Studentët e kanë fituar betëjën e parë në përpjekje për të shfuqizuar ligjin për Arsimin e Lartë, me të cilin ata do t’duhet ti nënshtrohen të ashtuquajturit “Provim Shtetëror” pas mbarimit të vitit të dytë dhe të katërt të studimeve, sepse thonë ata, qeveria me ligjin në fjalë cënon autonominë e universitetit.
Ministra e Arsimit dhe Shkencës pranoi propozimin që takimi i parë për reformat në arsimin e lartë të mbahet në territorin e Universitetit siç kërkuan studentët. Është dakorduar që, të enjten në Rektoratin e Univerzitetit “Cirili dhe Metodi’ në Shkup, të takohen përfaqësuesit e plenumit të studentëve dhe profesorëve me ata të ministrisë për arsim.
“Arritja e qëllimit që negociatat të zhvillohen në fushë tonë, paraqet triumf për studentët, por me një betejë nuk fitohet lufta!”, ka dekaruar Denis Ismaili në emër të studentëve.
Prej 9 ditësh, studentët e Universitetit ‘Cirili dhe Metodi’ në Shkup, janë në një grevë, duke okupuar kështu hapësirat e disa fakulteteve të cilat i kanë shpallur dhe zona autonome, në të cilat qëndrojnë 24 orë, ndërsa kohën e kalojnë me debate dhe forma tjera interaktive.