Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Kamatat e bankave vazhdojnë të rrjepin qytetarët e Kosovës – kërkohen dhe hetime nga prokuroria

 

Nga Bashkim Kastrati

Bankat komerciale që veprojnë në Kosovë vazhdojnë që të kenë norma shumë të larta të  interesit. Edhe pse numri i bankave në Kosovë po shtohet, kamatat nuk po ulen dhe, aktualisht shkojnë deri në 24 për qind.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, këto norma të interesit janë shumë të larta dhe se vetëm sa i varfërojnë qytetarët dhe ekonominë e Kosovës.

Normat e larta të interesit dhe shumë të përafërta nga të gjitha bankat, krijojnë hapësirë të mendohet se ka një marrëveshje interne ndërmjet bankave dhe se nuk po krijohet konkurrencë e mirëfilltë e cila e karakterizon tregun e lirë.

Bizneset dhe bujqit janë kategoritë që po vuajnë më së shumti normat e larta të interesit, që shkojnë deri në 24 %.
Banka per Biznes_

Sipas ekspertëve të ekonomisë, kamatat janë të larta për arsye se oferta për kredi është joadekuate, domethënë është më e vogël se kërkesa dhe në këtë mënyrë bankat mund t’i rrisin normat e interesit, gjë që mund të ketë ndikim në bizneset, në investime dhe në varfërimin e buxhetit familjar.

Prandaj, problemi kryesor është se duhet të rritet oferta kreditore dhe duhet të ndikohet në një konkurrencë më të madhe brenda bankave në mënyrë që normat e interesit të ulen.

Sipas Raportit të Stabilitetit Financiar të Bankës Qendrore të Kosovës, vlera e kredive deri në qershor 2014 ka arritur deri në 1.89 miliardë euro, që paraqet rritje vjetore prej 3.5 për qind.

Sipas raportit në fjalë, në qershor 2014, gjithsej depozitat arritën vlerën prej 2.42 miliardë eurove, që paraqet rritje vjetore prej 10 për qind, rritje kjo më e lartë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

“Burimi kryesor i depozitave në sektorin bankar të Kosovës vazhdojnë të jenë ekonomitë familjare, depozitat e të cilave konsiderohen të jenë më stabile në raport me burimet tjera të financimit”, thuhet në raport.

Tesheshi.com ka shikuar çmimorët e disa bankave në Kosovë. Në këto çmimore shihet se ka ndryshime të normave të interesit varësisht nga lloji i kredisë. Nga ky verifikim i këtyre bankave shihet se normat e interesit vjetor kapin vlerën deri në 24 për qind, plus dy për qind shpenzime administrative.

Prof dr. Besnik Pula, sociolog i ekonomisë dhe mësimdhënës në Universitetin Virginia Tech në SHBA, është marrë me çështjen e normave të interesit të kredive nga bankat e Kosovës. Ai për tesheshi.com ka sqaruar logjikën e dhënies së kredive nga ana e bankave në Kosovë.

“Banka grumbullon depozita, të cilat i ofron me normë të caktuar të interesit për depozituesit. Të njëjtat depozita (apo më saktësisht, atë pjesë që rregullatori bankar nuk e obligon bankën ta mbajë në rezervë), banka ia jep me kredi huamarrësve.

Dallimi midis normës së interesit për kursimet dhe asaj për kreditë quhet ‘net interest spread‘ apo shkurt vetëm ‘spread’. ‘Spread’ përbën profitin kryesor të një banke. Ti m’i jep mua 100 dollarë që unë t’i kthej ty me 2% kamatë për një muaj, dmth do t’i kthej 102 dollarë. Mirëpo, këta 100 dollarë unë do t’ia jap filanit për minimum 10% kamatë. Filani m’i kthen mua 110 dollarë, unë t’i kthej ty 102 dollarë, ndërsa 8 dollarë i fus në xhep.

Megjithëse bankat mund të kenë burime tjera të profitit, siç janë investimet e ndryshme dhe të hyrat nga shërbimet, aktiviteti kredidhënës mbetet themelor për profitabilitetin e një banke”, thotë Pula.

Banka Ekonomike_kamata

Ai thotë se me vite të tëra, bankat në Kosovë arsyetohen me faktin se mjedisi biznesor në Kosovë ka risk të lartë, që sipas tij kjo mund të jetë e vërtetë, por nga kjo rrjedhin dy pyetje: pasi që normat bankare për kreditë kanë ndryshuar pak që nga viti 2004, a domethënë kjo se mjedisi financiar, ekonomik dhe institucional në Kosovë nuk ka ndryshuar fare që nga atëherë?

