Kryeministri Edi Rama e pohoi me gojën e tij qartë e prerë, vendimin kontravers për themelimin e të ashtuquajturit “Vatikan bektashi” në Shqipëri, pra një minishtet disahektarësh brenda shtetit, për një urdhër pa ndonjë peshë përcaktuese qoftë në sferën politike apo te jetës publike.
Ai e tha këtë në një fjalim të tij në Asamblenë e OKB-se në Neë York, në “Samitin për të Ardhmen”.
Po pse?
Pseja e Ramës ishte tejet romantike për t’u besuar se është pikërisht arsyeja që ai thotë dhe diç tjetër që vjen era projekt izraelito-amerikan me qitje të afërt e të largët.
“Mbështesim transformimin e Urdhërit Bektashi si një qendër e re moderimi e bashkëjetese të paqtë”(!!!). Po pse, pa këtë urdhër, ku ka çeduar bashkëjetesa?!
Ai përdori krejt pa lidhje kartën e “Nënë Terezës” në arsyetimin pa fije arsye logjike mbi shtetin bektashi, duke justifikuar me naivitet fëminor një trill politik, pas së cilit dallohet djallëzia tipike politike e tij.
“Shqipëria po kështu i ka dhënë botës shenjtoren më të re, Nënë Tereza, jeta e së cilës ka mishëruar dashurinë për njerëzimin. Na ka kujtuar se jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Ky është parimi të cilit i qëndron Shqipëria dhe kjo është ajo me të cilën rrekemi të veprojmë e ky është burimi i frymëzimit tonë, për të mbështetur transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit tonë, Tiranës, si një qendër e re moderimi, tolerance e bashkëjetese të paqtë!”.
Tjetra që ra në sy në fjalimin e tij, ishte futja e familjeve të krishtera krahas atyre muslimane në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.
“Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u shndërrua në të vetmin vend në Europë që kishte më shumë hebrenj pas lufte, se sa para saj. Komuniteti hebre u rrit 20-fish gjatë Holokaustit falë familjeve muslilmane e të krishtere, që i mbrojtën nga nazistët”, tha Rama, duke trukuar kështu historinë, pasi mbrojtja e hebrenjve ka ndodhur nga familje tipike muslimane, si vijim i një tradite historike islame, ku ndërsa hebrenjtë persekutoheshin nga të krishterët, ishin muslimanët ata që i merrnin në mbrojtje. /tesheshi.com/