Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka thënë për Politico se varri i ish-presidentit jugosllav Josip Broz Tito nuk do të zhvendoset nga Muzeu i Jugosllavisë dhe se “Tito do të mbetet pjesë e historisë serbe dhe jugosllave”.
Në një intervistë për Politico, të cilën e transmeton RTS, Vuçiç ka theksuar se zhvendosja e varrit të ish-presidentit të RSFJ-së Jugosllavisë nuk do të ndodhë.
“Nuk kam qenë asnjëherë adhurues i madh i komunistëve dhe regjimit komunist, por Josip Broz është pjesë e historisë sonë, ai ka jetuar këtu dhe është varrosur këtu dhe do të mbetet pjesë e historisë serbe dhe jugosllave”, tha Vuçiç.
Iniciativa e Shapiçit
Kryetari i Beogradit, Aleksandar Shapiç, në seancën e fundit të Kuvendit të qytetit njoftoi se do të nisë një iniciativë për zhvendosjen e varrit të Josip Broz Titos nga Beogradi, si dhe për ngritjen e monumentit aty të komandantit çetnik të Luftës së Dytë Botërore, Drazha Mihailović.
Politico e përshkruan Titon si një “titan të historisë jugosllave” dhe se rrugët në Sarajevë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Slloveni mbajnë ende emrin e Titos, madje edhe rrugë në vende të tilla si Algjeria, Brazili dhe Egjipti apo vende të BE-së si Franca dhe Italia. /tesheshi.com/