Që nga viti 2004, Kosova ka pësuar shumë ndryshime institucionale – largimi i UNMIK-ut, shpallja e pavarësisë dhe ardhja e EULEX-it. Me sa duket, asnjë nga këto nuk u kanë bërë përshtypje bankave në Kosovë, që punojnë me logjikë të njëjtë që nga vitet e para të pasluftës.

“Qeveria aktuale e Kosovës nuk ka fare koncept monetar dhe financiar që lidhet me nevojat e zhvillimit ekonomik në Kosovë. Vetë koncepti i zhvillimit ekonomik që ka qeveria aktuale është joserioz (shprehur butësisht). Aspekti i tij financiar dhe monetar, që është themelor për një vend në zhvillim (dhe që po dëshmohet kyç për shtetet në zhvillim), nuk është askund.

Rezultat i kësaj është neglizhimi total i sistemit financiar dhe i politikës bankare nga ana e qeverisë, përderisa ai nuk i hyn në punë nevojave të veta buxhetore (si p.sh., tani Ministria e Financave ka filluar shitjen e bonove që blihen kryesisht nga bankat vendore).

Tjetra ka të bëjë ambientin e dobët rregullativ. Banka Qendrore e Kosovës ka bërë përpjekje gjysmake për uljen e normave të interesit, por autoriteti i saj mbi bankat është jashtëzakonisht i vogël, nga fakti që Kosova nuk ka politikë monetare që lidhet gjithashtu me mungesën e monedhës sovrane”, theksoi Pula, duke shtuar se një gjë është e qartë se bankat në Kosovë, dhe sistemi financiar në përgjithësi, nuk po vepron në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.

“Bankat në Kosovë, ndërkohë që shumica syresh janë në pronësi të huaj, po nxjerrin përfitime të mëdha nga Kosova, ndërsa po i ngulfasin bizneset dhe rrisin barrën financiare për qytetarët e Kosovës me norma të tejfryra të interesit. Përderisa ky problem mbetët i paadresuar çfarëdo shprese për zhvillim ekonomik në Kosovë është iluziv”, u shpreh Pula.
Prokuroria të nisë hetime për marrëveshjet eventuale të fshehta

Naim Gashi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës ka thënë për tesheshi.com se normat e interesit në Kosovë janë jashtë çdo logjike ekonomike dhe financiare. Sipas tij, normat aktuale të interesit nuk kanë për qëllim rritjen e standardit jetësor të popullatës dhe zhvillimin e bizneseve.

“Bankat komerciale në Kosovë po bëjnë pikërisht të kundërtën, varfërimin e popullatës me kamata të larta dhe falimentimin e bizneseve të cilat me afarizëm e kanë gati të pamundur që t’i shlyejnë kreditë”, thotë Gashi.
Ai thotë se është paradoksale të thuhet se kamatat në kredi në Kosovë, në përgjithësi janë mbi 12%, ndërsa interesat në depozita 0,2%.

“Nuk besoj që ka ndonjë vend në botë me një shpërputhje kaq të madhe ndërmjet interesave në kredi dhe në depozita”, theksoi Gashi.

Sipas profesor Gashit, kreditë janë kaq të larta në Kosovë, për disa arsye, poProcredit kamatar kryesorja është oligopoli (marrëveshja e fshehtë) ndërmjet bankave, për të mbajtur çmimet e larta të shërbimeve bankare. Ai thotë se bankat komerciale në Kosovë, po e shfrytëzojnë brishtësinë e sistemit të drejtësisë në Kosovë për t’u pasuruar në kurriz të njerëzve të varfër.

“Arsye tjetër e kamatave të larta është mospuna e sistemit të drejtësisë për të realizuar marrjen e hipotekave të lëna si garanci bankare. Këtu problemi nuk qëndron tek vendimmarrja e gjykatave, por tek zbatimi i vendimeve të gjykatave”, u shpreh Gashi,

Gashi thotë se një mundësi për uljen e kamatave është kthimi i fondeve të privatizimit dhe lejimi i linjave kreditore nga Banka Qendrore për bankat komerciale me kamata të ulëta. Sipas tij, shteti duhet të garantojë për kreditë në disa sektorë zhvillimor, siç janë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, bujqësia, turizmi etj.

Ai thotë se puna e parë që duhet bërë Prokuroria është që të hetojë marrëveshjet e fshehta ndërmjet bankave për të mbajtur çmimet e larta të shërbimeve bankare.

“Unë jap vetëm një shembull këtu, por kam  me dhjetëra të tjerë: si është e mundur që katër banka komerciale në Kosovë gjatë vitit 2014 brenda një muaji i kanë shtrenjtuar të gjitha shërbimet bankare?”, ka thënë ekonomisti Gashi.

Ndërsa, Myzejene Selmani, ekonomiste dhe ish-kryetare e Komisionit për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës, ka thënë për tesheshi.com se normat e interesit aktualisht janë të larta dhe pritet që BQK se bashku me Ministrinë e Financave të marrin një hap drejt uljes së normave të interesit dhe Komisioni Kosovar i Konkurrencës të bëjë një hetim tek bankat në lidhje me këtë çështje.

“Duke marrë parasysh se Kosova së fundi ka fituar swis-kodin bankar dhe të gjitha bankat në Kosovë deri pak kohësh kanë qenë banka me kapital të huaj, pra vonë u kemi dhënë mundësi bankave vendore dhe ku paratë e trustit pensional dhe paratë e shitjes së ndërmarrjeve shoqërore mbahen jashtë Kosove, kjo të jep përgjigjen më të saktë pse normat e interesit në Kosovë janë shumë të larta”, thotë Selmani.

Ajo thotë se ulja e normave të kredive është e lehtë të bëhet kur dihet shuma e pareve të trustit pensional që mbahet në bankat e huaja jashtë vendit dhe se po të ishin ato para në bankat e Kosovës, do të ishte bërë e mundshme ulja e normave të interesit dhe dhënia e kredive për biznese me një kamatë të volitshme.

Për 8 muaj bankat kanë fituar 40.7 milionë euro nga normat e interesit

Lulzim Beqiri, magjistër i ekonomisë, ka thënë për tesheshi.com se sektori bankar në Kosovë nuk është në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit dhe se këto kamata tejet të larta që janë më të lartat në rajon, nuk mund të sjellin një zhvillim ekonomik të kënaqshëm.

Teb kamata
“Kamatat e larta mund të vlerësohen që janë njëra ndër barrierat që çojnë në vështirësi të mëdha dhe të cilat mund të jenë si faktorë kontribuues në falimentimin apo krijimin e vështirësive të shumë ndërmarrjeve, qofshin ato të mesme, të vogla apo edhe të mëdha”, thotë Beqiri.

Ai thotë se nga institucionet kreditore, bankat komerciale që veprojnë në Kosovë vazhdojnë të operojnë me kamata të kredive tejet të larta edhe përkundër fitimit të lartë që disa nga ato e realizojnë brenda vitit, ato prapëseprapë nuk i ulin kamatat.

“Përderisa në vendet e rajonit normat e interesit po vazhdojnë stagnim, këto norma në Kosovë po vazhdojnë me trendin e rritjes. Vlen të ceket se në vitin 2014, përkatësisht për 8 muaj bankat kanë fituar hiq më pak se  40.7 milionë euro, dhe nuk qëndron pretendimi i  bankave se ka shumë kredi të këqija dhe arsye e këtyre kamatave enorme është edhe ky pretendim, por fitimet marramendëse të tyre nuk arsyetojnë këtë lloj të “fajdes” vetëm se me letra në krahasim me fajden e ndaluar me ligj”, theksoi Beqiri.

Ai thotë se për uljen e normave të interesit të kredive, Banka Qendrore e Kosovës duhet të ndërhyjë në përmirësimin e tregut financiar. Sipas tij, BQK-ja si një ent rregullator absolutisht nuk është duke u marrë me rregullimin e tregut, që në një formë e obligon ligji.

“BQK-ja është i vetmi autoritet në Kosovë që rregullon tregun bankar. Një formë është duke mbrojtur interesat e bankave ekzistuese, prandaj bankat janë duke treguar fitime marramendëse në kohën e një krize ekonomike”, thotë ekonomisti Beqiri.

Gjithë kjo situatë po shkon në dëm edhe të qytetarëve, të cilët ankohen se duhet që të kthejnë një shumë të mëdha të parave për bankat.

Një shërbyes civil që nuk deshi të prononcohej me emër ka thënë për tesheshi.com se e ka marrë një kredi prej 9 mijë euro në gusht të vitit 2012, me kohëzgjatje deri në vitin 2017 dhe sipas llogarive që ai ka bërë, kur ta përfundojë plotësisht kredinë, i bie që ai duhet t’i kthejë 2625 euro më shumë.

