Auto Dak
Auto Dak

Nga Gurakuç KUÇI: Franca nuk ka probleme me Ballkanin Perëndimor por me SHBA-në

Refuzimi i Francës që me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të hapen negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk është i drejtuar në rend të parë ndaj këtyre dy shteteve. Sulmi që po i bëhet Bosnjës nga Franca për çështjen e pjesëtarëve nga Bosnja në IS (ISIS/ ISIL) nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me Bosnjën. Kundërshtimi i Francës ndaj Kosovës për liberalizimin e vizave me BE-në po ashtu nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me Kosovën.

Por këto tri sulme të Francës kujt realisht i drejtohen?

Dy dekadat e dekadencës së BE-së

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe aneksimi i Osetisë Jugore dhe Abkhazië nga Rusia, BE-ja Perëndimor ka filluar të përjetoj ndarjet ndër-civilizuese dhe ndër-ideologjike në qasjen gjeopolitike.

Kjo dekadencë e BE-së ka ardhur si pasojë e paaftësisë për të gjetur unitetin dhe qëndrimit të gjatë pa një status përfundimtar që do t’i jepte një qasje për politikat jashtë BE-së. Në këtë hap, fuqitë e BE-së duke synuar sundimin kundrejt unitetit kanë ndjekur politika nacionale kundrejt internacionales.

Uni gjeopolitik i fuqive brenda BE-së i ballafaqon me shtetin bërthamë të perëndimit, SHBA-në. Kjo ka sjellë deri tek ndjekja e një gjeopolitike kundrejt ideologjisë dhe civilizimit që e bashkon Perëndimin.

Interesat e veçanta gjeopolitike të Gjermanisë dhe Francës, kanë bërë që ta dobësojnë unitetin me SHBA-në, tërësinë e BE-së dhe tu lënë hapësirë manovrimi Turqisë, Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor.

Duke qenë se Gjermania ka marrë primatin e BE-së për qasjen me SHBA-në, Rusinë dhe Ballkanin Perëndimor, Franca kërkon që të ketë një vend edhe ajo në tavolinën e xhandarëve botërorë real kundrejt pesëshes së OKB-së e cila ka mbetur një organizatë nën hije pa fuqi reale.

Procesi deri të blloku i Francës për Ballkanin Perëndimor për në BE

SHBA-ja me anëtarësimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë në NATO dhe të Maqedonisë së Veriut që ka mbetur vetëm edhe një proces formal, ka mbyllur rrethin e sigurisë së saj të brigjeve të Adriatikut dhe Jonit, duke e lënë Serbinë brenda unazës së shteteve të NATO-së dhe Rusinë jashtë kësaj unaze.

Gjatë këtij procesi faktor kyç në kthimin pro-perëndimor të vendeve si Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut ka dhënë edhe BE-ja me instrumentet e saj të vendeve aspiruese dhe fonde të ndryshme si ato IPA, por edhe me liberalizmin e vizave.

Mirëpo, Evropa Perëndimore dhe Qendrore që nga pas Lufta e Dytë Botërore, dhe ajo Lindore që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë janë zhvilluar dhe siguruar nga SHBA-ja me gati pothuajse 100% të mbështetjes financiare dhe të sigurisë, kjo superfuqi gjithashtu ka ndjekur edhe rolin e shtetit bërthamë në përballje me superfuqi botërore si sot me Rusinë dhe Kinën.

BE-ja siç e cekëm më lartë për unitetin dhe realpolitikën, ndërtoi edhe strategji bashkëpunimi me të gjitha zonat fqinje dhe të botës, por pothuajse të gjitha dështuan ose nuk jepen rezultatet e kënaqshme. Këto dështime erdhën si pasoj e unit gjeopolitik të lartpërmendur.

Gjermania suksesshëm ka arritur të bëhet faktor por me këtë rast Franca ka pësuar rënie. Këtë rënie, Franca e pafuqishme ta kompensoj me fuqi ekonomike është duke e kompensuar me diplomaci.

Por, duke kërkuar të tilla primate të rëndësishme në arenën globale me këtë vjen edhe përgjegjësia, ashtu siç ua kërkoi Presidenti i SHBA-së Donald Trump që të gjithë të kontribuojnë barabartë në NATO. Mirëpo karshi interesave për primat nuk u tregua edhe përgjegjshmëria për kontribut.

Pra sot shohim që kemi edhe një ballafaqim brenda-civilizues, brenda-ideologjik dhe brenda-gjeopolitik tek Perëndimi (B-CIG).

Duke pasur një ballafaqim brenda B-CIG të Perëndimit sot vuajnë edhe shtete të cilat kanë qëlluar në kohën kur janë pjesë e pazareve të sigurisë dhe integrimit në sfera të ndryshme të influencës, si në këtë rast në Ballkanin Perëndimor.

