728 x 90 Leaderboard

Çuni, ky modest i madh!

Rreth gjysmëshekulli nga jeta e tij, Çun Lajçi e ka kaluar duke iu përkushtuar tërësisht artit. Nëpër shfaqjet, monologët dhe lahutën e tij kanë kaluar figurat më të ndritura kombëtare, prej Bajram Currit e deri te Adem Jashari, të cilin e kishte portretizuar tek monologu “I kujt është ky plis”. Ai sot jeton si pensionist me 140 euro në muaj, ndërsa institucionet asnjëherë s’janë kujtuar për të. Portali TeSheshi ua sjell portretin më detajet që pakkush i di për jetën dhe veprën e aktorit rugovas…

 Nga: Jeton Llapashtica

 Prishtinë – Mustaqet i janë rritur goxha shumë, flokë nuk ka fare, ndërsa mjekra që tashmë është thinjur pothuajse e tëra ka kohë që është bërë pjesë e pandashme e tij. Siç thotë edhe vetë, atë e heq vetëm kur i kërkohet për ndonjë rol të veçantë.

Nëse nuk e njeh, në pamje të parë të lë përshtypjen e një malësori që tërë jetën e tij ia ka kushtuar “jetës në fshat” – bagëtisë e bujqësisë, porse ka “zbritur” që qytet për t’i bërë disa pazare dhe për t`u kthyer prapë në vendin e tij. Por pak kohë pasi nisë biseda bindesh për të kundërtën.

Në fakt, aktori Çun Lajçi edhe është malësor. Bir malësori.

“Kam lindur në fshatin Drelaj më 18 dhjetor 1946. Drelaj është një fshat i vogël, nuk i ka pasur kurrë mbi njëzet shtëpi, në Rugovën e mesme, është në kilometrin e shtatëmbëdhjetë. E vetmja xhami atje është në Drelaj, të gjitha fshatrat e Rugovës e kanë vetëm këtë xhami”, fillon rrëfimin e tij aktori kosovar.

Një vit pasi kishte lindur, në Kosovë kishte mbretëruar ajo që njihet si kriza e bukës – kishte mungesë totale të drithërave ndërsa pushteti i atëhershëm ua grabiste qytetarëve edhe sasinë më të vogël të misrit. Ai nuk mund të flasë për fëmijërinë e tij e mos ta rrëfen tregimin se si nëna e tij, që ishte bijë e Martinajve të Malit të Zi, në një ditë dhjetori, ku siç thotë ai, bora ishte mbi një metër, kishte udhëtuar në këmbë nga Rugova për në Martinaj, së bashku me djalin njëvjeçar, të cilin e mbante në djep të varur në shpinë, për ta marrë një thes me drith, e të cilin, më pas duke u rikthyer në shtëpi ia kishte marrë xhandarmëria serbe, në kufirin me Kosovën, tek pikëkalimi ia atëhershëm në Çarkorr.

Njeriu, i cili më vonë do të bëhet sinonim i teatrit dhe filmit, shkollimin fillor e kishte nisur në shkollën e fshatit të tij, ku thotë se kishte mësuar të gjitha lëndët, dhe kishte qenë njëri nga nxënësit më të mirë.

Cun Lajçi_brenda_3a

I riu Çun Qorraj “konvertohet” në Çun Lajçi

Me të mbaruar shkollën fillore “Përparimi”, ku kishte shkuar me një vit vonesë, Lajçi, që sot është pensionist, kishte marrë rrugën për në Prizren, ku, në atë kohë jetonte vëllai i tij, falë përkrahjes të së cilit ai kishte filluar mësimin në shkollën normale të asaj kohe, ku siç kujton vetë aktori, ishte shkolluar së bashku me ish-kryetarin e Prizrenit, politikanin Eqrem Kryeziu, me të cilin, për pesë vjet rresh ishin shpallur si nxënësit më të mirë.

“Unë gjatë shkollimit fillor jam quajtur Çun Qorraj, të gjithë vëllezërit quheshin Qorraj. Unë shkoi në Prizren në Shkollën Normale, atëherë kjo shkollë ka qenë gjysmë fakulteti, ka pasur provim pranues. Dal nga provimi, shkoi tek vëllai, kthehem të nesërmen, e shikojë listën, a e kam dhënë provimin. E shohë atje një Çun Ali Lajçi. Se shohë Qorraj askund, hy tek drejtori, ka qenë serb, edhe ai në gjuhën serbe më thotë urdhëro, unë se dija gjuhën sepse ne rugovasit nuk kemi lejuar kurrë të futet gjuha serbe në trojet tona, por i them ‘ja Çun Qorraj’. Ai po e shikon atje listën, më pyeti nga jam, për datëlindje dhe për emrin e babës. Më thotë po ti more je ai Çun Lajçi. Po i them, si more unë, kam ardhur si Çun Qorraj këtu? Unë nuk e di se si ka rrjedhur kjo që të gjithë fëmijët Qorraj, baba Lajçi, edhe unë kisha qenë me këtë mbiemër në certifikatë lindje, por se kam shikuar kur e kam marrë. Edhe sot të gjithë thirren Qorraj pos meje”, tregon ai.

Në këtë shkollë, aktori Lajçi kishte nisur karrierën e tij artistike, që në një farë mënyre ishte bërë pa vetëdijen e tij.

“Këto pesë vjet i konsideroj shumë të rëndësishme në jetën time. Pse? Një, sepse zbres nga mali dhe qytetërohem. Prizreni nënkupton qytetërim, edhe pse prizrenasit janë anadollakë, e kanë një lidhje me Anadollin, në shpirt janë zotërinj”, thotë ai, duke kujtuar se shkollimin e mesëm e kishte përfunduar në vitin 1968.

Si nxënës i kësaj shkolle të mesme, Çun Lajçi, në cilësinë e aktorit amator kishte marrë pjesë në shfaqjen e parë teatrale, atë për heroin Bajram Curri. Meqenëse i binte lahutës, atij i ishte dhënë roli i heroit, i cili, pasi e këndon një këngë, vritet në Shpellën e Dragobisë. Lajçi më pas me lahutën që e kishte trashëgim nga babai i tij kishte incizuar dhjetë këngë në Radio Prishtinën e atëhershme.

Niset ta studiojë Psikologjinë, përfundon në Aktrim

Teksa kujton ditët e veçanta të jetës së tij, që herë pas here përcillen me mimika specifike në fytyrën e tij, Lajçi që sot është prind i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze, tregon se si u bë që të filloj studimet për art dramatik.

Në kohën kur kishte përfunduar shkollimin e mesën në Prizren, nipi i tij, shkrimtari i madh, Azem Shkreli, ishte drejtor i Teatrit të atëhershëm – sot Teatri Kombëtar i Kosovës.

“Pas përfundimit të shkollës normale nuk desha ta regjistrojë artin dramatik. Mirëpo ne e luajtëm këtu (në Prishtinë) atë shfaqjen e shkollës, atë për Bajram Currin e cila ishte problematike për kohën, sepse ishte një skenë dreqi. Para se të vdes Bajram Curri e nxjerr ngadalë-dale flamurin kombëtar nga gjoksi, për këtë arsye ishte burgosë grupi i parë atje në shkollën normale të Prizrenit. Ne nuk u burgosëm se e nxorëm vetëm një cep të flamurit, pra atë të kuqe, jo edhe pjesën ku shihet shqiponja e zezë. Si do qoftë këtë shfaqje e kishte parë Azem Shkreli”, kujton ai.

Ishte viti 1969, ndërsa ai kishte udhëtuar nga fshati i tij për në Prishtinë, por ishte ndalë tek motra e tij, në Zahaç të Pejës për ta kaluar një natë.

“Në mëngjes u zgjova edhe erdha në Prishtinë me dokumente me vete. Doja ta vizitoja nipin tim, Azemin, dhe të konsultohem me të për studime. Të gjitha notat në të gjitha lëndët i kisha pesa, dhe nuk dija kah ta orientoja vetën. Vi në teatër dhe i them nipit kam ardhur të konsultohem me ty çfarë të studioj, shumë dëshirë të madhe kam të shkojë në Sarajevë e ta studiojë Psikologjinë, këtu s’kishte degë të Psikologjisë. Tha, a e di çka? Shko ti, mi le dokumentet këtu dhe kur të thërras unë ti eja këtu, e unë të regjistrojë në Studio të Dramës. Se kisha idenë se çka është drama”, thotë ai.

Në atë kohë, Shkreli e kishte hapur Studion e Dramës, e cila vepronte në kuadër të Teatrit dhe e cila më vonë ishte shndërruar në Shkollën e Lartë Pedagogjike – Dega e Dramës, dhe që më pas ishte shndërruar në Akademinë e sotshme të Arteve.

“Në atë shkollë të Lartë Pedagogjike pati studiuar Bekim Fehmiu, Faruk Begolli, e shumë të tjerë”, sqaron Lajçi.

