Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Shpresa dhe zhgënjimi i Pjetër Arbnorit (1992- 1996, dy fjalime ekselente të një personaliteti të historisë dhe politikës shqiptare)

Përgatiti: Luljeta Progni

“Pas gjysmë shekulli harrese nga bota, ne i kthyem sytë nga Zoti dhe Zoti na pa me dritën e vet”, është një ndër fjalitë domethënëse të deputetit Pjetër Arbnori në seancën e parë të kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992. Në atë fjalim, Pjetër Abnroi përcjell shpresën e madhe për një Shqipëri demokratike që po projektohej në Kuvendin e dytë pluralist në Shqipëri.

Pjetër Arbnori nuk jeton prej korrikut të vitit 2006. Ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë prej vitit 1992 deri në vitin 2005.

U zgjodh kryetar i Kuvendit pas zgjedhjeve të vitit 1992 si dhe pas atyre të majit të vitit 1996. Ai është simboli i vuajtjeve në burgjet komuniste. Është cilësuar si “Mandela i Ballkanit”, pasi kaloi 28 vite të jetës së tij në burgjet komuniste.

Si  një simbol i rezistencës kundër komunizimit, Arbnori u zgjodh të drejtonte seancën e partë të kuvendit më 4 prill të vitit 1992. I mbushur me shpresë për një rrugë të re që kishte hyrë Shqipëria, Arbnori flet me besim për një të ardhme drejt demokracisë duke e vlerësuar si mjaft të rëndësishëm momentin e parë të ndërrimit të sistemit pa gjakderdhje. “ Populli ynë u tregua i pjekur, i matur dhe e kaloi këtë pikë kthese me një qetësi të admirueshme. Kjo qe fitorja e të gjithëve, edhe e atyre që kujtonin se kanë humbur. Shpejt ata do ta kuptojnë se ka diell për të gjithë, se do të jenë më të lirë në demokraci sesa në regjimin e vet, mjaft që t’i nënshtrohen Ligjit dhe të mos kërkojnë privilegje”, thotë ndër të tjera Abnori. Më poshte botohet fjala e Pjetër Arbnorit në seancën e kuvendit më 04.04.1992.

 

Zonja dhe zotërinj,  Të nderuar të ftuar,

Nderin e madh për të hapur punimet e parlamentit të Parë Demokratik të pasluftës, unë nuk e quaj se më bëhet mua, por të gjithë demokratëve që kanë vuajtur burgjeve, internimeve e mërgimeve, të gjithë të përndjekurve, të gjithë martirëve të epokës më të errët që kaloi atdheu ynë.

 Në emër të nënave e motrave tona, që jetuan me trishtim, në emër të fëmijëve tanë të rritur me të keq, falënderoj demonstruesit e parë, falënderoj studentët që dhanë shkëndijën e demokracisë.

 22 marsi qe një festë e trefishtë. Erdhi pranvera, erdhi demokracia dhe pas një thatësire të gjatë reshi një shi i butë, i bekuar që këndelli bimësinë në fushë e në mal, duke shpëlarë njëherësh edhe murtajën komuniste. Pas gjysmë shekulli harrese nga bota, ne i kthyem sytë nga Zoti dhe Zoti na pa me dritën e vet.

Pas fitores së madhe të demokracisë asgjë e tmerrshme nuk ndodhi, asgjë nuk do të ndodhë. Populli ynë u tregua i pjekur, i matur dhe e kaloi këtë pikë kthese me një qetësi të admirueshme. Kjo qe fitorja e të gjithëve, edhe e atyre që kujtonin se kanë humbur. Shpejt ata do ta kuptojnë se ka diell për të gjithë, se do të jenë më të lirë në demokraci sesa në regjimin e vet, mjaft që t’i nënshtrohen Ligjit dhe të mos kërkojnë privilegje.

Nuk ka ndodhur më kot që kombi shqiptar ka mbijetuar në shekuj. Shpirti i tij i madh ka ditur t’i bëjë ballë me durimin e Jovit sëmundjeve të njëpasnjëshme dhe të dalë i ripërtërirë. Le t’i vërtetojmë botës se jemi një komb që meriton të përkrahet pas një paralize të gjatë. Evropa dhe bota e qytetëruar do të shikojnë se sa shpejt do t’i heqim patericat dhe do të ecim në një hap me to. Populli ynë nuk është lypës, ai ka nder dhe dinjitet.

Atij nuk i ka munguar zelli për punë. I ka munguar vetëm liria. Parlamentit tonë i bie barra që në vend të antishtetit të ndërtojë një shtet juridik, një shtet ku dimensionet e lirisë njerëzore të përputhen me kartën e Helsinkit dhe të Parisit. Parlamenti duhet të udhëhiqet nga toleranca, kundër ndjenjës së hakmarrjes, kundër revanshit. Mjaft nëna janë veshur me të zeza deri sot. Duhet të punojmë që rrobat e zisë të mos i veshin nënat e tjera. Është fat i madh që parlamenti i parë demokratik është i larmishëm, është fat edhe më i madh që në parlament ekziston një opozitë.

Do të ishte fatkeqësi kombëtare që partia fitimtare t’i merrte të gjitha votat, të mbetej pa kundërshtarë. Atëherë ajo do të ishte kundërshtare e vetvetes. Opozita duhet të luajë rolin e pasqyrës ndaj partisë së shumicës. Sa më e lëmuar të jetë pasqyra, aq më besnik do të jetë shëmbëllimi. Kjo është në dobi të të dyja palëve. Kështu dhe opozita mund të ndihmojë konkretisht që Parlamenti të ecë në rrugë të mbarë për të mirën e kombit dhe të demokracisë.

Parlamenti ynë duhet të ecë me traditën demokratike të periudhës së 1920-1924, në vazhdën e demokratëve të mëdhenj Noli, Gurakuqi e Prishtina, të ecë në traditën e demokracive të mëdha perëndimore, që kanë provuar se liria dhe përparimi janë një binom i pandarë. I uroj Parlamentit të ri punë të mbarë në krijimin e shtetit juridik modern sipas standardeve të sotme, si kusht për të vendosur rendin dhe qetësinë për t’i hapur rrugën progresit ekonomik e shoqëror, bashkimit me Evropën, për të zgjidhur çështjen kombëtare në bazë të frymës së Helsinkit dhe të Parisit.

 

Paralajmërimi i Pjetër Arbnorit, 19 vite më parë për Shqipërinë e sotme ku korrupsioni është gangrenë e demokracia e rrezikuar

Katër vite më vonë, në seancën e parë parlamentare pas zgjedhjeve problematike të 26 majit 1996, Arbnori u rizgjodh kryetar i Kuvendit.  Në fjalimin e tij të parë pas rizgjedhjes, Arbnori foli me kritika ndaj qeverisë. Ishte një situatë kur sapo kishin përfunduar zgjedhjet parlamentare të kontestuara nga opozita por  edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Ato u cilësuan një hap mbrapa në drejtim të konsolidimit të shtetit ligjor.

Për këtë fitore të PD-së, Arbnori nuk ndukej aq entuziast.

 

Fjalimi i Pjetër Arbnorit në seancën e parë pas zgjedhjeve parlamentare të 26 majit  24.07.1996

Të nderuar deputete dhe deputetë!

Disa njerëz mund të mendojnë se meqë arritëm një fitore të madhe në zgjedhje Qeveria do ta ketë më të lehtë me partinë kryesore të opozitës. Ky do të ishte një naivitet shumë i madh. Nuk duhen nënvleftësuar kurrë mbi 300, 000 zgjedhës që votuan kundër alternativës sonë; veç kësaj, po përsëris, që Qeveria do të ketë kundër saj një parti edhe më të madhe se opozita dhe kjo do të jetë partia e atyre që nënvleftësojnë ligjet, e atyre që i anashkalojnë ligjet dhe atyre që thyejnë ligjet. Këta janë shumë më tepër se 300, 000 veta dhe që janë si në partinë e opozitës, ashtu edhe në partinë tonë. Mos të shkojmë më larg. Qindra deputetë kalonin çdo ditë, gjatë pesë vjetëve të kaluara, dhe e mbajnë mend lulishten e bukur që gjendej rrotull saj gjithë pemë dhe lule. Kishte vetëm një të keqe, ushtarë të armatosur me automatikë që rrethonin Parlamentin në çdo hap, duke ndaluar kalimtarët që të shijojnë gjelbërimin dhe hijet e bukura. Vetëm një kioskë ku u shiteshin hamburger deputetëve gjendej në këtë rrethim. U rrëzua diktatura, u vendos demokracia, përse duheshin gjithë këta kallashnikovë që të na ruanin? Deputeti nuk ka arsye se përse të ruhet. Nuk ka më anëtarë byroje dhe sekretarë të Komitetit Qendror. Ndër urdhrat e parë që dhashë kur u bëra Kryetar i Kuvendit Popullor ishte lirimi i lulishtes për të shëtitur pa pengesë qytetarët. Një rrethim tepër i ngushtë mbeti vetëm natën për ndërtesat. Befas u ngrit një kioskë. “Përse? – pyeta. Po që deputetët të hanë ndonjë ëmbëlsirë. E po, mirë, – u përgjigja. Me gjithë ato fjalë të hidhura që shkëmbehen në seanca, le të ëmbëlsohen pak”. U ngrit edhe një kioskë tjetër. “Përse? – pyeta. E, po, për akullore e pije. E, po, mirë. Meqë nxehen në seanca, le të freskohen pak”. Bëri pushimet Parlamenti dhe kur u kthyem, gjetëm të ngritura 4-5 kioska. Protestova. I kemi me leje na thanë, nga Bashkia, nga KRRT-ja, nga KKP-ja, e nga ku e di unë. I dërgova protestë zyrtare Bashkisë, KRRT-së dhe në vend të përgjigjes u gdhi e rrethuar 1/3 e lulishtes së Parlamentit, sepse do të ngrihej një xhami. U bë mbledhja e të gjithë kryetarëve të komisioneve dhe e kundërshtuam prerë. Kemi respekt për besimet, i përkrahim, por ne jemi shtet laik dhe nuk është logjike që te dera e Parlamentit të këndojë prifti apo hoxha. Kërcënova se do të vendos përsëri roja dhe ndërtuesit e hoqën rrethimin e llamarinave, po ndërkaq kioskistët vazhduan sulmet e natës duke rrethuar lulishten dhe Parlamentin me një mur të padepërtueshëm. Nuk mjaftoi kjo dhe firma gabi mu anash rrugës andej nga futen delegacionet e huaja në Parlament nderi, me mijëra rrecka të të gjitha markave dhe ngjyrave dhe hapi më të madhin treg arixhinjsh në Tiranë.

