Takimi historik mes papa Franceskut dhe imamit të madh të xhamisë Al Azhar të Kajros, që u përcoll me imazhin e një përqafimi mes tyre, duket se përbën thelbin e mesazhit që nuk e përcjellin fjalët. Kështu thotë papa Francesku, sipas të cilit takimi historik në Vatikan ka bërë që të dyja palët të jenë në krye të një mirëkuptimi dhe dialogu më të mirë midis besimeve.
Takimi midis liderit të botës katolike dhe autoritetit më të lartë të Islamit sunit shënon edhe kulmin e një përmirësimi domethënës të marrëdhënieve midis dy besimeve që kur papa Francesku mori detyrën e lartë në krye të Vatikanit në vitin 2013.
“Takimi ynë është mesazhi”, tha papa në një koment të shkurtër në nisje të takimit me Sheikh Ahmed A-Tayeb, pasi e kishte përqafuar dhe puthur mikun e tij. Kështu raportuan zyrtarët e Vatikanit për një grup gazetarësh që mbuluan ngjarjen.
Në një deklaratë për këtë udhëtim të imamit, Al Azhar, një institucion që përfshin edhe universitetin prestigjioz me të njëjtin emër, tha se të dyja palët kishin rënë dakord për një “konferencë paqeje”.
Deklarata citonte Tayeb duke i thënë papës: “Ne kemi nevojë për të pasur një qëndrim të përbashkët, krah për krah, për të sjellë lumturi për njerëzimit. Besimet hyjnore u shfaqën për të bërë njerëzit të lumtur, e jo për t’u shkaktuar atyre vështirësi”.
Zëvendësi i imamit, Abbas Shuman, tha për televizionin egjiptian, CBC se të dy liderët kishin rënë dakord për të nisur dialogun dhe kishin propozuar një konferencë ku do të trajtohen çështje si varfëria, ekstremizmi dhe terrorizmi.
Vatikani nuk e konfirmoi menjëherë planet për mbajtjen e një konference. Një zëdhënës tha se bisedimet kishin qenë “shumë të përzemërta”, ndërsa imami dhe papa kishin biseduar për rreth një orë në bazilikën e Shën Pjetrit.
Vendimi i Tayeb për të udhëtuar në Romë, njoftuar papritmas javën e kaluar, pason lehtësimin e tensioneve serioze që shënuan mbretërimin e pararendësit të papës, Benediktit XVI.
Marrëdhëniet u keqësuan mjaft kur Benedikti mbajti në shtator 2006 një fjalim në të cilin ai u ndje se lidhi Islamin me dhunën, duke nxitur protesta vdekjeprurëse në disa vende dhe sulme hakmarrëse mbi të krishterët.
Papa Gjon Pali i Dytë kishte takuar imamin e madh të xhamisë së Kajros së asaj kohe gjatë një vizite në Kajro në vitin 200, një vit përpara sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork, të cilat më pas transformuan marrëdhëniet mes Perëndimit dhe botës islame.
Vizita e së hënës ishte një takim efektiv, edhe pse i vonuar, dhe palët thanë se vetë takimi mes klerikëve nënvizon domethënien e madhe të kësaj faze të re.
Papa i paraqiti imamit një kopje të enciklikës së tij të re, letrës ndaj besimtarëve në të cilën ai apelon botën të zgjohet ndaj kërcënimit që sjellin ndryshimet klimaterike dhe pabarazia ekonomike.
Tayeb kishte vendosur të pranonte ftesën e Romës si rezultat i një serie gjestesh pajtuese që Francesku kishte dhënë për botën muslimane që nga zgjedhja e tij.
“Nëse nuk do të ishte për këtë pozicion të ri të mirë, takimi nuk do të kishte ndodhur”, thanë zyrtarët duke shtuar se imami dëshironte të promovonte “Islamin e vërtetë dhe të korrigjonte keqkuptimet e krijuara nga grupet terroriste”.
Pas tensioneve të viteve të Benediktit, Francesku bëri lëvizje të shpejta për të vendosur një tonalitet të ri, duke i dërguar një mesazh personal botës muslimane në shënim të përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit.
Kleriku argjentinas vijoi me nisma ndërfetare dhe u shoqërua nga rabini Abraham Skorka dhe profesori i studimeve islamike, Omar Abboud kur vizitoi Izraelin dhe Jordaninë në vitin 2014.
Por, ndoshta gjesti që ngjiti marrëveshjen ishte pjesa më dramatike që ai ka luajtur ndonjëherë në krye të papatit: vizita e prillit në ishullin Lezbos për krizën e refugjatëve që përfundoi me sjelljen në Vatikan të tre familjeve muslimane.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/