Derbi më i famshëm shqiptar i pas-luftës së dytë botërore, nuk është thjesht një përplasje midis dy skuadrave të futbollit. Në këto ndeshje përplasen edhe dy tifozeritë ultras me batuta, parrulla dhe sharje nga më të ndryshmet. Gjithsesi ky derbi është më emocionuesi i kampionateve të fundit, për shkak edhe të përplasjeve të tifozerive edhe në rrjetet sociale me surpriza nga më të ndryshmet…
Tashmë ethet e derbit kanë filluar të ndihen te tifozët e të dy palëve. Batuta e kundërbatuta po shkëmbehen nëpër rrjetet sociale dhe tifozët e zjarrtë po përgatisin parullat e radhës. Derbi klasik i këtyre 50 viteve të fundit, i cili ngjall emocione të pafund te të gjithë tifozët, ultras ose jo… Tirona Partizani është derbi el classico, i cili ngjall emocione edhe kur nuk diskutohet për kreun e renditjes së Superligës Shqiptare. Këtë të premte bardhëeblutë e Tironës do të jenë përsëri përballë të kuqve të Partizanit, zebrat kundër demave. “Morri i kuq” do të thonin tifozët e Tironës – kundër “minjve të Bashkisë” do të thonin ultrasit e Partizanit. Të dyja palët kanë tifozeri të zjarrtë, dhe që e ndjekin skuadrën e tyre me vëmendje, sidomos betejat midis tifozerive ultras ndizen më tepër në vigjilje të këtij derbi, ku rezultati i kësaj radhe do të ndikojë ndjeshëm edhe në renditjen dhe kreun e saj. Sms në celular, mesazhe e statuse në FCB janë treguesit që tashmë është ndezur atmosfera midis tifozëve. Kukësi shpreson në një hap fals tjetër të Tironës, ndërsa vetë Tirana e ka të qartë se i duhet një fitore patjetër për të kapur kreun dhe ndoshta kësaj radhe të shkëputet edhe nga Kukësi me pikë. E stadiumet tona mbushen kur luan Tirona, e kur ka ndeshje të tilla me rivalitet. Ultrasit e Tironës në procesion shoqëronin një arkivol të mbuluar me flamurin e Partizanit para ndeshjes së fundit nëpër itinerarin nga Pazari i Ri e deri në stadium, kurse ultrasit e Partizanit, që kanë si pikë takimi pallatin e sportit Partizani kishin veshur një gomar me bluzën e Tiranës. Kësi lloj surprizash kanë qenë nga më të larmishmet edhe në shkallët e stadiumit, por që shpesh nuk mirëpriten, për shkak edhe të fjalorit vulgar që i shoqëron.
Ajo që do të donim të nënvizonim është tifozeria ultras e Tironës, e cila kohët e fundit është mbajtur nga Federata larg stadiumeve për shkak të përplasjeve me tifozeritë e tjera në Shkodër dhe në Elbasan. Shpirti i zjarrtë i tifozerisë tiranase është keqpërdorur, ky është mendimi i përhapur gjerësisht tek grupet e tifozëve të papërmbajtshëm, të cilët kanë ruajtur një ritual të hershëm të tifozëve, që nga viti i largët 1986, kur mblidheshin së bashku dhe i drejtoheshin stadiumit për të brohoritur Tirona-Tirona dhe nuk mund të hidhnim më shumë parrulla, se forcat policore asokohe ndërhynin duke i nxjerrë jashtë stadiumit tifozët. Madje i hipnin në makinat e policisë dhe i linin në Qafë Kërrabë apo Qafë Mollë për t’u kthyer në këmbë, në një kohë kur komunikimi urban ishte shumë i ulët dhe duheshin orë të tëra pritje për ndonjë makinë të rastit. Megjithatë vetë tifozët e Tironës i kujtojnë me mall ato ditë kur për Tironën luanin legjendat e futbollit Minga, Muça e Mema.
Datojnë qysh prej asaj kohe besimi i ultrasve të Tironës në përmbysjen e rezultatit, kur disa herë Tirona është gjendur në dizavantazh 0 me 2 me Lokomotivën e Durrësit, apo me Labinotin e Elbasanit përsëri 0 me 2, dhe rezultati përmbysej nën britmat frenetike të tifozëve gjegjësisht në 3 me 2 dhe 4 me 2. Apo meqë jemi në prag të derbit le të kujtojmë këtu fitoren 7 me 3 të Tironës, kur skuadra bardhë e blu u gjend në dizavantazh në këtë ndeshje, por më pas ngadhënjeu në mënyrë të padiskutueshme 7 me 3. Pas kësaj ndeshje të mbyllur nën thirrjet frenetike të tifozëve një vargan ultrasish ju drejtuan qendrës së sheshit Skënderbej duke bërtitur e brohoritur pa ndalim për Tironën e dashur. Kjo u kthye me dashje apo dashjen e regjimit në një ritual, ku shprehej edhe një mospëlqim ndaj të gjitha atyre viteve persekutim të Tironës tonë të dashur në futboll.
Kjo ndeshje dhe disa të tjera bënë që tifozët të kenë një besim të jashtëzakonshëm tek ajo skuadër fantastike, e cila në vitet 1980 do të bënte ligjin në kampionate e kupa, si dhe do të furnizonte Kombëtaren dhe Shpresat. Por më tepër do t’i ushqente shpirtërisht pikërisht ata që shteti komunist i persekutonte. Le të shpresojmë që këto ndeshje dhe ky rivalitet i këtij derbi, të cilin mezi e presim të shkojnë mirë dhe në fund tifozët e futbollit të marrin atë më të paktën nga kjo ndeshje, spektaklin e shumëpritur. Tirona me Partizanin do të përplasen përsëri, e përsëri Tirona do të bëjë histori, si me humbjen apo me fitoren e vet…
Përgatiti: Roald A. HYSA