Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Arti i një mbishkrimi: pak rreshta dhe shumë histori!

Nga Roald A. Hysa

Jo shumë kohë më parë faqet e para të shtypit, titujt kryesorë të radiove dhe televizorëve dhe i gjithë interneti u mor me mbishkrimin e Sulejmanit të Madhërishëm në Kalanë e Lezhës, ku normalisht ai mbishkrim tregonte një datë. Ashtu siç pritet shiriti i një vepre madhështore dhe ruhet si një relike, ashtu edhe mbishkrimet janë në një farë mënyre shiriti që ruan një histori të caktuar. Mbishkrimi i një pllake të vogël në sipërfaqe, një pllakë e gdhendur në gur. Një mbishkrim  që përmban pak rreshta, por shumë histori. Një pjesë e madhe e historisë së Tiranës ruhet pikërisht në këto mbishkrime dhe falë përpjekjes të disa njerëzve të shquar ato kanë arritur të mbijetojnë. Mbishkrime që kanë arritur të plota deri në ditët e sotme dhe që gjenden në objektet e kultit janë në xhaminë e Et’hem beut dhe në xhaminë e Kokonozit në Pazarin e Ri. Ndërkaq shumë të tjerë u shuan dhe u zhdukën, por për fat disa prej tyre i gjejmë të ruajtur nëpër libra e revista e falë osmanistëve si Osman Myderrizi, Zyber Bakiu, Vexhi Buharaja, Rauf Fico shpëtoi një pjesë e mirë e historisë shqiptare e gdhendur në gur, apo në vargjet e bejtexhinjve shqiptarë. Datën e themelimit të Tiranës ia dedikojmë kryesisht diplomatit të shquar dhe njohës shumë i mirë i gjuhëve klasike të orientit dhe i pajisur gjithashtu me një kulturë të gjerë e të jashtëzakonshme Rauf Ficos.

portali ethem be

Ky fakt na tregohet në një nga numrat e revistës Kultura Islame, ku na jepen tri data të rëndësishme për xhaminë e Sulejman Pashës, ku data e parë na intereson, sepse sipas të gjithë studiuesve kjo datë është marrë si data themeluese e Tiranës si qytet. Data e parë është e mbarimit të xhamisë dhe në mbishkrim zakonisht ishte krijuar si traditë, ku përmes disa vargjeve ku përmendej porositësi i xhamisë e lavdërohej Zoti e puna e bamirësit, pra sponsorit, ndër to fshihej edhe data. Sipas shkruesit në shprehjen “Hajri Sulejman Ja Hu”, ku në bazë të një përllogaritje matematike të quajtur ebxhed del viti hënor 1024, apo viti diellor 1614, ndërsa data e mbarimit të minares del nga po një frazë e ngjashme rreth 35 vite më pas. Në një shënim tjetër gjejmë edhe datën e themelimit të Xhamisë së Karapicit, e cila është ndërtuar nga tregtarët tiranas dhe data e saj është e fshehur në një rresht të mbishkrimit, i cili në shqip pak a shumë thotë: “tregtarët e ndërtuan këtë xhami të bukur”, dhe nga përllogaritja e sistemit ebxhed del data e vitit hënor 1258-diellor 1858. Ngjashëm me fraza të tilla dhe në bazë të përllogaritjes me sistemin ebxhed dalin datat e themelimit të punimeve nga Lutfi Molla Beu dhe mbarimit të punimeve nga Haxhi Et’hem Beu të Xhamisë së Et’hem Beut, xhamisë ikonë të Tiranës.

haxhijasa

Karakteristikë e xhamive monumentale ka qenë se ato mbi hyrjet në vende të dukshme kanë të vendosura kronogramet apo mbishkrime, ku sipas përllogaritjes së germave nxirrej data e nisjes së punimeve. Në këto mbishkrime përmendej emri i porositësit dhe sipas rastit edhe autori i këtij mbishkrimi. Në vetvete ato janë forma të larta arti, ku përfshihen njëkohësisht poezia, kaligrafia, gdhendja dhe përllogaritjet arithmetike, ku në një varg të caktuar sipas sistemit ebxhed fshihej viti i themelimit të objektit të ndërtuar. Numrat ebxhed janë një sistem dhjetor numrash në të cilin 28 germave të alfabetit arab i jepen vlera numerike të caktuara. Në disa shembuj të arkitekturës osmane ne i gjejmë datat nëpër ndërtesa, duke deshifruar vargun e fundit të një poezie të vendosur me mbishkrim në ndërtesë nëpërmjet sistemit ebxhed. Kjo fjalë vjen nga arabishtja dhe përbëhet nga germat A-B-G-D, duke nënkuptuar alfabetin.

Gjithashtu kjo nënkuptonte si shprehje edhe fillimin e mësimit të fëmijës në mejtep apo fillore. Nga ndërtimet e hershme mund të përmendim këtu xhaminë në kështjellën e Vlorës, ku nga mbishkrimi marrim vesh se porositësit janë shejh Jakub efendiu dhe sulltan Sulejmani, ndërsa viti 1542/43 del nga rreshti i fundit i këtij mbishkrimi, i cili në shqip tingëllon kështu: Mësoje që xhamia që kemi afër është drita e Perëndisë. Po ashtu mësojmë edhe autorin e këtij mbishkrimi Hasbiu. Po ashtu nga mbishkrimi mbi portën e xhamisë së Haxhi Et’hem beut marrim vesh se emri i autorit të këtij mbishkrimi ka qenë Suziu (Suzi Ahmed efendiu nga Sivasi i Anadollit). Autori i mbishkrimit të Kullës së Sahatit në Elbasan ka qenë Refik beu nga Stambolli, ndërsa i xhamisë së Ballies ka qenë Lealiu nga Manastiri (Leali Hasan efendiu dijetar po nga ky qytet). Mbishkrime të tilla gjehen në të gjitha ndërtesat e rëndësishme të qytetit dhe jo vetëm të xhamisë, gjë që e bën një tipar karakteristik të përgjithshëm.

Si mund të shihet janë disa forma arti të përfshira në një pllakë guri, e cila nuk ze vend më shumë se një gjysmë metri katror. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts