Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Tropojë, shkolla “fqinjë” me varreza: nxënës që mësojnë mes kujës për të vdekurit!

Nga Gjon Neçaj

Në fshatrat e Tropojës shumë prej shkollave 9-vjeçare janë ndërtuar pranë varrezave, një gjë kjo e padëgjuar ndonjëherë.

Banorët thonë se një gjë e tillë nuk është shumë e pranueshme dhe po kështu edhe mësuesit, ndërkohë që në Drejtorinë Arsimore në rreth shprehen se kjo është një gjë e zakonshme për këto anë.

Nxënësit e shkollës 9-vjeçare të fshatit Margegaj, panoramë nga dritaret e tyre kanë varrezat e fshatit. Një gjë e tillë ndodh pasi ato janë ngjitur me ndërtesën ku ata arsimohen, madje i ndan vetëm muri i shkollës.

Rastet kur zhvillohen varrimet, duke nisur nga hapja e gropave, kryerja e ceremonive, vajtimet e të tilla veprime janë bërë të përditshme për ta, madje nëse i pyet shprehen se janë mësuar e nuk u bën më shumë përshtypje. Por, nuk mendojnë kështu prindërit dhe mësuesit.

Të parët shprehen se një shkak për braktisjen e kësaj shkolle është edhe fakti që ndërtesa ndodhet pranë varrezave ndërkohë që shkolla frekuentohet nga fëmijë të moshës 6-15 vjeç e mësuesit thonë që një gjë e tillë ka ndikim jo të mirë tek nxënësit.

Në fakt, shkolla 9-vjeçare është ndërtuar prej vitesh dhe para disa kohësh është rikonstruktuar.

Në të vijojnë mësimin nxënës nga fshati Margegaj dhe Koçanaj, por numri i tyre çdo vit ka shkuar në rënie, pasi shumë prindër i regjistrojnë fëmijët në shkollat e qytetit. Gjatë bisedave me nxënës ata thonë se prindërit që i dërgojnë fëmijët në shkollat e qytetit janë kryesisht ata që punojnë në institucione të ndryshme.

E pavarëissht se për shkollën shprehen me konsiderata edhe prindërit, një gjë e tillë nuk e ka ulur fluksin e nxënësve që janë larguar nga shkolla. “Karakteristikë” e saj është pikërisht ndërtimi pranë varrezave të fshatit.

Në biseda me nxënës, prindër, mësues dhe drejtues të arsimit në rreth, mësojmë se shkolla është ndërtuar para 25-30 vjetësh si shkollë bujqësore në fillim, pastaj deri në vitin 1996 ka qenë e profilit të përgjithshëm.

Duke qenë se ishte në qendër të fshatit Margegaj dhe ka një shtrirje gjeografike të përshtatshme, projektuesit dhe ndërtuesit siç duket nuk e kanë studiuar bashkëjetesën e shkollës me varrezat.

Pyetjes se sa ndikojnë tek ata ceremonitë mortore, ndërkohë kur ka raste që varrimet edhe kur zhvillohet mësimi, nxënësit u përgjigjen se janë mësuar dhe tani nuk u bën përshtypje. Gjithsesi ata thonë se po të vazhdonte mësimi edhe pasdite kur ceremonitë kryhen më shpesh, do të preferonin të mësonin në shkollat e qytetit.

Ndërsa mësuesit me përvojë thonë se mësimi në shkolla pranë varrezave ndikon në psikologjinë e nxënësve.

Banorë të ndryshëm shpjegojnë se një gjë e tillë ndikon shumë tek fëmija, sidomos kur varrimet bëhen në kohën e mësimit. Britmat, qarjet me zë, transporti i të vdekurve, hapja e varreve mbeten në kujtesën e fëmijëve për shumë vite, çka ndikon në formimin psikologjik të tyre.

Pra, rriten me ndjenjën e kobit të vdekjes. Ndërkohë mësohet se dikur në këto anë, kur kishte vdekje në familje, fëmijët i largonin nga shtëpia për disa ditë dhe kujdeseshin të afërmit për ta.

Por gjatë hulumtimit të këtyre rasteve në Tropojë janë konstatuar se disa shkolla janë ndërtuar pranë varrezave publike.

Kështu në fshatin Visoç të komunës Bytyç, shkolla fillore e këtij fshati është ndërtuar mes varreve. Fshatarët shprehen se disa herë kanë kërkuar që të zhvendoset në një ambient tjetër, por nuk është marrë parasysh nga komuna, as nga zyra arsimore. Ndërtimi i shkollave afër varrezave, ka një domethënie, shprehen drejtues të zyrës arsimore.

Zakonisht, thonë ata, në anët tona varret ndërtohen në mes të fshatit e po kështu edhe shkollat. Për të ruajtur shtrirjen gjeografike të vijimit të mësimit ndërtesat janë në qendrat më të populluara. Mësohet se përveç shkollës 9-vjeçare Margegaj, asaj në Visoç që u përmend më lart, edhe disa syresh janë ndërtuar pranë varrezave, si: shkolla 9-vjeçare Shëngjergj, Tetaj, shkolla fillore Peraj, shkolla 9-vjeçare Curraj i Epërm të zones Lekbibaj apo shkolla të tjera në Fierzë, Bujan, Bytyç, Tropojë etj. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts