728 x 90 Leaderboard

Dialogu Prishtinë – Beograd, politologu Albinot Maloku: ja cilat janë synimet e Serbisë ndaj Kosovës

Ndërsa dialogu Kosovë-Serbi ka hyrë në fazën e fundit, ende nuk ka një kohë të caktuar se kur mund të përfundojë me arritjen eventuale të një marrëveshjeje finale.

Afat nuk jep as politologu Albinot Maloku. Ai nuk e përjashton mundësinë që shteti serb ta njeh pavarësinë e Kosovës, ndërsa thotë se synimet e saj përveç Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, janë edhe kontrolli i Ujmanit e Trepçës por jo vetëm.

Maloku në një intervistë për tesheshi.com flet edhe për takimin e radhës Thaçi-Vuçiç që do mbahet në shtator, për shkëmbimin eventual të territoreve, për mundësinë e kyçjes së opozitës në bisedime por jo vetëm.

Intervistoi: Blendi Gashi

Dy presidentët Thaçi e Vuçiç takimin e fundit e quajtën më të vështirin prej që kanë nisur bisedimet. A ka gjasa ata të kenë arritur një marrëveshje për fazën finale dhe tashmë veç po e përgatitin opinionin?

Atmosfera e kësaj faze të ashtu prezantuar si finale nuk duket edhe aq optimiste për një marrëveshje e cila do ta nxirrte Republikën e Kosovës siç u shpall me 17 shkurt të 2008-s. Marrëveshje të konkretizuar mes palëve nuk ka, mirëpo opinionit publik veç ka filluar ti matet disponimi. Në vazhdën e kësaj matje ishte edhe intervista e ambasadorit amerkian në Kosovë, ndaj të cilës pati reagime edhe interesante edhe të ndryshme. Vështirësi në arritjen e një marrëveshje obliguese për palët, pas së cilës do të krijohej një marrëdhënie e re, gjithsesi se ka dhe ato vështirësi si “të dhimbshme” e “të rënda” me ngulm po prezantohen nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë. Ky dialog nëse i prezantohet opinionit si i vështirë, konsiderohet se po pati një konkluzion do të prezantohet si historike edhe nëse Kosova del me humbje. Këtë e kemi nga eksperienca e konkluzave apo marrëveshjeve të arritura deri më tani e që për Kosovën ka qenë jo pak të dëmshme.

Takimi i radhës është bërë e ditur se do mbahet në shtator. A pritni të ketë diç konkrete apo pas takimit retorika e presidentëve do jetë e njëjtë?

Në shtator, siç e dini fillon edhe sesioni i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, dhe për Kosovën duhet të jetë një afat i rëndësishëm i skadencës për pozicionin aktual të saj në rrafshin ndërkombëtar. Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në OKB është padyshim një heqje e një peshe të rëndë në rrugën e konfirmimit të shtetësisë. Situatë konkrete e dal nga dialogu aktual do të ishte më shumë se e nevojshme dhe probabiliteti i mundësisë të kemi konkretizim nuk është i vogël. Se si do të jetë ky konkretizim, lutem që mos të jetë që mos t’ia vlejë barra qiran as anëtarësimi në OKB i shtetit të Kosovës.

Thaçi po flet për njohjen që Serbia duhet t’i bëjë Kosovës, kurse Vuçiç për kompromise. Priti ta njohë shteti serb ndonjëherë Kosovën shtet?

Njohja nga Serbia është e domosdoshme, mirëpo edhe nëse ka një pajtim për njohje të ndonjë formati të shtetit të Kosovës, atëherë do të hapet një angazhim i ri e ky angazhim është kërkimi i njohjes nga Federata Ruse. Beogradi zyrtar është çdo herë duke kërkuar maksimalizim të pozicionit e të kërkesave të saj për dhe brenda shtetit të Kosovës. Në atë moment që Serbia do ta konsideron që ndaj Kosovës nuk ka asnjë obligim, nuk e ka barrë por e ka nën kontrollin e saj të ndonjë modaliteti edhe mund ta njohë. Këtë do ta donte me çdo kusht.

Jo rrallë herë flitet edhe për shkëmbim të territoreve. Sa është e mundshme të ndodh kjo?

Për shkëmbim territoresh as Beogradi zyrtar e as Prishtina zyrtare kurrë nuk kanë folur, ndërsa për përkufizim territoresh ka folur Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç. Jo të gjithë brenda taborit të vet politik e shohin si të pranueshme këtë zgjidhje. Disa politikan në Kosovë, si reaksion ndaj këtyre deklaratave kanë folur edhe broçkulla duke thënë se në rast të ndonjë ndarje, atëherë Kosova do të kërkojë jo veç Luginën e Preshevës por edhe pjesë nga Sanxhaku. Prishtina zyrtare në këtë dialog jo për shkëmbim territoresh por as për reciprocitet politik e juridik mes serbëve të Kosovës e shqiptarëve që janë brenda territorit aktual të Serbisë nuk kanë kërkuar as insistuar në to. Shkëmbimi i territoreve nuk prezanton opsion as në dialogun aktual.

Opozita kosovare nuk është përfshirë ende në bisedime. Cilat janë gjasat që  LDK, VV e PSD të dorëzohen dhe të bëhen pjesë e tyre?

Konsistencë në qëndrim karshi këtij dialogu ka mbajtur vetëm Lëvizja Vetëvendosje, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë pjesë qenësore e këtij dialogu, prej fillimit të tij. LDK ka qasje dyfytyrësie ndaj procesit aktual por që nuk ka për të nxjerrë asgjë të re ose ndonjë përfitim politik nga qëndrimi aktual i cili është paarsyeshëm i mjegullt. LDK është institucionaliste dhe këtë dialog e ka prezantuar si çështje në shërbim të shtetit të Kosovës. E, kontributi i deputetëve aktual të PSD-së do të jetë i nevojshëm në këtë proces.

Aktualisht nuk ka një afat se kur mund të mbyllet dialogu. Cilat janë opsionet që mund të çojnë në një përmbyllje të suksesshme dhe kur mund të përfundojë?

Nga fakti se kapacitetit aktual të dialogut i është dhënë emri fazë finale, atëherë kështu do të jetë deri në një moment. Kësaj faze finale nuk i është dhënë zyrtarisht një afat skadence dhe mirëfilli dihet si është manipuluar me kohen në të gjitha proceset që janë ndërlidh me Kosovën. Kurse, kur flasim për opsionet, mund të them se shkëmbim territoresh apo ndarje nuk do të ketë. Opsioni nga i cili përfiton Serbia është kontrolli e defaktorizimi i shtetit të Kosovës. Përkufizimi territorial etnik mes serbëve e shqiptarëve në Kosovë është i pamundur gjeografikisht dhe nuk sjell qetësi tek serbët në Kosovë. Edhe ky opsion nuk duket me qen i arritshëm. Themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicën serbe e i cili ka për të pasur organe të veta me zingjir kontrolle në një krah të veçantë të policisë, Forcave të Sigurisë së Kosovës, me veto për vendimet e politikës së jashtme të Kosovës, me kontroll vetanak në pikat kufitare, me kontroll të Ujmanit e Trepçës e me lidhje speciale me Serbinë, është opsioni më i dhimbshëm e më real për tu pranuar nga Beogradi zyrtar. Pas kësaj Serbia nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, plus pa qenë e obliguar për ta njohur shtetin e Kosovës.

Pse do i konvenonte Thaçit të bëjë kompromise të reja në dëm të shtetit siç paralajmëron opozita?

Presidenti Hashim Thaçi asnjë kompromis të bërë për Kosovën nuk e ka konsideruar të dëmshëm, por përkundrazi historik. Ndërgjegjja e tij sikur është e operuar dhe pas çdo procesi ai del rehat me veten e tij. Paragjykimet se të gjitha është duke i bërë se ka frik nga Gjykata Speciale seç më duken jo edhe aq bindëse, edhe pse mund të jenë. /tesheshi.com/

 

Related posts