Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Kryepolici shqiptar, kryelajm politik dhe etik: sqaron videon e “nënës me pistoletë”

Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, kaloi orë të vështira pasi u bë lajm kryesor, edhe në media sociale, pasi publikoi një video kur e ëma e një 15-vjeçari, cili u gjend nën goditjet e policisë pak ditë më parë, shfaqet me një pistoletë në dorë.

Në gjykimin e kryepolicit shqiptar, i riu kishte një edukim familjar të padenjë. E megjithatë, Veliu tha se policët ishin ndëshkuar me pezullim për tejkalim kompetencash.

Ai u sulmua politikisht menjëherë, ku nga PD iu kërkua të shkarkohej, e cila sheh te ai dhe njeriun e reagimit të fortë në protestat e saj.

“Ky është i njëjti person që drejtoi dhunën kundër opozitës gjatë protestave qytetare. Dhe është, sërish, i njëjti kriminel gjakftohtë që urdhëroi hyrjen e policisë në teatër me automatikë, që e rrethoi atë me snajper dhe dhunoi gratë, vjazat, të rinjtë dhe opozitën që kërkonte ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe të pronës publike nga vjedhja.

Ardi Veliu duhet të shkarkohet sot! Me sulmin e sajuar kundër një nëne kryefamiljare, që ka rritur e vetme 3 fëmijë, me justifikimin e dhunës policore kundër djalit të saj 15 vjeçar për shkak të prejardhjes familjare, ai është një klonim i rrezikshëm i sigurimsit dhe i hetuesit kriminel të diktaturës”, u tha nga selia blu.

Nga ana tjetër, Veliu kërkoi ndjesë për videon e shfaqur, por tha se do vijonte detyrën.

“Sot unë jam vënë personalisht në shënjestër dhe më vjen keq për deformimin që po i bëhet realitetit të ngjarjes për të cilën fola dhe vetë qasjes sime ndaj saj.  Së pari, fjala ime nuk mund të nxirret nga konteksti siç po bëhet.  Së dyti, kam bërë një ilustrim të idesë se nuk mundet të fajësohet gjithnjë e vetëm punonjësi i Policisë duke u kapur pas një fotoje të rastit, pa konsideruar tërë kontekstin e një situate.  Së treti, kam sqaruar se punonjësi në fjalë është pezulluar dhe ka nisur hetimi disiplinor dhe penal për të. Së katërti, unë po komunikoja hapur me deputetët, një shqetësim që është i mbarë punonjësve tanë, për demonizimin që i bëhet figurës së Policit të Shtetit dhe nuk doja të thosha më shumë se kaq”, tha Veliu, duke shtuar:

”Por në fund dëshiroj t’u them të gjithë atyre që po e gjykojnë me ngut këtë ‘krim’ të radhës, se nëse nuk kam arritur dot ta sqaroj si duhet atë çka kisha qëllim, kjo nuk mjafton për të më gjykuar me qëllim. Këtë detyrë e kam mbajtur dhe do ta mbaj deri në fund me nder dhe puna ka folur e do të flasë për mua dhe Policinë e Shtetit më mirë se sa fjalët tona. Ndjesë nëse kam krijuar një keqkuptim me komentin tim dhe besoj se kushdo që do të gjykojë pa paramendim dhe pa e menduar edhe këtë si rastin e radhës për të baltosur Policinë e Shtetit, do të gjejë arsye për ta pranuar ndjesën time!’/tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com