Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

RAI dokumentar për Saimir Pirgun, ish-mësuesi i tij rrëfen fëmijërinë e tenorit me famë

Nga Bardha Nergjoni

14432984_1282316345112021_8377815608237126320_n

Elbasani ka vendin e tij në jetën e tenorit tashmë me famë botërore, Saimir Pirgu. Deri në moshën 16-vjeçare, Pirgu bashkë me familjen e tij jetoi dhe u shkollua në këtë qytet. Produksioni RAI ka vendosur t’i kushtojë një dokumentar tenorit që u mbrujt në Shqipëri, shpërtheu në Itali dhe tashmë njihet për koncerte të suksesshme në të gjithë botën. Saimiri kaloi një ditë me kujtimet e tij në këtë qytet. I ndjekur nga mësuesi i tij i dikurshëm, Astrit Lopari, tenori u ndal në shkollën Onufri ku mësoi notat e para muzikore, u ngjit në skenën e teatrit Skampa, u takua me shokët e shoqet e dikurshme të shkollës duke risjellë në kujtesë vitet që shënuan rritjen e tij fizike dhe artistike. Pirgu u ndal në kishën e vjetër të Shën Mërisë, në rrugicat e Kalasë dhe gjithçka rrodhi si me magji duke plotësuar boshllëkun që një artist i madh si ai e ka ndjerë me largimin nga vendi dhe njerëzit.

14355783_1282316328445356_2318772403552336970_n

Jeta e Saimirit është e lidhur me Elbasanin pasi prindërit e tij u zhvendosën në qytetin e metalurgëve nga një fshat i Korçës kur ai bashkë me të vëllain ishin ende të vegjël.  Dy prindër metalurgë mbetën të papunë pas viteve 90-të dhe sakrifikuan shumë që djali i tyre i spikatur në talent të ndiqte rrugën e tij. Shkolla Onufri ka një stendë për tenorin dhe shumë kujtime. Detajet vijnë nëpërmjet ish-mësuesit të tij Astrit Lopari, një kontribues me shumë peshë në shkollën e artit të qytetit të Elbasanit dhe një shoqërues i Pirgut gjatë realizimit të këtij dokumentari.

14344722_1282316321778690_650671788487875930_n

Televizioni shtetëror italian RAI është duke bërë një dokumentar për tenorin Saimir Pirgu i cili ka një pjesë të jetës së tij në Elbasan. Si e kujtoni ju Sajmir Pirgun si nxënës?

Saimir Pirgu ka ardhur në shkollën Onufri  kur ishte fare i vogël. Ka vazhduar deri në klasën e tetë violinën dhe më pas u hodh në Kanto. Kishte vesh muzikor dhe talent. Kuptohej lehtë se premtonte. Ka marrë pjesë në disa festivale të pionierëve dhe ishte ngjitur në skenë me këngën por në Kanto u hodh vetëm në shkollën e mesme. Dihet që zërat e meshkujve dallohen me vështirësi edhe në moshën e adoleshencës për shkak se piqen me vonesë por edhe në atë moshë por Saimiri bën pjesë tek ato zëra të cilët kishte fituar një farë ngjyrimi dhe dallonte. Ai kishte një farë garancie më tepër nga të tjerët dhe dy vitet e shkollës së mesme që qëndroi tek Onufri tregoi me dy saxhot se ishte një tenor që premtonte shumë. Mbaj mënd se mësuesja e tij e Kantos Eleonora Minaj u mërzit kur Saimir Pirgu u zhvendos në Tiranë pasi mbaroi dy vite në shkollën tonë.

Pirgu lëvizi drejt Tiranës e më pas drejt Italisë. Ishin lëvizjet e duhura drejt suksesit?

Duke qenë koshient për cilësitë vokale lëvizja drejt Tiranës u kthye më tepër si një detyrim për të garantuar të ardhmen artistike të tij. Pasi mbaroi liceun artistik pati dhe kontakte me specialistë të tjerë dhe të huaj, por lëvizja drejt Italisë, u bë pjesë e aventurës jo thjesht i një të riu të zakonshëm por të një muzikanti që kishte fiksuar në vetvete deri diku idenë e kontaktit me shkollën e “Belkantos” në Itali. Iu desh të punonte edhe si ndihmëskuzhinier në fillesa duke synuar vokalin e tij. Sigurisht që kontakti në Modena me këngëtarin më të madh Pavaroti bën dhe kthesën profesionale të artistit të ardhshëm. Njohja nga Pavaroti të cilësive të tij vokale garantojnë që shumë shpejt ai të kalojë sprovën e ballafaqimit me skenën. Shumë shpejt talenti i tij si një tenor i ri zuri vend në jetën artistike të Italisë.

Më pas jeta artistike e tij kaloi ndërmjet Italisë, Austrisë e shteteve të tjera duke u afirmuar në gjetjet më të mira të tenorëve të rinj. Është sukses i tij afirmimi në mënyrë të shpejtë, të vrullshme në jetën artistike operistike europiane. Tashmë agjenda artistike e tij përfshin jo vetëm Europën por edhe Amerikën, Azinë etj.

