Auto Dak
Auto Dak

Nga Ali PAJAZITI: Gramatizimi deklasues

Një nga vlerat më të mëdha të shqiptarëve të Maqedonisë në periudhën postkomuniste është Universiteti i Tetovës, i themeluar më 1994 me sakrifica dhe gjak, me përkushtimin e shumë figurave shoqërore që kishin një ëndërr, atë të shkollimit sipëror në gjuhën amtare, të avancimit të kauzës përmes një institucioni që do të ishte në shërbim të brezave, që do të gjeneronte koka të mendimit dhe të veprimit, të gatshme për të konkurruar me botën globale të dijes.

Kjo vatër e arsimit, që vitin 2014 shënoi njëzetvjetorin e ekzistencës, ka arritur deri më sot shumë suksese, por edhe shumë lëkundje, kriza; ka pasur miq, por edhe shumë armiq, të jashtëm dhe të brendshëm. Armiq të jashtëm kanë qenë qarqet albanofobe, që në fillim e cilësuan si një foshnjë të lindur si e vdekur, që s’i duronin dot shkronjat dhe arsimin shqip, që përdorën edhe dhunë në tendencat e tyre për ta mbylluar atë, ku s’u doli hesapi i shtëpisë, dhe ja ai është edhe sot gjallë. E kur vijmë te armiqtë e brendshëm, intrashqiptarë, ata janë edhe më të shumtë: të gjithë ata që e kanë politizuar, duke e shndërruar këtë segment në sëmundje kronike (Bilalli) të kësaj vatre. Parti që vazhdojnë ta mbajnë nën dominimin e vet, duke e cenuar lirinë akademike, duke ndërhyrë në çështjet shkollare, duke punësuar militantë të vetët, duke e mbushur stafin me ndihmës të ideologjisë së tyre (me diploma e pa to, autentike e të sajuara), duke ndryshuar rektorë me metoda të ndryshme (trysni, dhunë, shantazhe), duke disperzuar fakultete edhe nëpër kasabatë e pazhvilluara të këtij vendi, më pas duke bërë kthesë U (“mbyllet kapitulli i disperzimeve”), duke i detyruar studentët që të mësojnë nëpër shkolla fillore me nëntëvjeçaristët (rasti i Shkupit), duke shpikur edhe një universitet parazgjedhor, ku do të përcillen disa departamente të U(SH)T-së, etj.

Se politika dhe pushteti i kanë hyrë gjer në kockë këtij institucioni e tregon edhe fakti i ndërmarrjes së fundit të qeverisë së Republikës së Maqedonisë: ndryshimi i emrit të këtij universiteti në Universiteti në Tetovë. Deri te legalizimi në vitin 2004, ky institucion mbante emrin Universiteti i Tetovës, më pas me ligj u emërtua si Universiteti Shtetëror i Tetovës (me diskrepancë gjuhësore, maqedonisht: “Universiteti Shtetëror në Tetovë”, anglisht “State University of Tetovo”), dhe tani sërish një pagëzim tjetër: Universiteti në Tetovë. Përveç emrit që ishte simbol i legalizimit të UT-së së dikurshme, USHT-ja në fund të 2015-s ka humbur edhe gjashtë programe studimore. Në nenin 5 të ligjit për plotësim dhe ndryshim të ligjit për themelim të Universitetit Shtetëror në Tetovë (Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë, nr. 226, e datës 25.12.2015), që e ka miratuar qeveria, mbyllen gjashtë programe studimore: Ndërtimtaria, Arkitektura, Mekatronika, Inxhinieria e Transport – Komunikacionit, Gjeodezia, Gjeoinformatika dhe Inxhinieria Ekonomike. Vendimi i fundit lidhet me hapjen e universitetit të ri në Shkup, që do të quhet “Nëna Terezë” (koha.net).

