Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Sheferedin Shehu: Dibranët duhet të presin të paktën edhe katër vjet për Rrugën e Arbrit

Nga Eva Gjura

Deputeti i Partisë Demokratike Sheferedin Shehu, gjatë një interviste për ‘tesheshi.com’ komenton zhvillimet ekonomike në vend. Sipas tij nuk ka vërtet rritje reale të pensioneve për të gjitha kategoritë, por vetme një favorizim për ata që kanë pagat më të larta. Në lidhje me rritjen ekonomike në vend, z. Shehu rendit disa faktorë që ndikojnë në moszhvillimin e ekonomisë. Ai arrin në përfundimin se rritja ekonomike është pozitive, por nuk është në ato nivele që raporton qeveria.

Duke u ndalur tek marrëveshja e miratuar në Kuvend për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, deputeti i PD-së thekson se opozita e votoi atë megjithëse ka shumë pikëpyetje. Lidhur me pyetjen se kur do ta kenë dibranët të përfunduar këtë rrugë, deputeti Shehu shprehet se nëse do të vazhdojë të realizohet sipas hapave të prezantuar në Kuvend, Rruga e Arbërit do të paktën  edhe katër vjet nga dita e sotme për të përfunduar.  

 

Qeveria ka paraqitur skemën e re të pensioneve, e cila ka hyrë në fuqi në janar. Sipas kësaj skeme kryeministri Rama ka deklaruar se tashmë pensionet shkojnë mbi 30 mijë lekë në muaj. A janë rritur pensionet?

Pensionet duhet t`i shikosh në dy grupe: pensione për ata që kanë punuar në ndërmarrje shtetërore dhe sot punojnë për kompani private; dhe pensionet që marrin fermerët.  Fermerët  goditen më shumë nga skema e re e pensioneve, sepse qeveria ka rikthyer atë që quan pension social, por në fakt është ulje e pensionit minimal të zbatuar në sistemin e deri sotëm, ku nga 100 mijë lek që ishte për fermerët ai bëhet 65 mijë lekë të vjetra.  Ndërkohë, këtyre ju ka rritur kontributin nga 25 mijë lekë të reja që paguajnë fermerët,  në 80 mijë  lekë, që e bën të pamundur sigurimin e fermerëve për të marrë pension të barabartë me ata që punësohen në ndërmarrjet ekonomike.

Përsa i përket pjesës tjetër, ajo që thotë qeveria është e vërtet vetëm për ato që marrin paga mbi 300 mijë lekë të vjetra në muaj, sepse pjesa tjetër përsëri  me skemën e re nuk ka mbrojtje, pra nuk vihet në minimum sepse  është ulur minimumi në 650 lekë të reja dhe në ligj për këtë vit është 670 lekë. Përsëri  përfitues janë ata që marrin paga të larta në krahasim me sistemin ekzistues, sepse në sistemin ekzistues ata që kishin paga të larta nuk mund të merrnin më shumë se dy pensione minimale.

Në sistemim e ri marrin 40% të pagës së tyre, ndërsa ata që kanë paga të ulta duke marrë vetëm përqindjen mbi pagën  e tyre dhe maksimumi është 40%, në qoftë se është siguruar për 40 vjet marrin më pak sesa në sistemin e mëparshëm. Përveç kësaj, barrë është edhe zgjatja e moshës së pensionit , sepse do të thotë se do të  kontribuohet më shumë për të marrë të njëjtin pension ose një pension të ulet për ata që marrin paga nën 300 mijë lekë.

Kur flasim paga nën 300 mijë lekë, kemi parasysh rreth 60% të të punësuarve, sepse aktualisht sipas statistikave, 60% e të punësuarve janë në nivelin e pagave 20 deri ne 30 mijë lekë  në muaj, kështu që edhe kufiri 30 deri ne 40 përfiton një rritje shumë të lehtë, ndërsa përfituesi  i skemës realisht janë ata mbi 40 mijë lekë.

Qeveria ka deklaruar se ka një rritje ekonomike  prej 2.42% të ekonomisë së vendit. Sa reale është?

Realiteti në fakt duket në ekonominë reale ose tek qytetarët.  E vërteta është së rritja ekonomike është në kontrast  me disa tregues të tjerë, sidomos ato fiskalë sepse janë tregues se çfarë po ndodh në ekonominë reale, por përveç  kësaj rritja ekonomike është  në kontrast edhe me disa tregues të tjerë të institutit të Statistikave, siç është eksporti dhe importi i mallrave. Ka patur rënie konstante të importeve teknologjike  dhe të eksportit të mallrave, e njëjta gjë vazhdon edhe ne këto viteve.

