Një studim i kohëve të fundit nga Universiteti i Oregonit zbuloi se më shumë se 3,500 lloje kafshësh, nga koralet te zogjtë e deri te balenat me gungë, janë të kërcënuara nga ndryshimet klimatike.
Ndryshimi i klimës i kërcënon këto specie me pasoja potencialisht shkatërruese për funksionimin e ekosistemeve, paralajmëruan shkencëtarët në një studim të botuar në revistën BioScience.
Ekspertët arritën në të dhënat mbi kërcënimin pasi studiuan pothuajse 71,000 specie, por ata theksuan se numri i specieve të rrezikuara mund të jetë shumë më i lartë, pasi ato që u morën në konsideratë në hulumtimin e tyre përfaqësojnë vetëm 5.5 përqind të të gjitha kategorive të njohura.
“Deri më tani, shkaku kryesor i humbjes së biodiversitetit ka qenë shfrytëzimi i tepërt i mjedisit ose modifikimi i habitatit, dhe tani ndryshimi i klimës po shfaqet si një shkak i tretë”, paralajmëroi koordinatori i kërkimit William Ripple.
Speciet e rrezikuara
Shkencëtarët kanë deklaruar se është e nevojshme të përcaktohet numri i specieve të kafshëve të rrezikuara edhe më saktë, në mënyrë që të bëhen plane për politika adekuate mbi biodiversitetin dhe krizën klimatike, raporton agjencia Ansa.
Hulumtimi tregoi se jovertebrorët detarë janë më të rrezikuarit për shkak të aftësisë së tyre të kufizuar për të lëvizur shpejt dhe për t’u përshtatur me kushtet e pafavorshme.
Si shembull merret fakti që popullata e molusqeve përgjatë bregdetit të Palestinës është ulur deri në 90 përqind për shkak të rritjes së temperaturave të detit, si dhe se një valë e nxehtësisë e vitit 2021 në Paqësorin veriperëndimor vrau miliarda organizma të vegjël, ndërsa në vitin 2016, 29 përqind e popullatës së koraleve në Australi vdiq për të njëjtën arsye.
Pasojat e ngrohjes globale janë ndjerë edhe nga shumë kafshë të tjera, me katër milionë zogj që ngordhën nga uria në Amerikën e Veriut në vitet 2015 dhe 2016, dhe 7,000 balena me gungë në Paqësorin e Veriut që ngordhën për shkak të nxehtësisë ekstreme. /tesheshi.com/