Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

“LEXO!”/ Portret njeriu në errësirë

Shënime për romanin “Thërrmijat elementare” të Michel Houellebecq

Nga Agim Baçi

Një ecje në errësirë. Në majë të gishtave, me aftësi për t’u orientuar, por pa mundur të dalin në dritë. Të tillë janë personazhet e Michel Houellebecq në romanin e tij “Thërrmijat elementare”. Misheli dhe Bruno, dy vëllezër vetëm prej nëne, përshkruajnë një humbjen e rrugës së dashurisë, teksa i dorëzohen njëri vetëm profesionalizmit e tjetri  veçse dëshirave të trupit. E shkuara e tyre, me një nënë-hipi që e kanë parë rrallë në fëmijërinë e tyre dhe me baballarët që i takojnë edhe më rrallë, ata nisin një udhëtim drejt botës ku kërkohet të zëvendësohet besimi i përhershëm me fuqinë që vjen nga njeriu.20150723153347565

Houellebecq është shkrimtar i kohës së tij, i rritur mes gërmadhave shpirtërore që la i ashtuquajturi revolucion seksual, mes viteve ’70 të shekullit të shkuar. Nuk fsheh pesimizmin.Cinizmi dhe ironia e tij përshkruajnë raportin mes hapësirës së pafundme jashtë nesh dhe greminën që zgjerohet brenda nesh, kur kemi humbur busullën dhe kur besojmë se ja dalim vetë botës mbanë pa patur nevojë as për besim diku e as për moral.

Misheli është fizikant i shkëlqyer, por i paaftë të lidhë një rrugëtim me ndjesitë e tij, të kuptojë tjetrin. I sukseshëm deri në dashuri me fizikën, ai është krejt u humbur përballë seksit tjetër. Ndërkaq, Bruno, gjysmëvëllai i Mishelit, i dalë nga një idiferencë dhe dhunë mbi të nga shokët që në shkollën fillore, ka kthyer në mit artin e trupit, duke shpërfillur çdo kufi moral në të përditshmen e tij.

Duken si dy gjysma që kërkojnë njëra-tjetrën, për të bërë një njeri, që ka nevojë edhe të njohë botën por edhe të vlerësojë vetveten. Por koha i ka ndarë përgjysëm të gjitha. Që në momentin kur “arti i njeriut” ka zëvendësuar “nevojën për të besuar”, personazhet nuk kanë më asnjë semafor për t’u ndalur. Dhe, siç citon edhe përkthyesi i tij holandez Martin de Haan në librin “Në zgrip të botës: Michel Houellebecq”, duket sikur autori kërkon të përshkruajë thënien e Karl Marksit se “Njeriu është e ardhmja e njeriut, në një botë pa Zot!”. Madje, edhe pak më tej, siç “korrigjon” surrealisti francez Luis Aragon “jo Njeriu por Femra”. Pra, një botë kur gjithçka rrotullohet vetëm rreth asaj që rrokim. Duke e parë si të vdekshme, si pjesë e së fundmes së përhershme çastin në tokë, personazhet e Houellebecq duket se janë një alarm për humbjen e madhe të “kohës së dashurisë”.

Duke qenë vend i përsosur për lirinë seksuale dhe plotësimit të epsheve, vendi i ndryshimit do të kthehej shumë më shpejt se çdo vend tjetër, në vatër depresioni dhe pikëllimi. Lamtumirë organeve që nëgerthehen në lëndina nënë hënën e plotë. Lamtumirë festimeve dioniziake të trupave të lyer me vaj nën diellin e mesditës…. Vetëm në vitin 1987, u shfaqën te Vendi kurset me frymë gjysmëfetare. Natyrisht, Krishtërimi përjashtohej; por një mistikë ekzotike mjaft e turbullt, mund të pajtohej me kultin e trupit që lartësohej nga këto qenie, në thelb të dobëta”.  (Michel Houellebecq, “Thërrmijat elementare”, f. 105)

Houellebecq është një piktor i humbjes së madhe në shoqërinë e sotme të aftësisë për të besuar, dashur dhe kuptuar. Janë thjesht copëza që kërkojnë të ngjiten. Houellebecq është provokues dhe i pamërshirshëm, teksa nuk ruan asnjë grimcë të errësirës, por kërkon atë ta japë të plotë. Madje as nuk kërkon ta marrë përdore personazhin e tij e t’i tregojë dritë në fund të tunelit. Jo!

Eshtë thjesht një ecej kuturu, pa zgjatje dore, pa besuar se diku do të mbështetesh. Sepse ka vdekur drita brenda nesh – e vetmja dritë që mund të ndezë llambën e duhur për të parë tjetrin, për të ditur rrugëtimin tënd. Përsiatjet filozofike nuk e rëndojnë prozën, e cila është në kufijtë e ashpërsisë. Erotika e përshkruar, edhe pse thuajse ftohtë dhe pa kurrafrë turpi, nuk anon nga pornografia, por nga trishtimi i jetëve të ndërtuara në kotësinë e mishit pa ndjesi.

Humbja e referencave morale, si pikënisje për të ndërtuar një ridiminesionim të marrëdhënieve shoqërore, vijon të mbetet ndoshta alarmi më i madh për njeriun, në rrugëtimin e tij, jo vetëm për të gjetur tjetrin, por sidomos për të gjetur vetveten. Njeriu në errësirë, pavarësisht arritjeve, pavarësisht sukseseve, pavarësisht njohjes së gjithanshme të hapësirës fizike dhe trupit, do të vijojë të mos i ketë hapat në dritë, e kështu që nuk do ta shenjojë dot vetveten. /tesheshi.com/  

 

auto pjese dak

Related posts