë. Si Thaçi e si Haradinaj, pjesë e krahut të luftës që ishin kundër paqes rugoviane, kanë folur me superlativa për atë që në të gjallë ishte dhe rivali i tyre politik, më konkretishit i Thaçit si kreu i PDK-së.
“Sot është një ditë e veçantë për Kosovën, është përvjetori i vdekjes së presidentit Rugova. Jemi këtu për të bërë nderimet institucionale, shtetërore për kontributin dhe angazhimin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha Thaçi.
E po fjalë nderimi ka rezervuar dhe kryeministri Haradinaj për ish-Presidentin.
“Është përvjetori i vdekjes së presidentit tonë të parë dhe historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. I bëmë nderim te varri dhe vizituam edhe familjen. Sot për simbolikë, ashtu sikur edhe presidenti ka qenë çdo herë i përcaktuar, sytë dhe orientimin kah Amerika, unë kam një bashkatdhetar, shqiptaro-amerikan, Hajdar Bajraktarin, i cili gjatë gjithë kohës ka qenë afër presidentit. Nuk është i vetmi, ka pasur shumë shqiptarë që e kanë përkrahur atë lëvizje për Kosovën e pavarur para luftës, gjatë luftës, por edhe sot. I shprehim respekt jetës dhe veprës së presidentit Rugova. Është një respekt i përjetshëm. Lavdi”, theksoi Haradinaj. /tesheshi.com/