Si e përjetuat ju si ish-mësues një ditë me Saimir Pirgun në Elbasan?

Ardhja e Saimirit në Elbasan nuk mund të kalonte si një ditë e zakonshme dhe vërtet ishte një ditë shumë e ngarkuar. Kisha ftuar shokë dhe shoqe të tij qysh nga klasa e parë fillore. Lajmëruam po ashtu violinistë dhe instrumentistë të tjerë të talentuar të shkollës. Ish-mësues ishin përgatitur ta prisnin dhe mund të them se Saimiri u ndje shumë mirë. Kuptoi që e kemi vlerësuar dhe dashur shumë dhe mbushëm një boshllëk që kishte kohë që nuk  ishte materializuar me kontaktin me shkollën, me teatrin Skampa, me mjediset ku ka kaluar fëmijërinë si muzikant dhe si qytetar. Po kështu vizitoi me mjediset e kalasë, kishën ortodokse Shën Maria duke bërë pjesë të këtij dokumentari edhe një pjesëz histori.

14358721_1282316175112038_7246282535689558283_n

Shkolla Onufri zë një vend të veçantë dhe u konfirmua edhe një herë  idea se në këtë qytet e nisën karrierën e tyre si këngëtarë të cilësisë më të lartë si Ruzhdi Karaj, Kastriot Tusha e në vazhdim Saimir Pirgu, të cilët ne i kemi quajtur “Tre tenorët e Elbasanit”

Ishin të gjitha emocionuese si takimi me shokët e klasës pasi kishte nga ato që kishte mbi 20 vjet pa u takuar, me mësuesit e tij.

Kujtoni ndonjë sjellje çapkëne të Saimirit?

Saimiri ishte një djalë i qeshur gjithmonë, shumë i hedhur dhe çapkën. Një ngjarje që ma kujtoi vetë ishte pikërisht orvatja tek dera kryesore e shkollës. Saimiri më kujtoi që i kam tërhequr veshin për këtë gjë. Nuk e mbaj mend por e kujtoj si fëmijë të hedhur e mjaft të gjallë.

Po ndonjë ngjarje që ka lidhje me muzikën?

Saimiri ishte interesuar jo vetëm për violinën por edhe për të studiuar piano. Më kujtohet që në vitin 1997 për të ruajtur bazën materiale të shkollës, pjesën më të madhe të veglave muzikore i morën nëpër shtëpitë tona. Pas qetësimit të situatës kur u kthyen instrumentat dhe baza tjetër materiale mungonte një piano. Pianoja ishte jasht përdorimi në fakt por duhet të kthehej. Dihej që e kishte marrë Saimiri dhe e kishte riparuar deri në një farë mase për shkak se ishte në inventar u detyrua ta sjellë në shkollë. Ky fakt bëri që sa kohë qëndroi në shkollë Saimirin mund ta kisha një far aleati për rregullimin edhe të pianove të tjera.

14344741_1282316221778700_1992321381442172147_n

Shkolla “Onufri” njihet për spikatjen e talenteve që kanë bërë emër sidomos në Europë…

Shkolla “Onufri” bën pjesë në dy tre shkollat më të mira të Shqipërisë. E ka dëshmuar këtë qysh në vitet ‘80. Tashmë i ka kaluar mbi 55 vjet dhe realisht ka nxjerrë talente të spikatur jo vetëm në fushën e muzikës por edhe të artit figurativ. Me hapjen e Shqipërisë mjaft nga këto talente janë ballafaquar me kërkesat e shkollave europiane, por shpesh janë bërë pjesë edhe të jetës artistike ku jetojnë tashmë. Kanë marrë pjesë në konkurse ndërkombëtare dhe mund të themi që kemi violinistë cilësorë në Francë si Besa Cani, Matilda Daiu, Fatjon Hoxholli,  Demir Lulja në Argjentinë, etj. Sot ka shumë të tjerë edhe në arte figurative që janë dalluar sidomos në shkollën italiane.

Cili ishte qëllimi i këtij dokumentari kushtuar Saimir Pirgut sipas jush?

Dokumentari tqë pritet të transmetohet nga RAI kishte si qëllim të dëshmonte një lidhje të hershme të talenteve të reja si rasti i Saimirit me traditën kulturore të vendit të tij. Këtë gjë do ta dëshmonte kontakti me Elbasanin, më tej me Beratin, Gjirokastrën, Sarandën ku trashëgimia kulturore përbën një veçanti në traditën e mbishtresëzimeve kulturore që nga antikiteti deri në ditët e sotme. Sajmiri u ndje i vlerësuar në qytet dhe pavarësisht nga shkëputja, e përjetoi në çdo kontak në Elbasan respektin për talentin e tij dhe dashamirësinë tradicionale elbasanase që në një farë mënyre e konsideron tenorin si prodhim të sajën edhe pse për pak kohë.  Saimiri ka ikur 16 vjeç nga Elbasani dhe kthehet në moshën 34 vjeç me një karrierë të suksesshme, me shumë nostalgji dhe rizbulim të asaj që ka lënë mes nesh dhe që u përpoqëm ta transmetojmë. /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts