728 x 90 Leaderboard

20 shkurti 1991: kur PD-ja nuk përgëzoi rrëzimin e shtatores së Enverit

Rrëzimi i shtatores së Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991 përbën një akt shumë të rëndësishëm në rrëzimin e kultit të udhëheqësit, por, në të vërtetë, shkërmoqja e bronzit gjigand të diktatorit komunist u kthye në copa diktatorësh të vegjël, që u shpërndanë në çdo parti e qelizë të shoqërisë, duke e infektuar përfundimisht sistemin e ri politik me virusin enverhoxhian.

Mbetja si një akt “jetim” i këtij aksioni të rëndësishëm erdhi dhe si rezultat i braktisjes totale nga politika. Partia më e re në vend, Partia Demokratike, nuk mbajti asnjë qëndrim ndaj rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, duke krijuar një vakum të ndjeshëm e duke u dhënë udhë njëkohësisht teorive të ndryshme konspirative.

Ndërkaq, ana tjetër e medaljes politike, Partia Socialiste, nuk ekzistonte në këtë variant, por në të mëhershmin, kur Ramiz Alia bënte edhe presidentin e të gjithëve, edhe liderin e komunistëve shqiptarë. Dhe nuk bëhej fjalë për rrëzimin e përmendores në aspektin fizik, por për një çlirim të rëndësishëm politik. Kjo pasi Ramiz Alia, edhe pse hoqi bulonin e poshtëm në këmbët e shtatores së Enverit dhe shmangu një përplasje civile, e ndau shoqërinë, duke i quajtur huliganë dhe të tmerrshëm ata që e rrëzuan shtatoren e Enverit.

Përndryshe, Partia Demokratike, ndonëse brenda vetes mund të jetë gëzuar për rrëzimin e bustit të Enverit, nuk e ktheu këtë akt në një qëndrim të pastër politik, duke i shtënë në dilemë jo vetëm mbështetësit e saj të shumtë, por edhe vetë historinë 20-vjeçare të Shqipërisë.

PD-ja u shmang nga çdo aktivitet, madje në disa qytete të vendit ku degët e saj kishin krijuar traditën e refleksioneve, si debate publike me qytetarët dhe intelektualët, ato u anuluan me urdhër nga lart.

 Po ç’ndodhi në fundshkurtin e 1991-shit?

Një grup i gjerë studentësh dhe pedagogësh jo të përfshirë në udhëheqjen e Partisë Demokratike hynë në grevë urie në shkurtin e 1991-shit, duke kërkuar heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës dhe depolitizimin tërësor të arsimit të lartë, por edhe të policisë dhe ushtrisë.

Organizatorja e grevës ishte shoqata “Fan Noli”, e drejtuar nga Shinasi Rama, kurse zëdhënës publik i saj, që e bëri dhe të njohur, ishte Blendi Gonxhe.

Greva pati shumë ndikim në publik, aq sa krijoi një reagim zinxhir të qytetarëve. Një pjesë e madhe e tyre i përkrahën studentët, dhe më 20 shkurt në mëngjes dolën në shesh për të protestuar, e për të rrëzuar më pas shtatoren e Enver Hoxhës, e cila ndodhej në sheshin “Skënderbej”.

Sindikatat, që sapo kishin dalë si formacion socialo-politik pranë PD-së, ishin të vetmet që u shprehën për këtë çështje. Megjithatë, përkrahja popullore ishte e madhe, por, nga ana tjetër, idhtarët e Enverit ishin të gatshëm për të marrë ndonjë sinjal nga lart.

Tre pjesëtarë të forcave speciale, me nga një qen në duar, qëllonin me plumba manovër ndërsa gjendeshin rreth bustit. Por pas pak do të tërhiqeshin.

Në mesditën e 20 shkurtit, në transmetim të drejtpërdrejtë radiofonik, shtatorja e diktatorit komunisthqdefault rrëzohet dhe copëtohet në bulevard.

Njerëzit e lidhin dhe e çojnë në “Qytetin Studenti” për t’ua dërguar grevistëve, me mërinë e mbledhur prej vitesh të shfryrë mbi diktatorin e bronztë.

Por menjëherë ndërhyn politika për të shkatërruar dhe devijuar gjithçka. Ramiz Alia thërret udhëheqjen komuniste dhe vendos juridikisht heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës. Në të njëjtë kohë, i nxit ekstremistët të reagojnë. Në shumë qytete të vendit “vullnetarët e Enverit” bëjnë thirrje për “varje e prerje”, duke krijuar një atmosferë linçimi. Një delegacion shkon te Ramizi, të cilin e quan tradhtar, dhe ky i fundit merr pozitën e zgjidhësit të situatës.

Në Akademinë Ushtarake, që kishte ende emrin e Enver Hoxhës, një grup pedagogësh, ndërmjet të cilëve edhe presidenti i sotëm, Bujar Nishani, kërkojnë vendosjen e shtatores së Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej”. Situata tensionohet tej mase, dhe një numër qytetarësh shkojnë tek Shkolla e Bashkuar dhe u kërkojnë kadetëve të mos i prishin proceset. Në vijim, gjendja përshkallëzohet, e kërcasin armët. U fol atëherë për të vrarë, por kurrë nuk u bë një hetim. Pranë grevistëve shkojnë edhe përfaqësues të opozitës, të prirë nga Neritan Ceka.

Ndërkaq, Ramiz Alia shkrin presidiumin që drejtonte, pra, të vetmin institucion legjitim në vend, dhe formon “Këshillin Presidencial”, një organ ekstraligjor, pjesë të të cilit i bën dhe intelektualë si Rexhep Meidani dhe Fatos Nano. Largon qeverinë “Çarçani”, dhe emëron kryeministër Fatos Nanon, e zëvendëskryeministër Shkëlqim Canin.

Të tjerat që ndodhën më pas dihen… Për të ardhur sot tek një klasë politike që nuk thotë të vërtetën për ngjarjet më kulmore historike. Dhe 20 shkurti ishte një ngjarje e tillë, por që u braktis me dashje nga politika. /tesheshi.com/

Related posts