“Ky është fitim i pastër i bankës, plus unë kam marrë këtë kredi në kohën kur kanë qenë disa oferta më të përshtatshme për kredit, sidoqoftë është ngarkesë e madhe për një punëtor që ka një rrogë rreth 400 euro që të paguajë kamatë aq të lartë”, ka thënë ai.

BQK: Normat e interesit kanë trend të rënies

Besnik Kada, zëdhënës i Bankës Qendrore të Kosovës, ka thënë për tesheshi.com se normat e interesit në kredi në Kosovë kanë shënuar rënie të vazhdueshme gjatë viteve të fundit, përderisa që nga fundi i vitit 2014 rënia ka qenë edhe më e theksuar. Sipas tij, në muajin mars 2015, norma mesatare e interesit në kredi ishte 8.9%, që paraqet nivelin më të ulët të shënuar që nga fillimi i funksionimit të sektorit bankar të Kosovës.

“Dy vite më parë, norma mesatare e interesit në kredi ishte 12.6 për qind, ndërsa një vit më parë norma e interesit në kredi qëndronte në 11.2%, gjë që tregon për një rënie të konsiderueshme në periudhën e fundit. Rënia e normës së interesit në kredi reflekton rënien e normës së interesit në depozita, çka nënkupton rënie të kostos së financimit për bankat, dhe poashtu reflekton  masat e ndërmarra nga bankat për të lehtësuar kushtet e kreditimit si mënyrë për të rritur konkurrueshmërinë e tyre në treg dhe, rrjedhimisht, për të rritur kreditimin”, thotë Kada, duke shtuar se BQK pret që rritja e mëtutjeshme e efikasitetit operacional të sektorit bankar si dhe përmirësimi i mëtutjeshëm i ambientit të përgjithshëm afarist në vend do të mund të ndikojnë në rënie të mëtejme të normave të interesit në sektorin bankar të vendit.

Kada thotë se Banka Qendrore e Kosovës në vazhdimësi është angazhuar dhe po angazhohet për avancimin e infrastrukturës financiare e cila nxitë zhvillimin e mëtejmë dhe rritjen e efikasitetit të sektorit bankar. Ai thotë se në këtë aspekt, mund të theksohet në arritjet në ndërtimin e një sistemi efikas dhe modern të pagesave, i cili ka pasur rol të drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit të sektorit bankar.

“Poashtu, BQK-ja ka zhvilluar Regjistrin e Kredive të Kosovës, i cili ka mundësuar shpërndarjen e informacionit rreth historikut kreditor ndërmjet të gjitha institucioneve kredidhënëse në Kosovë, duke ndihmuar këto institucione në menaxhimin më të mirë të rrezikut kreditor. Kjo ka ndikuar në zvogëlimin e rrezikut kreditor me të cilin ballafaqohen institucionet kredidhënëse dhe, rrjedhimisht, ka pasur rol të rëndësishëm në zvogëlimin e normave të interesit”, theksoi Kada.

Ndërsa i pyetur se a ka kërkesa për hapje të bankave të reja në Kosovë dhe se a mund të ndikojë kjo që të ulën normat e interesit, zëdhënësi Kada ka thënë se zhvillimi i suksesshëm dhe niveli i lartë i qëndrueshmërisë janë dy tipare të rëndësishme të sektorit bankar të Kosovës, të cilat edhe e kanë bërë këtë sektor tërheqës për aplikantët e ri. Ai thotë se në vitin 2014 BQK liçencoi edhe një bankë të re, duke ngritur numrin e bankave komerciale që operojnë në Kosovë në dhjetë.

“Hyrja e bankave të reja, të licencuara sipas parimeve të licencimit të shëndoshë, sigurisht që pritet të ndihmojë në zhvillimin e mëtutjeshëm dhe rritjen e efikasitetit të sektorit bankar që, mes tjerash, mund të reflektohet edhe në zvogëlimin e normave të interesit. BQK-ja mbetet e përkushtuar të krijojë kushtet për rritjen e mëtutjeshme të këtij sektori dhe zhvillimin e konkurrencës së shëndoshë ndërmjet bankave gjithmonë duke u mbështetur në parimet që sigurojnë zhvillimin dhe ruajtjen e stabilitetit të sektorit bankar”, thotë Kada. /tesheshi.com/

 

 

auto pjese dak

Related posts