Microsoft ka bërë të ditur me anë të një deklarate se nuk ka ndërmend t’i ndihmojë autoritetet amerikane të krijojnë një software të menduar për diskriminimin e muslimanëve apo të ndonjë grupi tjetër.
“Ne kemi qenë të qartë për vlerat tona,” tha kompania në një deklaratë.
“Ne jemi kundër diskriminimit dhe nuk do të bëjmë asnjë punë për të ndërtuar një regjistër për muslimanët amerikanë.”
Deklarata erdhi si përgjigje ndaj kërkesave për një peticion që po qarkullon në rrethet teknologjike ku firmëtarët zotohen të mos e ndihmojnë qeverinë amerikane në asnjë përpjekje të saj për të shënjestruar muslimanët, emigrantët, apo grupet e tjera, raportojnë mediat amerikane.
Letra e hapur i referohet deklaratave që presidenti i zgjedhur Donald Trump ka bërë gjatë fushatës zgjedhore ku ai ka mbështetur idenë e krijimit të një regjistri të veçantë për muslimanët. /tesheshi.com/