Gjakmarrja vazhdon të jetë një nga problemet më të mëdha me të cilën përballet shoqëria e Kosovës. Shumë raste të gjakmarrjes kanë ndodhur, por nuk ka statistika zyrtare për këtë çështje. Një gjë tjetër shqetësuese është mungesa e një iniciative të organizuar për pajtimin e familjeve që janë në gjak dhe në hasmëri.
Edhe pse një iniciativë e tillë ekzistonte në vitet 1990-1992, ku u pajtuan me qindra familje, aktualisht mungon një iniçiativë e tillë. Duke marrë parasysh sistemin e vlerave në shoqërinë Kosovës, është e domosdoshme krijimi i një iniciative, e prirë nga njerëz që kanë kredibilitet dhe prestigj në shoqëri për pajtimin e gjaqeve dhe hasmërive ndërmjet familjeve.
Gjakmarrja ka pasoja të mëdha për tërë familjen, por në veçanti për fëmijët të cilët rritën jashtë agjenteve kryesore të socializmit, si shkolla, grupmoshat etj. Ndërsa rrezikohen të mbesin analfabet dhe më vonë të kenë vështirësi që të integrohen në shoqëri.
Aktualisht në Kosovë një rol pozitiv në pajtimin e gjaqeve, po luajnë imamët e xhamive. Në bazë të rasteve që janë bërë publike, vetëm në vitin 2014 e deri më tani, janë falur 11 gjaqe me iniciativën e imamëve dhe personaliteteve publike. Por ka pasur raste të bashkëpunimit ndërfetar për faljen e gjaqeve.
Me iniciativë të imamëve dhe priftërinjve si dhe personaliteteve tjera, në vitin 2012 familja Thaqi nga Gllogjani i Pejës ka falur gjakun e 5 anëtarëve të saj.
Por ka edhe plotë raste që familjet janë në gjak që nga paslufta dhe nuk ka arritur askush që t’i pajtojë. Familja Elshani dhe Kelmendi nga Peja janë në hasmëri që nga viti 2000, ku gjithçka kishte filluar pas një zënke. Deri më tani janë vrarë 14 meshkuj të këtyre familjeve, ndërsa kanë pësuar edhe njerëz të tjerë që kanë qenë në shoqëri të viktimave, apo kalimtar të rastit. Edhe pse disa herë ka pasur iniciativa që të pajtohen këto dy familje, një gjë e tillë nuk është arritur.
Këto për faktin se familjet publikisht nuk e pranojnë që janë duke marrë hak ndaj njëra-tjetrës, për t’i ikur përgjegjësisë penale, por gjithë opinioni në Pejë, por edhe në gjithë Kosovën e dinë të vërtetën e këtyre vrasjeve. Ndërsa policia thotë se janë duke i hetuar këto raste.
Por ç`thotë sociologu?
Alber Mecini, sociolog dhe asistent në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, ka thënë për tesheshi.com se krijimi i një iniciative të ngjashme me atë të viteve 90-ta do mund të ndikonte pozitivisht në disa drejtime. “Ky ndikim do të ishte sepse familjet e hasmëruara, së pari do ta kishin një mundësi të përjetimit të ndjenjës së çlirimit shpirtëror nga dhembjet e përjetuara, me ç’rast për ta do të ishte fillim i një realiteti të ri, që nënkupton vazhdimin e jetës dhe aktivitetit shoqëror në kushte normale.
Së dyti, iniciativa e pajtimit potencialisht do t’i kontribuonte një ndryshimi social aq të dëshirueshëm, ngase jemi të vetëdijshëm për vështirësitë ekonomike dhe sociale nëpër të cilat po kalojmë, prandaj kërkohet një zgjim kolektiv. Por ky zgjim do shkas dhe mobilizim, e me gjasë, kur krahasojmë efektet dhe ndryshimet sociale të pajtimit të gjaqeve në vitet e 90-ta, atëherë mund të shpresojmë për një zgjim të dytë qytetarë që do t’i kontribuonte përmirësimit të gjendjes së përgjithshme shoqërore.
Së treti, dhe çka është më e rëndësishmja, parandalimi i hakmarrjeve, ngase shtrirja e dorës së pajtimit përveç që është akt sublim-madhor, shpëton jetë”, thotë Mecini.
Ai thotë se është e domosdoshme krijimi i një iniciative për pajtimin e gjaqeve dhe se në Kosovë ka personalitete të shumta që kanë prestigj dhe respekt në shoqëri dhe që do të mund ta udhëhiqnin apo të bëheshin pjesë e kësaj iniciative. Mecini thotë se një rol dhe kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim do mund ta luante edhe kleri fetar, gjithnjë duke pasur parasysh karakterin religjioz të një pjese të madhe të shoqërisë sonë.
“Duke marrë parasysh që shoqëria e Kosovës karakterizohet nga një sistem tradicional i vlerave, askush më mirë nuk do mund ta menaxhonte dhe drejtonte iniciativën e pajtimit sesa organizimi i familjeve të mëdha me kontribut kombëtar, (familja Jashari, Pajaziti, Haradinaj) etj.
E mbështes dhe do ta kisha preferuar këtë zgjidhje për arsye se prestigji, kapitali social, dhe kaluara historike mund të luajnë një rol të rëndësishëm në masivizimin e kësaj iniciative”, theksoi sociologu Mecini.
Koha e artë e pajtimeve – të falësh për hir të atdheut
Kosova kishte përjetuar iniciativën më të madhe të faljes së gjaqeve në vitet e 90’ta. Më konkretisht me 2 shkurt 1990 u krijua iniciativa e madhe. Njerëzit në atë kohë në krye me prof. Anton Çetën, i cili bashkë me qindra ekipe profesorësh, studentësh, gazetarë, hoxhallarë e priftërinj, aktivistë, këngëtarë e poetë, pajtonin popullin, pajtonin ata që deri dje ishin armiq, për t’u bërë miq e vëllezër. Ndërsa motivi kryesor i faljes së gjaqeve ishte të falësh për hir të atdheut.
Duhet theksuar se jehonë të madhe pati Kuvendi i mbajtur në 80-vjetorin e “Verrave të Llukës” në Dubovik, afër Deçanit më 1 Maj 1990 edhe pse vendi ishte i rrethuar nga okupatori jugosllav. Në këtë tubim morën pjesë rreth 500 mijë veta, ku u arritën 106 pajtime: 62 gjaqe, 25 plagë dhe 19 ngatërresa. Por menjëherë pas përfundimit të kuvendit filloi shpërndarja e njerëzve, të cilët hasën në forcat e armatosura jugosllave, ku u rrahën dhe u burgosën shumë të rinj.
Në këtë rast nga duar të policisë u vra edhe Josef Pellaros-i gazetari i Agjencisë amerikane. Pas kësaj kohe nuk u lejuan më të mbahen tubime të hapura, por ato prapëseprapë filluan të mbahen nëpër oda të mbyllura.
Mirëpo, me 4 Maj 1990 në Kuvendin e mbajtur në Prishtinë, te vendi i quajtur “Bunari i Hajratit”, edhe pse ishin të rrethuar nga policia, prapë arritën të mblidhen rreth 200 mijë veta e u falën qindra gjaqe dhe hasmëri. Pra kjo iniciativë po i pengonte regjimit serb, të cilët dëshironin që shqiptarët të vriteshin mes vete.
Sipas librave të pajtimit të Këshillave Rajonale e Komunale të Lëvizjes 1990 – 1992, gjatë periudhës së Lëvizjes për Faljen e Gjaqeve, Plagëve dhe Ngatëresave, u arritën rreth 2952 pajtime apo falje, ku kemi: 1230 gjaqe, 542 plagë dhe 1180 ngatërresa. Ky numër nuk është edhe i saktë, për shkak se disa persona të cilët kishin bërë faljen e gjaqeve nuk kishin dëshirë që emrat e tyre të bëhen publike, kështu që një pjesë e dokumentacionit është e humbur dhe nuk mund të dihet numri i saktë i faljeve, sepse shumë veprimtarë i kishin djegur dokumentacionet për të mos rënë në duar të policisë dhe ushtrisë jugosllave.
Disa raste të faljes së gjaqeve në vitin e fundit
Me 7 shkurt 2014, vetëm 9 ditë pas vdekjes së Astrit Sylës, i cili u vra në shkollën teknike “Arkitekt Sinani” u bë falja e gjakut nga familja Syla. Falja e gjakut u bë në xhaminë e fshatit Shipol të Mitrovicës. Në këtë pajtim nuk mungoi as kryeimami i Bashkësisë Islame në Kosovë Naim Tërnava, kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri.
Me 23 korrik 2014 pas plotë 18 vitesh, familja Bunjaku nga Samadrexha, i fal gjakun familjes Rashica. Pajtimi mes këtyre dy familjeve është bërë në Vushtrri, në praninë e 500 qytetarëve dhe përfaqësuesve të Këshillit të Pajtimit. Nismëtar të këtij pajtimi ishin imami i “Xhamisë së Çarshisë”, Bedri Halili dhe Ukishin Beqiri.
Me 27 korrik 2014 në xhaminë e Shipolit në Mitrovicë, imami Fatmir Latifi, pajtoi tri familje shqiptare në armiqësi për shkak të konfliktit që kishin pasur, ku kishte pasur edhe të plagosur.
Me 8 gusht 2014 familja Nici ia ka falë gjakun familjes Ramandani. Ceremonia e faljes është organizuar gjatë varrimit të të ndjerit, në varrezat e qytetit në Shipol të Mitroviçës. I ndjeri pati ndërruar jetë pas shtypjes me autobus. Kjo falje e gjakut është bërë me iniciativën e Mulla Asllanit dhe imamit Fatmir Latifi, që të dy nga Mitrovica.
Me 4 tetor 2014 Në prani të shumë burrave të fshatit Shalë janë pajtuar familja Drenica me familjen Shala, djali i të çilës është vrarë nga shoku i tij.
Me 24 tetor 2014, familja Aliu ia ka falur gjakun e djalit familjes Lami ditën e varrimit. I ndjeri ishte aksidentuar, duke u goditur me veturë nga Skënder Lami, i fshatit Gack, Komuna e Ferizajt.
Me 21 nëntor 2014, familja Lalinovci nga Prelezi i Ferizajt i fali gjakun e djalit (i cili kishte ndërruar jetë në aksident) familjes Elezi nga fshati Elezaj, Kaçanikut.
Me 20 dhjetor 2014 një konflikt 10 vjeçar mes dy familjeve në Kosovë u mbyll me shtrirjen e dorës së pajtimit. Pas 10 vitesh, familja Fana nga Sllatina e Poshtme e Vitisë i fali gjakun e djalit familjes Lamaj nga Semaja e Kaçanikut. Një vrasje e ndodhur në vitin 2004 nuk ngujoi vetëm dorasen, e cila vuan dënimin me burg, por ngujoi gjithë familjen. Në faljen e gjakut meritor ishte imami Milaim Fazliu nga Kaçaniku.
Me 1 shkurt 2015 janë pajtuar familja Bekteshi nga Hajvalia dhe familja Halimi nga Bakshia e Obiliqit. Pesë vitet e hasmërisë ishin shumë të vështira. Por, gjithçka mori fund të dielën në Xhaminë e Obiliqit. Pajtesa e këtyre dy familjeve u ndërmjetësua nga dy imamët e dy fshatrave.
Me 10 shkurt 2015 Besim Berisha ia ka falur gjakun e djalit familjes së dëshmorit, Ymer Shala në Jeshkovë të Prizrenit. Pajtimi i tyre është arrit si rezultat i angazhimit të Këshillit të Pajtimit të prirë nga Fetah Bekolli, Zafir Berisha, Florim Islamaj, Agim Mackaj, Mehmet Shala dhe Hoxha i fshatit Malësi e Vërrinit, Samedim Mackaj.
Falja e fundit ishte me 11 mars 2015, ku familja e Asoticit ia ka falur gjakun familjes Mulaku nga Kaçaniku. Profesori i Fakultetit për Studime Islame, Dr. Musa Vila dhe Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit Rufki Suma, ishin shkaktarët e një pajtimi mes dy familjeve që ishin në hasmëri mes vete.
Me 26 dhjetor 2012 Familja Thaqi nga Gllogjani i Pejes, e cila ka humbur pesë anëtarë të familjes në një aksident trafiku ia ka falur gjakun familjes Sefsalihu nga Gjakova. Iniciatorë të këtij pajtimi ishin udhëheqësit fetarë të të dy feve, hoxhallarët mulla Osman Musliu nga Drenasi dhe mulla Munir Salkurti nga Gjakova, famullitarët don Kelmendi e don Frani, si dhe kryetari i komunës së Gjakovës Dr.Pal Lekaj. /tesheshi.com/