Anija shfaqet e shtrirë përmbys në ujë, e mbuluar me mushama të mëdha blu, ndërsa një pjesë e saj është jashtë ujit, në tokë.
Sipas një deklarate nga agjencia shtetërore e lajmeve KCNA, autoritetet kanë nisur një hetim zyrtar mbi incidentin, të cilin udhëheqësi i vendit e përshkroi si një “akt kriminal”. I njëjti burim raporton se nuk ka informacione për të lënduar apo humbje nga aksidenti që ndodhi të enjten.
KCNA minimizoi seriozitetin e incidentit, duke deklaruar se “dëmi nuk ishte serioz” dhe sqaroi se “nuk ka vrima në fund të anijes”. Sipas njoftimit, ana e djathtë e shkatërruesit pësoi gërvishtje dhe një sasi e vogël uji hyri në pjesën e pasme.
Drejtori i kantierit detar, Hong Gil Ho, është thirrur nga autoritetet për shpjegime. Riparimi i dëmeve vlerësohet të zgjasë rreth dhjetë ditë.
Gjatë deklaratës së tij të enjten, Kim Jong Un fajësoi neglizhencën dhe tha se ata që janë përgjegjës do të mbahen përgjegjës.
Aksidenti ndodhi disa javë pas prezantimit të shkatërruesit të ri 5,000 tonësh “Choe Hyon”, të cilin Koreja e Veriut e përshkroi si një arritje teknologjike dhe që pritej të hynte në shërbim operativ në fillim të vitit të ardhshëm. /tesheshi.com/