Përderisa shohim se Rusia dhe Turqia kanë interesa dhe mundohen vazhdimisht të shtrijnë influencën e tyre në Ballkanin Perëndimor me një përqindje jo të vogël të suksesit, duke shfrytëzuar vrimat ekonomike të varfërisë së popullit, Franca këtë fakt po e shfrytëzon kundër SHBA-së.

Sfond

Pas mposhtjes së Hitlerit në Stalingrad të Rusisë nga Ushtria e Kuqe, intervenimit të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në Itali dhe kapitullimi i fashizmit dhe pozicionimit të forcave aleate perëndimore në Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme, Hitlerit veç po i vinte fundi dhe pritej vetëm hapja e luftës në frontin Perëndimor, gjegjësisht nga Franca.

Procesi i paqes dhe i marrëveshjeve se si do të dukej bota pas Luftës së Dytë Botërore veç kishte filluar. SHBA-ja insistonte që bota të kishte katër xhandarë të cilët do ta ruanin paqen, SHBA-ja, Britania e Madhe, Rusia dhe Kina.

Presidenti amerikan Franklin Delano Ruzvelt insistonte në Kinën të futej si xhandar një vend që ishte i pafuqishëm por injoronte Francën, ndërsa Britania e Madhe insistonte që në këtë grup të futej edhe Franca.

Rusia në fillim e kundërshtoi ashtu si SHBA-ja, por duke e llogaritur si një aleat në të ardhmen për balancim kundër një Gjermanie të rikthyer, pranoi që edhe Franca të bëhej pjesë e policëve të botës duke e krijuar një pesëshe që edhe sot kanë veto në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Pse Franca bllokon Ballkanin Perëndimor drejt BE-së

Refuzimi i Francës ndaj Ballkanit Perëndimor është shfrytëzim i rrethanave për pozicionim politik strategjik ndërkombëtar.

Francës këtë shfrytëzim ia mundësuan dy faktor:

  1. Faktori gjeopolitik dhe përqendrimi i superfuqive në Ballkanin Perëndimor ku manovrimi është i hapur për të gjithë.
  2. Faktori qeverisës në Ballkanin Perëndimor, ku në të gjitha shtetet e kësaj pjese mbizotëron vetëm korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Këto dy faktorë janë pjesa ku Presidenti francez, Emanuel Makron, e gjen përparësinë e refuzimit të parë taktik dhe të dytit qeverisës.

Duke bllokuar në anëtarësim në BE, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke refuzuar liberalizimin e vizave për Kosovën dhe duke ia humbur perspektivën evropiane Bosnjës, Makron dëshiron të alarmoj SHBA-në. Me këtë bllokadë Franca alarmon SHBA-në se izolimi i Ballkanit Perëndimor i kthen këto vende drejt Rusisë, Kinës dhe Turqisë, duke i prekur interesat e SHBA-së.

Bota po shkon drejt një tripolarizimi ndërkombëtar, SHBA, Rusi dhe Kinë. Me këtë Franca po kërkon nga SHBA-ja që të ruajë pozicionin edhe për fuqi të tjera duke mos ikur nga pesëshja (Francë, Britani e Madhe, Kinë, Rusi, SHBA). Dalja e Britanisë nga BE-ja e bënë tërësisht të varur këtë suprainstitucion nga shteti bërthamë SHBA-ja dhe gjithë BE-në si e treta pas SHBA-së dhe Britanisë në kontekstin e aleatëve perëndimor.

Në të ardhmen e afërt superfuqi të reja potencialisht janë në ardhje të tilla si Irani, India, Brazili dhe Indonezia. Të gjitha këto alarmojnë vet Francën se bota po shkon drejt shteteve bërthamë që përfaqësojnë grupime të shteteve dhe automatikisht Franca preket jo vetëm në fuqinë e saj si faktor global por edhe në krenarinë e saj historike.

Franca duke prekur pikat e sigurisë së SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, duke shfrytëzuar gjitha mundësitë e përmendura, bënë veprimet që të jetë pjesë e ndryshimit të rendit botëror.

Franca dëshiron të mbetet faktor dhe me aktet e saj të tregohet aktor parësor, jo vetëm si e bindura ndaj SHBA-së, ndërsa Ballkani Perëndimor me formën e saj të qeverisjes po ia mundëson këtë politikë Francë.

Në këtë përplasje titanësh, Ballkani Perëndimor nuk guxon në asnjë moment të luhatet nga vija e SHBA-së dhe Perëndimit e aq më pak të futet në aleanca jo-perëndimore si mini-shengeni ballkanik. Këto përplasje janë të shkurtra ndërsa e ardhmja për shumë vende të Ballkanit Perëndimor është vetëm nga Perëndimi, ndryshe rrezikohet gëlltitja nga sllavo-ortodoksizmi. /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts