Në listat e VMRO-DPMNE-së, partisë në pushtet në Maqedoni, ndodhet dhe një boshnjak, që me gjasë, sipas përllogaritjeve që bën, do arrijë ta marrë mandatin e deputetit. Ky është Zeqir Ramçiloviç nga fshati Konjare i Shkupit, docent-doktor i historisë së boshnjakëve. Por si u ndodh ai në listat e partisë së Gruevksit dhe pse është krah saj?
Në një intervistë ekskluzive për tesheshi.com. profesori boshnjak ka ndër të tjera dhe një shpjegim mbi bazat e një përvoje në post-Jugosllavinë e këtyre 25 viteve, ku e lidh pozicionimin ideelogjik me fatin e boshnjakëve të kësaj periudhe….
Intervistoi: Mensur Krasniqi
Ju jeni njëri ndër të rrallët, mos të themi i vetmi boshnjak, nëse nuk gaboj që nga një Shoqatë për bashkimin e boshnjakëve, u bëtë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në VMRO dhe Koalicionin për Maqedoni më të mirë. Si arritët të gjendeni në këtë listë?
I saktë konstatimi juaj. Unë jam kandidati i vetëm për deputet nga komuniteti boshnjak në emër të koalicionit “Për Maqedoni më të mirë”. Mirëpo, ajo që është shumë më e rëndësishme, unë jam kandidati i vetëm për deputetë boshnjak që i përfaqësojë boshnjakët në këto zgjedhjeve. Përveçse në këtë koalicon, në të gjitha listat tjera për deputetë kemi disa boshnjakë që ose heshtin ose publikisht deklarohen se nuk i përfaqësojnë boshnjakët. Pra, në opsionet tjera boshnjakët nuk kanë përfaqësues të tyre. Pyetja është e parashtruar shumë thjesht, por që kërkon një përgjigje shumë më komplekse, pasi ju mendoni se deputet bëhesh me ftesë të liderit të ndonjë partie politike. Shikoni, gjatë gjithë jetës sime mësoj, shkollohem, ndërtohem si personalitet.
Në të gjithë këtë proces, kam punuar në afirmimin dhe promovimin e boshnjakëve, ku thuajse pjesën më të madhe të punës sime shkencoro-hulumtuese ia kam përkushtuar shoqatës sime, ku qëllimi është që të mos harrohet historia dhe proceset lidhur me boshnjakët në këto hapësira. Shikuar këtë nga një pikëpamje të thellë është e një rëndësie shumë të veçantë. Dhe duke parë që boshnjakët nuk ishin të organizuar mjaftueshëm, atëherë unë u përfshiva tek sektori joqeveritar me anë të shumë projekteve, prej të cilave në të shumtën e rasteve isha iniciator, dhe punuam shumë; parasegjithash në sferën e kulturës, arsimimit, sportit; në shpërndarjen e librave në gjuhën boshnjake, të drejtat e njeriut dhe shumë projekte tjera. Pra pa ndonjë ambicie politike. Thjesht dëshiroja të bëjë diçka për popullin tim. Por sërish aktiviteti im vazhdoi pasi një grup qytetarësh më gjatë zgjedhjeve lokale që të isha këshilltar në komunën e Petrovecit. Kështu që u gjenda i angazhuar, sidomos në përmisimin e gjendjes së boshnjakëve, ku mund të them se kam gjetur përkrahje nga institucionet e pushtetit qendror dhe lokal të udhëhequra nga VMRO-DPMNE.
Për shkak të aktiviteteve të shumta ne u bëmë të kërkuar për parti të ndryshme politike. Filluam negociatat, me të cilat Shoqata për Bashkim Kulturor të boshnjakëve në Republikën e Maqedonisë dhe VMRO-DPMNE nënshkruajtën memorandum për bashkëpunim, me qëllim, ashtu siç thashë intensifikimin e proceseve lidhur me përmirësimin e statusit të boshnjakëve në Republikën e Maqedonisë.
Pse zgjodhët të koalicioni pikërisht me VMRO-DPMNE-në? A ishte ky vullnet edhe i komunitetit të boshnjakëve që përfaqësoni ose?
Unë pjesërisht u përgjigja në pyetjen e mëparshme. Por, do të jem më konkret në përgjigje dhe do t;i bashkangjis të dyja pyetjet. Boshnjakët në Maqedoni nuk janë shumë mirë të organizuar dhe për atë arsye kanë qëndrime të ndryshme në çështje të ndryshme. Por, kjo nuk do të thotë se janë të përçarë. Pavarësisht faktorëve të ndryshëm, ata përmbajnë opsione dhe ideologji të ndryshme, por parimisht i mbështesin përfaqësuesit boshnjakë. Pjesa më e madhe e boshnjakëve i shohin realisht çështjet. Unë jetoj në fshat, njëjtë si dhe shumica e boshnjakëve në Maqedoni dhe e di çka do të thotë kur nuk ke rrugë kualitative, kanalizim, ujësjellës, energji elektrike, dhe tjera; dhe kur njerëzit ballafaqohen me probleme të tilla atyre nuk iu intereson ndonjë politikë e lartë. Nga ana tjetër, në varësi nga pushteti lokal në disa mjedise më së shumti, ndërsa në tjera më pak punohet; dhe këtu është arsyeja që disa e përkrahin dhe disa jo ndonjë subjekt politik. Nga ana tjetër pasiqë nuk kemi kandidat për deputet që do t’i përfaqësojë boshnjakët, ata në VMRO-DPMN, nëpërmjet këtij koalicioni shohin jo ndonjë që ua ka dhënë dorën, por thjesht shohin në shoqatë dhe mua po ashtu si kandidat për deputet, që përbën dhe si opsionin më të mirë për ta. Kjo konfirmohet për çdo ditë në terren dhe në takime me qytetarët.
Por dua ta potencoj disa cështje që boshnjakët nuk i dinë e që shpesh janë absurde. Boshnjakët në Maqedoni dhe rajon në përgjithësi shquhen si besimtarë të mirë, muslimanë të vërtetë, gjithashtu edhe ata që i mbështesin opsionet e majta e të qendrës. Por këtu ka një problem, sepse me mbështetjen e opsioneve të tilla, ata në mënyrë indirekte i mbështesin ata që kanë qëndrime diskutabile për religjionin, për të cilët kurrorëzimi nuk jep harmoninë ndërmjet burrit dhe gruas por diçka tjetër, të cilët e aprovojnë abortimin, dhe shumë të tjera që bien në kundërshtim me fenë dhe vlerat tona tradicionale, vlera që i proklamojnë partitë e djathta, siç është edhe VMRO-DPMNE-ja.
LSDM e paraqet VMRO-në si parti nacionaliste në akuzat kryesore ndaj saj. Por ata me ngulësi e fshehin faktin se punët më të mëdha negative për boshnjakët dhe në përgjithësi për muslimanët janë bërë nga ana e pushtetit e udhëhequr nga partitë majtiste në Maqedoni. Por edhe në rajon, ashtu siç është edhe gjenocidi ndaj boshnjakëve në Bosjnë dhe Hercegovinë, pastaj pushteti i udhëhequr nga LSDM e theu embargon ndaj Serbisë, me çka në mënyrë indirekte e ka ndihmuar agresionin ndaj Bosjnës. LSDM gjithashtu në vitin 2004 ka bërë organizim territorial me ç’rast në mënyrë direkte është përgjegjëse për heqjen e komunës së vetme Zhitoshe që kishte mbi 20 përqind boshnjakë dhe nuk formoi ndonjë të tillë edhe pse kishte mundësi, por bëri riorganizimin e kufijve dhe komunave tjera në dëm të boshnjakëve.
Nga ana tjetër, tek VMRO-ja kemi patur një partner që pranoi pjesën më të madhe të kërkesave tona nga sfera e arsimit, kulturës, punësimeve etj., si dhe mbështetjen e plotë nga pushteti qendror për pushtetin lokal. për zgjedhjen e problemeve infrastrukturore që janë në kompetencë të tyre. Por edhe partner që kanë bërë pjesën më të madhe të punëve pozitive për ne, siç janë: boshnjakët pjesë përbërëse e Kushtetutës, redaksi radio televizive në gjuhë boshnjake në kuadër të servisit publik, gjuhën dhe kulturën boshnjake, si lëndë mësimore në gjitha mjediset ku do të mund të formohet paralele me vetëm 5 nxënës, por edhe ndjekjen e mësimit në gjuhën boshnjake në shkollat fillore, shtypjen e librave në gjuhën tonë dhe shumë procese tjera që kanë filluar dhe në kontinuitet do t’i zhvillojmë dhe ndërtojmë.
Duke pasur parasysh se jeni i 7-ti në listën për deputetë, cilat janë mundësitë që të bëheni deputet, si zhvillohen punët në këtë njësi zgjedhore për momentin?
Në njësinë zgjedhore numër 3, për shkak të përbërjes etnike deri tani në gjitha ciklet zgjedhore, por edhe tani, dy koalicionet më të mëdha të udhëhequra nga VMRO dhe LSDM i marrin gjitha mandatet e deputetëve. Në të gjitha zgjedhjet der tani VMRO është fituese absolute në këtë njësi me 12 deputetë të fituar, ndërsa në zgjedhjet e fundit VMRO kishte 13, ndërsa LSDM kishte 7 deputetë. Kjo është një udhërëfyes për vendin e boshnjakëve në Koalicionin për Maqedoni më të mirë dhe pozitën e lartë të shtatë si fituese. Po edhe më e rëndësishme është që kjo është hera e parë që në njësinë numër 3 ka kandidatë nga komuniteti boshnjak në ndonjërin nga koalicionet e VMRO-DPMNE-së ose LSDM-së edhe përkundër faktit që në këtë njësi zgjedhore jetojnë numri më i madh i boshnjakëve. Kjo është arsye e mjaftueshme që boshnjakët ta mbështesin koalicionin “Për Maqedoni më të mirë” dhe këtë mbështetje e shohim në terren. Po ashtu është e rëndësishme se neve na mbështesin edhe boshnjakët nga njësitë tjera zgjedhore.
Sa VMRO-DPMNE-ja i respekton standardet multietnike dhe multireligjioze?
Republika e Maqedonisë është shtet multietnik dhe shoqëri multikonfensionale, dhe VMRO si bartëse e pushtetit në koalicionin me BDI-në dhe partitë më të voga po e zhvillon këtë koncept në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në Republikën e Maqedonisë. Në strukturat më të mëdha të partive kemi bashkësi të ndryshme të religjioneve të ndryshme; dhe në listat në vendet fituese ka edhe torbeshë, boshnjakë, turqë, romë, serbë, vllehë, etj. Në VMRO DPMNE vlerësojnë se është e një rëndësie të madhe zhvillimi dhe ruajtja e identitetit të komuniteteve të ndryshme me numër më të vogël dhe këtë e pranojnë të gjitha partitë tjera dhe organizatat të cilat janë të përfshirë në koalicionin tonë. Nga ana tjetër, kandidatët për deputetë të partive politike shqiptare që do të fitojnë mbështetjen më të madhe të elektoratit do të kenë përgjegjësi përveç komunitetit të tyre, të punojnë maksimalisht edhe për nevojat e komuniteteve tjera më të vogla etnike me qëllim të vendosjes së standardeve kualitative multietnike dhe multireligjioze.
Po pse atëherë kryetari i VMRO-së, Nikolla Gruevski insiston të fitojë 63 deputetë?
Si pjesë e koalicionit, ne mendojmë që është shumë e rëndësishme të fitojmë sa më shumë që është e mundshme deputetë. Nuk shoh arsye pse pikërisht kështu e keni parashtruar pyetjen, pasi që secila parti përpiqet dhe punon në terren me qëllim që t’i fitojë gjitha votat, kështu duke fituar gjitha mandatet. Duke pasur parasysh rëndësinë e momentit të caktuar dhe krizës politike që tashmë një periudhë të gjatë po vazhdon dhe ka shkaktuar dëme të mëdha ndaj gjitha proceseve shoqërore dhe kualitetit të jetesës, mendoj që është shumë e rëndësishme mbështetja nga qytetarët që t’i jepet fund kësaj krize. Besoj që koalicioni për Maqedoni më të mirë do të dalë fituese.
Sa mund të ndikojnë “bombat” e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev tek qytetarët e Maqedonisë, që ata në këtë proces zgjedhor t’i kthejnë shpinën VMRO-së pas publikimit të bisedave kriminele të funksionarëve të lartë të kësaj partie?
Sa i përket të ashtuquajturave “bomba” të Zaevit, ata kanë bërë dëm të madh jo vetëm për VMRO-DPMNE-në, por kanë bërë dëme më të mëdha parasegjithash ndaj Maqedonisë dhe gjithë qytetarëve. Problemi është që mbetën shumë çështje të papërgjigjura dhe çështje tjera lidhur me përgjimet e bisedave joligjore. Por, si përfaqësues i boshnjakëve, ashtu siç thashë më lartë, kemi shumë arsye sipas të cilave VMRO-DPMNE është aleatë shumë më i mirë për boshnjakët edhe në kohën kur ata kanë qenë në pushtet janë bërë punët më të mira për ne. Pozicionet tona janë të qarta dhe përmirësimi i statusit të boshnjakëve shkon vetëm në kuadër të demokracisë, multietnicitetit dhe multikulturës në shtetin tonë.
Si do ta kishit komentuar situatën e LSDM-së që promovon standarde të larta multietnike, po edhe dygjuhësinë, vetëm që të fitojë votat e elektoratit shqiptar?
Po, është i qartë qëllimi, dhe ai është manipulimi me votat shqiptare. Duke pasur parasysh praktikimin e pushtetit nga ana e LSDM-së në të kaluarën, ajo vetëm do ta rrisë boshllëkun ndërmjet etnikumeve më të mëdha dhe raportin e tyre me turqit, boshnjakët, romët, serbët, vllehët dhe tjerët. Për mua personalisht është qesharake, ku përskaj aq partive politike shqiptare, LSDM të kërkojë të drejta më të mëdha për shqiptarët dhe ende të pohon që do të marrë një numër të madh të votave të shqiptarëve. Mendoj që me këtë kanë hapur shumë çështje të panevojshme, dhe duke pasur parasysh pozitën dhe raportet në dhe jashtë Maqedonisë, por edhe tezat të rrezikshme për vendlindjen tonë të përbashkët Maqedoninë, bëhet fjalë për një tentativë të manipulimit klasik, që tanimë është i njohur për shqiptarët.
Dhe në fund, si i shihni partitë politike shqiptare. Me cilat nga partitë politike parlamentare, gjegjësisht partitë e sapoformuara politike shqiptare më së shumti ju përputhen qëndrimet VMRO-së?
Është mirë që ka trazira, kushtimisht të themi në bllokun politik shqiptar, kjo është mirë parasegjithash për shqiptarët, jo pse dallojnë shumë nga oferta e tyre politike, por mendoj që konkurrenca do t’i shtyjë që pa dallim se për cilën parti bëhet fjalë, të punojnë më shumë për të mirën e shqiptarëve dhe gjithë qytetarëve tjerë të Maqedonisë. Sa i përket pjesës tjetër të pyetjes, mendoj që duke pasur parasysh që ndodhemi në fushatë parazgjedhore, janë thënë shumë, është krijuar një pasqyrë që më së shumti nuk e shfaq realitetin. Ashtu që nga kjo perspektivë ka dallime, por populli do ta jep mbështetjen atyre që më së shumti ju besojnë, ndërsa personalisht besoj se gjithë ne kemi një qëllim të përbashkët, dhe ajo është një Maqedoni të suksesshme dhe të prosperuar, e ajo është Maqedoni e integruar në Bashkimin Europian dhe NATO. /tesheshi.com/