Edi Rama pak ka folur mbi rrahjen që iu bë në kohën e trazuar të vitit `97, por së fundi e ka pëmendur atë në një intervistë të dhënë për kanalin italian ‘La 7’. Ai ka veçuar faktin se ajo ngjarje kurrë nuk u zbardh, por sipas tij, nuk ka dyshim që kanë qenë njerëz të SHIK-ut të atëhershëm ata që e sulmuan. Dhe në fakt, dy nga ngjarjet më tronditëse afër njëra – tjetrës në kohë, ishin djegja e gazetës Koha Jonë, si dhe rrahja brutale e Ramës. Por ndërsa botuesi Nikollë Lesi ka kërkuar hetimin e asaj ngjarjeje, ku iu dogj e gjithë redaksia, Rama nuk e ka bërë një gjë të tillë. Duhet kujtuar fakti se ndër njerëzit që më së shumti e kanë përjetuar keq atë ndodhi, ka qenë Fatos Lubonja, në atë kohë mik për kokë me Edin, që thuhet se ka shpërthyer në ngashërime teksa e ka parë të gjakosur e të fashuar, në shtëpinë e tij.