Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

KRITIKË ARTI/ Këtij vendi (nuk) i duhet një “Arturo Ui”!

Kritiku i njohur i artit, por në veçanti i teatrit, Josif Papagjoni, flet për nevojën që ka shoqëria jonë për fabula teatrale ‘ndërtuese’ e jo dëshpëruese. Sipas tij, jo çdo lloj pjese i shkon kontekstit tonë shoqëror, social e politik, duke e  vlerësuar si të duhurin  “Arturo Ui”-në që po bëhet gati për t`u vënë në skenë nga regjisori Armando Bora…        

A po e cënon konsumizmi artin teatral si një art elitar?

Patjetër. Ekzistojnë në formë konkuruese alternative dy kahjet: arti elitar, ku përfshihet dhe ai teatral, si dhe arti pop, ai masiv, që shkon deri në vulgaritet.

 

Le të vijmë në Shqipëri. Kjo shoqëri jonë, sa e ka të nevojshëm teatrin si forcë mesazhuese?

Jo vetëm Shqipëria, por e gjithë shoqëria njerëzore.   Por në Shqipëri  le ta pranojmë që për shkak të një krize prej flikseve fluksve ideologjike, idealet e ofruara për një shoqëri të zhvilluar e moderne, janë keqkuptuar në thelbin e tyre, e për rrjedhojë ka një kaos idesh që gëlltisin njëra-tjetrën  dhe ndërtojnë një refuzim reciprok. Për këtë, duhet që veprat të bartin  mesazhet të qarta ndërtuese, që në një farë sensi të largojnë enegjitë negative dhe t`i blatojnë ato drejt energjive emancipuese dhe ndërtuese. Për këtë ka nevojë kjo shoqëri dhe ende nuk është gjetur pika e ekuilibrit për të dalluar ato mesazhe që e nxjerrin shoqërinë nga kaotizimi drejt një optimizimi të nevojshëm.

 

Për ç`lloj teatri ka nevojë, për ç`lloj fabulash? Pra, a duhet të ekzistojë një lloj filtri, një lloj përzgjedhjeje për llojin e pjesëve të zgjedhura në raport me kontekstin tonë shoqëror?

Mund të themi se pas` 90-ës, me hapjen që pësoi Shqipëria, e rrjedhimisht arti e kultura, në teatër u ofrua  një “gjellë e shijshme” e dramës së absurdit, por edhe pse e ishte e nevojshme kjo prekje përvojash të panjohura, sërish mund të them se Shqipëria, mes gjithfarë problemesh, kërkonte pjesë më pranë saj në kohezion me realitetin. Por prap them se rënia në kontakt me ato vepra, ka qenë e dobishme në shumë drejtime të tjera.

 

Le të marrim “Vrasja e Maratit”, ose “Liri në Bremen”, ose dhe “Arturo Ui”-në e Armand Borës që po afrohet pak e nga pak, sa dhe si i rrijnë ato kontekstit tonë shoqëror?

‘Arturo Ui’, për mendimin tim, është vepra që rri më pranë realitetit shqiptar. Sepse për fatin tonë të keq, ka patur një keqkuptim të lidershipit që duhet të përfaqsonte vetëdijen  e pastër e absolute, por që përfaqsoi të kundërtën, vetëdijen  e ndotur e korruptive, që me pas ka krijuar në bazë e në themelet e ndërtimit të shoqërisë hendeqe të thella, pasojat që po i shohim e ndjejmë çdo ditë. Pikërisht për këtë na shërben dhe ‘Arturo Ui’.

 

Nuk e di nëse e keni vënë re diçka: që në rastin e ‘Liri në Bremen’ në media nuk u tha asgjë për pjesën, në kuptimin artistik të fjalës, por u morrën me një sherr mes drejtorit Çuli dhe regjisores Plasari, që gjithsesi janë aspekte profesionale, edhe pse negative. A përbën kjo një dëm që media i bën teatrit, por dhe shoqërisë, duke i servirur “teatro” prapaskenike dhe jo atë të vërtetin në skenë?

Shumë e saktë. Shpesh, shtypi interesohet për gjëra që kërcasin dhe që janë shashka për t`u konsumuar nga kureshtja e sëmurë e një lexuesi të çoroditur e pa shije, duke lënë pa trajtuar atë që është më e dobishme, e për të cilën ka një lexues që pret të njihet me diçka, që është thelbi i një vepre, vlera reale e saj.

 

Ç`lloj spektatori është ai që sot sheh teatër në Shqipëri, ose më saktë posaçërisht në Tiranë; dhe nëse është në zhdukje apo në shtim?

Unë shoh një spektator të ri deri në 40 vjeç, që është një gjë mjaft e mirë. Ndërsa spektatori i hershëm, apo intelegjenca e dikurshme – nëse mund të shprehemi kështu – për shumë arsye, qoftë dhe moshe, nuk është më aty. Fakt është që spektatori shtohet, por është i munguar në një sens! Si ta kuptojmë këtë? Një pjesë më zorr arrin që të konsumohet, apo më saktë ndiqet deri në 10 shfaqje me sallën plot. Por ishte ‘Pamje nga ura’ që arriti në 60 shfaqje, çka do të thotë se dhe niveli me fabulën kanë të bëjë shumë.

 

Dhe diçka të fundit që ka pak humor brenda: hahet më fara sot si deri dje, apo “halli” i rradhës është celulari?

Mund të them se tani është edhe celulari, pasi farat vazhdojnë të jenë. Por ka një shpresë gjithsesi që, nëse spektatori do fillojë të kultivohet falë pikërisht teatrit, të hyrit në të dhe ndjekjes së tij, do mund të lërë si farat e si celularin.

/tesheshi.com/

 

 

 

 

auto pjese dak

Related posts