Protestat e mia u shtuan, sepse KRRT-ja tani mendon se kundër ligjit ka kompetencë të rrethojë një institucion të lartë dhe të shenjtë si Parlamenti, me gjithfarë karakatinash. Çfarë do të ndodhte sikur Kryeministria dhe ministritë e ndryshme të rrethoheshin me kioska? A do t’i lejonte njeri? Pra nuk na e rrethoi Parlamentin opozita e majtë, siç pati paralajmëruar për një demonstratë, ku nuk u mblodh asnjë njeri, por na e rrethoi Parlamentin një parti tjetër ryshfetxhinjsh, dallaveraxhinjsh, uzurpatorësh që i përkasin një superpartie interesaxhinjsh, ku futen tesera të kuqe, blu dhe të zeza dhe që po nuk i përmbajti Qeveria e re, jam i sigurt se do ta përmbysë më shpejt se e majta.

Mora shembull lulishten e Parlamentit, por e gjithë Shqipëria është shndërruar në një kantier ku ndërtohet me leje dhe pa leje, me pronë dhe pa pronë, me bekim apo me heshtje autoritetesh. Ligjet e mira nuk na vlejnë, po qe se komisionet përkatëse nuk marrin në dorë kontrollin e zbatimit të tyre.

 

Kritika për qeverinë Meksi

Kontrolli nuk është për të zënë ngushtë Qeverinë, po për ta ndihmuar atë. Të gjithë ankohen për korrupsionin, por për turp mund të them se asnjë padi madhore nuk është depozituar në Prokurori, madje ata që ankohen, paguajnë vetë ryshfet për marrë një certifikatë më shpejt, një leje më shpejt, një autorizim strehimi jashtë radhës. Ndërsa policët marrin gjoba për vete, qytetarët ankohen nëpër biseda, nëpër gazeta, por të rrallë janë ata që e ndjekin çështjen me kurajë qytetare deri në fund.

Opozita ka të drejtë të kritikojë dhe ka bërë mirë, duke vënë në dukje shumë sëmundje që duhen shëruar, por ajo duke mohuar punën e madhe të qeverisë në fusha të reformës dhe ndryshimet e mëdha pozitive na ka detyruar të lavdërohemi më tepër se duhet. Duhet të vëmë në dukje mungesat dhe të metat tona dhe kjo punë duhet bërë me guxim, së pari nga komisionet e ndryshme parlamentare që, po të jenë kurajoze, kanë kompetenca më tepër se sa pandehin.

Marrëdhëniet e Qeverisë me Parlamentin kanë qenë të pakënaqshme. Në shumicën e mbledhjeve të kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare, përfaqësuesi i Qeverisë nuk ka marrë pjesë ose pjesëmarrja e tij ka qenë jo aktive. Qeveria dhe ministritë duhet të kenë një program disamujor ose vjetor për projektligjet që po përgatiten. Duhet të caktojnë ato që duhen parë me përparësi dhe cilat jo. Çfarë ka ndodhur shpeshherë. Jam në mes të seancës dhe më thërrasin në telefon.

Zoti Kryetar, një marrëveshje kredie për 15 milionë dollarë nuk është miratuar nga Parlamenti. Sot i mbaron afati. Na digjen 15 milionë dollarë po nuk e miratuat. Kërkoj projektligjin dhe nuk është asgjëkundi. Kërcasin përsëri telefonat. Dikush lutet, dikush bën përgjegjës Parlamentin, dikush tjetër kërkon të të vërë në sedër. Lëshoj pe dhe kërkoj projektligjin dhe ai gjendet në një sirtar nëpunësi të mesëm, në një ministri dhe pret i fjetur, ndoshta prej 6 muajsh.

Jo një herë kanë ndodhur futje të tilla të ngutshme në rendin e ditës. Ilustrimi më i freskët ishte Marrëveshja me Gjermaninë për Aeroportin e Rinasit për 48 milionë marka. 3-4 ministra më kërkonin ndihmë dhe projektligji as që kishte ardhur, kur arriti marrëveshja, ishte e papërkthyer nga gjermanishtja. Kjo nuk është serioze.


/tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts