Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

GJYQI/ Antimafiozi i njohur: Ç’është Ndrangheta dhe roli i shqiptar në këtë klan

Pothuajse një dekadë më parë, prokurori antimafia Nicola Gratteri dhe një nga ekspertët më të mëdhenj në botë për organizatën kriminale Ndrangheta, gazetari dhe shkrimtari Antonio Nicaso, bashkë-shkruan librin La giustizia è una cosa seria / Ligji është një çështje serioze. Ky libër zbuloi fakte interesante në lidhje me mënyrat se si shteti italian dhe legjislacioni i tij po lufton kundër një prej klaneve mafioze më me ndikim në botë, Ndrangheta-s, i cili vjen nga qyteti i vogël Vibo Valentia i vendosur në rajonin e Kalabrisë dhe nga është shkrimtari Nicaso, si dhe Prokurori Graterri.

Një pjesë e Italisë, rajoni i Kalabrisë, është një nga pjesët më të bukura, por edhe më të varfra të Italisë, ku familjet e famshme të klanit mafioz themeluan rrënjët e tyre më shumë se një shekull më parë, dhe të cilat kanë përhapur ndikimin e tyre në të gjithë botën në tridhjetë vitet e fundit, duke u bërë organizata më e fortë dhe më e pasur kriminale.

Këto ditë, rajoni italian i Kalabrisë është gjithashtu protagonist në të gjitha mediat botërore, për shkak të fillimit të gjyqit të njohur si “Rinascita Scott”, i cili përfshin 350 anëtarë të mafies kalabreze, të cilët do të jenë në bankën e të akuzuarve.

Një përgjigje e fortë nga shteti

Ky gjyq, i cili filloi më 13 janar, dhe sipas Antonio Nicaso, autor i më shumë se tridhjetë librave mbi Mafian, si dhe një profesor i rregullt në Universitetin e St. Jerome’s në Ontario, Kanada, ku ai jeton dhe punon, mund të jetë një pikë kthese dhe një fillim i ri në luftën kundër mafies italiane, por gjithashtu nuk do të thotë se ky proces gjyqësor do të çojë në zhdukjen e mafies, siç shkruajnë disa media të huaja.

Për qëllimet e gjykimit, dhe me kërkesë të Prokurorit Gratteri, vitin e kaluar, kur shumica e të akuzuarve u arrestuan, një “bunker” i veçantë u ndërtua në sallën e gjyqit në qytetin e Lamezia Terme.

Struktura moderne prej mbi tre mijë metra katrorë ka 600 vende vetëm për avokatët, si dhe më shumë se 300 vende të parashikuara për të akuzuarit, dhe një hapësirë ​​të caktuar për publikun. Struktura është e lidhur me një sistem të centralizuar të sigurisë video që dërgon të gjitha sinjalet në qendrat operacionale të karabinierëve dhe shumica e dëgjimeve do të kryhen përmes videokonferencave, pikërisht për shkak të pajtueshmërisë me masat kundër koronavirusit.

Antonio Nicaso beson se fakti që ky grup kriminal do të gjykohet në territorin e tyre, d.m.th. në rajonin e Kalabrisë, nga e ka origjinën, është një përgjigje e fortë nga shteti.

“Do të ishte e gabuar, për shembull, që hetimet të kryheshin në Kalabri, pa një gjykatë speciale në të cilën do të zhvilloheshin gjykimet. Kjo do të ishte dobësia e qeverisë dhe legjislacionit, nëse, për shembull, të pandehurit do të lëviznin në kryeqytetin Romë për gjyqin. Kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme që ne të kemi një gjykatë si kjo,” thotë Nicaso.

Siç thekson ky ekspert italian, ky gjyq është i rëndësishëm sepse prek drejtpërdrejt një nga familjet më të fuqishme të klanit të famshëm mafioz. Fjala është për familjen Mancuso, anëtarët e së cilës kanë qenë protagonistët kryesorë prej vitesh kur bëhet fjalë për trafikun ndërkombëtar të drogës dhe trafikut të armëve dhe që falë bashkëpunimit me vendet e tjera arrijnë të pastrojnë një shumë të madhe parash.

Familja Mancuso dhe shefi i saj Luigi Mancuso, i cili ka qenë në burg për 20 vjet, janë më me ndikim në zonën e qytetit Vibo Valentia në Kalabri. Sidoqoftë, arritja e tyre është sigurisht globale.

“Kjo familje është e lidhur me masonerinë, më pas me politikanët, me biznesmenë botërorë me ndikim, të ashtuquajturit ‘coletti bianchi’, dhe shumë anëtarë dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve shtetërore. Ky gjyq është përqendruar në këtë familje shumë të fuqishme, por gjithashtu në zyrtarë lokalë, oficerë policie dhe biznesmenë, të cilët do të jenë gjithashtu në bankën e të akuzuarve,” shtoi Nicaso.

Një precedent për ligjin e heshtjes dhe lidhjeve të pathyeshme të gjakut

Ajo që e bën këtë gjyq të ndryshëm nga çdo gjyq tjetër, kur bëhet fjalë për mafian, është numri i dëshmitarëve të mbrojtur, ish-anëtarë të Ndrangheta-s. Janë 58 të tillë, dhe mes tyre ka të afërm shumë të ngushtë, si dhe fëmijë të shefave të caktuar, të cilët kanë vendosur të bashkëpunojnë me policinë.

“Në këtë proces, Emanuele Mancuso do të dëshmojë kundër familjes së tij. Ai është djali i Leon Mancuso-s, i cili është vëllai i të pandehurit kryesor Luigi Mancuso. Eshtë diçka e re, që fëmijët e mafiozëve tani po bashkëpunojnë me ligjin. Ata shkelën të ashtuquajturin ligj të heshtjes ose, në zhargon mafioz, të ashtuquajturën “omertà”. Eshtë gjithashtu një shenjë që lidhja e gjakut midis anëtarëve të mafies nuk është më si dikur. Kështu që nuk është më e pathyeshme,” thotë Nicaso.

Bashkëpunimi mafioz me shtetin

Ndrangheta, pranë klaneve mafioze Cosa Nostra dhe Comorra, konsiderohet si organizata kriminale më e fuqishme në Itali, por edhe në botë. Ajo është përgjegjëse për kontrollimin e rrjedhës së kokainës në Evropë dhe ka zgjeruar aktivitetet e saj në dekadën e fundit. Nuk është më çështje vetëm e tregtisë së drogës, e zhvatjes dhe e mashtrimit, por Ndrangheta përdor kompanitë e saj të krijuara ligjërisht që i ka në të gjithë botën për të ricikluar para, përmes të cilave bën fitime të mëdha. Qarkullimi i tyre vjetor vlerësohet në rreth 50 miliardë euro.

Kështu, trafiku i drogës si pjesë e ekonomisë gri nuk është më paralele me ekonominë ligjore, por, siç shpjegon Antonio Nicaso, është integruar mirë në të.

“Në këtë proces, ne do të flasim rreth asaj se si klani Mancuso arriti të krijojë 50 kompani në Angli, me qëllimin përfundimtar të riciklimit të parave dhe fitimeve të mëdha.”

Siç thekson Nicaso, ky proces gjyqësor ka të bëjë jo vetëm me Kalabrinë, por edhe me sistemin në nivel global. Një nga dëshmitarët e mbrojtur, i cili duket se është thelbësor në këtë gjykim maksimal, do të flasë për lidhjen midis Ndrangheta-s dhe përfaqësuesve të institucioneve shtetërore. Gjithashtu, do të bëhet fjalë se si ky klan mafioz arrin konsensusin shoqëror përmes kontrollit të aktiviteteve ekonomike.

Këto janë, në fakt, të gjithë elementët që provojnë se mafia dukshëm kontrollon qeverinë dhe politikën. Qëllimi përfundimtar, dhe për atë që do të flasë dëshmitari i përmendur, është realizimi i të ardhurave të paligjshme jashtë vendit, veçanërisht në ato vende ku ligjet nuk janë rigoroze, dhe ku korrupsioni është i mundur.

“Ky proces nuk ka të bëjë vetëm me jugun e Italisë dhe rajonin e Kalabrisë. Në fakt, vetëm thërrimet e fitimit nga ajo që sjell tregtia e drogës mbetet në Kalabri. Pasria më e madhe përfundon jashtë vendit, në vendet ku Ndragheta ka lidhje të vendosura mirë, kompani, si dhe ndikime në institucionet shtetërore”, thekson Nicaso dhe shton se derisa të gjendet një mënyrë për të thyer zinxhirin e riciklimit të parave globalisht, ky klan mafioz do të mbetet ende shumë i fortë.

“Nuk mjafton të dënosh 350 kriminelë, anëtarë të Ndrangheta-s dhe kështu të heqësh qafe mafien.”

Rrjeti global kriminal

Kur u pyet se cilat janë vendet në të cilat ky grup kriminal ka ndikimin më të madh, Nicaso thotë se ato janë Amerika, Kanadaja, Australia, Gjermania, Belgjika, Austria, si dhe vendet e Evropës Lindore.

“Ekziston një lidhje e fortë midis Ndrangheta-s dhe kartelit shqiptar të drogës. Me ndihmën e mafiozëve shqiptarë, sasi të mëdha të kokainës po transferohen nga vendet prodhuese në vendet e konsumit. Në fakt, tregtarët shqiptarë të drogës janë një lloj transportuesi, si dhe ndërmjetësues kur bëhet fjalë për biznes në Amerikën Latine”, thekson Nicaso.

Ndrangheta investon më së shumti në vendet ku praktikisht nuk ka institucione, ku ka korrupsion dhe ku ligjet janë të dobëta. Për këtë arsye, vendet e Evropës Lindore si objektiv kryesor i Bashkimit Evropian, për shkak të fondeve që ekzistojnë, janë shumë interesante dhe tërheqëse.

“Eshtë shumë e lehtë për të blerë kompani që po dështojnë, veçanërisht në Evropën Lindore.”

