Auto Dak
Auto Dak

Kriza e Shengenit: a po bëhet diçka e së kaluarës ëndrra e Europës pa kufij?!

Pasi Suedia dhe Danimarka rikthyen kontrollet në kufij në një Europë të re me gardhe e me tela me gjemba, me druajtjen e emigracionit masiv dhe terrorin e lindur brenda në shtëpi, për Shengenin po shkruhen nekrologjitë e para.

Gjatë një dite të zakonshme pune, Rainer Maring vendosi papritur të marrë nxënësin e tij për një mësim të shkurtër historie. Të dy piktorët u futën në furgonin e kompanisë në kohën e drekës dhe hëngrën sanduiçët e tyre në bregun e lumit Mosel, duke kapërcyer nga Gjermania në Luksemburg e drejt në fshatin e mbështjellë nga vreshtat, Shengen.

ura mes danimarkes e suedise

Mund të kalosh urën nga Gjermania në Luksemburg, të kthehesh majtas, dhe pas 300 metrash je në Francë – tre vende në tre minuta dhe asnjë polic në qarkullim. Në vitin 1985, ministrat e pesë qeverive u takuan këtu në Shengen, për të nisur një eksperiment të guximshëm për udhëtimin e lirë, pa kufij. Makinat dhe kamionët me etiketë jeshile në xhamin e parë mund të qarkullonin në pesë vende, Gjermani, Francë e Luksemburg plus Belgjikën dhe Holandën, pa pasaporta.

shengen

Zona e udhëtimit të lirë vetëm me karta identiteti u plotësua në vitin 1995 dhe nisi të rritej. Dhe fshati papritur kishte me se të krenohej si vendlindja e regjimit të lëvizjes së lirë që tashmë përfshin 26 vende nga Islanda në Greqi. Njihet si Europa e Shengenit.

Maring i tregoi adoleshentit, nxënës i tij,  strukturën e ndryshkur prej hekuri që u ngrit për të shënuar marrëveshjen origjinale ku vizitorët vendosin kyçe apo objekte të tjera për ta vlerësuar udhëtimin pa viza, kalimin e lehtë të kufijve për të shkuar në punë, pazaret në vende të tjera, fundjavat  dhe pushimet në plazhe apo resorte skish pa u shqetësuar për çështje të mërzitshme pasaportash.

monumenti shengen

Por, rindërtimi i historisë së një prej eksperiencave kryesore të integrimit europian, tingëllonte elegjik në rrëfimin e piktorit dhe dekoruesit Maring, sikur ai po përshkruante jo realitetin e tanishëm, por një të kaluar që ishte zvenitur.

“Ishte një ideal, të gjitha vendet do të bashkoheshin dhe do të ishin të njëjta e të barabarta”, psherëtin ai. “Por, Europa nuk po funksionon si duhet. Tani gjithçka është në rrezik, po shkojmë pas. Ka plot njerëz që bëjnë thirrje për mbylljen e kufijve, gjithçka po shkon dëm”.

Në anën tjetër të rrugës nga struktura e hekurt, të moshuarit e fshatit kanë ndërtuar një muzeum të vogël për liritë e Shengenit. Ky muze, gjithashtu, ka pasur si synim të nxiste idealet por këto ditë duket ironik me një dozë të rëndë melankolie.

“Fshirja e kufijve të brendshëm të Bashkimit Europian është pohim se të gjithë qytetarët e shteteve pjesëmarrëse i takojnë të njëjtës hapësirë, ata ndajnë të njëjtin identitet”, shkruhet në një deklaratë të fiksuar në  murin e muzeut.

Në këtë kohë të nacionalizmave të reja europiane, gardheve me tela me gjemba, rivendosjes së kontrolleve kufitare, emigracionit masiv dhe terrorit të mëkëmbur në shtëpi, një kohë frike dhe pasigurie, deklarata duket e çuditshme dhe e tejkaluar. Gjermania rivendosi kontrollet kufitare në Shtator, mes një vale të paprecedent refugjatësh, dhe Franca bëri të njëjtën gjë pas sulmeve të 13 Nëntorit.

Në të gjithë Europën, mbështetësit e shoqërive nacionaliste të mbyllura po fitojnë terren ndaj atyre që favorizojnë regjime liberale. Në një farë kuptimi, muzeumi në Shengen duket si një shfaqje dedikuar një kurioziteti historik të së kaluarës.

Nicolas Sarkozy, ish-presidenti i Francës që shpreson të rikthehet në detyrë në vitin 2017 deklaroi “Shengeni vdiq”. Për kryeministrin holandez Mark Rutte, qëndron krahasimi me ngritjen dhe rënien e Perëndorisë Romake: “Perandoritë  e mëdha shkatërrohen nëse kufijtë e jashtëm nuk janë të mbrojtur mirë”.

Kjo mënyrë të foluri shihet si banale dhe e papërgjegjshme nga ligjvënësit në Bruksel që akuzojnë liderët nacionalistë popullorë në vendet e tyre se po përqafojnë gjuhën e mistrecëve të ekstremit të djathtë për të mos vendosur në rrezik bazën e tyre elektorale.

“Ky është argument kryesor që po dëgjojmë gjithë këto ditë- që Shengeni ka mbaruar”, tha për “The Guardian” shefja për politikën e Jashtme të BE-së, Federica Mogherini. “Eshtë e trishtueshme të shohësh sesi Europën e ka kapur paniku përpara 700 mijë refugjatëve. Kjo është shenjë dobësie”.

“Shengeni po ndryshon për shkak se joshja për ta vënë në diskutim atë vjen nga brenda. Së pari, ishin refugjatët, tani është terrorizmi. Por çfarë ka të bëjë Shengeni me terrorizmin. Në marrëveshje janë mekanizmat e nevojshëm që ne të përballemi me kërcënime të tilla”.

Për piktorin dhe dekoruesin Maring, që bëri pelegrinazhin e tij modest në vendin e lindjes së Shengenit, e ku ai shpresonte se kishte lindur një Europë me e mirë, më e lirë e më humane, vdekja e Shengenit nuk është përgjigje për pyetjet e vështira që ngre kriza e refugjatëve.

“Nëse mbyll kufijtë, ISIS ka fituar”, thotë Rainer Maring.  “Njerëzit flasin për këtë gjithë kohën. Ka edhe një gjë. Ata janë të shqetësuar për këtë lloj politike. Mund të tingëllojë si budallallëk dhe e vështirë për t’u imagjinuar, por lufta është ende e mundshme në Europë”.

 Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts