Izmira Ulqinaku, deputete e PD-së, është mbesa e një prej dëshmorëve të 2 prillit 1991. Në fjalën e mbajtur sot në Kuvend, ajo riktheu në vëmendje akuzat ndaj kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, në lidhje me ngjarjet e ndodhura mbi 26 vjet më parë në qytetin e Shkodrës, ku u vranë 4 të rinj, në krye të një demonstrate, e cila organizohen dy ditë pas zgjedhjeve të 31 marsit, që u fituan në atë kohë nga PPSH.
“Etika ma do që fjalën ta filloj siç do ishte më normalja, duke përshëndetur edhe kryetarin e Kuvendit por historia e familjes time nuk ma lejon. Jam mbesa e një prej dëshmorëve të 2 Prillit të vitit 1991.
Nuk e kisha menduar se do të flisja ndonjëherë në parlamentin shqiptar, pas 27 viteve pluralizëm dhe kryetar i saj të ishte Gramoz Ruçi, protagonisti i ngjarjes. Vendosja e ish ministrit të Brendshëm të diktaturës komuniste përbën një prej njollave më të zeza të parlamentit pluralist shqiptar.
Zoti kryeministër, kur në kabinetin qeveritar ke përfshitë dy shkodranët Mesi e Bushati i kam mirëpritur me shpresën se edhe pse i përkasin krahut tjetër politik, mund të kenë një qasje më të mirë me Shkodrën ndryshe nga ajo që kanë ndodhur katër vitet e fundit në qeverisjen tuaj.
Por, vendosja e zotit Ruçi në krye të Kuvendit jo vetëm është një karshillëk ndaj të gjithë të persekutuarve dhe atyre që vuajtën diktaturën komuniste, por mbi të gjitha është një përdhosje e qytetarisë shkodrane e cila u persekutua nga ai regjim”, tha Ulqinaku.
Por, Gramoz Ruçi në përgjigjen e tij të shkurtër, nuk e ka fajësuar deputeten për akuzat dhe qëndrimin e mbajtur, duke e lidhur këtë me moshën e saj.
“S’ke faj se në 91, ti mund të kesh qenë vetëm disa muajshe. Në ’92 ishe një vjeçe. Gramoz Ruçi në vitin 1992 ka qenë në mes të piacës në Shkodër, në mes të gjyqit. Dhe nuk është faji jot, që nuk e ndiqje dot marrëdhënien e Ruçit me shkodranët. Se unë shkova me duar në xhepa dhe më kanë përshëndetur të gjithë votuesit e tu”, u shpreh Ruçi. /tesheshi.com/