728 x 90 Leaderboard

Hamami i Prishtinës, siç (nuk) duhej të ishte – ja si po shkatërrohet nga joprofesionistë në restaurim

Nga Bashkim Kastrati

Pjesa e jashtme e hamamit..

Hamami i Prishtinës është një nga objektet më të vjetra të trashëgimisë kulturore në Prishtinë. Hamami i Prishtinës dikur ishte pjesë themelore e kompleksit të Xhamisë së Mbretit, i cili ka shërbyer si vendtakim shoqëror për banorët e qytetit të Prishtinës. Ky objekt i vjetër gjendet në pjesën e vjetër të kryeqytetit, afër shumë monumenteve tjera të lashta, si Xhamia e Mbretit, Xhamia e Gurit e ajo e Jashar Pashës, afër ka edhe Muzeun Etnologjik.

Hamami mendohet që është ndërtuar diku mes shekujve XIV-XV, më saktësisht në vitin 1461 dhe ka funksionuar si i tillë deri në vitin 1960. Hamami i Prishtinës është një ndër 25 objektet të cilat bëjnë pjesë në listën e objekteve prioritare për rehabilitim.

Pikërisht ndërhyrjet për rehabilitimin e këtij objekti të vjetër dhe me vlerë, ishin fatale për këtë objekt të vjetër. Punimet në këtë hamam u bënë në mënyrë joprofesionale dhe si pasojë e këtyre punimeve ky objekt i lashtë është dëmtuar nga brenda, por edhe nga jashtë. Pamja e tij e jashtme nuk të jep ndjenjën se është objekt i vjetër, por duhet si një objekt modern. Pra i është humbur tërësisht origjinaliteti nga jashtë.

Nje pjese e hamamit nga brenda

Fati apo “fatkeqësia” i restaurimit të monumentit më shumë se pesëqind vjet të vjetër, përfshin tri faza. Punimet e para kishin nisur në vitin 2007, punime këto që kishin të bënin me pastrimin e këtij objekti dhe të cilat kanë kushtuar 80 mijë euro. Etapa e dytë e punimeve parashihte ndërtimin e kupolave në vlerë prej 290 mijë eurosh, ku në të Ministria e Kulturës kishte investuar 50 mijë euro. Ndërkohë faza e fundit kishte të bënte me restaurimin e objektit me një kosto prej 419 mijë eurosh. Por në shkurt të vitit 2013, me një vendim të Ministrisë së Kulturës, edhe kjo fazë u ndërpre, me arsyetimin se kishte pasur parregullsi gjatë restaurimit.

Në total, prej fillimit të restaurimit të tejzgjatur e konfliktuoz, të gjitha së bashku, Komisioni Evropian, Këshilli i Evropës, Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës, kanë ndarë 1 milion e 200 mijë euro, për projektin e restaurimit.

Ndonëse restaurimi i këtij objekti kishte për qëllim shndërrimin e Hamamit në një qendër funksionale që do të shërbente për aktivitete kulturore, restaurimi në tri faza, ishte manifestuar me lëshime të shumta joprofesionale, duke i shkaktuar dëme të pariparueshme njërit ndër objekteve më të rëndësishme trashëgimore të Prishtinës.

Organizata joqeveritare Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB), organizatë kjo e pavarur suedeze e përkushtuar për shpëtimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, të prekur nga konfliktet, neglizhenca apo fatkeqësitë natyrore dhe njerëzore, në atë kohë i ka tërhequr vërejtjen Komunës së Prishtinës për punimet që po zhvilloheshin jashtë projektit në këtë Hamam.

Një raport rreth punimeve që po bëheshin në Hamamin e Madh, e kishte bërë edhe autori i këtij projekti në vitin 2009. Në vizitën që i kishte bërë Hamamit në maj të atij viti, eksperti turk kishte konstatuar se punët që po bëheshin në Hamam nuk kishin zbatuar udhëzimet e projektit të monumentit.

“Sa i përket dijenisë sonë, projekti i cili bart autorësinë tonë dhe i cili është pranuar nga palët e përfshira në vendimmarrje ishte dashur që të implementohet nga kompania ndërtimore, sepse është parim ligjor dhe universal në zbatimin e restaurimit”, thuhet në raportin e Mustafa Pehlivanogllu.

Më tej në këtë raport thuhet se për hir të monumentit, metoda joshkencore dhe e paplanifikuar e restaurimit duhet të ndalet sa më parë, para se të jetë vonë. Me këtë rast autori i kishte kujtuar Komunës së Prishtinës të drejtat e autorit.

Turistet gjerman para deres se mbyllur te hamamit

Në raport përmenden disa shkatërrime që janë bërë në Hamam gjatë punimeve, si dëmtimi i kupolave dhe përdorimi i llaçit me përbërje betoni.

Gjithashtu rreth punimeve joprofesionale që po zhvillohen në Hamam, ka reaguar disa herë edhe Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, e cila po ashtu ka konkluduar se punimet po bëhen jashtë normave profesionale bashkëkohore.

“Më rastin e montimit të pajisjeve elektrike janë krijuar dëmtime të pariparueshme të autenticitetit dhe integritetit të monumentit, të shekullit të XV”, thuhet në raportin e KKTK-së.

Punimet në ndërtesën e Hamamit janë ndërprerë vitin e kaluar për shkak se nuk është eliminuar lagështia, gjendje që është konstatuar në prani të anëtarëve të komisionit, përfaqësuesve të komunës dhe punë kryesit.

Sipas Ministrisë së Kulturës, punimet janë pezulluar edhe për arsye se është konstatuar se ato po kryheshin në kundërshtim me Ligjin për Trashëgimi.

Cilësia e punimeve jashtë normave profesionale

tesheshi.com ka siguruar një shkresë që Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë (IKKTK), ia ka bërë institucioneve të Kosovës relevante për çështjen e restaurimit të Hamamit dhe nevojës që të ndërhyhet në këtë projekt për të mos u dëmtuar më tepër. Në këtë shkresë thuhet se ky monument është në gjendje të pafavorshme dhe i rrezikuar nga ndërhyrjet sistematike joprofesionale, të cilat që prej vitit 2009 zhvillohen në kuadër  të Projektit ‘Restaurimi dhe adaptimi monumentit  për  muze të Prishtinës’.

Në këtë shkresë thuhet se lidhur me rrjedhat e zhvillimeve të papërshtatshme të këtij projekti, ekspertë vendor dhe ndërkombëtar si dhe një numër i qytetarëve të Prishtinës kanë adresuar shqetësime të natyrave të ndryshme.

 

Hamamin mbahet i mbyllur

Roja pati mirekuptim dhe hapi deren e gozhduar..

Ekipi i tesheshi.com ka vizituar Hamamin e Prishtinës për të parë gjendjen e tij nga afër. Po atë ditë për koincidencë kishin ardhur një grup turistësh nga Gjermania që ta vizitojnë. Ata kishin gjetur orientimin me hartë të qytetit, por nuk mund ta dinin nga pamja e jashtme se cili është objekti i hamamit, pasi që pamja e jashtme e hamamit duket moderne. Por më e keqja është edhe përkundër investimeve që janë bërë ndër vite, dera e këtij Hamami rri i gozhduar me tel dhe dërrasa.  Pasi që pyetëm banorët përreth se pse është mbyllur dera e hamamit, ata nuk dinin arsyet, por na rekomanduan që të shkojmë tek roja i natës së objektit të Hamamit, i cili kishte shtëpinë afër. Ai na mundësoi për disa minuta që të hyjmë brenda hamamit, por paraprakisht theu dërrasat dhe telin e vendosur në derën e hyrjes.

Një nga mangësitë e punimeve që vërehen edhe nga dikush që nuk ka njohuri në restaurim, në murin e brendshëm të hamamit fugat e gurëve ishin mbushur me beton, veprim ky që sipas ekspertëve është i papranueshëm dhe i dëmshëm.
Muri brenda hamamit me llac betoni

Burime nga Ministria e Kulturës, kanë thënë për tesheshi.com se vendosja e llaçit me përbërje të betonit ndërmjet gurëve është joprofesionale dhe ia humb origjinalitetin murit. Për këtë arsye ky burim konfirmoi se së shpejti do të fillojnë punimet për heqjen e llaçit me përbërje të betonit që është vendosur ndërmjet gurëve.

 

Related posts