Sipas ministrit, “harmonizimi i programeve studimore në mes dy universiteteve në gjuhën shqipe ka për qëllim të mos dëmtojë asnjërin prej tyre, dhe të mos përputhen programet studimore në këto dy institucione të arsimit të lartë”. Në fakt, dy kanë qenë (USHT+UEJL), tani bëhen tre. Dhe si mund ta dëmtojë një universitet një tjetër universitet, të cilit i dihet vetëm emri. I pari s’mund të ketë faj ndaj të palindurit apo të porsalindurit. Galimatiasi vazhdon edhe lidhur me koordinimin universitet-ministri. Thuhet se rektorati ka qenë i informuar. Nëse rektori dhe stafi e kanë ditur, siç shprehet ministri, shtrohet pyetja se pse rektori ishte i pakapshëm për prononcim personal, pse anëtarët e trupit mësimor nuk e kanë përmendur kurrë një gjë të tillë në komunikimet e tyre joformale dhe formale deri tani, por me krenari kanë folur për sukseset e USHT-së.

Një çudi e madhe kjo me emërtimin, një lojë fjalësh, një gramatizim, i Tetovës, Shtetëror i Tetovës, Universiteti në Tetovë. Mos vallë pas do kohe do të jemi dëshmitarë edhe të “zhvillimit të mëtutjeshëm”, prej Tetove, nga-kah Tetova… Qasja semantike flet për tendencën për ta relativizuar këtë simbol dhe logo-brand të shqiptarëve të Maqedonisë, sepse emri është identiteti vetë, është uni, egoja e një entiteti, është shpirti dhe fryma e një institucioni. E si do ta ruajë identitetin e vet një institucion të cilit brenda dy dekadave i është ndryshuar emri dy herë? Ky i fundit me theks gjeografik-hapësinor; një shprehje e panatyrshme kur janë në pyetje botët e dijes, universet e diturisë dhe kërkimit.

Nga hulumtimi që bëmë enkas për këtë shkrim, konstatuam se ka raste kur universitetet marrin parafjalën e rasës kallëzore “në”, por kur janë filiale të ndonjë alma materi, si Universiteti në Nish (themeluar në 1965) si degë e Universitetit të Beogradit. Përdorimi i parafjalës “në” është një veçori për universitetet në hapësirën e ish-Jugosllavisë, e rrallëherë në botën perëndimore. Parafjalë e përdorur në lidhje me universitetet në gjuhën angleze është “of”, në atë spanjolle, “de”, në gjuhën italiane, “di”, etj. Eshtë tragjike që edhe një nga themeluesit e këtij institucioni (M. Fejzi) u prononcua se universitetit në fjalë i kthehet identiteti, gjë që në fakt nuk është kështu, sepse emri i parë ka qenë “i Tetovës”, dhe jo “në Tetovë” (shih: http://www.yllpress.com/112362/data-e-themelimit-te-universitetit-te-tetoves-2-.html). Shumica e mediave dhe portaleve të pavarura shqip u shprehën se bëhet fjalë për goditje të rëndë, për një gjë skandaloze, ndërsa një portal pro partisë në pushtet shënoi: “Emrit të ri i hiqet fjala shtetëror, mbetet Universiteti i Tetovës”. E vërteta është se nuk mbetet “Universiteti i Tetovës” (sepse s’ka qenë i tillë, por USHT), por riemërtohet në “Universiteti në Tetovë”.

Gramatizimi politikocentrist dhe lojërat me emrin nuk i shkojnë për shtat shëndetit dhe stabilizimit të një kreature akademike. Ripagëzimet e trondisin, dhe e zvetënojnë edhe personalitetin e njeriut; në këtë rast, e deklasojnë identitetin e një universi(teti). Ruajtja e vazhdimësisë emërore është kusht i vazhdimësisë funksionale. Një pyetje shumë e arsyeshme është kjo: Ku janë profesorët e intelektualët publikë që të prononcohen, të shprehin qëndrimin e tyre kritik lidhur me metamorfozat sociale arsimore? Janë shumë kuptimplote fjalët e Dario Fo-së, nobelist në letërsi: “Shumë mendojnë: ç’më duhet mua të ekspozohem? Ndoshta një ditë do të kem nevojë për diçka, për një nder apo ndihmë nga ai që po kritikoj sot.”

Dhe, në fund, disa margaritarë të John Proctor-it (vd. 1692) në lidhje me emrin: “Sepse është emri im! Sepse s’mund të kem emër tjetër në jetën time… Si mund të jetoj pa emrin tim? Ua dhashë shpirtin, ma lini emrin!” /tesheshi.com/

 

 

 

 

 

 

auto pjese dak

Related posts