Të ashtuquajturat “Bomba” të përgjimeve në Maqedoni, kanë sjellë mes tjerash dëshmi për manipulim të procesit zgjedhor, për të cilin lideri opozitar Zoran Zaev, tha se është bërë në mënyrë të organizuar nga shteti.
Në një nga bisedat telefonike, në të cilën opozita pretendon të jetë ministrja e brendshme Gordana Jankullovska, dëgjohet konfirmimi i saj se në banesa prej 40 metra katrorë në Shkup janë vendosur nga 50 njerëz nga Pusteci i Shqipërisë të cilëve MPB u ka dhënë letërnjoftime jolegale për të votuar në Maqedoni, strategji kjo, sipas Jankullovskës, e dakorduar me kryeministrin Gruevski.
Në një bisedë tjetër të publikuar mes Jankulloskës dhe shefit të kabinetit të kryeministrit, Martin Protuger, ata tallen me fatet e maqedonasve të Pustecit duke ju vënë epitete si: “njerëz të vegjël”, “palaço”, ndërsa i krahasojnë me aktorët e cirkut “Medrano”.
Zaev paralajmëroi se krime zgjedhore do të dëgjohen dhe në të ardhmen, ndërkohë paraaljmëroi se shpalosja e përgjimeve të radhës, do të mbahet në sallën e koncerteve të qytetit./tesheshi.com/