Drejtori i Teatrit, Azem Shkrelaj, ishte nga fshati Shkelaj, që gjendet përtej fshatit Drelaj. Babai i tij, siç e kujton aktori Lajçi, ishte një plak i respektuar i kohës. Ai udhëtonte herë pas here, ndërsa, ndalej në familjen e Lajçit për të pushuar një natë.

Ishte pikërisht ky plak i cili i kishte thënë të riut të asaj kohe, Çun Lajçi, që të shkojë tek Azemi në Prishtinë ngase të ka thirrur. E atë ditë që Lajçi kishte ardhur në Prishtinë kishte pasur provim pranues, ku siç kujton ai, kishte takuar Sabri Fejzullahun, Ibrahim Krajkovën e Rasim Thaçin, ndërsa Adem Mikullovci ishte një gjeneratë para tij.

“Shkoj tek motra në Bllagajë, zgjohem në mëngjes. E kisha një çantë të librave e cila e kishte vetëm një patentë (zinxhir), ka qenë e plastikës. E mbushi unë kumbulla, sepse s’kisha çka të blejë të ha. Dal në stacion të trenit dhe vij me tren. Në provim pranues e kisha një recitim dhe një këngë”, kujton ai, duke shtuar se kumbullat që i kishte “bukë të gojës” ia kishin marrë Sabri Fejzullahu dhe Ibrahim Krajkova. Fejzullahu ishte pranuar për studime, por jo edhe Krajkova dhe Thaçi.

Cun Lajçi_Ballina a

Puna në Teatër, shërbimi ushtarak, martesa

Lajçi tashmë ishte student. Por me t`u kthyer në fshat ishte përballur me një sfidë – si t’iu tregojë prindërve se çfarë ka regjistruar, kur jo vetëm ata, por as ky vet nuk dinte si ta shpjegonte, ngase, siç thotë vetë, ishte një lloj gjysmë-analfabeti në raport dramën, teatrin, aktrimin.

“Iu thashë diçka kështu si Ansambli Rugova. Këndoj ju thash, edhe kërcej. Eh, mirë, mirë më than. Me kaq u mbyll kjo çështje, dhe ata kanë vdekur e kanë shkuar dhe nuk e kanë ditur se unë jam artist”, kujton ai.

Pak kohë pasi kishte nisur studimet, aktori, për të cilin sot mund të thuhet se ka luajtur në qindra role dhe shfaqje teatrale, kishte marrë pjesë në shfaqjen e parë, tashmë, pas asaj që e kishte dhënë dikur për Bajram Currin, bëhet fjalë për shfaqjen “Halili dhe Hajrija”, në të cilën ai dhe kolegu i tij i atëhershëm, Isa Qosja, ishin angazhuar nga regjisori shkupjan  Qemajl Ajdini.

Dy vite pas regjistrimit në Studio të Dramës së Teatrit, gjegjësisht në vitin 1971, Lajçi do t’i përfundonte studimet, ndërkaq, po atë vit do të pranohej në punë me vendim të përhershëm, në teatrin Teatri Krahinor, siç quhej atëherë, ndërkaq, në vendim i shkruante se ka përvojë njëvjeçare në teatër.

Ndërkohë që ishte duke punuar në Teatër, aktorit kosovar i kishte ardhur ftesa për të shkuar në shërbimin ushtarak, ndërsa Ohri i Maqedonisë ishte vendi në të cilin ishte paraparë që ta kryej këtë obligim shtetëror – siç është quajtur atëherë.

“Në vitin 1972 e jap shfaqjen “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, e kisha marrë lahutën me vete, me rrobat e teatrit, ato të shfaqjes edhe hipi në tren e shkoi për Beograd, edhe shkoj në katundin e Vuk Karagjiçit. Në çdo vjet në nëntor në fshatin e tij mblidheshin lahutarët më të mëdhenj të ish-Jugosllavisë. Ishte manifestim i madh sikurse tek ne një kohë që mbaheshin herë në Klinë herë në Drenas festivale të rapsodëve”, tregon ai, duke shtuar se ftesën për pjesëmarrje në festivalin e Lahutës e kishte para se t’i vinte ftesa për ushtri.

Sapo kishte përfunduar pjesëmarrjen në këtë festival, kishte marrë rrugën për në Ohër, për të kryer shërbimin ushtarak, ndërkaq, rrobat dhe lahutën i kishte nisur me postë në adresë të Teatrit, në mënyrë që t’i ketë aty pasi ta përfundojë shërbimin ushtarak.

Fillimisht kishte shkuar në Ohër, ku kishte qëndruar gjashtë muaj, në një qendër ku stërviteshin Dhjetarët, siç janë quajtur atëherë grupet e vogla me ushtarë dhe një udhëheqës, më pas, siç tregon ai, falë lidhjes së mirë që kishte drejtori i atëhershëm i Teatrit, Azem Shkreli, me një major serb, arrihet që Lajçi të transferohet në Shkup ku do të shërbente si postier i ushtrisë, duke lëvizur nga një qytet në tjetrin, brenda ish-Jugosllavisë. Edhe aty, siç kujton ai, nuk ka qëndruar gjatë, madje është lëshuar dy muaj para kohe me kërkesë të Teatrit, ngase, nevojitej të merrte pjesë në shfaqjen “Shtetrrethimi”.

Viti i parë pas shërbimit ushtarak do ta kalon duke punuar në Teatër, ndërsa duke fjetur në zyrën e drejtorit, siç thotë ai, në një kanape, mbështjellë me një batanije.

Dhe pastaj, Lajçi do të martohej me Fatime Sefajn, me të cilën ishte njohur më herët. Atë botë ajo ishte punëtore e Teatrit, siç thotë Lajçi, e pranuar në punë nga ushtruesi i detyrës së drejtorit, Shani Pallaska. Pas martesës, çifti Lajçi kishte nisur jetën në një banesë në Prishtinë në vitin 1976, ndërsa në vitin 1982 do ta kenë fëmijën e parë.
Lajçi: Më 1995 më largoi Stojanoviçi, më 2011 Krasniqi

“Prej tetarit nuk kam lëvizur kurrë deri në vitin 1993. Në vitin 1991 e bëmë ‘Lahutën e Malësisë” me Hazir Miftarin, në atë kasetën e vogël (audio-kasetë). E kishim një ftesë të shkojmë në Amerikë t’i japim disa shfaqje. Këtu ka qenë një drejtor serb, dhe ne shkuam atje. Ai në ndërkohë e ka marrë vesh se kemi shkuar dhe na largon nga puna, dhe kur u kthyem e kuptuam këtë, bëmë ankesa, gjyqi na ktheu dhe e vazhduam punën me një ndërprerje dyvjeçare deri në vitin 1995”, tregon aktori rugovas.

Mirëpo, në këtë vit aktori rugovas kishte marrë një ofertë nga Tirana, për të luajtur në filmin “Koloneli Bunker”, ofertë të cilës i ishte përgjigjur pozitivisht, në kundërshtim të plotë dhe kacafytje me drejtorin e Teatrit, mbiemri i të cilit ishte Stojanoviç, gjë që rezultojë me largimin përfundimtar të tij nga puna.

“Ai me dekret më nxori prej punës mua, ma nxori nga puna gruan time që punonte gjithashtu në Teatër, e nxori Sabri Fejzullahun, Agim Sopin me grua, Fadil Hysen. Ne të gjithë ishim të pakëndshëm për pushtetin”, thotë Lajçi

Nga ky vit Lajçi kurrë më nuk do të kthehet në vendin e tij të punës si punëtor i rregullt. Pas përfundimit të luftës së Kosovës ai kishte bërë përpjekje që të kthehet dhe të bëhet pjesë e ansamblit të këtij institucioni, por një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

“Fati që nuk zgjati shumë, Liraku (Lirak Çelaj, ish-drejtor i Teatrit Kombëtar) iku dhe erdhi Teki Dervishi. Ai më angazhoi nonstop, por jo në rrogë, sepse i vinte keq të më jepte 150 euro, po thoshte eja me honorarë dhe mi jepte nga tremijë euro për shfaqje, një shfaqje e bëja, nuk kishte më shumë aty”, tregon ai.

Kështu kishte zgjatur deri në fillim të vitit 2011, kur ishte bërë ministër i Kulturës, Memli Krasniqi. Çun Lajçi e kujton njërin nga momentet më të vështira të jetës së tij, atë kur ishte përpjekur të kthehet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ndërsa për arsye, që siç thotë vetë as sot e kësaj dite nuk i di, Krasniqi, kishte refuzuar që ta kthej atë në punë, pavarësisht se kishte edhe disa vite para pensionimit.

“Kur erdhi ky ministër, i kthyen në punë, por mua nuk më kthyen. Më tha drejtoresha e re e Teatrit, Burbuqe Berisha, më nuk mund të paguaj me honorare por dua të kthej në punë, sepse, tash do ta bëjmë ansamblin. I thash, të faleminderit shumë. Por, më tha pasha Perëndinë duhet të flasësh me ministrin se diçka nuk është puna mirë, nuk po të lakojnë për mirë. Pastaj, unë e takova ministrin, i thash ku është çështja more burrë i dheut, pse s’po më kthen. Tha: ti nuk kthehesh, je i vjetër. I thash: po si more, po një njeri që ka punuar në një institucion, edhe nëse i kanë mbetur dy muaj para pensionimit duhet ta kthesh. Si do të më nxjerrësh në pension, nga rruga? Tha: jo nuk kthehesh kurrë. Pastaj, është një rregull, Shani Pallaskën kur e kemi nxjerrë në pension i kemi bërë shfaqje, pastaj ia kanë dhënë gjashtë rrogat e fundit të rritura”, shprehet i zhgënjyer ai.

Megjithatë, ministri Krasniqi nuk kishte kaluar lehtë në këtë “bisedë” me Lajçin. Ai thotë se më pas i ka thënë atij se nëpërmjet një postimi në Facebook do ta bënë publike faktin se në vitin 1995 e kishte nxjerrë nga puna Stojanoviçi, ndërsa në vitin 2011 Krasniqi.

Cun Lajçi_brenda_1a

Adem Jashari me pushkë, Çun Lajçi me art!

Që nga viti 1995 ai ishte i papunë, ndërsa ekzistencën e siguronte duke marrë pjesë nëpër mbrëmje dhe festivale të ndryshme, ku interpretonte kryesisht Oso Kukën nga Lahuta e Malësisë, i shoqëruar nga Azem Shkreli dhe Ali Podrimja, të cilët interpretonin poezi të tyre dhe monologë nga autor të tjerë.

Audio-kaseta që përmbante pjesë nga Lahuta e Malësisë tashmë ishte bërë e njohur dhe pëlqyer nga masa, ndërkaq, të njëjtin interpretim e kishte dhënë nëpër organizime të ndryshme, kryesisht në diasporë.

Por, padyshim, interpretimi që ka bërë bujë jashtëzakonisht të madhe është monologu “I kujt është ky plis”, që i kushtohej rënies së heroit Adem Jashari. Ky interpretim i shkruar nga vet artisti jepej në kohën kur Kosova ishte në prag të luftës dhe gjatë saj, ndërsa aktori paraqitej me rroba të shkoqura, me një plis dhe një “grusht” dhe të Kosovës.

Fillimisht ky monolog ishte dhënë në vitin 1998 në “Pallatin e Kongreseve” në Tiranë, kohë kjo gjatë së cilës aktori ishte vendosur me familje në një banesë me qira, për t’u rikthyer sërish në Prishtinë pas një kohe.

“Mesazhi ka qenë, një grusht dhe e morra nga Kulla e Jasharjave dhe ua solla, sepse më tha Hamzë Jashari, shko lyp ku ka e ku s’ka burra dhe thuaji kthehuni o të mjerë se sot i duheni Kosovës, nesër do të jetë vonë. Dhe iu thotë, kalova shtatëdhjeteshtatë kodra, ua solla, ja ku e keni plisin, ja ku e keni dheun që e latë të digjet, dhe ju ikët, i futët kokat në strajcë që ta shpëtoni vetën”, shprehet i emocionuar Lajçi.

“Ishte koha e ikjeve, vërtetë. Kjo ishte aq prekëse, aq frymëzuese sa s’ka më. I bëmë njëqindegjashtë koncerte në të gjitha qytetet evropiane për periudhën 1998 – 2000, pra dy vjet rresht”, shton ai.

Por, edhe më e veçantë është se si ishte krijuar teksti i monologut në fjalë.

“Në vitin 1998 unë po vrapoja, ta mbaja shëndetin tim nëpër malet e Gërmisë edhe e thurja tekstin: hej, kush iu tha se unë kam vdekë, jo unë vetëm vrapova fushave të Dukagjinit që të shoh se si digjen kullat e gurit, që të shoh se si qëndrojnë lisat e plisat! E kisha një imazh timin për qëndresën e Adem Jasharit, sepse, përgatitesha, e dija që do të kallet tërësisht Kosova. Dhe unë e kisha krijuar këtë imazhin tim, dua ta ngjallë Adem Jasharin, nuk dua ta ligështojë popullin, dua t’i them popullit tim mos vajtoni se Ademi është gjallë, prandaj teksti është i tillë!”, tregon ai, duke kujtuar se si njëherë gjatë vrapimit dhe interpretimit ashtu sikur kur flet me vetveten dikush e kishte ndalur duke i thënë që ti po përgatitë diçka, por nuk kishte guxuar t’i thoshte se po përgatitë monologun në fjalë.

Aq mirë ishte pritur monologu i tij, sa që ishin të paktë ata qytetar që tanimë jovetëm nuk e njihnin aktorin, por edhe e falënderonin për diçka të tillë.

“Ajo e morri dhenë, sa që kur kthehem unë, ka qenë korriku 1998, më kujtohet sikur sot, ka qenë ‘Hani i dy roberëtve” tek vendi i quajtur Santea. Hy unë me gruan time, vrapon një vajzë me kaçurrela, i thotë gruas sime ikë, largohu, se dua ta përqafojë burrin e s’po më intereson që je gruaja e tij. E të më gjuhet mua përqafe, e përqaf e përqaf. Ajo ishte Vlora Çitaku”, kujton ai.

Një rast tjetër, siç tregon aktori, ishte takimi në Prishtinë me, tashmë historianin e ndjerë, Muhamet Pirraku, i cili, pasi e kishte ndalë në rrugë për ta përshëndetur i kishte thënë se ti, Ilir Shaqiri me një këngë, dhe Shkurte Fejza gjithashtu me një këngë na i keni mbajtur shpirtrat gjallë, dhe se kemi jetuar me shpresën e vargjeve tua.

Artisti i madh i injoruar tërësisht nga shteti!

Rugovasi që sot jeton në kushte jo të mira ekonomike, me të hyrat e tij nga pensioni,  paga e gruas, dhe paraqitjet e rralla në ndonjë rol filmik, është personi më i përbuzur nga të gjitha pushtetet dhe institucionet e deritashme në vend.

Përderisa asnjëri nga presidentët, kryeministrat dhe ministrat e deritashëm të Kulturës nuk e kanë vrarë mendjen për t’i ndarë një çmim për punën e tij artistike, të kundërtën e kanë bërë institucionet e Shqipërisë.

Në vitet e 90-ta atij i ishte dhënë nënshtetësia dhe pasaporta shqiptare me dekret nga ish-presidenti i dikurshëm, Sali Berisha, ndërsa së voni, ish-presidenti tjetër, Bamir Topi, e kishte nderuar me medaljen “Urdhri i Naim Frashërit”.

Gjatë rrëfimit të gjatë për jetën e tij ai kujton vitin 1971 kur kishte marrë shpërblimin më të madh jugosllav për interpretimin tek Kaligula e Kamysë, dhe vitin 1972 kur për interpretimin e mrekullueshëm në shfaqjen e Hamletit gjithashtu e kishte marrë shpërblimin më të madh të asaj kohe.

Ai kujton gjithashtu se si një ditë gjatë qëndrimit në Amerikë, ku kishte shkuar për nder të 100-vjetorit të “Vatrës” kishte komunikuar me presidenten “online” nëpërmjet Facebook-ut. Ndërsa i kishte thënë asaj se ka gabuar kur në vend se ta falënderon ish-presidentin shqiptar, Bamir Topi, për dekoratën që i ka dhënë, i ka thënë atij “se më i lumtur do të ishte sikur kjo të jepej nga presidentja e shtetit të tij”, ndërsa ajo iu kishte përgjigjur se dekoratat meritohen, nuk kërkohen. Pas kësaj, ai kujton se e ka mbyllur komunikimin me presidenten, duke i thënë asaj se nuk është duke e kuptuar esencën, dhe njëkohësisht duke e fshirë atë nga lista e miqve të tij në Facebook.

“I kam dy fëmijë, vajzë e djalë. Ata nuk bëjnë asgjë, janë të papunë. Vajza  Bubulina Lajçi është aktore, ka luajtur në disa filma, djali Learti, e ka përfunduar Fakultetin Teknik, në punë nuk është askund. Vajza është aktore e mirë, por nuk e angazhojnë. A e di kush të merr në teatër, në teatër mua për shembull më merr Ekrem Kryeziu, Agim Sopi, asnjë regjisor tjetër nuk më marrin. Ky është tmerri. Nuk të merr kush sepse nuk i intereson askujt me bë mirë, as cilësia, i intereson vetëm me ble aktor sa më lirë. Edhe nuk duan të kenë krijues brenda vetës së vet, por duan të kenë njerëz të dëgjueshëm”, thekson ai.

Lajçi është i njohur si kritik i pushtetit, veprim të cilin ai e bënë kryesisht nëpërmjet interpretimeve të tija, por gjithashtu edhe për kritika të drejtpërdrejta për komunitetin e politikës.

E kjo me gjasë është duke i kushtuar.

“Nganjëherë kur konfrontohesh me shtetin nuk është mirë, ta mbajnë në mend dhe të shtinë në listë të zezë”, thotë ai.

“Më patë thënë Adem Demaçi, bëhu burrë i mirë, edhe thuaju të vërtetën në sy, por përgatitu mirë se do të mbesësh vetëm gjithë jetën, nëse je ekonomikisht dobët, mos e thuaj se jetë për bukë goje, sepse, nuk ta duron njerëzit tonë të vërtetën se i dhemb, a burrë i mirë s’do të mbesësh kurrë nëse të përkëdhelin edhe ta qesin dorën rreth qafës”, shprehet Lajçi.Cun Lajçi_Ballina a

 “Enklava”, projekti i fundit filmik, ku luan Lajçi

Aktori që një jetë të tërë e ka kaluar nëpër skena teatrosh si dhe duke luajtur role prej më të ndryshme filmike, thotë se rolin më të mirë në jetë e ka pasur në serialin vendor, “Spitaliks”, ku e ka e ka luajtur prindin e pronarit të spitalit – një baba i lazdruar që kurrë nuk bëhej rehat.

“E kam pasur rolin më të mirë, bile e kam pasur një rol shumë të përshtatshëm për karakterin tim që ma kanë lakmuar shumë veta”, thotë ai, duke kujtuar një rast kur një qytetar i kishte thënë t’i kam përcjell të gjitha rolet, por asnjë më të mirë se këtë nuk e ke pasur.

Sidoqoftë, pavarësisht nga aftësitë dhe karriera e tij, Lajçi thotë tash e një vit nuk është i angazhuar askund, ndërsa projekti i fundit ku ka qenë i angazhuar është filmi serb “Enklava” të regjisorit Goran Radovanoviç, i cili është gjiruar nëpër vende të ndryshme në Serbi. Në këtë film siç tregon aktori, luajnë aktorët më të mëdhenj të ish-Jugosllavisë, ndërsa ngjarja zhvillohet në fshatin me shumicë serbe, Osojan, në Kosovë në vitin 1999 – 2000. Aty Lajçi e luan rolin e një gjyshi të cilit ia kanë vrarë djalin në luftën e Kosovës. Ai e marton nipin, sepse kështu i kishte premtuar të birit të tij, bënë dasmë, kalon nëpër enklavën serbe, qet me pushkë, aty shihen vetëm pleq serb që nuk e kanë braktisur Kosovën.

Skenari i këtij filmi që është realizuar nga francezët, gjermanët dhe serbët, dhe  është shpërblyer në festivalin e KANIT, ndërsa premiera e filmit do të jepet me 4 mars në festivalin më të madh ndërkombëtar të filmit që do të jepet në Beograd.

“Për këtë film jam paguar shumë mirë, jo mirë por shumë mirë. Ndoshta dhjetë herë më mirë sesa që më paguajnë në Kosovë. Ata, të trajtojnë, kur kanë interesa, edhe kur ke vlera artistike, të çmojnë jashtë mase. Edhe kam pasur aq tretman të mirë sa nganjëherë thosha, ej unë s’jam Bekimi (Bekim Fehmiu)”, kujton ai.

Kur artisti thumbon politikën, dihet epilogu!

“Prej se kam filluar t’i bëjë disa reagime në rrjetin tim social, duke ua përkujtuar edhe presidentes edhe kryeministrit shumë çështje, më janë mbyll edhe më shumë dyert”, thotë ai.

“Presidentja nuk ka krye që ta vlerësojë artin. Jam takuar me të në datëlindje të Pacollit, e kam një foto në telefon me të, më herët desha ta fshij. Ajo nuk ka fond të vetin që e di veprimtarinë e dikujt, dhe t’i thotë këshilltarëve të vet pse nuk ma kandidoni filan fistekun për t’i ndarë një çmim. Të gjitha kandidimet vijnë nga ministria e Kulturës”, thotë ai.

Aktori, që duket se s’mund të rrijë pa folur – atëherë kur duhet të flitet, thotë se Azem Vllasi në kohën komuniste dhe Ibrahim Rugova në historinë demokratike të Kosovës, janë dy politikanët, kalibrin e të cilëve nuk do ta kenë kurrë më kosovarët. E për ish-kryeministrin Hashim Thaçi, ka tjetër tregim.

“Unë ende e ruaj statusin tim që e kam bërë në Facebook. I thash zoti kryeministër delet e Bubavecit u gëzuan aq shumë kur ua përqafove qengjin, dhe kur ua lëshove edhe më shumë u gëzuan. Është çështja e gjarprit që nuk e preve qengjin sepse, ti je kasap, prandaj, aq shumë u gëzuan sa që vendosën që edhe për katër vite t’i japin kokrrat”, kujton ai.

Bile, Lajçi ende e ka të freskët në kujtesën e tij, një telefonatë gjatë fushatës zgjedhore të vitit të kaluar, kur ishte thirrur nga kryeministri i atëhershëm, Thaçi, që të mbajë një fjalim gjatë fushatës së tij në Pejë, ku kishte premtuar se kjo zonë do të bëhet komunë.

Ai iu kishte përgjigjur pozitivisht Thaçit, por monologun e kishte shkruar, dhe më pas recituar, fund e krye kritik, siç thotë ai, duke e bërë përrallë, sa që në një vend i kishte thënë “mos premto qiell e diell se Rugova ta lidhë premtimin në palcën e dhëmbit, në dritën e syrit, po u tërhoqe, tmerrësisht të dhemb”.

“I kam dy fëmijë, vajzë e djalë. Ata nuk bëjnë asgjë, janë të papunë. Vajzën Bubulina Lajçi e kam me aktrimin, ka luajtur në disa filma, djali Learti, e ka përfunduar Fakultetin Teknik, në punë nuk është askund. Nganjëherë kur konfrontohesh me shtetin nuk është mirë, ta mbajnë në mend dhe të shtinë në listë të zezë”, thotë ai.

 Cun Lajçi_brenda_5 a

Azem Shreli e Bekim Fehmiu në kujtesën e Lajçit

Njëri nga momentet më të pakëndshme në jetën e aktorit Çun Lajçi ishte dita kur sapo kishte marrë lajmin se ka ndërruar jetë Azem Shkreli – sapo kishte mbërrit nga Gjermania në Aeroportin e Prishtinës.
”Azemi ka qenë dy mandate drejtor i Teatrit, dhe më pas dhjetë vite si drejtor i Kosova Filmit, këto njëzet vite do të mbahen mend mirë. Azemi ka vdekur në vitin 1997, kam qenë me Sabri Fejzullahun në shtëpinë e Edona Llalloshit, po rrinim me babën e Edonës, po pinim dhe po luanim letra. Kur më thirr gruaja, thotë eja se vdiq Azemi. Pata ndjerë shumë dhembje për të, atëherë dhe sot. Kurrë nuk pajtohem që ai nuk është gjallë”, kujton Lajçi.

Rugovasi thotë se aktori më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave mbetet Bekim Fehmiu, të cilin e kishte takuar për herë të parë në vitin 1969, në kohën sa Fehmiu ishte në Prishtinë ndërsa Lajçi ishte student. Ai thotë vdekja e tij e ka tronditur, ndërsa vlerëson se Abdurrahman Shala është aktori i dytë shqiptar, më i madhi pas Fehmiut.

“Merrem shumë me poezi. Shkruaj, kam botuar një vepër e kam të botuar në Californi, në një shtëpi botuese e ka bërë. E kam vetëm një ekzemplarë që ma kanë dërguar. Është në internet ‘Zjarr i pashuar’, kushton gjashtëmbëdhjetë dollar, mund të blihet në Evropë nëpër të gjitha libraritë, ose nëse do mund ta blesh online”

Por, pavarësisht nga gjithë kjo karrierë e suksesshme, aktori i madh kosovar tashmë jeton në kushte të rënda ekonomike.

Ai merr një pension prej njëqindedyzet eurove, të cilat, së bashku me treqind eurove, sa është paga e gruas së tij, përbëjnë të hyrat e vetme në familjen katëranëtarshe .

Por, si ia del Çun Lajçi ta mbyllë muajin?

“I merr njëqindedyzet euro, edhe tash njëqindedyzet mijë gajle të futen në  kokë se si do t’ia dalësh me to. Kurrqysh nuk ia del, gruaja na mbanë me 300 euro që i merr pagë, por edhe me do kredita ajo e shkretë, paguaj andej, paguaj këndej. Në fakt, asnjëri s’jeton, jo Çuni, por asnjë pensionist s’jeton me pension nëse nuk i ndihmon dikush. Është fati që më ndihmojnë të afërmit kapak, për ndryshe, do të mbetsha si qeni i cofun”, shprehet ai./TeSheshi.com/

Related posts