728 x 90 Leaderboard

Kosova, sa e vështirë të bësh biznes! – vetëm më 2014 u mbyllën 1 mijë e 663 të tilla

 

Nga Bashkim Kastrati

Numri i bizneseve që falimentojnë në Kosovë brenda një viti është i madh, por edhe shqetësues. Vetëm në vitin 2014 janë shuar 1 mijë e 663 biznese. Sipas ekspertëve të ekonomisë, falimentimi i bizneseve po ndodh për shkak të kushteve jo të mira në Kosovë dhe pengesave të shumta, si mospërkrahja nga institucionet, taksat e larta konkurrenca jolojale si dhe pengesa tjera.

Bizneset që veprojnë në Kosovë përballen me vështirësi të shumta dhe nga me të ndryshmet, si procedurat burokratike, konkurrenca jolojale moszgjidhja e shpejtë e kontesteve gjyqësore dhe shumë probleme tjera. Këto probleme dhe vendosja e arkave fiskale po ndikojnë që shumë biznese të ndërpresin veprimtarinë e tyre.

Numri i bizneseve që shuhen për një vit është shumë i madh dhe është shumë shqetësues për bizneset në përgjithësi dhe për ekonominë e vendit. Shuarja e bizneseve është një fakt që tregon se në Kosovë nuk ka kushte të favorshme për biznes dhe se bizneset nuk përkrahen sa duhet, pra nuk kanë lehtësime që do të duhej t’i kishin në veprimtarinë e tyre.

Sipas të dhënave që tesheshi.com i ka siguruar nga Agjensioni për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, shihet një trend i rritjes së shuarjes së bizneseve. Në vitin 2011 janë shuar 947 biznese, në vitin 2012 janë shuar 1118 biznese, në vitin 2013 janë shuar 1515 biznese dhe në vitin 2014 janë shuar 1663 biznese.

Bizneset, në veçanti ato të vogla dhe të mesme, shumë herë tregojnë se një arsye tjetër që vjen deri te falimentimi, është edhe krijimi i monopolit të kompanive të mëdha.

Pasojat në mbylljen e një biznesi janë të mëdha, njerëzit që kanë qenë të punësuar do të mbesin pa punë, pa të ardhura personale, çdo zvogëlim i punësimit sjell pasojën tjetër, kërkesën më të vogël në treg për mallra të konsumit të gjerë.

Sipas ekonomistëve, bizneset në Kosovë janë të ngulfatura, politika dhe kjo qeveri i ka ngulfatur mirë bizneset dhe i ka nën kontroll të vetin. Ka edhe arsye tjera të shumta që ndikojnë në shuarjen e bizneseve si mungesa e energjisë elektrike korrupsioni etj. Sipas saj, institucionet duhet që të përkrahin më shumë bizneset dhe të krijojnë lehtësime sidomos në taksa.

Gjithashtu ka edhe probleme tjera si mungesa e energjisë elektrike, korrupsioni, burokracia e madhe etj. Mospërkrahja për bizneset tregon se bizneset janë në mbyllje e sipër dhe në anën tjetër asnjë investitorë nuk është i interesuar që të investojë në këto kushte. Institucionet duhet që të mos ju qesin taksa për hapje bizneseve, por bizneset duhet të lirohen nga këto taksa, sepse ata përmes punëtorëve taksat i paguajnë.

Ekonomistët: Qeveria duhet t’u krijojë ambient të mirë bizneseve

Myzejene Selmani, ekonomiste dhe ish-kryetare e Komisionit për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës, ka thënë për tesheshi.com se mbyllja e bizneseve është një shenj e keqe për kushtet e të bërit biznes. Sipas saj janë disa faktorë dhe vështirësi që ndikojnë që bizneset të shuhen.

“Duke marrë parasysh gjendjen ekonomike në Kosovës mbyllja e bizneseve bëhet për shume faktorë si çështja e moszbatimit të ligjeve, gjyqësori shumë i lodhur, korrupsioni në shkallë të lartë, administratë burokratike dhe e stërngarkuar për një biznes, mungesa e energjisë elektrike, jo përkrahje ligjore nga komunat dhe qeveria qendrore, probleme me ligjin mbi dhënien e tokave në shfrytëzim nga ana e komunave, jolehtësira doganore dhe bashkëpunim doganor me biznese dhe ketë rast me Shqipërinë dhe Maqedoninë ku mallrat e Kosovës nuk kanë treg të mjaftueshëm për plasim në treg si dhe situata në të cilën ndodhet Kosova me një elitë të përsëritur çdo katër vjet në pushtët, vështirë të përkrahen bizneset”, thotë Selmani.

Ajo thotë se qeveria duhet të bëjë më shumë për bizneset. Sipas saj, detyrë primare e qeverise është të bëjë ligjin për komuna, pasi që komunat janë dështim total për të bërë biznes për arsye të dhënies së tokave një investitori.

“Qeveria duhet të zvogëlojë burokracinë administrative mos të shkohet në tri ministri me marrë një licencë për një biznes, të luftohet me gjykata dhe prokurori korrupsioni jo vetëm me fjale dhe të bëhet harmonizimi i ligjeve që për një investim të dihet qartë ku duhet drejtohet një biznes , të ketë lehtësira doganore mes Shqipërisë dhe Kosovës , njëkohësisht qeveria të mundësojë kamata më të ulëta në banka për njerëzit e biznesit dhe jo ata të kenë kredi të ngarkuara”, theksoi Selamani, duke shtuar se Administrata Tatimore e Kosovës duhet të bëjë lehtësira për bizneset e reja dhe jo ato të ngarkohen me taksa edhe në dogana edhe në ATK. Sipas Selmanit këto janë mundësitë qe t’iu ndihmohet bizneseve nëse qeveria dhe kryetarët e komunave duan që Kosova të ketë një zhvillim me të hovshëm ekonomike dhe mos të zhvatën bizneset si në kohe të pashallarëve.

 

Ndërsa Lulzim Beqiri, magjistër i ekonomisë ka thënë për tesheshi.com se ka një krizë sa i përket shuarjes së bizneseve në Kosovë, dhe se numri i shuarjes së bizneseve është shumë shqetësues, duke marrë parasysh se shumica e bizneseve të shuara i përkasin kategorisë NVM (ndërmarrje të vogla dhe të mesme), dhe siç dihet në Kosovë numri më i madh i të punësuarve vjen nga ky sektor.

“Ka disa arsye thelbësore që  bizneset kosovare detyrohen të shuajnë aktivitetin e tyre si qasja në financa, konkurrenca jolojale, korrupsioni, ekonomia informale, tatimet e larta etj. Kamatat e larta mund të vlerësohen që janë njëra ndër barrierat që çojnë në vështirësi të mëdha dhe të cilat mund të jenë si faktorë kontribuues në falimentimin apo krijimin e vështirësive të shumë ndërmarrjeve, qofshin ato të vogla, të mesme apo edhe të mëdha”, thotë Beqiri.

Sipas tij, një pengesë e madhe në rritjen e të hyrave të buxhetit është përhapja e ekonomisë joformale dhe se Kosovës i nevojitet një sistem financiar i besueshëm si dhe një ekonomi tregu e qëndrueshme dhe funksionale. Ai konsideron se për këtë arsye është e rëndësishme që të gjenden metoda efektive për të parandaluar ekonominë joformale.

“Sipas disa studimeve është përllogaritur se ekonomia joformale e Kosovës vlerësohet të jetë në mes të 40% – 60%, duke përdorë tregues sikurse janë numri i të punësuarve në ekonominë formale dhe joformale, numri i ndërmarrjeve të cilat punojnë në lëmin formal dhe joformal si dhe shifrat krahasuese të shteteve tjera”, u shpreh Beqiri.

Ai thotë se bizneseve kosovare i duhet përkrahja dhe motivimi nga Qeveria, përkatësisht nga ministri të veçanta si Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Ekonomisë dhe Financave, duke i përkrahë në uljen e kamatave ekzistuese që paraqesin një rol të rëndësishëm për suksesin dhe zhvillimin e tyre; heqja apo ulja e tatimeve për një periudhë të caktuar derisa të ato të stabilizohen në funksionim normal e të suksesshëm.

Më së shumti shuhen bizneset e huaja

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka publikuar një hulumtim “trendët e ndërmarrërsisë të regjistruara dhe të shuara në Periudhën 2010-2014”.

Rezultatet e këtij hulumtimi kanë pasqyruar një realitet të padëshiruar për bizneset dhe ekonominë kosovare, kështu që këto rezultate janë të supozuar edhe nga hulumtimet tjera.

Kryetari i AKB-së Agim Shahini ka thënë se ndërmarrsia në Kosovë, është në gjendje jo të mirë dhe kjo gjendje për fat të keq po e përcjell biznesin që një kohë të gjatë. Ai ka thënë se fokusi i hulumtimit është periudha 2010-2014, ku kjo mostër rezulton me politikat afatmesme jo adekuate për te avancuar pozitën e biznesit vendore dhe të huaj.

Sipas kreut të AKB-së nga analizat e bëra i shqetëson fakti që trendi negativ i mbylljes së bizneseve ka vazhduar nga viti 2010 e këndej. Kurse ky trend ishte prezent më shumë tek investitorët e huaj dhe si rezultat i politikave të shtrenjta për investime.
“Në vitin 2014 janë shuar 39.4% e bizneseve të regjistruara në Kosovë. Kurse në ato vendore rreth 20% e ndërmarrjeve janë mbyllur. Shuarja e bizneseve shqetëson tej mase, sepse këto kompani supozohen që kanë pasur 2 e më shumë të punësuar”, ka thënë Shahini

Shahini thotë se nga hulumtimit ka rezultuar se gjatë vitit 2010-2014 në Kosovë janë regjistruar 41112 biznese të reja, kurse janë mbyllur 6647.

Ndërsa, mbyllja e ndërmarrjeve të huaja në Kosovës sidomos vitin 2014 është shumë e lartë. Ku janë regjistruar 66 ndërmarrje, por janë mbyllur 26 prej tyre ose 39.4 për qind.

Pronarët e bizneseve ankohen për taksa të larta

Shumica e bizneseve që funksionojnë ankohen për taksa të larta dhe konkurrencë të pabarabartë. Bizneset e vogla thonë se ata duhet të kenë taksa më të ulëta sesa bizneset e mëdha.

Pronari i një dyqani në Prishtinë ka thënë për tesheshi.com, se një nga problemet kryesore është se bizneset e mëdha po i ngulfatin bizneset e vogla. Ai thotë se është e padrejtë që një dyqan i vogël të paguaj taksa sa një supermarket i madh.

“Faktorët kryesorë që po ndikojnë në falimentimin e bizneseve në vendin tonë, janë të ardhurat personale shumë të ulëta, papunësia si dhe konkurrenca e madhe. Fajin për falimentimin e bizneseve të vogla e kanë ndërmarrjet e mëdha  tregtare. Këto ndërmarrje po ndikojnë që ne mos të kemi punë. Në anën tjetër tatimet e larta po e vështirësojnë edhe me shumë biznesin tonë, sepse siç dihet këto ndërmarrje paguajnë tatim të njëjtën me ato të mëdha’,
u shpreh ai.  /tesheshi.com/

 

 

 

Related posts