Rritja ekonomike e raportuar nga qeveria është e dyshimtë, për faktin se nuk bazohet në treguesit real të ekonomisë dhe është një  tregues, i cili krahasohet me  tremujorin e vitit të mëparshëm ku qeveria sapo kishte marrë mandatin dhe në mënyrë të qëllimshme uli treguesit e rritjes  ekonomike me qëllim që të ketë një bazë më të vogël krahasimi. Shifra që thatë ju i përket tremujorit, kështu që  shifra vjetore me të gjithë këto manipulime po ti konsiderojmë si të tilla shkon në nivelin 1.8 ose 1.9%, që është nën nivelin e parashikuar nga qeveria.

Problemi më i madh nuk është se çfarë thotë qeveria, problemi më i madh është se çfarë po ndodh  në ekonominë reale ku ka rënë besimi i biznesmenëve dhe i investitorëve, kemi një rënie të ndjeshme të investimeve të huaja rreth 14%, kemi transferim të bizneseve sepse është ulur konkurueshmëria e ekonomisë shqiptare nga Shqipëria në vendet e rajonit, por kemi nga ana tjetër  edhe një  tendencë brenda ekonomisë shqiptare që është transferimi  i kapitaleve të transferuar se fundmi nga Banka e Shqipërisë, që tregon për një rënie të ndjeshme të besimit.

Po kështu edhe banka e Shqipërisë ka raportuar një rënie të konsiderueshme të besimit si për konsumatorët dhe problemi i madh është se ka rënë edhe për bizneset ku në tremujorët e mëparshëm ka qenë në rritje. Po kështu në këtë raport duke dashur të ilustroj kontradiktën në rritjen ekonomike,është edhe  kreditimi që është burimi në rritjen ekonomike, sepse kur themi ne rritjen ekonomike duhet të kemi parasysh  edhe burimet e financimit të saj, kur na fakt bizneset kanë rënie të fitimeve, por kreditimi ka pasur rënie në pjesë më të madhe të vitit  të kaluar.

Në këtë vit pati një rritje të lehte në janar por përsëri në shkurt pati një rënie në krahasim me muajin janar. Kështu që në të gjitha aspekt tregon se rritja ekonomike është pozitive, pro nuk është në ato nivele që raporton qeveria.

Sipas INSTAT thuhet se ka pasur një përmirësim sektori i ndërtimit, ndërkohë që janë bllokuar lejet e ndërtimit nga qeveria. Keni ndonjë koment?

Edhe kjo mund të shihet si një ndër kontradiktat që u përpoqa të them më lart. Unë mora disa aspekte makroekonomike, burime të financimit, ku mungon fitimi, kur mungon kredia, kur mungon edhe besimi si mund të ketë rritje ekonomike. E njëjta gjë është edhe për sektorin e ndërtimeve. Sektor i cili është prekur realisht nga kriza, sektor ku kërkohet ndërhyrje pikërisht për ta ringjallur, raportohet si sektori me kontribut në rritjen ekonomike të vendit.  Jo vetëm këtë fakt, që këtu janë bllokuar lejet e ndërtimit, por edhe për faktin tjetër se  investimet publike të qeverisë  kanë rënë krahasuar me një vit më parë, qoftë në terma nominalë por edhe në terma real në raport me produktin e brendshëm bruto. Kështu, nëse bien investimet publike, nëse bien investimet private, nëse krijohen pengesa burokratike siç është rasti i lejeve administrative natyrisht që nuk mund të pranosh se ka rritje ekonomike.  Kjo provon edhe njëherë se është e diskutueshme rritja ekonomike që ka raportuar INSTAT.

Ju si opozitë keni paraqitur në Komisionin e ekonomisë një draft për uljen e taksës së naftës, argumenti mbrojtës i ministrit Cani, ka qenë në vija të trasha se ai që do të mbajë makinë le ta mendoje mirë pasi kjo taksë do t’ju rëndojë. Kjo është zgjidhja?

Kjo ishte edhe ajo që tha Rama kur e vendosi për herë të parë. Bëri një takim me disa pensionistë në Parkun e Liqenit Artificial dhe tha se po e bëjmë që njerëzit të dobësohet duke mos përdorur makinat. Dihet se ky është një argument qesharak, dhe të njëjtën gjë tha edhe ministri në komision, sepse nuk ka një të vërtetë që çmimi i naftës nuk reflekton  ndryshimet që pësojnë në bursën ndërkombëtare dhe argumenti kundër kësaj është se kemi pasur një rritje të konsiderueshme  të naftës në këtë periudhë ku pati rritje, dhe në momentin e rënies nuk arriti që të bjerë, të paktën të reflektohej tendenca jo në përmasat e rënies së çmimit ndërkombëtar.

Ne e bëmë propozimin për faktin e vetëm se në këto kushte do të ishte një lehtësim për bizneset ulet kostoja, nafta është mall strategjik, pjesë e kostos së shumë industrive por ka konsum familjarë kështu që kjo masë që propozuam ne do të ulet 24 lekë  çmimin e naftës që do të thotë se nafta automatikisht bie në nivelin 140 lekë.

Përtej  kësaj që është e lidhur me situatën e vështirë ekonomike, me ngërçin e ekonomisë në tërësi me ngërçin e ekonomisë rajonale, ne kemi edhe argumente të tjera. Është taksa më e pa argumentuar. Pse? Sepse ne kishim ne nivel  7 lekë për këtë taksë që justifikohet me ndikimin ambiental, kemi edhe disa taksa të tjera që lidhen përsëri me argumentin e ndotjes  në mjedis.

Këto e kanë shtuar edhe 20 lekë të tjera duke e konsideruar si taksë të qarkullimin rrugor. Logjika thotë se këto 20 lekë duhet të shkojnë për mirëmbajtjen e rrugëve. Praktikisht nuk ka asnjë mekanizëm që e garanton këtë, që këto para do të përdoren për këtë qëllim, kështu që është një taksë që nuk ka logjikë ekonomike, apo impakt tek qytetarët apo shërbimet publike. Për më tepër qeveria ka sjellë edhe një projekt që po studion metodologjinë e taksës së vënies së rrugës dhe vendosja e taksës së rrugës e bën të detyrueshme heqjen e  kësaj takse e cila  edhe sot nuk përdoret për qëllimin e saj po përdoret si ngarkesë dhe mekanizëm për të mbushur arkën e shtetit. Kjo është arsyeja kryesore që ne e paraqitëm këtë projekt.

Në vend janë rikthyer sërish kufizimet e energjisë. Ku po dështon qeveria në menaxhimin e OSHEE?

Unë mendoj se dështimi ka të bëjë me sistemin e menaxhimit, sepse gjithmonë menaxhimi publik mund të ketë sukses në periudha të shkurtra një deri në dy vjeçare  që lidhen me optimizmin e drejtuesve apo ekipeve të reja, por nuk garantojnë qëndrueshmëri, sepse qëndrueshmëri do përgjegjshmëri dhe këtu nuk ka përgjegjshmëri institucionale,  që do të thotë se kur ju fiken dritat qytetarëve nuk jep llogari askush, kur vidhet energjia elektrike në bashkëpunim me punonjësit me OSHEE-në nuk mban përgjegjësi askush.

Nëse qeveria ju kërkon llogari qytetarëve  dhe burgos qytetarët nuk e zgjidh problemin, problemi zgjidhet kur vë para përgjegjësisë menaxhimin e operatorëve të sistemit energjetik. Kështu që deri më tani  suksesi i qeverisë që prezantohet me rritjen e arkëtimeve është sukses i dhunës policore, pasi mijëra familje janë pa energji në mënyrë konstante, jo nga ndërprerjet, por për faktin se nuk e paguajnë dot  dhe qeveria nuk i lejon që ta përdorin nëse ata nuk e paguajnë, duke përdorur policinë ose  për ndryshe ata do ta paguajnë me burgim.

Pasi ka patur një rritje të konsiderueshme të personave të burgosur për energjinë elektrike, quhet vjedhje por në fakt në burg janë pjesa më e madhe që nuk kanë me çfarë ta paguajnë.  Po kështu ka  një kategori të njohur mbi 200 mijë familje me ndihmë ekonomike, me pensione apo me invalid në familje, pensionist pa fëmijë të cilët realisht me nivelin e të ardhurave që marrin nuk mund të paguajnë faturën e energjisë elektrike.

Kështu që sistemi ka pasur një performancë në dukje por që mund të quhet shkëlqim i rreme sepse realiteti   është se ne po përballemi sot me ndërprerje të rregullta të energjisë elektrike dhe kjo është për faj të sistemit të menaxhimit. Atje duhet të ketë minimumi një menaxher privat që do të thotë se qeveria duhet të kontraktojë dikë për të menaxhuar sistemin kundrejt disa parametrave për të ulur humbjet dhe për të përmirësuar performancën e sistemit dhe maksimumi  do të jete liberalizmi dhe privatizimi i sektorit.

Po nuk u bënë këto natyrisht do të ketë zhurmë por as energji elektrike nuk do të garantohet por shumë qytetarë do të vuajnë për pamundësi reale për të paguar faturën e energjisë elektrike, sepse po të  konsiderojmë rreth 120 mijë familje me ndihmë ekonomike, ndihma ekonomike mesatare është  17 mije lek të vjetra në mijë, fatura e energjisë po të marrim 300 kilovat që konsideroheshin dikur minimum  është 21 mijë lek dhe sot me çmimin që ka vënë i bëhet  30 mijë lek pa futur tvsh-në, që do të thotë se fatura e energjisë  për një konsum të arsyeshëm nuk mbulohet me ndihmën ekonomike, por edhe po ta zbresim konsumin ai do të paguajë një faturë 10-15 mijë lek sa çështje ndihma ekonomike. Praktikisht kemi një grup familjesh të pambrojtura dhe një sistem menaxhimi politik ,sepse drejtuesit janë persona të zgjedhur politikisht dhe për kontribute politike.

Në kuvend u diskutua marrëveshja e Rrugës së Arbrit. Kur do ta kenë dibranët Rrugën e Arbrit?

Rrugën e Arbrit, në fakt ne e mbështetëm, ndonëse ka shumë pikëpyetje në atë marrëveshje që u prezantua në kuvend, sepse qeveria po shet një pjesë të Rrugës Arbrit që është tuneli dhe Ura e Vashës. Themi e shet sepse qeveria ka mënjanuar miratimin e kredisë sovrane siç quhet që do të japë Exim Bank e Kinës, duke thënë se nuk po marrim kredi ose duke mos e raportuar si kredi  që praktikisht ky është pjesa e skenarit grek, ku merreshin kreditë nga ndërmarrjet shtetërore, nuk pasqyroheshin  dhe raportoheshin si kredi dhe situata denatyrohej  dhe erdhi një moment i cili krijoi kolapsin, sepse këto kredi nuk po shlyheshin dot nga ato që i kishin marrë dhe përgjegjësia mbeti tek qeveria, e njëjta gjë, këtu  do të jepet me koncension që do të thotë është një kosto e madhe për qytetarët e Dibrës, do të aplikohet tarifa  e përdorimit të rrugës, gjë që është e parakohshme të paktën për atë zonë dhe për Shqipërinë kur akoma nuk aplikohet në rrugë të standardeve më të larta por edhe në zona që janë me nivel më të lartë të të ardhurave për frymë  brenda Shqipërisë.

Megjithatë ne nuk deshëm t`i japim shansin qeverisë të thotë po na pengon opozita dhe nëse do të vazhdojë të realizohet sipas hapave të prezantuar ne kuvend, Rruga e Arbërit do të paktën  edhe katër vjet nga dita e sotme për të përfunduar. Kështu që dibranëve do t’ju duhet të presin.

Në këto dy vjet qeverisje cili është vlerësimi juaj për qeverinë Rama?

Unë do të thoja se ekonomia është e lidhur me politikën sepse në tërësi, kjo qeveri nuk krijoi që në fillim optimizëm përkundrazi krijoi panik dhe në kushtet e krizës ekonomike paniku është faktori me impaktin më të madh negativ, sepse krijon pasiguri tek njerëzit dhe tek bizneset godet konsumin dhe kjo ka qenë politika  e qeverisë. Nga ana tjetër politika më shumë ka folur sesa ka bërë.

Akoma retorika e të filluarit është ata , filluam nga zeroja dhe flitet në kohen e ardhshme ‘do të bëjmë” që do të thotë që kjo qeveri nuk ka arritur të bëjë asgjë nga ato që tha. Nga pikëpamja ekonomike unë shikoj si më problematike politikat jo koherente ose të pa përshtatshme me situatën reale ekonomike. Kur ekonomia ishte në ngërç, sepse kishim një rritje ekonomike simbolike, qeveria duhet të zbatonte politikat e stimulimit ekonomik kur në të vërtetë  ajo zbatoi politikat e shtrëngimit ekonomik e cila shprehte në dy tregues, rritja e taksave e ndjeshme dhe ulja e investimeve publike, që do të thotë ju merret më shumë para biznesit dhe hiqen mundësitë e investimit nga biznesi  mundësitë e punësimit  dhe këto para përdoren në mënyrë inproduktive nga qeveria.

Nga ana tjetër, kreditimet si treg privat ishin në rënie , investimet private ishin ne rënie për shkak të krizës ekonomike dhe do të ishte qeveria kompensuesi më i mirë nëpërmjet rritjes së investimeve publike  dhe brenda investimeve publike duke të ishin rritur edhe investimet që prodhojnë punësimit siç është infrastruktura. Në fakt në infrastrukturë ka rënë edhe cilësia e investimeve.

Në vend që të bëhen investime janë bërë investime kozmetike, mbjellje pemësh rregullime anësore që nuk kanë prodhuar punësimin por vetëm për të rregulluar një imazh të rremë. Për pos kësaj qeveria ka shtuar pasigurinë, sepse mekanizmi i zgjidhjes së problemeve ka qenë forca dhe policia dhe për rrjedhoje kjo ka nxitur tërheqjen dhe transferimin e kapitaleve që ishin në vend dhe bllokimin e kapitaleve të reja në Shqipëri. Kështu që nga pikëpamja ekonomike unë do të thoja që qeveria ka patur politika të gabuara në koncept dhe të pa përshtatura me situatën reale të ekonomisë shqiptarë dhe botërore. /tesheshi.com/ 

 

auto pjese dak

Related posts