Igli Tare, ish-futbollist i kombëtares shqiptare, njëherësh ish-sulmues i Breshias me Roberto Baxhion dhe më pas i Lacios, si dhe ish-drejtor sportiv i lacialave, tashmë ka marrë drejtimin e Milanit të madh me të njëjtën detyrë, me premtimin se do rikthejë famën e dikurshme të këtij klubi italian.
Sakaq, një ndër dy vëllezërit e tij, Auron Tare, i ka cilësuar si hipokrite ca urime, duke mbetur vetëm këtu, pa e saktësuar se cilin, ku me gjasë aludon për atë të Ramës.
“Uau, Milani nën urdhërat e një shqiptari, kush do ta imagjinonte dot?
Tani e paimagjinueshmja tjetër është që emri i shqipos të hyjë në historinë e Milanit
Krenar për ty vëlla”, shkruan kryeministri.
Po çfarë shkruan Auroni, i ndodhur në Nivicë të Kurveleshit, me jetë mes SHBA dhe Shqipërisë, shok fëmijërinë dhe shok basketbolli me Ramën?
“Si një shqiptar ashtu si shumë shqiptarë të tjerë që kanë shkruar që nga Zelanda e Re, Alaska, Kalifornia apo ndonje fshat i thellë këtu në Shqipëri, edhe une jam shumë krenar që një shqiptar arrin një majë të tillë në karrierën e tij personale.
Suksesi i Iglit duhet të frymëzojë cdo shqiptar që vendos të provojë veten dhe fatin e tij në botën e madhe ku sot jetojmë apo kontribuojmë.
Urimet e sinqerta të shumë shqiptarëve i vleresoj shumë si një mbështetje me të vërtetë e sinqertë. Por më duhet të them se sot në mëngjez lexova edhe disa urime thellësisht hipokrite.
Shqipëria futbollistike dhe ajo politike nuk patën ndonjë deshirë apo vullnet që ish-Drejtorin e Lacios ta përfshinin apo angazhonin ndonjë projekt sportiv për të mirën e vendit.
Prandaj urime Iglit dhe na kurseni hipokrizitë shqiptare”.
Kujtojmë se Auron Tare ishte Drejtor i Agjencisë së Bregdetit në mandatin e parë të Ramës, si dhe ideatori i projektit “100 fshatrat”. Por diç nuk eci mes tyre, ashtu siç në rastin e Tares tjetër, Gentit (Agronit), emëruar drejtor i Portit të Durrësit, por dorëhequr(shkarkuar) shpejt nga ajo detyrë.
Nga ana tjetër, në shkrimet e Ramës të llojit “amarcord”, kryeministri i pat dedikuar një sosh familjes Tare, duke e përshkruar atë dhe posaçërisht vëllezërit Auron, Igli e Genti, me shumë vlerësimë e superlativa. /tesheshi.com/