Auto Dak
Auto Dak

Në burg me Vehbi Alimuçën, Alfredi: si mësova të ndërtoj kështjella dhe xhami të forta prej rëre…

Nga Bardha Nergjoni

20161016_114115_resized

Punime të tilla kërkojnë kohë, durim, përqendrim dhe intuitë për mbërritur deri në një vepër arti. Alfredi ka 10 vjet që merret me ndërtimin e maketeve të kështjellave, xhamive si dhe shumë objekteve të tjera të cilat kryesisht vijnë nga materiale të riciklueshme. Kështu thërrmon mermerin dhe në formën e rërës ngre objekte që të mahnisin kur i shikon dhe mundohet të bëjë punë të veçanta që të tërheqë vëmendjen, sidomos të blerësve. Në dyqanin e tij të vogël përbri Xhamisë Mbret gjen Koloseun e Romës, kala, xhami, ndriçues të ndryshëm, mbajtëse kancelarish, mbajtëse zbukurimi, vazo, korniza e shumë objekte të tjera. Këto objekte Alfredi i ka krijuar në kohë duke përdorur materiale të ndryshme prej druri, plastike, rruaza, mermer të copëtuar e shumë e shumë materiale të tjera të cilat i mbledh në shërbim të punimeve të tij të fort të rralla.

20161016_114547_resized

Ka ndërtuar portën kryesore të kalasë së Elbasanit, Xhaminë Mbret dhe shumë objekte të tjera të cilat ja kanë blerë ose i ka falur. Maketi i kësaj të fundit ndodhet në brendësi të shtëpisë së besimitm shumë pranë shtëpisë së tij. E ka ndërtuar me aq mjeshtëri sa çdo element duket në vendin e tij dhe është aq e fortë sa mund të mbajë edhe një njeri mbi çatinë e saj.

20161016_115752_resized

Jeta e Alfred Kristos nuk ka qenë e thjeshtë. Punimet e artizanatit  i ka mësuar në kohën kur ka qëndruar në burgun e Peqinit. Atje fitonte mirë dhe ishte i kënaqur nga punimet që bënte. U kthye në Elbasan ku ekspozoi shumë punime nga duart e tij, por shitjet nuk ishin siç i priste dhe puna e tij nuk po vlerësohet aq sa duhet. Shpresoi tek një projekt i artizanëve elbasanas të promovuar kohë më parë nga bashkia, por ka kaluar kohë dhe dalëngadalë Alfredi po e braktis pasionin e tij nga mungesa e vlerësimit dhe e shitjeve që do të thotë para për familjen e tij. E vetmja gjë që kërkon është një treg për punimet e tij, të cilat realizohen me shumë mund dhe janë mundësia e vetme e tij për të siguruar të ardhura për familjen.

Si nisët të merreni me punime të tilla?

Jam marrë me lulishtari, pasi kemi pasur një dyqan shumë të pasur lulesh këtu në Kala. E kam filluar në burgun e Peqinit ku vuaja dënimin. Punime të tilla donin kohë dhe unë kohë kisha mjaft, por edhe durim. Fillova të bëj korniza për të burgosur të tjerë dhe dalëngadalë kalova tek varkat e më pas këto punimet e tjera. E mendova si një zanat me të cilin do ecja kur të kthehesha në shtëpinë time. Kam qysh nga 2008 këtu dhe jam i zhgënjyer pasi punët e dorës nuk vlerësohen sa duhet këtu tek ne. Kisha shumë shpresë që me hapjen e dyqaneve të artizanatit në Kala do të kishim shumë punë dhe të ardhura. Unë nuk kam një punë tjetër.

20161016_113946_resized

Cilat kanë qenë punimet me të cilat ju përfaqësojnë më shumë?

Punimet që mendoj që kanë më shumë vlerë për mua janë porta e Kalasë, Xhamia Mbret dhe Koloseumi. Pë të realizuar këto punime më është dashur shumë punë. Vetëm për të ndërtuar xhaminë është nevojitur 4 muaj kohë; gjetja e materialeve nga më të ndryshmet duke filluar nga mermeri i grirë, i punuar për pjesën e minares, tuba plastike, shkopinj të vegjël e shumë ngjitje që kemi arritur në këtë maket që ju keni mundësinë të shikoni.

 

Pse nuk po merreni më me këto punime?

Kisha shumë të tilla në dyqanin tim të vogël, por blerjet shumë të rralla bënë që të filloj t’i largojë e të mos merrem më me to. Sigurisht që ky është pasioni im. Nuk mund ta bëjë çdokush por nëse nuk siguroj të ardhura për familjen atëherë është e kotë të vazhdoj. Vetëm pasioni nuk mjafton. Po të kem punë e filloj sërish. E dini kush ishte ideja ime në fillim? Të bëja punë me porosi. Nëse dikush sot më bën porosinë unë e realizoj. Punoj gjatë natës dhe e dorëzoj në kohë çdo punë, mjafton të ketë dikush interes për punët e mia. Synimi im të kem porosi në dyqane të punimeve të realizuara me dorë.

Pse në burg ecnin më mirë këto punime ndërsa këtu në Kala jo?

Në burg funksiononte ndryshe. Punimet ndërroheshin me karta, cigare madje kishte edhe një lloj organizimi nga Vehbi Alimuça i cili kishte hapur një lloj dyqani. Kishte disa që merreshin me këto punime në burgun e Peqinit. Madje ata dilnin shumë mirë me këto punime dhe fitonin para. Këtu nuk e di pse nuk funksionon. Mendoj se popullsia është e varfër dhe nuk mundet ndërkohë turistët nuk janë të orientuar. Para pak vitesh ishte menduar që kjo rrugicë të shndërrohej në dyqane zejesh të ndryshme që do ta bënin mjaft interesant si në pazarin e Krujës pasi atje këto punime të dorës ecin mirë. Kam pritur këtë projekt të bashkisë por nuk është bërë asgjë. Jam i gatshëm të punoj por vetëm nëse siguroj në treg pasi kështu do të thotë punë e çuar dëm. /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts