Auto Dak
Auto Dak

NDRYSHE/ Lulzim Basha, juristi me zero rrezatim juridik: pse duhej ta bënte “këshilltarin” e Metës

Kur Lulzim Basha u shfaq në politikë, me KOP-in në PD, për të nuk dihej asgjë. Ditë pas dite, ose kohë pas kohe, u tha se ai vinte si një i punësuar në UNMIK dhe se kishte studiuar në Hollandë për drejtësi.

Më vonë, u bë gjithashtu e ditur se zotëronte një pasuri të pazakontë, për moshën e për trendin jetësor që kishte patur gjer atëherë, duke patur dhe një shtëpi në Hollandë, e ku ndërkohë, gruaja e tij nga shqiptare kish vendosur të kalojë me shtetësi hollandeze.

Ishin pra të dhëna të një pragmatizmi  të theksuar në tipologjik, ku ajo, idealja, e veçanta, ëndërrimtarja, poetikja, qoftë dhe kontraversja, imponuesja gjithashtu, mungonin tërësisht.

Thjesht iu mëshua faktit se ai hynte në politikë si një i shkolluar në Perëndim, ku i ndihte për këtë dhe një imazh perëndimori, mu prej një paraqitje fizike shtathedhurake e lëkurëndritje prej njeriu larg vrazhdësisë shqiptare.

Iu besuan poste njëri pas tjetrit, por në asnjë rast nuk arriti të shfaqte formimin e tij të pretenduar shkolloro-perëndimor. Me emrin tij, sot, pas afro 15 vitesh në politikë, nuk lidhet asnjë reformë, asnjë risi, asnjë prurje, asnjë standart, asnjë tezë politike, asnjë shkollë, asnjë model.

Pas 15 vitesh, Lulzim Basha nuk arrin të tejkalojë në asgjë Sali Berishën, as në ligjërim e as në stil politik, duke qenë thjesht një recidiv në çdo gjë e paraardhësit të tij në parti. Një dramë personaliteti!

Por le t’i kthehemi formimit të tij shkollor, atij prej juristi. Siç dihet e siç po shihet dhe në krizën më të fundit, gjaku në trupin e politikës janë aspektet juridike. Janë këto të fundit që mbajnë kolonat e politikës dhe shtetit. E kjo krizë e pazakontë në politikën shqiptare, është e ndërvarur dhe nga qasjet e natyrës juridike.

Ky do ishte dhe rasti që Basha, në daç si politikan e në daç si jurist, të shpërfaqte kulturën e tij juridike, të sfidonte çdokënd me të prej zëra kundërshtarë.

Një ditë më parë, një prej fjalëmbajtjeve më brilante në parlament, ishte ajo e ish-kryeministrit Bashkim Fino. Me një zbërthim juridik pa qenë jurist profesionist, por thjesht me kulturën e një shtetari të sprovuar, ai e bëri copë ç’dekretin presidencial të anullimit të 30 qershorit. Ngjashëm dhe Majko.

Ndërsa Basha, duke mbetur në nivelin e një demagogjie politike me fjalor të kufizar në 10 fjalë, nuk ka bërë deri më sot një përçapje të vetme për t’i treguar opinionit, e mbi të gjitha rivalëve politikë, se ai është një ekselent në shkencat juridike.

Si mund ta kish bërë? Duke organizuar një takim me gazetarë apostofat për këtë çështje, pra vetëm me zbërthim juridik të aktit presidencial, shoqëruar me referenca, me precedentë, anipse mund ta ngjante si këshilltar juridik i Metës. Le ta bënte, ashtu skolastikisht, profesionalisht, duke i dhënë një shuplakë gjithashtu juridike mazhorancës.

Në mos të sfidojë Ramën, të sfidojë Denar Bibën, që edhe pse me pozicionim politik, ka një gjuhë juridike sfiduese plot referenca. Duhet ta bënte dhe Basha, për na treguar se ka diçka në formimin e tij që e bën të denjë për të qenë aktor politik. Sepse, nuk ka dyshim, që nëse politika do kish patur shumë kardiologji e art figurativ në ashtin e saj, së paku Sali Berisha e Edi Rama do shkëlqenin në formimin para ose tejpolitik të tyre.

Duhej ta bënte sot, ku është dhe beteja më e madhe, ajo e ballafaqimit juridik. Duhej të bënte në emër të afrmimit të një avantazhi, qoftë dhe intelektual, që dhe pas 15 vitesh nuk po dihet se ku e ka karshi të tjerëve në politikë, në PD apo përballë kundërshtarëve.

Duhej ta bënte në emër dhe të një krenarie individuale, për të thënë se, edhe nëse nuk do ishte në politikë, do i vlente shoqërisë me tjetërçka prej formimit të tij, apo se dhe nëse nuk do qulloste në politikë, mund të ndriste diku tjetër. Jo si rrogëtar, kuptohet, por si personalitet në një drejtim të caktuar.

Kjo boshësi, ky handikap i rëndë në identitet, është pika më përbashkuese e tij me dyshen Meta-Kryemadhi, çiftin që nëse nuk do ishin personazhe politike, vështirë të njiheshin për tjetërçka në këtë vend, siç dhe nuk janë njohur kurrë, në asnjë fazë të jetës. /tesheshi.com/                                                                       

auto pjese dak

Related posts