Në çdo krizë, mundësia për fitime të mëdha

Dhe për aq sa përfitojnë nga pandemia dhe ky moment i krizës ekonomike, Nicaso pretendon se çdo krizë është një mundësi e shkëlqyer për mafien, veçanërisht në Itali, por edhe në të gjithë botën.

Nuk është e panjohur që në situata krize ekonomike ose kur bëhet fjalë për katastrofa natyrore, tërmete, ose, të themi, pandemia aktuale, mafia atëherë arrin të arrijë ndikimin e saj. Kur shteti duhet të rindërtojë diçka, atëherë mafia fut duart e saj, duke u përpjekur të marrë stimuj shtetërorë përmes ndërmarrjeve të saj të krijuara ligjërisht.

“Në Itali ekziston termi ‘Criça’, që do të thotë se kriminelët janë në të njëjtën tryezë me politikanë dhe biznesmenë dhe për të rënë dakord se si të menaxhohen burimet dhe fondet e ofruara nga shteti në rast situata krize”, thotë Nicaso.

Dhe kjo pandemi sigurisht që është një mundësi që nuk duhet humbur dhe dihet që Ndrangheta tashmë ka hyrë në sistemin shëndetësor të Kalabrisë përmes kompanive të saj për të ofruar shërbime të ndryshme, duke filluar nga transportimi i pacientëve në ambulanca, transportimi i gjakut dhe organeve, e deri tek shërbimet e varrimit.

Goditja e fundit?

Megjithëse ky është një nga gjykimet më të mëdha në 30 vitet e fundit, nuk do të ketë protagonistë të tjerë të këtij klani mafioz në bankën e të akuzuarve, përveç anëtarëve të familjes Mancuso.

I pyetur nëse vërtet mund të themi se kjo është goditja e fundit për mafien italiane, Antonio Nicaso beson se vetëm një proces gjyqësor nuk mjafton për të mposhtur Ndrangheta-n, i cili ka një përvojë prej 150 vjetësh. Gjithashtu, siç thekson ai, është e nevojshme që shoqëria, veçanërisht në jug të Italisë, të heqë qafe frikën që ekziston kur bëhet fjalë për mafien.

“Të rinj, kryesisht nga frika dhe nevoja për një jetë më të mirë, po largohen nga jugu i vendit, duke lënë hapësirë ​​që mafia të forcohet edhe më shumë.”

Ekzistojnë edhe mjete të tjera për të luftuar kundër mafies, të tilla si kultura, arsimi dhe trajnimi. Dhe fonde të tilla për fat të keq mungojnë vetëm në jug të vendit.

Gjyqi, kërcënues për jetën e prokurorit Gratteri

Përveç Kalabrisë, rajoni i Siçilisë është i njohur edhe për klanin e tij Cosa Nostra, anëtarët e të cilit u gjykuan në qytetin e Palermos në 1986, kur gjyqtarët Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino u vranë për shkak të tij.

Ne pyetëm Antonio Nicaso se sa i rrezikshëm është ky proces gjyqësor për jetën e Prokurorit Gratteri.

“Gratteri arrestoi jo vetëm kriminelë, por edhe zyrtarë të caktuar, politikanë, avokatë, si dhe të gjithë aktorët kryesorë që bashkëpunojnë me Ndranghet. Ai ka jetuar nën mbrojtje për 30 vjet, dhe gjyqi është po aq i rrezikshëm për të, ndoshta po aq i rrezikshëm sa ishte për gjyqtarët Falcone dhe Borsellini,” tha Nicaso.

Por duke krahasuar gjyqin në Palermo dhe këtë në Latezia Terme, ai pretendon se këto dy procese nuk janë të njëjta.

“Ky proces tregon se ka jo vetëm mafiozë, por mafie në kuptimin që janë marrëdhëniet e jashtme që ky grup kriminal ka me politikën dhe institucionet, në fakt, që e lejojnë atë të ekzistojë sot.”

Antonio Nicaso ka studiuar mafian për më shumë se 30 vjet. Dhe gjatë kësaj kohe, siç pretendon ai, është pikërisht Ndrangheta që ka ndryshuar, që ka evoluar, ndërsa ligji që lufton kundër tij ka mbetur pothuajse i njëjtë.

“Ndrangheta është një fenomen global. Çdo vend ka ligjet e veta, dhe ky është një problem, sepse nuk ka unitet në luftën kundër tij. Nga ana tjetër, disa vende nuk e shohin mafien si një rrezik, por si një mundësi sepse sjell para dhe investon”.

Ky gjyq, sipas vlerësimit të Antonio Nicasos dhe Nicole Gratterit, do të zgjasë të paktën një vit e gjysmë, kur më pas mund të jenë vendimet e para. Dhe nëse ka më të rëndësishme në të, kjo mund të nënkuptojë vetëm fillimin e luftës kundër mafies. Fillimi i ndryshimeve dhe një faqe e re në të cilën do të shkruhet historia e antimafies italiane. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts